1 prill 2005
- NUK GUXOJME QE PREJ “PAVARESISE” TE MOS SHOHIM “DROMCAT” PREJ TE CILAVE MUND TE CUNGOHET AJO -
- Disa veprime që po ndodhin në procesin negociator dhe përreth dhe jashtë tij mund të ndihmojnë në përfytyrimin sa më të përafërt për të ardhmen e Kosovës. Droja më e madhe është nga mundësia e bërjes së drejtësisë me tharm të politikës -
Shkruan: Esat STAVILECI, profesor i Universitetit të Prishtinës
Klasa politike e Kosovës përballet sot me sfidën e madhe që në të ushtron koha dhe problemet që i imponohen.Ajo është para detyrës që “asgjë të mos ruajë për vete”,por që,në mënyrën më të sinqertë “t’i flasin së sotmes”,sepse me të drejtë thuhet se “Kush nuk mund t’i flasë së sotmes dhe nuk kuptohet prej së sotmes, nuk do të kuptohet as prej të së nesërmes dhe të pasnesërmes”.
Edhe pse nga “shumë anë” dhe qarqe politike thuhet se çështja e Kosovës sikur “ka marrë fizionominë e një çështjeje të zgjidhur”,duke pritur “sanksionimin juridik-ndërkombëtar”,ajo vazhdon “të mbështillet me një mjegullnajë”në të cilën po e fusin “fushat e minuara të statusit”,veçanërisht ato që i referohen decentralizimit,trashëgimisë historike,kulturore e shpirtërore të pakicës serbe dhe pozitës politike të tyre.
RRIPI SA VJEN E DUKE “U NGUSHTUAR”
Pa pritur gjykimin e kohës,mund të thuhet se për shqiptarët “çdo raund i ardhshëm i negociatave do të jetë më i rëndë dhe jo më i lehtë”.Arsyeja qëndron se ndërkombëtarët kanë përgatitur “një listë të gjerë kushtëzimesh”të cilat duhet të pëmbushen.
E para,në emër të “kompromisit”që po kërkohet prej shqiptarëve, mund të bëhen “pazarllëqe të mëdha”.Më të dëmshmet mund të jenë ato që mund t’i referohen territorit,megjithë deklarimet, zotimet, madje dhe qëndrimet se “nuk do të ketë ndarje të Kosovës”,ndërkohë kur Kosova “ faktikisht mbahet e ndarë”.
E dyta,në emër të “decentralizimit”(dobësim i ndikimit të qendrës në pjesët e tjera të territorit)që po kërkohet të vendoset para statusit(e kemi thënë me një rast se “nuk mund të vendoset karroca para kalit”),serbët synojnë “autonominë në veri të Kosovës”,megjithë deklarimet,zotimet,madje dhe qëndrimet se nuk do të ketë “autonomi serbe në veri të Kosovës”,ndërkohë kur ajo pjesë e Kosovës “faktikisht kontrollohet prej Beogradit”.Në lidhje me këtë vlen të theksohet se procesi i decentralizimit ka filluar me parimin etnik dhe territorial;nuk është nisur me parimin joetnik dhe joterritorial.
E treta,në emër të “zgjerimit të kompetencave të komunave me shumicë serbe dhe të “krijimit të komunave serbe”,po sikurse dhe në emër të “lidhjes zinxhirore të tyre”që në këtë fazë të negociatave “po kundërshtohet”nga pala shqiptare,synohet “përgatitje e terrenit”për “nëndarje të brendshme” që mund të shtrohen dhe të ndodhin më vonë.
KERKOHET VIGJILENCE E MADHE
Përgjithësisht,shqiptarët janë para “një ekuacioni të cilin do ta kenë vështirë ta zgjidhin”,poqese nuk tregohen vigjilentë ,sepse krahas arritjes se pavarësisë,duhet ta “rikthejnë” dhe ta mbrojnë tërësinë territoriale.Ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm që të mos e lejojnë cungimin e territorit të tyre në emër të procesit të “decentralizimit”në veri të Kosovës që,ndryshe,po “pëvidhet” si reformë e qeverisjes lokale “në tërë vendin”dhe në emër të exterritorialitetit që,ndryshe,po “përflitet” si “status i veçantë”për monumentet shpirtërore serbe,
Nga dy raundet e para të negociatave “është shpalosur një dokument” i cili edhe po qe se vetëm “do të lexohej”,pa ndonjë “zbërthim më të detajuar”,lejon mundësinë që të nxirren përfundime për të medituar për to.
