Vepra italiane vihet në skenë të enjten
----------------------------------------------------------------------
DURRES
Të ejten durrsakët do të shohin në sallën e Pallatit të Kulturës "Aleksandër Moisiu" një opera. Pas 35 vjetësh, pikërisht për të kujtuar vënien në skenë të operas "Bijtë e Skënderbeut" - e cila në vitin 1968 shënoi edhe krijimin e orkestrës simfonike të qytetit - artistët durrsakë menduan të venë një tjetër vepër të kësaj gjinie. Si rezultat i një bashkëpunimi ndërmjet Bashkisë, Pallatit të Kulturës, shoqatës Miqtë e Artit dhe TOB-it u bë e mundur vënia në skenë e "Shërbëtorja e Padrones", vepër italiane me autor Pergolesen. Bujar Qesja, drejtor i Pallatit të Kulturës, thotë se "kjo është një opera komike e cila më parë është vënë në skenë edhe në Tiranë". Regjisor i pjesës është Nikolin Gurakuqi, dirigjent Ermir Dizdari ndërsa solistë do të jenë Avni Shehu, Izolda Yzeiri dhe Fatmir Cara. Muzikën do ta interpretojë orkestra e harqeve e Durrësit. Dita e premierës është konceptuar e shoqëruar edhe me aktivitete të tjera. Do të hapet një ekspozitë fotografike me foto të operas së vënë në skenë 35 vjet më parë dhe do të ketë diskutime lidhur me këtë ngjarje artistike. Në fund do ndiqet premiera e re.
Krijoni Kontakt