Bubulina, arvanitja, luftë dhe dashuri si e çmendur
LUAN RAMA
8 Maj Botimet “Korbi” sjellin në shqip librin historik “Bubulina” të romancierit francez Michel de Grece, përkthyer nga Luan Rama; Cilat janë bëmat e gruas arvanitase që luftoi më zi se burrat dhe bëri dashuri si e çmendur?
Emrin e Bubulinës e kisha dëgjuar që në vitet e rinisë sime, por pak gjëra dija rreth jetës së saj dhe luftës legjendare në detrat e Greqisë e të Mesdheut. Shumë pak kisha dëgjuar për betejat e saj historike gjatë revolucionit grek. Dija vetëm që kishte qenë arvanitase, nga Hidra, një ishull ku kishin zbarkuar emigrantët shqiptarë, arvanitasit, rreth 8 shekuj më parë, siç kishin zbarkuar dhe në ishujt e tjerë të Greqisë, në Specaj, Psaros, nëpër Peleponez dhe Eube. Ishte pikërisht botimi i librit “Bubulina”, i romancierit francez Michel de Grece, i cili më nxiti një kureshtje të çuditshme për të njohur më shumë jetesën e kësaj heroine. Në fakt, në muzeumin e Zhan d’Arkës (Jeanne d’Arc), në Rouen të Francës, atje ku dhe është djegur e gjallë kjo heroinë legjendare, kisha parë një radhë portretesh të simotarve të saj, grave të tjera heroike të botës. Dhe ato cilësoheshin Jeanne d’Arc. Midis tyre ishte figura e një gruaje me armë në dorë, në veriun shqiptar, të botuar në gazetën e njohur franceze “Le Petit Journal”, në fillimin e shekullit të XX, me deçiturën “Jeann d’Arc albanaise”. Krahas saj ishte dhe figura e Bubulinës greko-shqiptare, e kësaj heroine që i kushtoi jetën e saj Revolucionit dhe çlirimit të Greqisë nga pushtimi shumë shekullor otoman. Nga leximi i romanit të Michel de Grece, figurës së dikurshme që kisha imagjinuar për Bubulinën, imazhit të asaj gruaje të fortë dhe heroike, iu shtua dhe ajo grua sensuale që e donte aq shumë jetën, dashurinë, miqtë dhe që kërkonte në çdo çast ta përjetonte plotësisht ekzistencën e saj, me hiret, ekstazën dhe forcën e një gruaje.
Në verën e atij viti, kur sapo kisha mbaruar së lexuari librin mbi Bubulinën, shkova në Greqi, ku i hypa anijes në portin e Pireut për të marrë rrugën drejt ishullit Hidra e Specaj, dy ishuj fqinjë që kanë tërhequr vite me radhë aq shumë poetë, shkrimtarë, udhëtarë e filozofë të botës, duke filluar nga Margarite Yoirsenar e gjer tek Laurence Dureli, Michel Deon, Jacqures Lacarriere, e shumë të tjerë. Gati dy dekada më parë, një vlonjat, një mbledhës folklori, punëtor i kulturës dhe i trashëgimisë shpirtërore shqiptare, më kishte treguar ca incizime të vjetra të arvanitasve nga ishujt e Greqisë. Madje, dhe në Paris kisha gjetur një disk në familjen e një përmetareje, ku dëgjova ato këngë nostalgjike me një shqipe të vjetër, që më ringjallën gjuhën që fliste gjyshja ime, nga Filati i Çamërisë. Atë ditë, nën qiellin e Greqisë dhe kaltërsinë e atij deti të pastër, udhëtoje i përkundur nga ajo muzikë dhe mandolinë që vinte e më pushtonte me një mall të vjetër, të pakuptueshëm, që çuditërisht më risolli meloditë e një “çamiko”, një valleje dhe një kënge që përmendej dhe në librin e Michel de Grece.
