Eks. 33:11-23
Kështu Zoti fliste me Moisiun ballë për ballë, ashtu si një njeri flet me mikun e tij; pastaj Moisiu kthehej në kamp. Por Jozueu, biri i Nunit, zbatuesi i tij i ri, nuk largohej nga çadra. Pastaj Moisiu i tha Zotit: "Pa shiko, ti më thua: "Bëj që ky popull të ngjitet". Por ti nuk më ke thënë cilin do të dërgosh me mua. Megjithatë ke thënë: "Unë të njoh personalisht dhe ke gjetur hir në sytë e mi". Prandaj tani, që më ke me sy të mirë, më bëj të njohura rrugët e tua, që të kem mundësi të të njoh dhe të fitoj hir në sytë e tu. Merr parasysh gjithashtu se ky komb është populli yt". Zoti u përgjigj: "Prania ime do të shkojë me ty, dhe unë do të të jap pushim". Atëherë Moisiu i tha: "Në qoftë se prania jote nuk vjen me mua, mos na nis që këtej. Si do të mund të njihet tani që unë dhe populli yt, kemi gjetur hir në sytë e tu? Ndofta kjo ndodh sepse ti vjen me ne? Kështu unë dhe populli yt do të dallohemi nga tërë popujt që jetojnë mbi faqen e dheut". Zoti i tha Moisiut: "Do ta bëj edhe këtë gjë që ke kërkuar, sepse ti ke gjetur hir në sytë e mi dhe të njoh personalisht". Atëherë Moisiu tha: "Tregomë lavdinë tënde!". Zoti iu përgjigj: "Unë do të bëj që të kalojë para teje gjithë mirësia ime dhe do të shpall emrin e Zotit para teje. Do të fal atë që do të fal dhe do të mëshiroj atë që do të mëshiroj". Dhe tha akoma: "Ti nuk mund të shikosh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë". Pastaj Zoti tha: "Ja një vend afër meje; ti do të rrish mbi shkëmbin; dhe ndërsa do të kalojë lavdia ime, unë do të të vë në një të çarë të shkëmbit dhe do të të mbuloj me dorën time, deri sa të kem kaluar; pastaj do ta tërheq dorën dhe ti do të më shikosh nga kurrizi; por fytyra ime nuk mund të shihet".
Jov. 42:12-17
Zoti i bekoi vitet e fundit të Jobit më tepër se vitet e para, sepse ai pati katërmbëdhjetë mijë dele, gjashtë mijë deve, një mijë pendë qe dhe një mijë gomarë. Pati gjithashtu shtatë bij dhe tri bija; e quajti të parën Jemimah, të dytën Ketsiah dhe të tretën Keren-Hapuk. Në tërë vendin nuk kishte gra aq të bukura sa bijat e Jobit; dhe i ati u la atyre një trashëgimi midis vëllezërve të tyre. Mbas kësaj Jobi jetoi njëqind e dyzet vjet dhe i pa bijtë e tij dhe bijtë e bijve të tij për katër breza. Pastaj Jobi vdiq plak dhe i ngopur me ditë.
Isa.52:13-54:1
Ja, shërbëtori im do të begatohet, do të ngrihet dhe do të lartësohet shumë. Duke qenë se shumë veta u çuditën me ty, sepse pamja e tij ishte e shfytyruar më tepër se e çdo njeriu tjetër dhe fytyra e tij ishte ndryshe nga ajo e bijve të njeriut, kështu ai do të spërkasë shumë kombe; mbretërit do të mbyllin gojën para tij, sepse do të shohin çfarë nuk u ishte treguar kurrë atyre dhe do të kuptojnë ato që nuk kishin dëgjuar. Kush i ka besuar predikimit tonë dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit? Ai erdhi lart para tij si një degëz, si një rrënjë nga një tokë e thatë. Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim. I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak. Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar. Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve. I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën. U çua larg nga shtypja dhe nga gjykimi; dhe nga brezi i tij kush mendoi se ai ishte larguar nga toka e të gjallëve dhe ishte goditur për shkak të shkeljeve të popullit tim? Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, po kur vdiq e vunë me të pasurin, sepse nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij. Por i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante. Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij. Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur; me anë të diturisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta, sepse do të marrë përsipër paudhësitë e tyre. Prandaj do t'i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.
