Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Qeveria dhe KESH dënojnë njerëzit e ndershëm dhe favorizojnë shkelësit e ligjeve

    Qeveria dhe KESH dënojnë njerëzit e ndershëm dhe favorizojnë shkelësit e ligjeve

    Nga Prof.Ilia TELO -

    Ky titull është paradoksal, por në realitet është e vërtetë. Ka disa vjet, që Korporata Energjitike Shqiptare (KESH) po rrit çmimet dhe tarifat e energjisë elektrike, në një kohë që humbjet e energjisë janë afro 40% ?!(Pjesa më e madhe e këtyre humbjeve janë, vjedhje të energjisë nga subjekte të ndryshme, të cilët megjithëse konsumojnë energji, nuk paguajnë për konsumin e saj. Edhe tani është bërë një projekt për rritjen e mëtejshme, të çmimeve të energjisë elektrike?! Ne nuk kemi qenë dhe nuk jemi dakord me një praktikë të tillë pune. Ka disa vjet që kemi argumentuar, se nuk duhet të rritet çmimi i energjisë elektrike. Këto argumenta, ne ia kemi sugjeruar KESH-it dhe Entit Rregullator të Energjisë, i kemi botuar dhe në median e shkruar, por nuk janë marrë parasysh. Në vitin 1975, prodhimi i energjisë elektrike në shkallë vendi, ishte 1648 milion Kw/h. Duke qenë se në atë periudhë, hidrocentralet nuk plotësonin nevojat e konsumit, 41% e prodhimit sigurohej nëpërmjet termocentraleve. Pas këtij viti, janë vënë në funksionim hidrocentrale të fuqishëm dhe për pasojë, pas viteve 1980-të prodhimi nga hidrocentralet është 5-fishuar, në krahasim me prodhimin e vitit 1975. Në këtë mënyrë u krijuan kushte, që të zvogëlohej prodhimi nga termocentralet, i cili sigurisht është me një kosto shumë më të lartë. Në këtë mënyrë, pesha specifike e prodhimit të termocentraleve, zbriti në 6% Duke qenë, se prodhimi i energjisë elektrike nga hidrocentralet, varet shumë nga sasia e rreshjeve, shteti në ato vite, për të mos krijuar krizë energjitike në vitet e thata, manovronte nëpërmjet prodhimit të termocentraleve (të cilat ishin në gadishmëri) si dhe nëpërmjet importit të energjisë. Çfarë ndodhi pas vitit 1990, në sistemin energjetik? Shkurtimisht, ndodhën këto fenomene: 1. Nuk është ndërtuar asnjë vepër energjetike. Edhe Hidrocentrali i Banjës, ndërimi i të cilit kishte filluar para vitit 1990 dhe ishin shpenzuar dhjetra milionë dollar, nuk është vënë në shfrytëzim. Nga qeveritë dhe partitë politike vazhdimisht, kemi dëgjuar se do ndërtohet hidrocentrali i Bushatit, se do të zgjidhet kriza energjetike etj, por në realitet ato ishin vetëm fjalë dhe jo vepra. 2. Në përgjithësi, prodhimi nga hidrocentralet e vegjël ka shkuar në minimum. Pjesa më e madhe e këtyre hidrocentraleve, të cilat ishin burim i rëndësishëm energjie, janë shkatërruar. 