Drafti i decentralizimit,dokument ky që e ka sjellë zotëri Rohan dhe për të cilin do të diskutohet në Vjenë më 3 prill,nuk shpreh kërkesat që ka shtruar pala shqiptare,pra si në parim,ashtu dhe konkretisht,
nuk përkon me to.
Dokumenti ka paraparë një rol shumë të theksuar të Beogradit në financimin e komunave “që do të lindin nga procesi i decentralizimit”.
Nëse këtyre vërejtjeve të përgjithshme i shtojmë edhe “gjuhën shumë përgjithësuese të dokumentit”që lenë të hapura për interpretim shumë çështje të ndërhyrjes së Beogradit në shumë segmente të qeverisjes në “komunat me shumicë serbe”,mundësia që shqiptarët të “hasin në fushë të minuara” është e konsiderueshme dhe nuk bën të nënçmohet,sepse pasojat mund të jenë të pariparueshme më vonë,sado që thuhet se bëhet fjalë për “dokument pune”.
NE EMER TE BARAZISE NUK MUND TE VENDOSEN PRIVILEGJE PER PAKICAT
Eshtë e vërtetë se bashkësia ndërkombëtare “po kërkon modalitetet më të mira për jetën më të mirë të të gjithë qytetarëve”, por ajo nuk bën që “në emër të tyre”të vendosë privilegje”në komunitetet minoritare,kur prej Prishtinës kërkohet që “financimet nga Beogradi të kenë një trajtim të privilegjuar”(statusi i donatorit të privilegjuar”).
Pala shqiptare duhet të jetë e vëmendshme edhe rreth “sugjerimeve të draftit” në fushën e marrëdhënieve ndërkomunale (“Komunat do të kenë të drejtë që të formojnë partneritete pa ndonjë formë aprovuese paraprake të lëshuar nga autoritetet qendrore”),po sikurse edhe në fushën e bashkëpunimit ndërkufitar,ku poashtu drafti parasheh marrëdhëniet ndërkufitare mes komunave të Kosovës apo të bashkësive të komunave të Kosovës me agjencitë e qeverisë qendrore të Beogradit të cilat,siç thuhet,”duhet të definohen në një marrëveshje mes Beogadit e Prishtinës.
Një fushë tjetër e madhe “minuese”nëpër të cilën nuk duhet “të shkelë pala shqiptare” është exterritorialiteti.Eshtë paralajmëruar që zotëri S.J.Petersen të nënshkruajë vazhdimin e vendimit për zonën e veçantë mbrojtëse perreth Manastirit të Deçanit.
Ky shembull flet shumë.
Një, qytetarët e Deçanit frikësohen që pronat e veta padrejtësisht mund të tjetërsohen.
Dy, fatin e qytetarëve të Deçanit mund ta kenë edhe qytetarët gjithandej kah shtrihen monumentet shpirtërore serbe në Kosovë.
Në këtë shkrim ngritëm dy shqetësime nga më shumë që do të mund të paraqitën në procesin e mëtëjshëm të negociatave,duke pasur parasysh,ndër të tjera,pyetësorin me shkrim me të cilin zotëri Ahtisari “i ka marrë në provim shqiptarët”.
PERBALLJA E SKEPTICIZMIT ME EUFORINE
Ngritja e shqetësimeve nuk bëhet me qëllim të nxitjes së ndonjë ndjenjeje të skepticizmit të kulmuar.Ajo më tepër bëhet për “të kontrolluar”euforinë e tepruar që ndonjëherë “po prodhohet” nga zyrtarët tanë.Nuk ka dyshim se qoftë skepticizmi i kulmuar,qoftë euforia e pamatur mund të prodhojnë efekte të ndryshme.I pari mund “të çojë në veprime të papërmbajtura dhe të pakontrolluara”;e dyta “mund të çojë në shkujdesje të tepruar,ndërsa ajo në çmobilizim të energjive”.
Sugjerojmë që dalja nga ajo gjendje të kërkohet në nxitjen e ndjenjës realiste,e cila dhet “të burojë drejtpërdrejtë nga realitetit,nga kahet që kanë dhe që mund të marrin rrjedhat”.
Thelbi i shkrimit tim nuk është “mbjellja e mosbesimit për të ardhmen e Kosoëvs”,sepse ajo do të bëhet ashtu “si e bëjmë vetë”,por mobilizimi për të mos na u përsëritur e kaluara e hidhur.Nuk guxojmë që prej “pavarësisë”të mos shohim “dromcat”nga të cilat mund të cungohet ajo.
Kosova është “në pritje të asaj që dëshiron;në pritje të së ardhmes që prêt të vijë dhe në pritje të së ardhmes që vjen faktikisht”.Por,asgjë nuk vjen vetvetiu.
Krijoni Kontakt