Mësimi në një shkollë të Berlinit në zonën e Nojkëlnit ka filluar të mbahet nën mbikqyrje të policisë që nga dita e premte. Prania e policisë në shkollë arsyetohet me eskalimin e dhunës në mes nxënësve
Në shkollën "Rütli Schule" të Berlinit ka rrahje, fyerje sharje. Goditen dyert, prishen fotografitë e varura në mur dhe provokohen mësuesit, që kanë frike nga dhuna dhe agresiviteti. Disa nxënës konfirmojnë atë se që po ndodh në mes tyre: "Nxënësit apo të rinjtë sikur ndihen të zotët, kur dëshmojnë dhunë dhe agresivitet. Ata këtë e konsiderojnë si një gjë të mirë. Ata grinden dhe pastaj edhe rrihen. Dhe ai, i cili tregohet më i forti konsiderohet më i miri."
"Vetë nxënësit qëllojnë me letra, me lapsa dhe prishin çdo gjë në klasë. Njëherë për njëherë është kështu. Kjo nuk është e drejtë. Të them të drejtën, kjo as që më intereson mua, se çfarë po bëjnë këtu nxënësit. Sepse unë këtu nuk vij shpesh në shkollë. Nuk ka kuptim."
Shumë nxënës duket se nuk e çajnë kokën për shkollë. Kolegjiumi i shkollës përmes një letre publike ka konstatuar, se shkolla gjendet në një udhëkryq. Në gjysëmvjetorin e parë në këtë shkollë kanë mbetur më shumë arsimtarë se sa nxënës të sëmurë.
Për prefektin e rrethit të Nojklnit në Berlin, Hajnc Bushkovski eskalimi ishte vetëm një çështje kohe. Ai shprehet se di prej kohësh se çfarë eksplozivi social përshkon njerëzit e kulturave të ndryshme. Nxënësit me origjinë arabe të kësaj shkolle janë të socializuar ndryshe në krahasim me nxënësit gjermanë.
Bushkovski: "Në këtë pjesë të qytetit ne kemi probleme, pasi një pjesë e të rinjve nuk janë rritur në sistemin tonë të vlerave, ata nuk ndihen si në shtëpinë e tyre. Prindërit e nxënësve jetojnë në shtëpitë e tyre në bazë të ritualeve të traditave të atdheut të tyre, të fshatit. Të rinjtë janë rritur këtu në qytet, ata refuzojnë këto rituale, por nuk i shohin qëllimet dhe vlerat e reja. Kjo bën që ata të përvetësojnë vlerat e rrugës. Dhe në rrugë siç dihet vlen ligji i më të fortit."
Pas apelit të arsimtarëve për ndihmë menjëherë kanë pasuar reagimet. Brenda ditëve të ardhshme kësaj shkolle të përbërë nga pjesëtarë të shumë kombe do t'i dërgohen tre pedagogë sociale,, të cilët flasin edhe arabisht dhe turqisht. Në të njëjtën kohë planifikohet unifikimi i kësaj shkolle me një shkollë tjetër për të ndihmuar integrimin e nxënësve. Për shkak të situatës së jashtëzakonshme nuk mendohet në mbylljen e shkollës, thekson senatori i shkollës, Klaus Böger: "Nuk do të ketë shkollë në Berlin që do të mbyllet. Ne do të vazhdojmë procesin tonë të zbatimit të parimeve edukuese, civilizuese dhe mësimit politik në çdo pjesë të Berlinit.
Që nga dita e premte ka filluar në hyrje të shkollës kontrolli policor. Policia përkujdeset edhe për mosmbajtje të armëve nga ana e nxënësve.
Silke Mehring
Deutsche Welle
31 Mars 2006
Krijoni Kontakt