Ish nxënësi i Mjedjes e Fishtës Imzot Dr. Zef Oroshi (1912 -1989), mbylli sytë i përmalluar për Atdheun e Mirditën
"Vigan në Krisht e në Vatan. Vetë Zoti pat vendosur, që një bir i Oroshit të kaptoj oqeanin dhe të mbjellë në Tokën e Bekuar fidanin e Ungjillit ndër vëllezërit shqiptarë në mërgat, të cilët qenë nisur në rrugën e humbjes dhe të tretjes së madhe. Imzot Dr. Zef Oroshi, është i pari kapelan i Kishës katolike shqiptare në Amerikë. Ai themeloi bashkë me komunitetin e New York - ut në emigracion Kishën katolike "Zoja e Shkodrës", duke u bërë ushqim i shpresës e shpirtin katolik në Krishtin të shqiptarëve në kurbet, të cilët përmes thonjësh të përgjakur, kishin mundur t'i shpëtonin bishës komuniste, por që vuajtja e mundimi i kishte shoqëruar të kalonin oqeanin drejt tokës së ëndërruar." - Zef Përgega
Klajd Kapinova
Për një kohë të shkurtë u bë personaliteti i njohur në Evropë e SHBA
Oroshi, është ish qendra e Mirditës. Ajo, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, në qendër të maleve të Veriut, duke u njohur me traditat e saj si një krahinë katolike, ka qenë ndër shekuj një kështjellë e fortë e shqiptarizmës, një epiqendër e fuqishme e tërmetit kundërosman për shekuj me radhë. Për më tepër, krahina në fjalë, është qeverisur gjithmonë me dinjitet, në bazë të kanunit të maleve dhe për kohën e mungesës së shtetit dhe të drejtës (ligjeve ose kushtetutës) së shkruar.
Kanuni i Lekë Dukagjinit, ishte një nevojë e domosdoshme, për të drejtuar jetën e bashkësisë nëpër Malësi të Veriut, në të cilën, ka zënë vend në histori Mirdita me qendrën e saj Oroshin.
Mbiemri Oroshi, që prelati mbarti me dinjitet, lajmëron se ai kishte lindur më 23 nëntor 1912, pesë ditë para Ngritjes së Flamurit të Gjergj Kastriotit, në Tokën e Kathedraleve (deri në shek. XIX numëronte 200 kisha), këtij limani vigan të kryengritjeve për flamurin e lirë, që ishte e mbeti Mirdita, sikurse shkruhet në titullin e librit të studiuesit e publicistit të begatë Ndue Dedaj. 15 vjet më mbas gjendet në Seminarin Papnor në Shkodër.
Studimet e larta Teologjike dhe Filozofike do t'i përfundoj me sukses në vitet 1936 - 1940 në Romë.
Mësimet fillestare Zef Oroshi i mbaroi në vendlindje, ndërsa mësimet e mesme i nis në vitin 1927 në Seminarin e njohur të Jezuitve në Shkodër. I etur për dije të thella e kulturë të pasur civilizuese e fetare Perëndimore, vijon studimet e larta më 1936 - 1940 në degën adhuruese të teolgjisë e filozofisë në Romë të Italisë në Kolegjën "Propaganda Fide", sëbashku me 14 djem të tjerë të rinj shqiptarë.
Në vitin 1937, të rinjtë studentë shqiptarë në Romë, themelojnë Shoqnin Letrare "Shën Asti" (Astius) dhe kërkojnë prej At Gjergj Fishtës, Don Ndre Mjedjes, Prof. Ernest Koliqit, Kristo Floqit, Imzot Dr. Fan Stilian Nolit, Haxhiademit etj., autorë të kohës t'u dërgojnë nga një kopje të gjithë veprave të tyre. "Simbas, Oroshit, kujton Prof. Zef Neka me banim në California, secili prej tyne (autorëve) ua plotsoi at dishirë me kënaqsi. Dy vjet ma vonë Zef Oroshi bahet Kryetar i asaj Shoqnie Letrare dhe i teket me kërkue lejen e eprorëve për ta grishë (ftuar, shënimi im K.K.) At Fishtën për drekë qi t'u mbante nji fjalim e t'u epte ndonnji këshillë. Me at rast, ai u njoft për s'afërmi me Poetin Kombtar, e admiroi dhe padyshim nxuni shum prej tij."
