Gazullorët e rinj



Gazullorët përbëjnë një univers. Duke gërmuar në rrjedhat e 500 vjetëve, bindesh se mund të flitet jo vetëm për një trini unikale vëllezërish të shquar Gazulli (Gjoni, Pali, Ndreu) - “Yllësi” shqiptare në botën perendimore Europiane në shek XV, por për një dinasti të tërë Gazullorësh që në vetvete përbëjnë ende një Enciklopedi të pandriçuar. Brezi i dytë i Gazujve janë klerikët katolikë, ndryshe Gazullorët e Rinj. Universi Gazullian mundet të zërë fill me një meshtar të thjeshtë Dom Mat Gazulli nga Barbullushi që përmendet shkarazi në një dokument se kishte blerë një Bibël të çmuar me shumën e madhe prej 60 dukatësh nga Arqipeshkvi i Tivarit në vitin 1404 dhe të “mbyllet” në shek. XX me Dom Jak Gazullin famullitar i Kçirës i cili në vitin 1952 e më pas kryen shërbesa fetare dhe në Qafë Mali e Korthpulë të Mirditës. Prej më se pesë shekujsh gjendet i paprishur mbiemri Gazulli, ashtu si dhe më parë vazhdon të mbahet dhe sot e kësaj dite si mbiemër në disa fshatra të Zonës së Ulët të Shkodrës. Gazujt përmenden së pari më 1301 në “Libër Reformatorium” të Raguzës, më pas në Kadastrën Veneciane të një shekulli më vonë 1416, ku dalin 4 shtëpi me mbiemrin Gazulli në një katund të Bregut të Bunës.
Është fshat i vjetër me pamjen tipike të një vendbanimi të hershëm në të dy anët e luginës që formon përroi i Gjazujve. Kemi Gjazujn e Epërm dhe Gjazujn e Poshtëm. Në Kodër Gjazuj gjenden rrënojat e një objekti fortifikues mesjetar dhe ato të kishës së Shën Ilisë që nuk mbahet mend nga banorët e sotëm, por që del nga relacionet e fillimit të shekullit XVII vetëm si emër. Prej këtej janë shpërngulur gazullorët në Zadrimë, Dajç, Barbullush, Kukël duke i dhënë emrin e tyre dhe një fshati të vogël në afërsi të Velipojës, siç gjendet në kadastrat e vjetra të shekullit XV. “Kemi pas tokat bashkë, kemi pas mort e darzëm me njëri - tjetrin”, tregojnë sot në Gazuj të Kashnjetit. Edhe Gazullorët e Dajçit njohin Gazujt e Kashnjetit për vendorigjinën e të parëve të tyre. Kjo tezë e origjinës së kësaj familjeje me emër mbështetet nga disa studiues, sipas të cilëve “djepi i parë i gazullorëve ka qenë lagjja Gjazuj e Kashnjetit të Mirditës”.

IMZOT GJON GAZULLI, ARQIPESHKËV I SHKUPIT
Në shkrimet për klerikët Gazulli përmenden dy me këtë emër. Këta i përkasin shekujve XIX e XX. Gjon Gazulli i parë (që e kemi cilësuar i vjetri) ishte nip i Dom Zef Gazullit nga Dajçi. Kur ky i fundit vdes në vitin 1872 i shkruan një epitaf mbi rrasën e varrit xhaxhait, teksa ishte nxënës-xhakue në kolegjin Loteran. Më vonë do të kemi Gjon Gazullin e dytë (i riu) i cili ekzkutohet më 1927 për motive politike. Kurse Gjon Gazulli (1702-1753), Arqipeshkëv i Shkupit në shek. XVIII është përmendur ndër ne vetëm tash së voni, “kosovar nga Gjakova”, “doktor në teologji e filozofi” që ka botuar në Romë në vitin 1743 librin e tij shqip në dialektin e Gjakovës.
Ky pasardhës i denjë i Budit, Bogdanit, Hasit e të tjerë del të ketë qenë njëherësh dhe një njeri i spikatur i dijes e letrave. Shkrimi më i plotë për Gazullorët, ai i Dom Gaspër Gurakuqit, kufizohet vetëm në ata me prejardhje nga Dajçi i Zadrimës- “kjenë dhe janë të gjithë Gazullorë të Dajçit” – dhe vetëm për periudhën 1783-1938, duke mos përmendur jo vetëm Dom Mate Gazullin, por as Dom Pal Gazullin e shek. XVII le pastaj Imzot Gjon Gazullin, Arqipeshkëv i Shkupit, me të cilin gjeografia Gazullore shtrihet dhe në një hapësirë tjetër shqiptare në Gjakovë e në Shkup. Për origjinën e tij mund të thuhet ose ai ishte nga Gazullorët e shpërngulur në Zadrimë dhe për nevojat e shërbimit fetar ishte dërguar në Kosovë, ose (çka ka më tepër gjasë), një degëzim i Gazullorëve të Mirditës ishte vendosur me banim në Gjakovë e prej tij kishte rrjedhur edhe Imzot Gjon Gazulli, gjë që e përforcon edhe libri i tij i shkruar në “dialektin e Gjakovës”.