3. Është zvogëluar shumë prodhimi i energjisë elektrike nga termocentralet. Për këtë, mjafton të japim dy tregues. Pesha specifike e prodhimit të termocentraleve vitin e kaluar, ishte më pak se 2%, krahasuar me prodhimin e energjisë elektrike në vend. Prodhimi i energjisë elektrike nga termocentralet aktualisht është rreth 10 herë më i vogël, se prodhimi i realizuar nga termocentralet, në vitin 1975 Humbjet në rrjet (ose vjedhjet) janë shqetësimi kryesor Në bazë të të dhënave, të vjetarëve statistikor, pesha specifike e humbjeve në rrjet para vitit 1990, ishte nga 10-13 %. Nga sa jemi informuar dhe në vendet e tjera, humbjet në rrjet janë rreth 10% të prodhimit. Në bazë të të dhënave, të vetë Korporatës Energjitike Shqiptare, pesha specifike e humbjeve në rrjet, vitin e kaluar ishte 39,2 %, ose 2281 milion Kw/h energji elektrike. Po të zbresim humbjet e arsyeshme teknike 13 % (aq sa ishin para vitin 1990), pjesa tjetër janë vjedhje ( 1524 milion Kw/h). Në rast se do të eliminohen këto vjedhje, aëherë konsumi familjar i energjisë elektrike, do të ishte 3 630 milion Kw/h, ose 72 përqind më shumë se konsumi i vitit të kaluar. Sigurisht, me një konsum të tillë të energjisë elektrike, plotësohen shumë mirë të gjitha kërkesat e popullsisë, për energji elektrike. Mirëpo, KESH dhe Enti Rregullator i Energjisë, jane pajtuar me këto vjedhje. E theksojmë këtë për faktin, se në vend që të ulin ato në mënyrë drastike, për të mbuluar të metat e punës së tyre, ata kanë gjetur rrugën e rritjes së çmimeve, për konsumatorët korrekt dhe këto janë miratuar nga ana e qeverive?! Në bazë të planit të masave për sektorin energjetik, pesha specifike e humbjeve për vitet e ardhme, është parashikuar si vijon:
    2006 - 37 %
    2007 - 34 %
    2008 - 31 %
    Siç theksuam, pjesa më e madhe e këtyre humbjeve, janë vjedhje të energjisë. Është e vërtetë se një pjesë e familjeve, kanë të ardhura shume te vogla dhe me buxhetin e tyre nuk përballojnë shpenzimet duke përfshirë dhe energjinë elektrike. Mirëpo, rruga e zgjidhjes nuk është që të konsumojnë energji elektrike pa pagesë. Shteti, në raste të tilla duhet që të rishikoj nivelin e ndihmave sociale dhe të gjej mundësi për rritjen e tyre. Në bazë të të dhënave të mësipërme ne nuk jemi me variantin e e rritjes së mëtejshme të çmimeve të energjisë elektrike Çfarë kërkon KESH-i dhe Enti Rregullator i Energjisë dhe çfarë kërkojnë sindikatat? KESH-i dhe Enti Rregullator i Energjisë kanë projektuar, që për këtë vit të rritet çmimi mesatar, i energjisë elektrike nëpërmjet këtyre rrugëve:
    1.Të ulet tavani i çmimit më të ulët të energjisë, nga 210 në 180 kw/h energji në muaj për familje.
    2.Të rritet çmimi për 1 kw/h energji elektrike për konsumin mujor deri 180 Kw/h nga 4,5 në 5,2 lekë
    3. Të rritet çmimi, kur konsumi mujor është mbi 180 kw/h nga 9 në 10 lekë Si rezultat të këtyre ndryshimeve, çmimi mesatar shtohet rreth 14% në krahasim me çmimin mesatar, të mëparshëm.
    Sigurisht, në caktimin e çmimit të shitjes treguesi bazë, që duhet të merret është kostoja e prodhimit. Ky tregues i rëndësishëm nuk na është dhënë nga ana e KESH-it. Me gjithë këtë, kostoja sigurisht është mjaft e ulët, se pjesa dërrmuese e prodhimit sigurohet nga hidrocentralet, që kanë kosto të ulët.