Po i afroheshim Hidrës mitike, ishullit malor e kozmopolitit, me shtëpitë me tjegulla të kuqe dhe tarraca, ku ende janë zotërimet e famshme të stilit venecian të familjeve të heronjve të revolucionit grek si Kondurioti, Miauli apo Tombazi. Tombazi kishte qenë gjyshi i arvanitasit Jean Moreas, apo Jani nga Morea (Jani Papadiamanti), i cili do të bëhej në Francë një nga poetët më të mëdhenj të shekullit XIX-të, pararendës i simbolizmit dhe mik i Verlenit, Malarmesë e Apolenierit. Por anija atë ditë nuk do të ndalonte në Hidra, vendi që e kishte magjepsur aq shumë Henry Miller, i cili në ditarin e tij kishte shkruar: “Gjithë qyteti të ngjan me dekorin e një ëndrre, një ëndërr e lindur nga guri. Në çdo hap, peisazhi ndryshon, e Hidra të duket si një shkëmb i vendosur mbi një skenë teatri që rrotullohet”.
Anija bëri më tutje për t’u ndalur në Specaj, atje ku gjendej dhe statuja e Bubulinës, që ngjante sikur priste ende marinarët e saj. Specaj ishte si gjithë ishujt grekë, me shtëpitë e bardha me kanatet e dritareve herë-herë ngjyrë blu, me shpatin malor me pisha, ku lart, gati në majë, ngrihej një ndërtesë e vjetër, ndoshta e kohës së bëmave të Bubulinës. Të ngjante me një lloj kështjelle apo fortese në rast lufte. Zbritëm në Dapia, në skelën e përmbytur nga dielli i nxehtë dhe gomerët që prisnin turistët që të vizitonin ishullin. Zbritëm atje ku Bubulina kishte bredhur vajzën e re. Tetë topat e saj të vendosura aty, qëndronin ende për t’u kujtuar vizitorëve të huaj bëmat e heroinës së revolucionit. Si dhe Hidra, Specaj ishte një vend ku përziheshn mitet, legjendat dhe bëmat e vërteta të banorëve të saj. Varri i Barbatasit, ishte lart në varrezat, duke kujtuar gjithnjë vetëmohimin e marinarëve trima, që në netët pa hënë, nisnin drejt anijeve turke barka me eksploziv për t’i shkatërruar. Banorët tregonin, se ato kohë, më 1827, në bodrumet e kishës së Shën Nikollës, priftërinjtë kishin fshehur trupin pa jetë të nipit të Napoleon Bonopartit, i cili kishte zbritur në ishull i mbushur gjithë plagë nga një betejë detare. Pas lëgatës, atë e kishin kredhur në një fuçi me rum, ku u ruajt gjatë pesë vjetëve, në mënyrë që mos të prishej.
Çuditërisht, në restorantin e parë që ndaluam, buzë portit, u shkëmbyem me disa shqiptarë. Të tjerë shqiptarë shërbenin në tryezat e shtruara në hije. Ata na thanë se ishin të lumtur të punonin nën diellin dhe paqen e atij ishulli, dhe se shumë nga banorët atje flisnin ende shqipen e vjetër. Miku im Jacques Lacarriere, vinte shpesh në Specaj, në shtëpinë e botueses së tij në greqisht, Natalia Mela, e cila kishte krijuar dhe statujën e Bubulinës. Lacarriere kishte njohur në shtëpinë e saj një skulptor të talentuar shqiptar, të quajtur Iliaz, i cili punonte bashkë me natalinë vepra artistike, disa prej të cilave Iliazi i kishte lënë në ishull, para se të largohej pas shtatë vitesh që kishte qëndruar aty. Dëshira ime atë ditë ishte të gjeja gjurmët e Bubulinës, shtëpinë ku kishte jetuar, ku kishte lindur fëmijët, limanin ku kishte nisur drejt luftës flotën e saj dhe gjithçka që kishte të bënte me të, gjer dhe varrin. Të gjithë banorët krenoheshin me të. Ajo e kishte bërë ishullin të njohur dhe shkrimtarë e historianë të shumtë nga e gjithë Evropa, ishin bërë miq të përhershëm të ishullit.
