Qeveria dhe KESH dënojnë njerëzit e ndershëm dhe favorizojnë shkelësit e ligjeve
Nga Prof.Ilia TELO -
Ky titull është paradoksal, por në realitet është e vërtetë. Ka disa vjet, që Korporata Energjitike Shqiptare (KESH) po rrit çmimet dhe tarifat e energjisë elektrike, në një kohë që humbjet e energjisë janë afro 40% ?!(Pjesa më e madhe e këtyre humbjeve janë, vjedhje të energjisë nga subjekte të ndryshme, të cilët megjithëse konsumojnë energji, nuk paguajnë për konsumin e saj. Edhe tani është bërë një projekt për rritjen e mëtejshme, të çmimeve të energjisë elektrike?! Ne nuk kemi qenë dhe nuk jemi dakord me një praktikë të tillë pune. Ka disa vjet që kemi argumentuar, se nuk duhet të rritet çmimi i energjisë elektrike. Këto argumenta, ne ia kemi sugjeruar KESH-it dhe Entit Rregullator të Energjisë, i kemi botuar dhe në median e shkruar, por nuk janë marrë parasysh. Në vitin 1975, prodhimi i energjisë elektrike në shkallë vendi, ishte 1648 milion Kw/h. Duke qenë se në atë periudhë, hidrocentralet nuk plotësonin nevojat e konsumit, 41% e prodhimit sigurohej nëpërmjet termocentraleve. Pas këtij viti, janë vënë në funksionim hidrocentrale të fuqishëm dhe për pasojë, pas viteve 1980-të prodhimi nga hidrocentralet është 5-fishuar, në krahasim me prodhimin e vitit 1975. Në këtë mënyrë u krijuan kushte, që të zvogëlohej prodhimi nga termocentralet, i cili sigurisht është me një kosto shumë më të lartë. Në këtë mënyrë, pesha specifike e prodhimit të termocentraleve, zbriti në 6% Duke qenë, se prodhimi i energjisë elektrike nga hidrocentralet, varet shumë nga sasia e rreshjeve, shteti në ato vite, për të mos krijuar krizë energjitike në vitet e thata, manovronte nëpërmjet prodhimit të termocentraleve (të cilat ishin në gadishmëri) si dhe nëpërmjet importit të energjisë. Çfarë ndodhi pas vitit 1990, në sistemin energjetik? Shkurtimisht, ndodhën këto fenomene: 1. Nuk është ndërtuar asnjë vepër energjetike. Edhe Hidrocentrali i Banjës, ndërimi i të cilit kishte filluar para vitit 1990 dhe ishin shpenzuar dhjetra milionë dollar, nuk është vënë në shfrytëzim. Nga qeveritë dhe partitë politike vazhdimisht, kemi dëgjuar se do ndërtohet hidrocentrali i Bushatit, se do të zgjidhet kriza energjetike etj, por në realitet ato ishin vetëm fjalë dhe jo vepra. 2. Në përgjithësi, prodhimi nga hidrocentralet e vegjël ka shkuar në minimum. Pjesa më e madhe e këtyre hidrocentraleve, të cilat ishin burim i rëndësishëm energjie, janë shkatërruar. 3. Është zvogëluar shumë prodhimi i energjisë elektrike nga termocentralet. Për këtë, mjafton të japim dy tregues. Pesha specifike e prodhimit të termocentraleve vitin e kaluar, ishte më pak se 2%, krahasuar me prodhimin e energjisë elektrike në vend. Prodhimi i energjisë elektrike nga termocentralet aktualisht është rreth 10 herë më i vogël, se prodhimi i realizuar nga termocentralet, në vitin 1975 Humbjet në rrjet (ose vjedhjet) janë shqetësimi kryesor Në bazë të të dhënave, të vjetarëve statistikor, pesha specifike e humbjeve në rrjet para vitit 1990, ishte nga 10-13 %. Nga sa jemi informuar dhe në vendet e tjera, humbjet në rrjet janë rreth 10% të prodhimit. Në bazë të të dhënave, të vetë Korporatës Energjitike Shqiptare, pesha specifike e humbjeve në rrjet, vitin e kaluar ishte 39,2 %, ose 2281 milion Kw/h energji elektrike. Po të zbresim humbjet e arsyeshme teknike 13 % (aq sa ishin para vitin 1990), pjesa tjetër janë vjedhje ( 1524 milion Kw/h). Në rast se do të eliminohen këto vjedhje, aëherë konsumi familjar i energjisë elektrike, do të ishte 3 630 milion Kw/h, ose 72 përqind më shumë se konsumi i vitit të kaluar. Sigurisht, me një konsum të tillë të energjisë elektrike, plotësohen shumë mirë të gjitha kërkesat e popullsisë, për energji elektrike. Mirëpo, KESH dhe Enti Rregullator i Energjisë, jane pajtuar me këto vjedhje. E theksojmë këtë për faktin, se në vend që të ulin ato në mënyrë drastike, për të mbuluar të metat e punës së tyre, ata kanë gjetur rrugën e rritjes së çmimeve, për konsumatorët korrekt dhe këto janë miratuar nga ana e qeverive?! Në bazë të planit të masave për sektorin energjetik, pesha specifike e humbjeve për vitet e ardhme, është parashikuar si vijon:
2006 - 37 %
2007 - 34 %
2008 - 31 %
Siç theksuam, pjesa më e madhe e këtyre humbjeve, janë vjedhje të energjisë. Është e vërtetë se një pjesë e familjeve, kanë të ardhura shume te vogla dhe me buxhetin e tyre nuk përballojnë shpenzimet duke përfshirë dhe energjinë elektrike. Mirëpo, rruga e zgjidhjes nuk është që të konsumojnë energji elektrike pa pagesë. Shteti, në raste të tilla duhet që të rishikoj nivelin e ndihmave sociale dhe të gjej mundësi për rritjen e tyre. Në bazë të të dhënave të mësipërme ne nuk jemi me variantin e e rritjes së mëtejshme të çmimeve të energjisë elektrike Çfarë kërkon KESH-i dhe Enti Rregullator i Energjisë dhe çfarë kërkojnë sindikatat? KESH-i dhe Enti Rregullator i Energjisë kanë projektuar, që për këtë vit të rritet çmimi mesatar, i energjisë elektrike nëpërmjet këtyre rrugëve:
1.Të ulet tavani i çmimit më të ulët të energjisë, nga 210 në 180 kw/h energji në muaj për familje.