    Për të gjykuar për këtë, mjafton që të japim të dhëna në lidhje me fitimin e Korporatës, për 3 vitet e fundit:
    Në vitin 2003, fitimi është 3843 milionë lekë
    Në vitin 2004, fitimi është 4932 milionë lekë
    Në vitin 2005, fitimi është 5648 milionë lekë
    Sigurisht, po të zvogëlohen humbjet dhe vjedhjet e energjisë, do të ketë ulje të kostos dhe rritje të mëtejshme të fitimit.
    Çmimi i blerjes së energjisë elektrike nga importi për 1 kw/h është:
    Në 2004 4,57 lekë
    Në 2005 4,96 lekë
    Të gjithë të dhënat statistikore, që përmendëm më sipër, argumentojnë plotësisht, se nuk ka asnjë logjikë ekonomike për rritje të çmimit, të energjisë elektrike.
    Diskutimi i rishikimit të çmimit, të energjisë elektrike, duhet të ishte bërë më parë në Këshillin Kombëtar të Punës, që është organ qëndror i tripartitizmit. Në këtë këshill, marrin pjesë sindikatat, organizatat e punëdhënësve dhe përfaqësuesit e shtetit. Ky këshill ka shume kohë që nuk është mbledhur, gjë që tregon se në vendin tonë, nuk funksionon tripartitizmi, me gjithë kritikat e vazhdueshnme, që janë bërë nga Organizata Botërore e Punës. Sindikatat nuk kanë qenë dhe nuk janë dakord me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Me gjithë këtë në rast se kjo vendoset nga qeveria, (siç është vendosur në të kaluarën), atëherë sindikatat, kërkojnë që të kompensohet rritja e çmimit të energjisë, për mbarë popullsinë. Kompensimi duhet të bëhet, duke u mbështetur në konsumin mesatar, të një familje në bazë të konsumit familjar mujor me të cilën të rriten pagat, pensionet, ndihmat ekonomike etj. Kjo është e aresyeshme për fatin, se po të bëhet kompensimi në përqindje sipas madhësisë së pagave etj, aëherë do të përfitojnë ata, të cilët kanë paga të larta.
    Kjo është e domosdoshme të bëhet, se vetëm në këtë mënyrë zbatohen kërkesat e marrëveshjeve të sindikatave me qeverinë, ku kërkohet indeksimi i të ardhurave të popullsisë, në bazë të indeksit të inflacionit.
    Po pagat e KESH-it në çfarë nivelesh janë? Në bazë të të dhënave statistikore, për vitin 2004 na rezultojnë këto të dhëna në lidhje me pagën mesatare mujore për punonjësit e sektorit shtetëror dhe për punonjësit e KESH-it:
    -Për punonjësit në shkallë vendi 21325 lekë
    -Për punonjësit e KESH-it, 24303 lekë.
    Nga këta për 361 drejtues të KESH-it 67316 lekë Komentet do të ishin të tepërta. Në këtë Korporatë, që ka të meta shumë të mëdha, në administrimin e energjisë elektrike dhe shpërdorimet janë shumë të mëdha, punonjësit marrin pagë mesatare 14 % më të lartë, se punonjësit e sektorit shtetëror. Nga ana tjetër 361 drejtues, në këtë Korporatë, marrin një pagë mujore, që është 3 herë më e lartë, se paga mesatare në shkallë vendi.
    Në këtë Korporatë paga e punonjësve, nuk është e lidhur me treguesit ekonomiko- financiar (sidomos me vjedhjet e energjisë), prandaj drejtuesit nuk janë fare të interesuar për zvogëlimin dhe eliminimin e vjedhjeve të energjisë elektrike.