Shtëpia e Bubulinës ishte në lagjen që quhej “kunupica”, që siç thonin dhe studiuesti grekë, origjinën e kishte nga fjala shqipe “kunupi”. Një shtëpi e rëndë dykatëshe, e bardhë, si gjithë shtëpitë e ishujve të tjerë, e mbuluar me tjegulla, ku dritaret e saj të mëdha shihnin kalldrëmet e ishullit dhe detin përtej. Oborri kuqëlonte nga lulet. Një shtëpi pothuaj treqindvjeçare, me katër dhoma të mëdha e sallone poshtë e sipër, ku dikur jetonte familja e burrit të saj të dytë, Bubulis. Në fakt, ajo quhej Laskarina Pinotis, por Bubulina e thirrën pas vdekjes heroike të burrit të saj, Bubulis. Tavani i gdhendur i asaj shtëpie, i ngjante tavaneve të gdhendura të Gjirokastrës.
Në krah ishte minderi, ku dikur priste miqtë, si dhe një pasqyrë e madhe dhe e bukur veneciane. Më tutje gjendej një tavolinë franceze e objekte të tjera të blera në Firence apo në orient, vazo porcelani me figurina vajzash anonime si dhe një kasafortë e madhe e prodhuar në Marsejë, që vite me radhë kishte qenë në kabinën e anijes së saj “Agamemnoni”. Nuk mungonin aty as koburet e saj, pisqolla të vjetra në argjënd, kamat bizantine apo dhuratat e tjera nga Cari i Rusisë, armë të grabitura kushedi nga ç’betejë si dhe piktura të mrekullueshme me portretin e saj, siç ishte dhe një e bashkëkohësit të saj, piktorit Friedel. Po kaq befasuese ishin dhe letrat e shkruara nga dora e saj me një kaligrafi të habitshme për një autodidakte si ajo, jeta e së cilës, në pjesën më të madhe kishte kaluar veçse në detra e oqeane.
Bubulina lindi në një burg të Stambollit, në atë burg që banorët e quanin “Kështjella e shtatë kullave”. Ishte mëngjesi i 11 majit të vitit 1771. Nëna e saj, Shqevo, kishte shkuar të takonte burrin e saj, kapedanin Pinotis, që mbahej i burgosur nga otomanët. Ishte një luftëtar i rezistencës greke, që ato vite luftonte për çlirimin e Greqisë. Ajo kishte shitur gjithçka që kishte, vetëm e vetëm që të shkonte të shihte burrin e saj. Rruga gjer në Stamboll kishte qenë e gjatë. Më kot kishte kërkuar ta ndihmonin në dyert e Fanarit, por më së fundi, kishte mundur ta siguronte një leje që të takonte burrin e saj. Çuditërisht, atë mëngjes, kur mbërriti në “Kështjellën e shtatë kullave”, burrin e saj e gjeti të vdekur në qeli. Kishte ditë që kishte vdekur. Nga dhimbja e madhe, gruaja shtatzënë lindi para kohe. Burzino, shoku i armëve të Pinois, i burgosur bashkë me të, e ndihmoi gjatë lindjes dhe kërkoi t’i vërë emrin Laskarina, në kujtim të nënës së tij. Disa javë më vonë, me Laskarinën kërthi, Shqevo zbarkoi në shtëpinë e saj në Hidra, por shumë shpejt largohet në Specaj, ku dhe martohet për së dyti. Edhe atje banorët ishin arvanitas, por më të butë e më të thjeshtë se ata të Hidrës, rivales së tyre.
Në Specaj flisnin arvanitika, pra shqip, në gjuhën tonë, shkruan Michel de Grece përmes gojës së Laskarinës. Në fakt, nëna, ati im dhe unë, ishim grekë pa qenë të tillë. Ishim grekë me shpirt e me zemër, me fe dhe me idelae, dhe sigursht, grekë të sakrificës, sepse ne jepnim dhe jetën tonë për Greqinë, por jo grekë nga gjaku, sipas historianëve puristë. Unë jam një arvantase, me një fjalë, shqiptare. Që prej kohërash tepër të largëta, raca jonë ka patur emra të ndryshëm. Vallë jemi pellazgë, ilirianë? Mos vallë gjuha jonë vjen drejtpërdrejt nga sanskrishtja, siç e pohojnë ekspertët? Di vetëm se ne kemi ardhur në Ballkan që prej mijëra vjetësh dhe jemi shpërndarë nëpër koloni, pothuaj ngado nëpër Greqi. Hidra është shqiptare, Specaj po ashtu...”.