1 Kor. 1:18:2:2
Sepse fjala e kryqit për ata që humbasin është marrëzi, po për ne që shpëtojmë është fuqi Perëndie. Sepse është shkruar: “Do të humbas diturinë e të diturve, dhe do të hedh tej zgjuarsinë e të mençurve”. Ku është i dituri? Ku është shkruesi? Ku është kërkuesi i kësaj jete? A nuk marrosi Perëndia diturinë e kësaj jete? Sepse pasi në diturinë e Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me anë të diturisë, i pëlqeu Perëndisë me marrëzinë e predikimit të shpëtojë ata që besojnë. Sepse edhe Judenjtë kërkojnë shenjë, edhe Grekët kërkojnë dituri. Po ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, i cili për Judenjtë është skandal, dhe pë Grekët marrëzi. Po për ata që janë thirrur, Judenj e Grekë, Krishti është fuqi Perëndie dhe dituri Perëndie. Sepse marrëzia e Perëndisë është më e ditur se dituria e njerëzve; dhe dobësia e Perëndisë është më e fortë se fuqia e njerëzve. Sepse, vëllezër, shikoni thirrjen tuaj se sipas mishit nuk ka ndërmjet jush shumë të ditur, as shumë të fuqishëm, as shumë fisnikë. Po Perëndia zgjodhi marrëzitë e botës, që të turpërojë të diturit; dhe Perëndia zgjodhi dobësitë e botës, që të turpërojë të fortët; edhe Perëndia zgjodhi të ultat e botës dhe të përbuzurat, dhe ato që nuk janë, që të prishë ato që janë; që të mos mburret çdo trup përpara atij. Edhe ju jeni prej atij në Jisu Krishtin, i cili u bë për ne dituri prej Perëndie, drejtësi dhe shenjtërim dhe shpërblim, që, siç është shkruar: “Ai që mburret, në Zotin le të mburret”. Dhe unë, vëllezër, kur erdha tek ju, nuk erdha me fjalë të larta apo fjalë diturie, që t’ju tregoj juve dëshminë e Perëndisë. Sepse nuk gjykova t’ju bëj të njohur tjetër veç Jisu Krishtin, dhe këtë të kryqëzuar.
Mt. 27:1-38, Llk.23:39-43, Mt.27:39-54, Jn.19:31-37, Mt. 27:55-61
Edhe si u gdhi, gjithë kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit dhanë e morën këshillë kundër Jisuit, që ta vrasin. Edhe si e lidhën, e çuan dhe e dhanë në duart e Pont Pilatit, qeveritarit. Atëherë kur pa Juda, ai që e tradhtoi, se u gjykua për vdekje, u pendua, dhe ktheu prapë të tridhjetë argjendet te kryepriftërinjtë dhe te pleqtë, duke thënë: Bëra faj që dorëzova gjak të pafajshëm. Edhe ata thanë: ç’punë kemi ne? Ti ke për të parë. Edhe ai, si hodhi argjendet në tempull, iku dhe shkoi e u var. Edhe kryepriftërinjtë si morën argjendet, thanë: Nuk është e udhës t’i vemë ato në thesarin e tempullit, sepse janë çmim gjaku. Edhe si dhanë e morën këshillë, blenë me to arën e shtëmbarit, për të varrosur atje të huajt. Prandaj ajo arë u quajt Arë Gjaku, deri në ditët e sotme. Atëherë u përmbush ç’është thënë me anë të profetit Jeremia, që thotë: “Edhe morën të tridhjetë argjendet, çmimin e të çmuarit nga të bijtë e Izraelit, dhe i dhanë në arën e shtëmbarit, siç më porositi Zoti”. Edhe Jisui ndenji përpara qeveritarit; dhe qeveritari e pyeti, duke thënë: Ti je mbreti i Judenjve? Edhe Jisui i tha: Ti po thua. Edhe kur akuzohej nga kryepriftërinjtë dhe nga pleqtë, nuk përgjigjej fare. Atëherë Pilati i thotë: Nuk