Kardinali italian Shkëlqësia e Tij Mons Fumassoni Biondi, Prefekt i Propoganda Fide (sot Ungjillizimi i Popujve), e shuguron, duke i dhuruar petkat dhe koletin e meshtarit.
Pushtimi i zi fashist nga Italia më 7 prill 1939, do t'i linte shije të hidhur e pakënaqsie të thellë, të cilën, e reflekton në forma të ndryshme, si revoltë e ashpër në mbrojtje të Flamurit Kuq e Zi, të ngritur nga Dedë Gjon Luli më 6 Prill 1911, e që ruhej me përkujdesje në Kuvendin Françeskan në Jeruzalemin e vogël shqiptar - Shkodër.
Duke mos synuar për të thenë gjithçka mbi mështarin në këtë shkrim, po ofroj telegrafikisht disa të dhëna, të rrëfyer nga përsonazhe të ndryshme fetare, kulturore dhe aktivistë atdhetarë, si dhe dokumentet, shtypi, gojëdhënat, shkrimet e dorëshkrimet. Në të ardhmen e afërt, do të ofrojmë jetëshkrimin kushtuar Imzot Dr. Zef Oroshit, letërkëmbimet e pasura, etj., për të cilin, si bashkautorë ka disa vite që po punoj...
Abati i Mirditës dhe Delegati (Regent) Apostolik (kur është dëbuar nga qeveria komuniste e Tiranës Imzot Leone Nigris Delegat Apostolik në Shqipëri deri më 5 maj 1945, shënimi im K. K.) Imzot Frano P. Gjini (1886 - 1948), e kishte Don Zef Oroshin meshtar të ri, të cilin, e emron në vitin 1940 famullitar të katundit Ungrej. Mbas 12 vjetëve (1940 - 1952) si pasojë e përndjekjeve të sigurimit dhe martirizimeve të vëllezërve në Krishtin, në kohën e ateizmit të gjirokastritit hoxhist, mbasi thotë meshën e pagëzon një fëmijë, hoqi shpejt veladonin (për t'a rivesh përgjithmonë mbas disa muajve në Kishën San Bastiglio në Romë) dhe mori udhën e arratisjes nëpër male, duke iu bashkuar forcave të rezistencës kundërkomuniste.
Për 8 - 9 muaj qëndron mes maleve, në shpella, shi e borë, duke provuar mundimet e Krishtit, që salvohet nga të pafetë. Në ditën e Pashkëve 1952, për 15 trimat e lirisë mes maleve të Mirditës (pyjet e Molungut) thotë meshën në orët e para të mëngjesit, ku, Zoti i dëgjon lutjet, duke e shpëtuar e udhëhequr drejt tokës së lirë.
Në gusht 1952, ai gjendet në tokat shqiptare në Dardani për 3 muaj, duke kaluar e qëndruar për pak kohë në Gjakovë, Pejë, Mitrovicë dhe shkon në Beograd. Dera e Gjomarkajve të vendlindjes së vet, falë bujarisë tradicionale i dërgon katër garanci, për të shkuar në Itali. Sëbashku me meshtarët At Daniel Gjeçaj O.F.M. (Ordo Fratrum Minorum = Rregulli i Vëllezërve të Vegjël), At Ambroz Martini O.F.M dhe Don Nikollë Kimza, nisën për në Trieste, ku, mbas udhëtimit me Don Kimzën qenë mysafirë në shtëpinë e Markagjonajve të Kapidanëve të Mirditës.