Laskarina u rrit në një ambient arvanitas, me këngët dhe zakonet e tyre, të njëjta me ato të Shqipërisë së Jugut. Të njëjtat këngë, mite e rite. Shumë e re ajo dashurohet me një grek nga Specaj, të quajtur Jonuzas, që atë kohë, si gjithë burrat e këtyre ishujve, rrihte detet e Greqisë dhe të Mesdheut. Në historinë e atyre ishujve, Bubulina do të ishte e para grua që do të thyente zakonin e vjetër. Duke ia lënë fëmijët nënës së saj, ajo ishte e para që e ndoqi të shoqin në det. Ai e mori atë në portet e Italisë dhe të Dalmacisë, e çoi tutje në Smirnë (Izmir) dhe në portet e Spanjës, ku blinin armë prusiane dhe angleze. Në Marsejë të Francës shisnin grurë dhe blinin mëndafshet e famshme të Lionit apo verën “Bordo”. Në Kartagjenë shisnin kaviar dhe blinin verën “Malaga”. Tregtia u shkonte mbarë, edhe pse u duhej shpesh të luftonin me piratët “korserë” apo doganierët turqë. I frymëzuar nga Katerina e II e Rusisë, Jonzaj nisi luftën në det kundër otomanëve dhe Laskarina trime e shoqëroi në momentet më të veshtira e tragjike. Marinarët e thërrisnin “kapetanica”, sepse ajo ishte e fortë si një burrë dhe armët i mbante ngjeshur në brez. Një ditë, në Specaj, mbërriti trupi pa jetë i Junozas, vrarë në betejë me otomanët në ngushticën e Siqilisë. Laskarina 26-vjeçare mbeti e ve me tri fëmijë, por shpejt Bubulis, miku më i ngushtë i të shoqit, kërkon të martohet me të. Dhe përsëri, duke ndjekur Bubulis, Laskarina do të vazhdonte aventurën e saj me detin, luftën dhe jetën boheme. Edhe Bubulis ishte trim e njeri i aventurës. Me të, ajo do rrahë Atlantikun, do të shkojë gjer në Veracruz e Buenos-Aires, në Lisbonë, Kartagjenë dhe Detin e Zi. Emri i saj, tashmë ishte kthyer në legjendë. Por pas vrasjes së Bubulis dhe të djalit të saj në betejat detare, emri i saj do të bëhej simbol i luftës për liri. Gjithçka ajo e vuri në shërbim të revolucionit.
“Ja vdekje, ja liri! Elefteria i Thanatos!”
Bashkë me një nga bijtë e saj, Bubulina ishte anëtare e organizatës së fshehtë “Filiqi Eteria” (Shoqata e fshehtë), e cila u bë shpirti i revolucionit. Jeta e saj kaloi nëpër beteja detare, gjëmimet e topave dhe stuhisë. Në shtëpinë muze të bën përshtypje një tablo e anijes së “Agamemnonit”. Më 13 mars 1821, në direkun e tij, ajo kishte ngritur flamurin dhe kishte nisur rrugën e madhe të luftës. Marinarët e saj, të gjithë arvanitas speciotë, ajo i thërriste “djemtë e mi”. Pikërisht në 3 prill të atij viti, në majën e këmbanores së kishës së Shën Nikollës ajo kishte ngritur të parin flamur të luftës për pavarësi, me mbishkrimin “Ja vdekje, ja liri!”, shkruar me germa të mëdha në një sfond të kuq. Shpejt, emri i Bubulinës do të shpërndahej nëpër gjithë ishujt, e më pas në tërë Greqinë e Ballkanin. Duke përshkruar betejën e famshme të Nafplios, kronisti dhe historiani grek Argiru, shkruan: “Më kujtohet kur më 4 dhjetor 1821, ajo qëndronte në këmbë mbi kuvertën e anijes, duke urdhëruar sulmin mbi kështjellën e Nafplios. Por 300 topat e kështjellës e sprapsën sulmin e marinarëve të saj. Si një amazonë në zemëratë, Bubulina u thirri: “Jini gra apo jini burra të vërtetë?... Përpara!”.