    Sot.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Turp! KESH vjedh konsumatorët familjarë

    Turp! KESH vjedh konsumatorët familjarë

    Faturistët urdhërohen të shënojnë shuma në bazë të normës, në të kundërt humbasin punën

    Korporata Elektroenergjetike Shqiptare e ka bërë në mënyrë mjaft të hapur vjedhjen e konsumatorëve familjarë. Dje, shumë banorë të kryeqytetit kanë marrë në dorë faturat e muajit mars me tarifa tepër të larta të energjisë elektrike. Ky precedent ka ngjallur reagime dhe pakënaqësi te qytetarët e lagjeve të Tiranës, ndërsa konfliktet e para ata i kanë patur me punonjësit që u sillnin faturat. Në disa raste mësohet se banorë të ndryshëm janë konfliktuar edhe me vetë faturuesit e zonave përkatëse, të cilët nuk kanë mundur të sqarojnë banorët për faturat e larta. Po dje, në shumë lagje të kryeqytetit janë konstatuar ndryshime të faturistëve, të vjetrit ishin ndërruar me të rinj, në një kohë që faturat ishin rritur në vlerë. Një urdhër i ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e KESH-it në adresë të Drejtorisë Rajonale Elektrike të Tiranës ka ndryshuar brenda ditës gati të gjithë faturuesit nga zonat e tyre të mëparshme. Preteksti i kësaj ka qenë reforma që po kryhet brenda korporatës, në një kohë që burime pranë Drejtorisë Rajonale të KESH-it për Tiranën kanë pohuar në mënyrë konfidenciale se ndryshimet kanë lidhje me rritjen e faturave. Po nga të njëjtat burime bëhet e ditur se nga KESH-i ka ardhur një urdhër për të gjitha drejtoritë e rretheve që niveli i shumës që duhet vjelë nga konsumatorët familjarë duhet të jetë në bazë të një norme. Sipas këtij urdhri verbal, çdo faturist i KESH-it duhet t’u faturojë banorëve të zonës së tij nga një shumë të caktuar, e cila realisht është disa herë më e madhe nga konsumi i energjisë që kjo zonë mund të ketë. Për këtë, çdo familjari në faturën e tij i shënohet një sasi disafish më e lartë energjie, edhe pse realisht në matësin e energjisë nuk korrespondon e njëjta masë. Sipas një faturisti të KESH-it për Tiranën, shuma që duhet të shënohet në bazë të një norme bëhet për arsye se korporata ka deficite të mëdha në buxhetin e saj. Absurditeti shkon edhe më tej, kur faturistët kërcënohen nga shefat e tyre se nëse nuk arrijnë të kalojnë shumën e kërkuar në normë te konsumatorët familjarë, atyre mund t’u pritet edhe rroga. Sipas njërit prej faturistëve në lagjen “Tirana e Re” P.V.: “Norma e kërkuar nga KESH-i duhet të realizohet medoemos, në të kundërt faturisti transferohet nga ajo zonë (si paralajmërim për heqje nga puna). Nëse nuk e realizon normën përkatëse në një tjetër lagje, ai edhe mund të shkarkohet nga puna”. Një gjë e tillë i detyron faturistët që jo vetëm ta realizojnë normën e kërkuar, por edhe ta ekzagjerojnë duke e tejkaluar atë. “Gjithçka për vendin e punës”, - shton faturisti P.V. Preteksti që përdoret në të tilla raste nga drejtuesit e KESH-it, sipas tij, është se konsumatorët abuzojnë me energjinë dhe në pjesën më të madhe e vjedhin atë në forma të ndryshme. Por në një kohë që kjo mund të verifikohet vetëm nga Policia Elektrike, këta të fundit hyjnë në aksion vetëm në rastet kur u kërkohet të shkëpusin totalisht energjinë. Nga ana tjetër, abuzimi ndodh edhe si pasojë e mungesës së informacionit nga ana e konsumatorëve familjarë, të cilët nuk dinë por dhe nuk mund të llogarisin dot sesa kilovatorë harxhojnë mesatarisht në muaj. Megjithatë, as kjo nuk mund të konstatohet dot, sidomos pas ndryshimit më të fundit që iu bë tarifave të energjisë për konsumatorët.
    E. K.


    5 Prill 2006

    Albania.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Iliriani
    Anëtarësuar
    24-03-2004
    Postime
    986
    Sipas nje kronike te Top Channelit sot [dihet qe ai eshte kanal ne anen e opozites]

    Arsyeja pse KESH kishte dhene fatura te njejta per shume konsumator ne nje bllok qe qe faturuset e meparshem nuk kishin shenuar gjithe energjine e harxhuar---duke ndare pjesen e mosfaturuar me konsumatoret---pra vjedhur--e keta per muaj kishin paguar pak----po nga qe energjia qe e regjistruar----KESH u kerkon te paguanin enerigjine qe nuk e kishin paguar me keto marifete per muaj----e qe mos tjua ngarkonte te gjithen ne nje muaj--jua ka bere pak e nga pak shume e pa paguar cdo muaj.

    Gjeja qe shiko keto dite eshte nje keqperdorje e keshit per luftra politike----qe eshte papergjegjshmeri per nje kompani qe po perpiqet te dali nga vite e vite keq menaxhim e kjo nuk behet dote ne disa muaj.


    Ne shqiperi eshte teper e veshtire per te futur nje kompani kaq te madhe ne shina , qe ka vite e vite qe faturusit e konsumatoret vjedhin energjine e nuk e paguajne.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Iliriani : 05-04-2006 më 18:26
    O malet' e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
    Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë!