Ishte viti 1953, kur ai gjendet para ëndrrës rinore. Më të mbërritur në Romë, fillon përpjekjet dhe takimet me klerikë, për të vijuar studimet e larta për teologji. Këtë dëshirë zemre e përkushtimi për dituritë, shumë vite më parë ia kishte shprehur ish - eprorit të lartë abatit ipeshkëv Imzot Frano Gjinit. Dhe Zoti e ndihmoi, mbasi kishte ndjekur nga afër kalvarin e vuajtjeve, për të ardhur deri tek Portat e Piazza di San Pietro në Itali.
Paralel me studimet e larta, i kërkoj Selisë së Shenjtë, që t'i miratoj kërkesën (dekretin), për të qenë Kapelan katolik (misionar), për bashkëatdhetarët, që gjendeshin në Romë.
Një pjesë e grigjës së tij kishin shprehur dëshirën për të ikur në ShBA, ku, Imzot Oroshi i ndihmon, falë bujarisë të gjithë pa dallim feje. Bile, sikurse kujtojnë miqtë e tij prelati, ka ndihmuar edhe një hoxhë për të ardhur në Tokën e Bekuar. Ai menjëherë filloj veprimtarinë intelektuale e baritore, duke u marrë pikësëpari me shqipërimin e librave të rëndësishme, me të cilën do të përhapte fjalën Hyjnore të Krishtit.
Kështu përfundoi shqipërimin e librave: "Katekizmi" (1953), "Ungjilli simbas Mateut" (1953), "Studimet e Bioshme" (1953), duke mos lënë mbas dore studimin e leksioneve të disiplinave të univesitetit në vitin e parë akademik (1953 - 1954).
Dashuria e respekti për shkrimtarët gegë veriore, që kishin vulosur me erudicionin e tyre, u bënë objekt i studimeve të tij. Për të qenë më konkret, ai zgjodhi shkrimtarin e shquar dhe prozatorin modern Prof. E. Koliqin dhe kontributin në fushën e letërsisë shqipe. Në Universitetin e famshëm të Romës "Angelicum", në vitin 1958, vijon studimet e vitit të pestë në degën adhuruese të teologjisë.
Këtu merr për të trajtuar filozofikisht 20 teza për shkencën e Teologjisë, duke e mbrojtur (në vitin 1960) me sukses temën: "Një reformator i madh i Kishës irlandeze të shekullit XII", për gradën shkencore Doktor, para pesë profesorëve të njohur italianë dhe një të Universitetit të Oxford - it në Angli.
Krimineli famkeq Toger Baba, me urdhër të Rita Markos, Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës, e ndiqte këmba këmbës Don Zefin për ta vrarë, ashtu sikurse masakruar pa gjyq 101 vetë në qarkun Shkodër, Malësi e Madhe (Kelmend), Lezhë, Mirditë.
Vetë Mehmet Shehu pati deklarue, se Dom Zefit ia fali jetën, por në gjyq duhet me dalë. Nji e thanë tjetër ishte e sigurt: "Sa t'i peshoj trupi i tij aq flori japim për atë që na e fut në kurth gjallë apo vdekun Dom Zefin". Nga ujqit në qeveri e ujqërit e malit, kjem të detyruem të iknim, sepse të dyja palët turreshin mbas erës së gjakut. Preng Përdoda, po ecte pak përpara dhe u fut në gjirin e nji kepi sa rafti. Sapo vuna kamben e djathtë ndigjova zanin e tij: "O shkova megjith gur." Menjiherë kapa degën e frashnit e e tërhoqa për xhakete duke i shpëtue jetën." (Pergega, f. 60)
Pjetër Kolë Smajlaj (1941) me banim ne New York, kujton shumë episode të paharruara me klerikun Imzot Zef Oroshi, të cilat i rrëfen për herë të parë, mbasi ishte një mik i afërt i tij. Kujtimet e paharruara, për prijësin e besimtarëve jetojnë ende në zemrat e çdo mërgimtari. Kështu, tregon për bariun shpirtëror, se meshtarit, i duhej me thanë meshë në Arthur Avenue, Bronx, New York (Mercato Italy), në një shkollë 8 - vjeçare për besimtarët e paktë asokohe.