dëgjon sa dëshmojnë kundër teje? Po ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kaq sa qeveritari çuditej fort. Edhe qeveritari kishte zakon për të kremte t’i lëshonte popullit një të burgosur, atë që të donin ata. Dhe atëherë kishin një të burgosur me emër, që quhej Baraba. Ndërsa ata pra ishin mbledhur, Pilati u tha atyre: Cilin doni t’ju lëshoj juve? Barabain apo Jisuin që quhet Krisht. Sepse e dinte se e dorëzuan nga smira. Edhe ndërsa ai po rrinte mbi fronin e gjyqit, gruaja e tij dërgoi një njeri tek ai, e i tha: Ti mos i bëj gjë atij të drejti, sepse sot pësova shumë në ëndërr për atë. Edhe kryepriftërinjtë dhe pleqtë u mbushën mendjen turmave që të lypin Barabain, dhe Jisuin ta vrasin. Edhe qeveritari u përgjigj e u tha atyre: Cilin nga këta të dy doni t’ju lëshoj juve? Edhe ata thanë: Barabain. Pilati u thotë atyre: Ç’ta bëj pra Jisuin që quhet Krisht? Të gjithë i thonë: Le të kryqëzohet. Edhe qeveritari tha: Përse, ç’të keqe ka bërë? Po ata bërtitnin më tepër, duke thënë: Le të kryqëzohet. Edhe Pilati, si pa se s’ka dobi, po më tepër trazirë bëhet, mori ujë e lau duart përpara turmës, duke thënë: I pafajshëm jam nga gjaku i këtij të drejti. Ju keni për të parë. Edhe gjithë populli u përgjigj e tha: Gjaku i tij qoftë mbi ne dhe mbi bijtë tanë. Atëherë u lëshoi atyre Barabain. Dhe Jisuin, si e rrahu me shufër, e dorëzoi që të kryqëzohet. Atëherë ushtarët e qeveritarit morën me vete Jisuin në pretore (guvernatorat), dhe mblodhën mbi të gjithë togën e ushtarëve. Edhe e zhveshën, e i veshën atij një rrobë të gjatë të kuqe. Edhe thurën një kurorë ferrash e ia vunë mbi krye, dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe ranë në gjunjë para tij dhe e përqeshnin, duke thënë: Gëzohu, o mbret i Judenjve. Edhe si e pështynë, morën kallamin e i binin kokës së tij. Edhe pasi e përqeshën, i zhveshën rrobat, dhe e çuan ta kryqëzojnë. Edhe duke dalë, gjetën një njeri Qireneas, që e kishte emrin Simon. Këtë e zunë angari që të ngrerë kryqin e atij. Edhe kur erdhën në një vend që quhet Golgota, që do të thotë Vendi i Kafkës, i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, si e provoi, nuk deshi të pinte. Edhe si e kryqëzuan, ndanë rrobat e tij duke hedhur short, që të plotësohet ç’është thënë nga profeti: “Ndanë rrobat e mia në mes tyre, dhe për veshjen time hodhën short”. Edhe duke ndenjur e ruanin atë atje. Edhe vunë sipër kokës së tij shkakun e kryqëzimit të tij të shkruar: Ky është Jisui, mbreti i Judenjve. Atëherë kryqëzohen bashkë me atë dy kusarë, një në anë të djathtë dhe një në anë të majtë. Po tjetri u përgjigj dhe e qortoi atë, duke thënë: As nga Perëndia s’ke frikë ti që je në një dënim me të? Dhe ne me të drejtë jemi dënuar; sepse morëm shpagim siç na takon për sa punuam; po ky asnjë të keqe nuk bëri. Pastaj i thoshte Krishtit: Kujtomë, o Zot, kur të vish në mbretërinë tënde. Edhe Jisui i tha: Me të vërtetë po të them, sot do të jesh bashkë me mua në parajsë. Edhe ata që shkonin pranë, e shanin atë duke tundur kryet e tyre, e duke thënë: Ti