Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka arrestuar punonjësin e policisë së Kamzës, Nazmi Çangu, për mitmarrje
Kërkoi 4 milionë për lirimin, pranga agjentit të krimeve
Ministria: Agjenti Çangu shoqëroi tre persona dhe iu kërkoi 4 milionë lekë për t’i lënë të lirë
Dashamir Biçaku
TIRANË- Prangoset agjenti i policisë kriminale të komisariatit të Kamzës për mitmarrje dhe korrupsion pasiv. Nazmi Çangu, 38 vjeç, nga Nikla e Krujës, punonjës i policisë kriminale të komisariatit nr.5 në Kamëz është arrestuar dje në mbrëmje Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Ministrisë së Brendshme, me akuzën e mitmarrjes dhe korrupsionit pasiv si dhe shpërdorimit të detyrës. Sipas burimeve të policisë, ndaj ish- efektivit të policisë së Kamzës ka mbërritur një kallëzim i firmosur nga tre persona, të cilët e akuzojnë Çangun se iu ka kërkuar para, në këmbim të lirimit të tyre nga ambientet e komisariatit të policisë së Kamzës, ku ata ishin shoqëruar. Katër milionë lekë të vjetra është shuma që agjenti i policisë kriminale u kishte kërkuar tre personave që ai i kishte shoqëruar në ambientet e komisariatit, të dyshuar si autorë të një vepre penale. Arrestimi i Çangut është konfirmuar mbrëmë nga burime zyrtare të Ministrisë së Brendshme, të cilët pohuan se efektivi i policisë kriminale të drejtorisë së Tiranës ishte përfshirë në një aferë korruptive ndaj tre personave në qytetin e Kamzës.
Shoqërimi
Rreth 10 ditë më parë, Nazmi Çangu, efektiv i komisariatit të policisë së Kamzës kishte shoqëruar në qelitë e komisariatit nr.5 tre persona, duke u pohuar atyre se ishin të dyshuar për një ngjarje kriminale. Gjatë shoqërimit të tyre dhe veprimeve të kryera prej tij, Çangu u ka kërkuar personave që nëse donin të ishin të lirë, duhej të paguanin tek ai. Sipas burimeve zyrtare, personat e shoqëruar duhej të paguanin gjithsej 4 milionë lekë të vjetra. Në të kundërt, ata do të qëndronin në qeli dhe do të arrestoheshin. Më pas, personat e mësipërm janë lënë të lirë nga policia e komisariatit të Kamzës, pasi janë mbajtur për disa orë në qelitë e saj. Ende nuk dihet nëse personat e liruar kanë paguar shumën e kërkuar nga efektivi i policisë, i cili i kishte shoqëruar ata. Gjithsesi, të shoqëruarit janë lënë të lirë nga uniformat blu të këtij komisariati dhe më pas i janë drejtuar Ministrisë së Brendshme, ku edhe kanë denoncuar agjentin e policisë.
Kallëzimi
Menjëherë pas daljes nga qelitë e policisë, personat e shoqëruar kanë kallëzuar pranë SHKB-së veprimin e kryer sipas tyre nga polici i kriminales së Kamzës. Pas kallëzimit të kryer prej tyre, oficerët e SHKB-së kanë nisur hetimin e denoncimit të mbërritur në duart e tyre. Pas verifikimeve të kryera, oficerët e SHKB-së, kanë arritur në përfundimin se polici i Kamzës kishte konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës, mitmarrjes dhe korrupsionit pasiv. Me këto akuza, më 24 mars sektori i SHKB-së pranë drejtorisë së Policisë së kryeqytetit ka nisur procedimin penal, duke dërguar dosjen në prokurori. Kjo e fundit pas studimit të dosjes ka kërkuar nga gjykata dhënien e masës së arrestit ndaj efektivit të policisë kriminale të Kamzës, kërkesë e cila është miratuar nga gjykata. Me këtë urdhër arresti, dje në mbrëmje, në orën 19:45 minuta, punonjësit e SHKB-së i kanë vënë prangat kolegut të tyre, duke i komunikuar edhe akuzat për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe mitmarrjes.
06/04/2006 Shekulli.
Krijoni Kontakt