DOM NDRE GAZULLI, ABAT I MIRDITËS
Rridhte nga trungu Gazullor i Dajçit të Zadrimës. Qe doktoruar për filozofi e teologji në Universitetin e Propagandës Fide në Romë në vitin 1766. Më 1790 vjen në krye të Abacisë së Mirditës me seli në Orosh (pas Dom Pal Dodës), ku duhet të ketë qëndruar gjatë pasi vetëm pas 23 vjetësh, në vitin 1813 përmendet si abat apo administrator Dom Mark Negri.
Më parë, për një periudhë 5-vjeçare (1783-1788) kishte shërbyer si famullitar në vendlindje. Deri në vitin 1938 në famullinë e Dajçit është ruajtur një libër mbi veprimtarinë e përditëshme të asaj famullie i plotësuar nga ai vetë dhe më vonë nga të tjerë.
Atë vit muzeut kishtar të Dekanatit Priftëror të Dajçit i qenë dhuruar dy objekte (relike) të përdorura nga Dom Ndreu, “nji David e nji Tyrbi”, nga zoti i një shpie patriarkale të atyshme, Luku i Zekë Ejll Pal Gazullit.
Abat Gazulli “ia pat rritur shumë namin si Mirditës, ashtu edhe Abacisë”, ai pati vendosur marrëdhënie dhe me Ali Pashë Tepelenën duke i dërguar të kushëririn Ndrekë Gazullin me një tubë luftëtarësh.

DOM GJON GAZULLI (1893-1927)
Ishte dhe ai nga Dajçi i Zadrimës. Studimet e larta i kreu në Insbruk të Austrisë ku laureohet për teologji. Nga viti 1919-1927 shërben si famullitar në dioqezën e Sapës. Shquhet jo vetëm si meshtar i devotshëm, por dhe si një figurë politike aktive e kohës.
Për meritat e tij zgjidhet deputet në Kuvendin Kombëtar në krahun e opozitës. Merr pjesë në organizimin e kryengritjes së Mirditës dhe Pukës. Ahmet Zogu hakmerret ndaj tij duke e varur më 5 mars 1927 në Fushën e Druve në Shkodër. Kjo figurë pak e njohur përmban në vetvete një atdhetar të madh, një nga dëshmorët e krishtërimit dhe me sa dimë i pari i fisit priftëror Gazulli, pasi më vonë i tillë do të jetë edhe vëllai i tij Nikolla.

DOM NIKOLL GAZULLI (1891-1946)
Rreshtohet ndër dijetarët e spikatur të gjysmës së parë të këtij shekulli, më së shumti gjuhëtar. I shkolluar dhe ai në Insbruk si i vëllai Gjoni. I pajisur me kulturë Gjermane. Qe një shkenctar me fizionomi të plotë; i vlerësuar dhe i mirëpritur në rrethet shkencore dhe intelektuale të viteve '30, me një vepër të shpërndarë në periodikët e kohës. Hartoi dy vepra origjinale leksikografike që i botoi në “Visaret e Kombit” dhe “Hylli i Dritës” , përkatësisht: “Fjalori i fjalëve të rralla të malësive veriore” dhe “Fjalori toponomastik” . Si leksikograf solli ndihmesë të shquar në gjuhësi. Nikoll Gazulli ishte i dhënë edhe pas folklorit dhe historisë, fusha në të cilat boton shkrime, këngë të moçme etj. Për të Iliria ka një histori fetare me atë të Italisë, me dëshmorë, me selina ipeshkvnore, me Etën të vet, kurse “ndë Shkodër tanë kemi një Romë të dytë në Ballkan: Këtu fillimi i krishtnimit nis me kohëna apostolike e vazhdon me një seli ipeshkvnore që ka nji vijim të pakëputun deri në kohët e vona”.
Gjen një rast të argumentojë mbi historinë e Mirditës, duke kundërshtuar ndonjë tezë të pasaktë e të diskutueshme mbi prejardhjen e saj. Sjell dhe ndonjë dokument të panjohur për shqyrtim në këtë rrafsh dhe arrin në përfundimin e rëndësishëm se “mirditasit nuk janë një fis i huej”.
Vritet në befasi për shkak të bindjeve antikomuniste.

Universi Gazullian është një nga margaritarët më të çmuar të historisë dhe kulturës tonë kombëtare. per me shume info kliko KETU