Në kohën e revolucionit grek, flota e Bubulinës u bë e tmerrshme në detin e Egjeut dhe në Mesdhe. Ajo luftonte kudo ku e thërriste Greqia: Në Tripolica, Navarin apo Menomvasia, në betejën e Karadros ku u vra dhe biri i saj e kudo në brigjet e Peleponezit. Pa dyshim, lexuesit të sotëm i duket ndoshta e çuditshme që një grua si ajo, e kalitur në zjarrin e luftës, të ishte njëkohësisht dhe një grua e ndjenjave të holla, e dëshirës për të bërë dashuri, e këngës dhe e valleve, e pijeve gjer në ag të mëngjesit. Duke shkruar për librin “Bubulina” të Michel de Grece, botuesi francez ka shënuar se “Laskarina Bubulina, kjo femër joshëse dhe heroinë moderne për kohën e vet, bëri që njerëzit ta adhurojnë secili në mënyrën e vet. Pasurinë e saj ajo e vuri në shërbim të luftës. Por dashuritë e saj të stuhishme s’do ta bëjnë asnjëherë të harrojë pasionin e vërtetë të saj: çlirimin e Greqisë”.
Ku është varri i Bubulinës?
Një nga pyetjet e para të vizitorit të huaj që vjen në Specaj është të dijë se ku ndodhet varri i Bubulinës. Por, ashtu si dhe mijëra të tjerë dhe unë, atë ditë, mbeta pa përgjigje. Askush nuk e dinte me saktësi se ku ndodhej varri i saj. Në mjergullën e kohës, ky detaj kishte humbur, ndoshta nga mënyra e trishtë e vrasjes së saj. Ajo nuk ishte vrarë në luftë, por thjesht në gjaknxehtësi e sipër nga njerëzit e të dashurës së birit të saj. Një plumb në ballë kishte shuar jetën e kësaj trimeje, që kishte përballuar aq e aq herë vdekjen në det. Ishte 22 maji i vitit 1825. Revolucioni grek kishte triumfuar. Atë vit, edhe pse lufta kishte mbaruar, ajo vazhdonte të qëndronte e veshur me fustanellën e saj dhe armët e ngjeshura në brez. Bubulina ishte tërhequr nga skena politike dhe mendonte për fëmijët e saj, kur dyndja sërish e otomanëve drejt Greqisë së lirë e bëri t’i përjigjet përsëri kushtrimit të luftës. Si mund ta linte vetëm të dashurin dhe idhullin e saj, Kolokotronin “plakun e Moresë”, këtë kleft trim të një gjaku që i kishte dalë zot Greqisë?...
Kureshtar për të mësuar diçka mbi vdekjen e saj, atë ditë të nxehtë, u nisa drejt një shtëpie tjetër, jo më larg se dyqind metra nga shtëpia muze, drejt vendit ku pikërisht ajo ishte vrarë. Gjithçka, tashmë e mbulonte një heshtje varri. Ishte banesa ku ajo kishte jetuar me Jonuzas, burrin e saj të parë. Edhe Miller kishte shkelur këtu më 1939 për të gjetur gjurmët e Bubulinës. Hapat e tij kishin kapërcyer oborrin dhe ishin futur në atë ndërtesë të braktisur dhe të pabanuar. “Në shtëpinë e Bubulinës, atje ku e kanë vrarë, ndërtesa i ngjan një shtëpie të errët e gjithë fantazma, kishte shkruar ai. Poshtë në sallon gjendet një altar i vogël. Nën dysheme me dërrasa dëgjohen zhurmat e minjve që vrapojnë si të çmendur nga të katër anët...”.