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Energjia elektrike, karamanjollë... për familjen shqiptare

    Energjia elektrike, karamanjollë... për familjen shqiptare

    Ankohen për ditë. Por nuk marrin përgjigje. Tashti është në kompjuter, u thonë nënpunësit e shtetit shqiptar, që kanë vendosur të venë drejtësi në kurriz të qytetarëve të rregullt. Ndërkohë faturistët...akuzohen hapur në media se kanë marrë udhëzime për shifra katastrofike për qytetarët e thjeshtë. Ndërkohë që vetë shteti ka vendosur që të rrisë çmimin pak ditë më vonë. “Që në vitin 2003, kemi theksuar se nuk duhet të rritet çmimi i energjisë. Pasi kjo kërkesë nuk bazohet në të dhëna teknike të padiskutueshme”, shprehet Ermir Dobjani, Ombudsmani shqiptar

    Ben Andoni



    Nuk mund t’i llogaritet mosha kësaj plake të rrëgjuar, e cila ia del të përçajë heroikisht me bërryla një tok burrash, që presin të gjithë pas një dere të pistë. Gruaja e shikon me pezm këtë strehë mashkullore dhe shfryn... Askush nuk e vëren qyqaren…
    Të gjithë shikojnë pas xhamave të derës, mbushur me orar dhe letra gjerbjen e qetë të kafesë nga dy gra. Në duart e këtyre krijesave shkojnë të gjitha ankimimet e kryeqytetasve për faturat tashmë të frikshme të energjisë elektrike.
    “Shtyhu…more”, i thotë trimëresha 80- vjeçare, një rioshi 60-vjeçar, i cili e shikon paskëtaj, si një UFO. “Kush është Br…”, thotë pa kuptim plaka dy minuta më vonë, duke kërkuar si Diogjeni rrugën. Nuk i përgjigjet askush. Sikur të ketë dalë nga galeria e personazheve të Familjes Grande, ajo mban një skufie leshi në kokë…një si tip robdëshambri dhe po diçka leshi…në këmbë. Zallamahia e saj ka ndihur një plak tjetër, që s’i skifter ua mbyll pas vetes derën të tjerëve. Quhet F.G. dhe pak çaste më pas do marr vesh se është 73 vjeç. Gjendja davaritet shpejt dhe askush nuk merret më me plakën, që ka ngatërruar madje dhe udhën e vetme, që bën drejtim me shkallën harkore të Njësisë 1 në kryeqytet. Duke u ngjitur, anash saj, një burrë pa flokë i shmanget dhe mundohet që të futet pa radhë. Është i indinjuar se fatura i ka ardhur 4.600 lek këtë muaj. “A ke marre…Ti paske ken gazep! Veta e kam trefish...e bash nuk po m’dhimbet!”, i thotë një verior i këndshëm, që ia bën me kokë ‘demokratikisht’ të mbajë radhë. “Kam fut në dhom’ të grus nji furr’ buke”, më thotë e zgërdhihet para paditurisë sime dhe qerosit…”Unë kam 20.000 lekë në kurriz..dhe mbaj radhë”, i shkrehet një burrë i qetë qerosit, që zbythet vetvetiu.
    Sakaq qetësia është vendosur, ndërsa dy gratë e Popullit japin e marrin me të moshuarin. Kur del më shpjegon se 2.300 lekshi, që i është faturuar për një apartament të djalit, është krejtësisht i palogjikshëm, sepse...atje nuk banon asnjeri…Flet...por përveç meje nuk e dëgjon askush. Kështu ndodh në këtë korridor. Mund të dëgjosh halle nga më të çuditshmet, dhe duket qartë se askush nuk ia ka ngenë njëri-tjetrit. Realisht, atyre sëbashku askush nuk ua ka ngenë në këtë mëngjes fillimprilli…Tashmë, sistemi i faturave aforfe, nuk njeh përmasa, dhe të gjithë njerëzit duhet që të binden…para një të keqe, që po kthehet në një epidemi vrastare…”I kemi fut në kompjuter”, thonë faturistët, që tashmë kanë mbi vete një nga profesionet më të urryera për njerëzit.