që prish tempullin dhe për tri ditë e ndërton, shpëto veten tënde. Në je i Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi. Kështu edhe kryepriftërinjtë bashkë me shkruesit e pleqtë duke e përqeshur atë thoshin: Të tjerë shpëtoi, veten e tij nuk mund ta shpëtojë. Në është mbret i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe do t’i besojmë. Shpresonte në Perëndinë; le ta shpëtojë tani, në qoftë se e do; sepse tha se jam bir Perëndie. Gjithashtu edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të, e shanin. Edhe që nga ora e gjashtë u bë një errësirë mbi gjithë dhenë deri në orën e nëntë. Edhe në orën e nëntë Jisui bërtiti me zë të madh, duke thënë: “Ili, Ili lama sabakthani”, që do të thotë “Perëndia im, Perëndia im, pse hoqe dorë prej meje?” Edhe disa nga ata që ishin atje kur dëgjuan, thanë se ky po thërret Ilian. Edhe menjëherë u lëshua një nga ata dhe mori një sfungjer dhe e mbushi me uthull, dhe e vuri mbi një kallam, e i jepte të pijë. Edhe të tjerët thoshin: Le të shohim, në qoftë se vjen Ilia ta shpëtojë. Edhe Jisui si thirri përsëri me zë të madh, dha shpirtin. Edhe ja kurtina e tempullit tek u ça më dysh prej së larti deri poshtë; dhe toka u tund; dhe gurët plasën; edhe varret u hapën, dhe shumë trupa shenjtorësh që kishin vdekur u ngjallën, edhe dolën nga varret pas ngjalljes së tij, e hynë në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumë vetave. Edhe kryeqindëshi dhe ata që ishin bashkë me të duke ruajtur Jisuin, kur panë tërmetin dhe ç’punë u bënë, u frikësuan fort, e thanë: Me të vërtetë ky paska qenë bir Perëndie. udenjtë pra, për të mos mbetur trupat mbi kryq për ditën e shtunë, sepse ishte e premte, - sepse ajo ditë e shtunë ishte e madhe, - iu lutën Pilatit t’u thyhen kërcinjtë e këmbëve, dhe të ngrihen andej. Erdhën pra ushtarët dhe thyen kërcinjtë e të parit dhe të atij tjetrit që u kryqëzua bashkë me të. Po kur erdhën tek Jisui dhe e panë se tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë. Por një nga ushtarët i shpoi brinjën me shtizë, dhe menjëherë i doli gjak dhe ujë. Edhe ai që pa dëshmoi, dhe dëshmia e tij është e vërtetë, dhe ai e di se thotë të vërtetën, që të besoni ju. Sepse këto u bënë që të përmbushet shkrimi: “Eshtër nuk do t’i thyhet”. Edhe përsëri një tjetër shkrim thotë: “Do të vështrojnë në atë që shpuan”. Edhe atje ishin shumë gra duke vëzhguar prej së largu, të cilat kishin shkuar prapa Jisuit nga Galilea, duke i shërbyer atij. Në mes tyre ishte Maria Magdalena, dhe Maria, e ëma e Jakovit dhe e Josiut, dhe e ëma e bijve të Zevedheut. Edhe si u ngrys, erdhi një njeri i pasur nga Arimatea me emrin Josif, që edhe ai vetë kishte qenë nxënës tek Jisui. Ky shkoi tek Pilati e kërkoi trupin e Jisuit. Atëherë Pilati urdhëroi t’i jepet trupi. Edhe Josifi mori trupin dhe e mbështolli me pëlhurë të pastër, edhe e vuri në varrin e tij të ri, që e kishte gërmuar në shkëmb, dhe si rrokullisi një gur të madh në derën e varrit, iku. Edhe atje ishte Maria Magdalena, dhe Maria tjetër, duke ndenjur përballë varrit.