Në kujtesën e besimtarit malësor i ka mbetur e shënuar historiku i Kishës katolike shqiptare "Zoja e Shkodrës". Ajo zë fill me hapat e para të dy enteve, që i paraprijnë asaj, sikurse krijimi i Qendrës Katolike Shqiptaro - Amerikane "Zoja e Kshillit t'Mir", e themeluar nga i ndjeri Msgr Zef Oroshi më 1969 dhe Qendrës Katolike Shqiptare të Shën Palit e Shën Pjetrit, e themeluar nga i ndjeri Don Lazër Sheldija në vitin 1973.
Bashkimi i dy qendrave në fjalë, solli frytin e krijimit të Kishës Katolike Shqiptare "Zoja e Shkodrës", më 16 qershor 1962, për të cilën është shkruar në revisten "Jeta Katolike". Organi i Kishës, filloj të botohet tre vjet më vonë nga "Lidhja Katolike Shqiptaro - Amerikane". Botuesi e kryeredaktori 70% të organit e përgatiste vetë, ku, shpesh nuk vendoste emrin e vet, dhe në raste të tjera ka përdorur nënshkrimin Theologu, Zodiaku etj.
Revista, gjatë jetës fetare e kulturore, pati disa ndërprerje dhe prej vitit 1996 - 2005, ka filluar të dalë rregullisht si e përkohshme tre mujore. Nismëtarët e themelimit të Shoqates, sikurse thekson edhe Pjetër Smajlaj, është bërë nga kontributi i drejtpërdrejtë i dy meshtarëve shqiptarë: Imzot Dr. Zef Oroshi e At Prof. Dr. Andrea Nargaj O.F.M., të ndihmuar nga një grup të vogël katolikësh shqiptar, që ndodheshin prej shumë viteve në ShBA.
Ata kishin ardhur nga kampet e refugjatëve të Italisë e Austrisë. Për më tepër, Lidhja Katolike, u formua në një mbledhje të mbajtur në Kishën Katolike Sllovene të Shën Qirilit, në "Saint Mark's Pace", në Manhattan, New York. Në mbledhje, si mysafirë, morën pjesë, mes të tjerëve, edhe Prof. Dr. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit 'Shqipnia e Lirë' e Stavri Qiriako nga Bashkësia Orthodokse Shqiptaro - Amerikane.
Më 21 korrik 1962, u mbajt mbledhja e dytë, me të cilën filloj veprimtaria e organizuar e komunitetit katolik shqiptarë në New York me rrethina. Në mbledhje u zgjodh Këshilli i parë i Lidhjes i përbërë nga Dr. Henrrik Gurashi, kryetar, Tonin Mirakaj, sekretar, Loro Stajka, arkëtar e Zef Çupi, Mark Bajraktari, Zef Hasani e Pashko Deda, antar.
Më 22 korrik 1962, filloi mesha e rregullt javore, natyrisht e mbajtur në kisha katolike amerikane. Shërbimet liturgjike vazhduan të kryehen në kisha të huaja deri më 24 dhjetor 1969, kur në mesnatë, Natën e Krishtlindjes, Imzot Dr. Zef Oroshi kremtoi Meshën e Parë në Qendrën e porsablerë, në 4221 Park Avenue, Bronx, New York. (Our Lady of Shkodra, f. 21).
Për herë të dytë, shqiptarët shohin meshë në Fordham University Catholic (ku, ka përfunduar studimet e larta akademike ish - Presidenti i 35 -të demokrat (1961 - 1963) i vrarë i ShBA - së John Fitzgerald Kennedy (1917 - 1963)), mbasi nuk ishte e mundur të vijohen shërbesat fetare në vendin e mëparshëm.
Krijoni Kontakt