    Situata shqiptare

    Në të vërtetë, ka pak kohë që situata e konsumatorëve shqiptarë përballë energjisë është në kaos të plotë. Faturat me shifrat e tmerrshme, që vinë në drejtim të familjeve, kanë bërë që ato të tronditen seriozisht. Shumica e viktimave janë bash njerëzit e thjeshtë që paguajnë gjithmonë. E kur mendon se në prill, çmimi i energjisë parashikohet që do të shtohet më tej, atëhere një panik i fshehur lodron kudo mbi kokat e nxehta të konsumatorit shqiptar. “Kam një apartament dhe jemi katër vetë. Më ka ardhur fatura plot 20.000 lekë. Kontrollova sahatin poshtë dhe shifra që kanë vu… Ai numër që më ka ardhur mua nuk ka mbërit ’akoma”, më thotë burri me iniciale M.G., që ka disiplinuar qerosin. Pas pleqve është radha e tij që të futet në ankimim. “Unë ja dorëzova… ata më thonë nuk ka ardh’ akoma përgjigja nga Ermali. Shkova te Ermali dhe ai më thotë s’kam punë…Shifra e konsumit do dhe disa kohë që të rakordohet. Këta e kanë vu në mënyrë fiktive dhe unë duhet të paguaj… Unë thjesht, kërkoj një anulim fature. Këta mund të më thonë edhe, që t’i ulim muajin tjetër. Po unë paguaj TVSH të lartë...E llogaris dhe shkon afër 12.000 lekë të vjetra që të paguaj me këtë mënyrë”. Tund pa shpresë kokën. Në fakt është i vetëdijshëm, që harxhon shumë, aq, sa nuk mban më. Por jo kaq. “Nuk paguaj më, i tregon e qeshur një grua shoqes së saj…Shiko faturën e janarit...Shiko çfarë bëjnë këta! Nuk bërtasim dot…sepse na duhet që të këlthasim me këta”. Takova faturistin e zonës, i shton në mirëbesim shoqes, dhe më tha se “duhet me e kry’ normën e KESH-it, sepse në të kundërtën faturisti transferohet nga ajo zonë. Ky është paralajmërimi për ta hequr më vonë nga puna. Dhe, po ta përsërisë, atëhere i tregohet dera”

    Intermexo

    Ashtu si parashikohet nga specialistët, rritja e çmimit të energjisë elektrike do të vazhdojë që të shtohet nga viti në vit… derisa të barazohen kostot me tarifat përfundimtare të energjisë. Aktualisht, konsumatorët familjarë kanë një çmim prej 5.95 lekësh për kilowat/orë dhe pjesa e konsumatorëve familjarë, i përkasin bllokut të parë të konsumit që harxhojnë deri në 220 kw/orë energji elektrike për çdo muaj…Pretendohet se parashikohet një rritje e kujdesshme… për kilowat, por...e vërteta është ndryshe. Konsumatorët, në ditët tona, konsumojnë gati 70 % të energjisë në treg, pra deri 2.3 miliardë energji elektrike…Me pak fjalë, Pjetër Dema, shefi i Entit Rregullator të Energjisë, i intervistuar nga “Bisnesi” ka kërkuar faturimin e energjisë aforfe dhe për një vit tjetër e gjysmë me argumentin e thjeshtë: “KESH nuk ka mundësi financiare për pajisjen me matësa të konsumatorëve për këtë periudhë kohore”. “Në shumicën e shtëpive janë matësat”, pretendojnë njerëzit e njësisë, që duan të të heqin qafe menjëherë. Sqarojmë se pagesa aforfe, si mënyrë të vepruari, ka më shumë se një vit e gjysmë që ka kaluar si mënyrë pune. Ajo ka pasur si afat të fundit 31 dhjetorin e vitit 2004, kohën kur të gjithë konsumatorët duhet të pajiseshin me matësa të energjisë elektrike…”Duhet me pagu për malokët”, më thotë veriori, që bën humor me furrën e bukës. “Tek lagja ime, faturistja është boll gru’ e mirë. Vjen. Shikon numrat dhe ikën me vrap. Sa shkon i hedh në kompjuter dhe pastaj nuk duket më aty. Kanë plan me na i fut. E majm ne” ,më shkel syrin. Vazhdoj logjikën e tij. Duhet që të rriten lekët me arkëtimet…dhe kjo mënyrë duket se po i shkon për shtat strukturave të KESH-it. ”Jemi boll budallenj dhe mbajmë”, më thotë një burrë, që është afruar pa zë. Nuk beson madje dhe kontratat e reja, që ka premtuar se do të bëjë KESH-i. Në këtë kontratë do të rreshtohen një sërë kriteresh, që duhet të respektohen. Por, askush nuk është i bindur nga hallexhinjtë se KESH-i do t’i respektojë ndonjëherë këto kritere. Në shtypin e përditshëm fliten për 2 milionë kontratat e reja, që shpresohet se do të bëjnë një verifikim total të sistemit të shpërndarjes si edhe të numrit të abonentëve...Ky database shpresohet se do të rregullojë sadopak edhe konfuzionin e KESH-it për konsumatorët e tij…