E çuditshme që vrasja e një heroine kishte përfunduar në një vrasje zemërate. Djali i saj kishte rrëmbyer një vajzë të Specajt dhe ditën që do të largohshin nga ishulli, burrat e familjes së vajzës rrethuan shtëpinë dhe qëlluan mbi Bubulinën. Një javë më pas, në Specaj do të vinte dekreti i perandorit rus, i cili për merita të veçanta, e shpallte Bubulinën admirale të flotës ruse të Egjeut. Që nga ajo kohë, emri i Bubulinës, i kësaj zonje të madhe apo “megali qiria”, siç i thonin bashkëpatriotët e saj, hyri në legjendë, në këngët popullore që nisën të këndoheshin nga njëri fshat në tjetrin, nga njëri brez në tjetrin. Shumë libra u shkrojtën për të. Flamuri i saj me shqiponjën mbi një fushë të kuqe, të shndërruar më pas në blu, rrethuar nga një shirit i kuq, valëvitej tashmë majë çatisë së shtëpisë. Vite me radhë ai flamur ishte ngritur mbi anijen e saj, nga një betejë në tjetrën, nga Argosi, në brigjet e Patras, Prevezës, Akarnisë e brigjeve të Peleponezit. Ai flamur e kishte çuar në Tripolica, ku do të takonte trimin tjetër arvanitas, legjendarin Kolokotroni, të cilin do ta dashuronte që ditën e parë që do ta takonte. Nga grekët dëgjova dhe legjendën për të cilën shkruante Michel de Grece, veçanërisht në vitet e fundit të jetës së saj, kur e vetmuar, e zhgënjyer nga qeveritarët e rinj, e harruar në dhimbjen e plagëve të saj, ajo i kalonte netët nëpër kabaretë e ishullit. Në mesnatë, e përhumbur në avujt e alkoolit, ndodhte që ndonjërit t’i vinte koburen dhe ta merrte në shtëpi të saj që të kalonte natën me të.
Historinë dhe jetën e stuhishme të Bubulinës vështirë ta përmbledhësh në një roman biografik. Vështirë të japësh dimensionin e saj, megjithatë, Michel de Grece, i larguar nga Greqia, e kishte “shkelur” këtë tabu të banorëve të këtyre ishujve: heroinës së dikurshme i kishte dhënë dimensionin e vërtetë jetësor, pasionin e një gruaje, ku ngjizet dhimbja dhe dashuria, revolucioni dhe ekstaza, poezia e detit dhe dëshpërimi e vdekja.
Atë ditë vere, në Specaj, në vendin ku dikur kishin shkelur La Martin dhe Bajron, Miler apo Xhejms Emerson, tërë qenia ime u pushtua nga figura e asaj gruaje, që krijohej e bëhej e pranishme gjithnjë e më shumë, nga ai personazh i jashtëzakonshëm që kishte kapërcyer në cakun e legjendës. Bubulina ishte nga ato gra të kësaj bote, ku bashkohen në një kulm të madh dhe në një ngjizje të nxehtë vlerat e një jete sa të thjeshtë aq dhe heroike, sa romantike e në ekstazë, aq dhe tragjike, sa paradoksale aq dhe të pabesueshme, jeta në një tjetër dimension siç donim ta përjetonim.
Nën një fllad të lehtë që vinte nga Hidra, tutje, buzë detit, monumenti i Bubulinës vështronte nga horizonti. Ishte një portret i ngjashëm me atë që kisha pikasur në shtëpinë-muze, ku dukej aktorja e famshme Irenë Papas në filmin “Bubulina” të xhiruar në vitet 1960.
Në shtator, në Specaj, marinarët lëshojnë në det një anije të vjetër, të cilën e djegin duke hedhur fishekzjarre. Është festa e Bubulinës, festa më e bukur e Specajt. Gjer në mbrëmje vonë shquhen flakët që mbërthejnë atë anije që digjet ngadalë, sikur t’u kujtojë një kohë tjetër. Të ngjan kështu sikur ende digjet një shpirt... dhe shndrit një mit, sepse në Specaj, ashtu siç shkruante Miller: “gjithçka duket legjendare, përrallore, e pabesueshme, e mrekullueshme, e megjithatë e vërtetë. Gjithçka fillon këtu dhe mbaron po këtu”...
Metropol.
Krijoni Kontakt