Leximet e Epitafit
Ezek. 37:1-14
Dora e Zotit u ndodh mbi mua, më çoi jashtë në Frymën e Zotit, dhe më lëshoi në mes të një lugine që ishte plot me kocka. Pastaj më bëri të kaloj afër tyre, rreth e qark; dhe ja, ishin në sasi të madhe mbi sipërfaqen e luginës; dhe ja, ishin shumë të thata. Më tha: "Bir njeriu, a mund të rijetojnë këto kocka?". Unë u përgjigja: "O Zot, o Zot, ti e di". Më tha akoma: "Profetizo këtyre kockave dhe u thuaj atyre: Kocka të thata, dëgjoni fjalën e Zotit. Kështu ju thotë Zoti, Zoti, këtyre kockave: Ja, unë po fus te ju frymën dhe ju do të rijetoni. Do të vë mbi ju mishin, do t'ju mbuloj me lëkurë dhe do të shtie te ju frymën, dhe do të jetoni; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti". Profetizova ashtu si më ishte urdhëruar; ndërsa profetizoja, pati një zhurmë; dhe ja një tronditje; pastaj kockat iu afruan njëra tjetrës. Ndërsa po shikoja, ja ku u rritën mbi ta dejet dhe mishi, që lëkura i mbuloi; por fryma nuk ishte tek ato. Atëherë ai më tha: "Profetizoji frymës, profetizo bir njeriu dhe i thuaj frymës: Kështu thotë Zoti, Zoti: Frymë, eja nga të katër erërat dhe fryj mbi këta të vrarë, që të jetojnë". Kështu profetizova, si më kishte urdhëruar dhe shpirti hyri në to, dhe u kthyen në jetë dhe u ngritën më këmbë; ishte një ushtri e madhe, shumë e madhe. Pastaj më tha: "Bir njeriu, këto kocka janë gjithë shtëpia e Izraelit. Ja, ato thonë: "Kockat tona janë të thata, shpresa jonë është zhdukur dhe ne jemi të humbur". Prandaj profetizo dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të hap varret tuaja, do t'ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im, do t'ju çoj përsëri në vendin e Izraelit. Do të pranoni që unë jam Zoti, kur të hap varret tuaja dhe t'ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im. Do të shtie te ju Frymën tim dhe ju do të jetoni, dhe do t'ju çoj në tokën tuaj; atëherë do të pranoni që unë, Zoti, fola dhe e kam kryer këtë gjë", thotë Zoti.
1Kor.5:6-8, Gal.3:13-14
Nuk është e mirë mburrja juaj; a nuk e dini se pak brumë mbrun gjithë mbrujtjen? Pastrohuni pra nga brumi i vjetër, që të jeni brumë i ri, siç jeni pa brumë; sepse pashka jonë, që është Krishti, u bë theror për ne. Prandaj le të kremtojmë jo me brumë të vjetër, as me brumë keqësie e ligësie, por me bukë të pambrumëta çiltërsie e të vërtete. Krishti na shpërbleu nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne; sepse është shkruar: “I mallkuar është cilido që varet në dru”, që të vijë bekimi i Abrahamit në kombet me anë të Jisu Krishtit, që të marrim premtimin e Shpirtit me anë të besimit.
Mt. 27:62-66
Edhe të nesërmen, që është pas së premtes, u mblodhën kryepriftërinjtë dhe Farisenjtë tek Pilati, duke thënë: Zot, ne mbajmë mend, se ai gënjeshtari tha kur qe ende i gjallë: Pas tri ditësh do të ngjallem. Urdhëro pra të ruhet varri deri në të tretën ditë, se mos vijnë nxënësit e tij natën dhe e vjedhin, dhe i thonë popullit se u ngjall prej së vdekurish. Dhe gënjeshtra e fundit do të jetë më e keqe se e para. Edhe Pilati u tha atyre: Keni roje, shkoni dhe sigurojeni si të dini. Edhe ata shkuan dhe siguruan varrin, duke vulosur gurin bashkë me rojet.
Krijoni Kontakt