    Në pritjen e popullit

    Këtu ka boll kohë. Vetëm se gratë e pritjes nuk e kanë me aq shumë ngut. “Nuk e dinë, or Zotni, që mua me dhimbset koha mbi të gjitha, por këto nuk e çajnë t…fare”, më përgjigjet M.G. 62 vjeçar, një burr i qetë, që tashmë nuk duron më. Të tjerët e shikojnë me qetësi të shtirë, ndërsa qerosi…si më “fajtori” nga të gjithë e inkurajon me sy. Pak minuta më vonë pason heshtja. Njësoj, të gjithë, kërkojnë që të ballafaqojnë faturën me leximet dhe të binden për atë që kanë lexuar faturistet e padukshme. “Ka raste që i kanë verifikuar vetë dhe nuk përputhen. Duan medoemos, që të realizohen këto. Matësa ka kudo...në blerje e sipër janë”, më thotë një nga gratë e pritjes, që nuk harron të më këshillojë se gazetari duhet ta fillojë shqyrtimin e piramidës së tyre zyrtare duke filluar nga shefat më sipër…
    Më pas më jep një leksion për organizimin e sistemit të mbledhjes së arkëtimeve.
    “Eshtë Njësia Tirana 1, është Njësia Tirana 2… dhe Tirana Fshat. Njësia është sa gjysma e Tiranës…dhe janë konceptuar nga numri i abonentëve. Inxhinieri i zonës e ballafaqon ankimin me faturuesit. Këta bëjnë verifikimin në vend me ankesat e paraqitura. Në fund bëhet një procesverbal për zgjidhje se çfarë është menduar dhe është konstatuar dhe kthehet përsëri një përgjigje në informacion…Më pas arkivohet. Kjo përgjigje i kthehet klientit, edhe nëse ata nuk binden…Për ne përballohet kjo punë. E gjen zgjidhjen me shefin e sportelit, drejtoreshën e njësisë dhe me radhë deri sa bëhet zgjidhja. Ka raste që ka mospërputhje, ku njerëz pretendojnë se nuk banojnë, por në fakt shikohet që ka konsum të energjisë, sepse lenë aparaturat brenda…lë një dush, një frigorifer dhe kjo bën konsumin e vet…”. Fjalë të bukura dhe të duket se kjo grua e ngeshme është në një zyrë, që ka lidhje më shumë me Zvicrën sesa Shqipërinë.

