Sot në Athinë u mbajt takimi i përfaqësuesve të vendeve ballkanike me përfaqësues të Grupit të Kontaktit, ku temë qendrore është procesi i bisedimeve dhe statusi final i Kosovës. Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit përsëriten qëndrimin për parimet bazë rreth Kosovës, se nuk do të ketë kthim në situatën e para vitit 1999, nuk do të ketë ndarje dhe se nuk do të ketë bashkim të Kosovës me ndonjë shtet fqinjë. Kryeadministratori Soren Jesen Petersen, i cili mori pjesë në këtë takim, tha se anëtarët e Grupit të Kontaktit kanë paraqitur në Athinë edhe një parim tjetër të rëndësishëm se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të jetë e pranueshme për popullatën shumicë në Kosovë.


Përfaqësues të Grupit të Kontaktit morën sot në Athinë pikëpamjet e vendeve ballkanike për përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të zgjidhur statusin përfundimtar të Kosovës. Kryeadministratori Soren Jesen- Petersen, i cili mori pjesë në këtë takim, tha për RTK se përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit kanë ritheksuar parimet bazë për Kosovën, duke bërë të qartë se zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës duhet të jetë e pranueshme për popullatën shumicë në Kosovë. “Ata, pra GK, kanë ritheksuar sot se bisedimet për statusin janë bazuar në disa parime fundamentale, që tashmë dihen, se nuk ka kthim në situatën e para vitit 1999, nuk ka ndarje të Kosovës dhe nuk ka bashkim të Kosovës me ndonjë vend fqinjë. Por, ata ritheksuan edhe një parim tjetër shumë të rëndësishëm se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të jetë e pranueshme për popullatën shumicë në Kosovë. Pra, parimet janë të njëjta me ato që janë prezantuar në fillim të këtij procesi dhe se Grupi i Kontaktit është shumë unik rreth këtyre parimeve” tha Jesen- Petersen . Shefi i UNMIK-ut ka prezantuar në këtë takim zhvillimet e tre muajve të fundit në Kosovë. Ai përmendi shtimin e dinamikës së zhvillimeve politike, të udhëhequr nga presidenti Sejdiu dhe kryeministri Çeku, me theks të veçantë rreth angazhimit të tyre për pozitën e minoriteve në Kosovë. “Unë raportova mbi atë që unë e quaj ndryshime rrënjësor në zhvillimet politike gjatë tre muajve të këtij viti. Unë theksova në këtë takim se është shpresëdhënëse pjekuria politike që është arritur në Kosovë dhe se duket qartë tani shtimi i përpjekjeve për përmbushjen e standardeve, respektimin e ligjit dhe angazhimet rreth çështjeve të korrupsionit. Ajo çka është më rëndësi është përkushtimi dhe angazhimi i presidentit Sejdiu dhe kryeministrit Çeku rreth pozitës së minoriteve në Kosovë. Unë jam optimist se kjo dinamikë e re do të sjellë progres për disa muaj të ardhshëm”, tha ai. Në takimin e Athinës mori pjesë edhe zëvendëskryesuesi i negociatave, Albert Rohan, i cili ka prezantuar pikëpamjet e palës kosovare dhe asaj serbe që janë shfaqur në takimin e fundit në Vjenë. Petersen tha se në Athinë Rohan kishte pranuar se takimi i fundit ka qenë më i vështirë se takimet tjera, por ai ka theksuar se procesi duhet të vazhdojë. “Rohan përsëriti se takimi i tretë në Vjenë ka qenë shumë i vështirë. Por, ai tha se kjo është pritur, sepse në takimin e tretë janë diskutuar hollësi dhe përmbajtje substanciale për çështjet fundamentale lidhur me decentralizimin. Ai (Rohan) përsëriti se pozicionet e të dy palëve janë larg njëra tjetrës. Ai ka pranuar se është një moment shumë i vështirë, duke theksuar se procesi duhet të vazhdojë”. Pjesëmarrësit e takimit kanë vlerësuar se zgjidhja e statusit të Kosovës është në interes të përgjithshëm të paqes dhe sigurisë rajonale. Në këtë takim mori pjesë edhe i dërguari i BE-së për statusin e Kosovës Shtefan Lene, dhe përfaqësuesi i OKB-së, Hedi Anabi.


RTK 05/04/2006 16:57:36