2.Të rritet çmimi për 1 kw/h energji elektrike për konsumin mujor deri 180 Kw/h nga 4,5 në 5,2 lekë
3. Të rritet çmimi, kur konsumi mujor është mbi 180 kw/h nga 9 në 10 lekë Si rezultat të këtyre ndryshimeve, çmimi mesatar shtohet rreth 14% në krahasim me çmimin mesatar, të mëparshëm.
Sigurisht, në caktimin e çmimit të shitjes treguesi bazë, që duhet të merret është kostoja e prodhimit. Ky tregues i rëndësishëm nuk na është dhënë nga ana e KESH-it. Me gjithë këtë, kostoja sigurisht është mjaft e ulët, se pjesa dërrmuese e prodhimit sigurohet nga hidrocentralet, që kanë kosto të ulët.
Për të gjykuar për këtë, mjafton që të japim të dhëna në lidhje me fitimin e Korporatës, për 3 vitet e fundit:
Në vitin 2003, fitimi është 3843 milionë lekë
Në vitin 2004, fitimi është 4932 milionë lekë
Në vitin 2005, fitimi është 5648 milionë lekë
Sigurisht, po të zvogëlohen humbjet dhe vjedhjet e energjisë, do të ketë ulje të kostos dhe rritje të mëtejshme të fitimit.
Çmimi i blerjes së energjisë elektrike nga importi për 1 kw/h është:
Në 2004 4,57 lekë
Në 2005 4,96 lekë
Të gjithë të dhënat statistikore, që përmendëm më sipër, argumentojnë plotësisht, se nuk ka asnjë logjikë ekonomike për rritje të çmimit, të energjisë elektrike.
Diskutimi i rishikimit të çmimit, të energjisë elektrike, duhet të ishte bërë më parë në Këshillin Kombëtar të Punës, që është organ qëndror i tripartitizmit. Në këtë këshill, marrin pjesë sindikatat, organizatat e punëdhënësve dhe përfaqësuesit e shtetit. Ky këshill ka shume kohë që nuk është mbledhur, gjë që tregon se në vendin tonë, nuk funksionon tripartitizmi, me gjithë kritikat e vazhdueshnme, që janë bërë nga Organizata Botërore e Punës. Sindikatat nuk kanë qenë dhe nuk janë dakord me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Me gjithë këtë në rast se kjo vendoset nga qeveria, (siç është vendosur në të kaluarën), atëherë sindikatat, kërkojnë që të kompensohet rritja e çmimit të energjisë, për mbarë popullsinë. Kompensimi duhet të bëhet, duke u mbështetur në konsumin mesatar, të një familje në bazë të konsumit familjar mujor me të cilën të rriten pagat, pensionet, ndihmat ekonomike etj. Kjo është e aresyeshme për fatin, se po të bëhet kompensimi në përqindje sipas madhësisë së pagave etj, aëherë do të përfitojnë ata, të cilët kanë paga të larta.
Kjo është e domosdoshme të bëhet, se vetëm në këtë mënyrë zbatohen kërkesat e marrëveshjeve të sindikatave me qeverinë, ku kërkohet indeksimi i të ardhurave të popullsisë, në bazë të indeksit të inflacionit.
Po pagat e KESH-it në çfarë nivelesh janë? Në bazë të të dhënave statistikore, për vitin 2004 na rezultojnë këto të dhëna në lidhje me pagën mesatare mujore për punonjësit e sektorit shtetëror dhe për punonjësit e KESH-it:
-Për punonjësit në shkallë vendi 21325 lekë
-Për punonjësit e KESH-it, 24303 lekë.
Nga këta për 361 drejtues të KESH-it 67316 lekë Komentet do të ishin të tepërta. Në këtë Korporatë, që ka të meta shumë të mëdha, në administrimin e energjisë elektrike dhe shpërdorimet janë shumë të mëdha, punonjësit marrin pagë mesatare 14 % më të lartë, se punonjësit e sektorit shtetëror. Nga ana tjetër 361 drejtues, në këtë Korporatë, marrin një pagë mujore, që është 3 herë më e lartë, se paga mesatare në shkallë vendi.
Në këtë Korporatë paga e punonjësve, nuk është e lidhur me treguesit ekonomiko- financiar (sidomos me vjedhjet e energjisë), prandaj drejtuesit nuk janë fare të interesuar për zvogëlimin dhe eliminimin e vjedhjeve të energjisë elektrike.
Sot.
Krijoni Kontakt