    Kaosi i energjisë

    Janë të kurdisura gratë e shkreta, sikur t’i ketë porositur dikush. Dhe, trajtimi linear i problemit prej tyre duket se nuk të dërgon asgjëkundi. “Korporata Elektroenergjetike shqiptare po vazhdon të mbetet në krizë administrimi. Që në vitin 2003, kemi theksuar se nuk duhet të rritet çmimi i energjisë. Pasi kjo kërkesë nuk bazohet në të dhëna teknike të padiskutueshme”, shprehet Ermir Dobjani, Ombudsmani shqiptar. Duke iu referuar kësaj thënie, atëhere një rritje e re e këtij çmimi është fare e pajustifikuar, krahasuar me koston e prodhimit apo dhe atë blerjes, madje, në thelb, përbën padrejtësinë e radhës ndaj konsumatorëve korrektë, që tash e mot janë duke vuajtur padrejtësinë e një administrate inekzistente. Burri i faturës 20.000 lekëshe largohet shkallëve me kokën poshtë. “Këta nuk e dinë se çfarë është koha. Mirë lekët, po pse duhet të presim kaq shumë”, thotë në eter pakuptim. Një tjetër, me një tonalitet më të lartë dhe me një fjalor allasoj…i kërkon llogari memecërisë së një nëpunëseje për policinë elektrike. Plaku i rradhës, që del nga Zyra e Popullit tashmë ka dalë i bardhë nga fytyra. “Këta kanë lujt’ mendsh”, më thotë. Shikohemi pa folur. Plaku është me gjithë mend i çmeritur. Kujtoj se një koleg i zakonshëm i tij që është në një vend jashtë shtetit me të ardhurat që disponon, duhet të paguajë shumë më pak.
    Problemi është i njëjtë dhe për sektorin industrial. Në vendet e huaja në sektorin industrial, krahasuar me Shqipërinë…është gati gjysma e çmimit për konsumatorin familjar. Krejt ndryshe është koncepti zyrtar shqiptar (ekonomik e energjetik). Ai, në të vërtetë, ka krijuar mjaft probleme në industri të tilla për të cilat shfrytëzimi i sasive të mëdha të energjisë elektrike është i domosdoshëm. “Trysnia drejt falimentimit e kompanisë ‘Kurum’ apo kërkesa e kompanisë ‘Darfo’ për të blerë e ‘transmetuar’ vetë energjinë elektrike, janë shprehje të këtij diferencimi mjaft të theksuar çmimesh nga operatori i vetëm i energjisë, siç është KESH-i. Dhe, aq më keq, mos garantimi prej këtij të fundit i energjisë së kërkuar për zhvillimin normal të këtyre bizneseve...”, shkruan ish-presidenti Meidani. Pak fakte si këto të bëjnë të mendosh se konsumatori dhe, sidomos shtresat më të margjinalizuara, siç shprehet Avokati i Popullit, Dobjani...do të vazhdojnë të vuajnë. Për shqiptarët, kjo rritje çmimi nuk ka më asnjë justifikim as nga kostoja e prodhimit, as nga “oferta” e një kompanie të vetme, as nga kërkesa e tregut, as nga krahasimi me situata të ngjashme në vende të tjera. “Ka shumë të ngjarë që një prirje e tillë ‘shpëtimi’ është thjesht një pamundësi e kompanisë për të mbledhur të ardhurat nga produkti i saj i shitur, që dhe aq sa është sot, ka një çmim të lartë. E thënë ndryshe dhe “shkoq”, është një “ngulje këmbë” për rritje çmimesh me qëllim “mbajtjen gjallë” të arkës së KESH-it dhe vazhdimin e projekteve mirëmbajtëse e rehabilituese të kompanisë”, vazhdon argumentin e tij, prof. Meidani. Shkurt, shqiptari i thjeshtë duhet të vuajë pamundësinë apo padëshirën e bashkatdhetarit të tij, që nuk e paguan dhe nuk ka burrë nëne që ta bëjë të paguajë. “Pra…hidhërohu, o i Hidhëruar”!...Vuajtja nuk mbaron këtu...
    Teksa zbres shkallët, kryqëzohem me plakën, që e kanë harruar të gjithë. Mbase edhe vetja e vetë. E gjora, që tashmë më duket se ecën në jerm… pengohet dhe mbahet te kërthiza e zbuluar shëmtuar e një vajze vithemëdha. Me sy mbyllur, plaka i jep një të cimbisur në gjoks…dhe instinktivisht humbet në korridorin e katit të parë të ankimimeve. Askush nuk kujtohet për të. Edhe vdekja duhet ta ketë harruar..tashti që i kërkon shtetit të majmur drejtësi për aforfenë e saj. 4 prill 2006.


    ABC nr.31-Ben Andoni
    10.04.2006
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Tema të Ngjashme

  1. Autostrada Durrës-Kukës mbaron ne qershor 2009
    Nga ganoid në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 739
    Postimi i Fundit: 02-08-2010, 18:05
  2. Misioni Amerikan Në Shqipëri (1946)
    Nga DriniM në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 30-07-2010, 21:39
  3. Agjerimi Dhe Urtesia E Tij
    Nga xhenisi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 72
    Postimi i Fundit: 12-08-2009, 09:27
  4. Te biesh ne dashuri me diturine! (Fjale te cmuara)
    Nga Klevis2000 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 20-01-2005, 15:42
  5. Urtesia e Agjerimit te Ramazanit!
    Nga Klevis2000 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 15
    Postimi i Fundit: 17-11-2004, 13:36

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •