Policia e Tiranës ka ndaluar Agim Mushën. Ai ka kundërshtuar me veprime të dhunshme arrestimin e policisë
Plagosi babanë e Irena Selit, pranga Agim Mushës
Dashamir Biçaku
TIRANE- Plagoset me thikë në kokë, babai i Irena Selit, Xhemal Seli. Policia arreston në kushtet e flagrancës bashkëshortin e gruas së zhdukur, Agim Musha, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, me pasojë plagosjen e vjehrrit të tij. Ngjarja mësohet se ka ndodhur dje në mesditë, rreth orës 16:00, në rrugën “Irfan Tomini”, pranë karburant “Kastrati” në Tiranë të Re. Policia është njoftuar për ngjarjen nga fqinjët e Xhemal Selit, i cili banon në katin e tretë të një pallati në këtë zonë, në apartamentin që sipas policisë është pronë e përbashkët e çiftit Agim dhe Irena Musha. Ende nuk dihet shkaku apo motivi i saktë i ngjarjes, por policia ka ndaluar menjëherë pas ngjarjes bashkëshortin e gruas së zhdukur, Agim Mushën. Bashkë me të në, komisariatin e policisë nr.2 është shoqëruar edhe djali i çiftit Musha, Bruno 19 vjeç. Ngjarja ka ndodhur disa orë përpara se Agim Musha dhe djali i tij, Bruno të niseshin në drejtim të Italisë nëpërmjet tragetit të linjës Durrës- Trieste për të marrë më pas rrugën në drejtim të Gjermanisë, ku edhe banojnë së fundmi.
Plagosja
Pas ngjarjes, Xhemal Seli është dërguar në spitalin Ushtarak në kryeqytet, ku ka marrë mjekimin e nevojshëm. Më pas, ai është marrë në pyetje nga inspektorët e krimeve, ndërsa në mbrëmje vonë i moshuari Seli mësohet t’i jetë nënshtruar një vizite mjeko-ligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Sakaq, Musha është shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë nr.2 në cilësinë e të dyshuarit për këtë ngjarje. Sipas policisë, Musha ka reaguar edhe ndaj tyre në mënyrë të dhunshme dhe ka kundërshtuar me forcë arrestimin. Dje në mbrëmje vonë ai është dërguar në ambientet e klinikës së toksikologjisë në spitalin ushtarak në Tiranë, pasi ka shfaqur shenja të paqëndrueshmërisë shëndetësore.
Mesditën e djeshme, Agim Musha dhe djali i tij, Bruno kanë shkuar në shtëpinë e vjetër të tyre që ndodhet rrugën “Irfan Tomini”. Ende nuk dihet arsyeja e vërtetë e vizitës së babë e bir në shtëpinë e tyre, ku aktualisht banon babai i Irena Selit, por mësohet se vetëm dy ditë më parë, nipi i Xhemalit, Bruno, ka shkuar në banesën e gjyshit të tij dhe i ka pohuar se do t’i sillte ca rroba atij.
Rrëfimi
I plagosuri Xhemal Seli ka pohuar mbrëmë për “Shekullin” se ai ka qenë duke ngjitur shkallët, kur Agimi e ka goditur në mënyrë të beftë me një send të fortë, që sipas tij ishte një thikë. “Pashë që ishte Agimi dhe Bruno. Agimi mbante një thikë në dorë, ndërsa unë rashë dhe nuk mbaj mend asgjë”. Kështu pohon 73- vjeçari, babai i gruas së zhdukur prej më tepër se një viti e gjysmë. Sipas tij, kjo është hera e dytë që Agim Musha tenton të kryejë një veprim të tillë kundrejt tij. Një herë tjetër më parë, rreth tri vite të shkuara, Musha kishte tentuar ta vriste, por nuk kishte mundur. Nga këqyrja e kryer prej ekspertëve të policisë kriminale, dukej qartë në pjesën e pasme të kokës së Selit ka çarje të shkaktuar me një send të fortë dhe të mprehtë. Pikërisht për këtë shkak, inspektorët e policisë kriminale të komisariatit nr.2 kanë vendosur të kërkojnë edhe një ekspertim mjeko- ligjor të të dëmtuarit. Ndërkaq, pas marrjes së informacionit mbi ngjarjen dhe marrjes së dëshmive të personave që kishin qenë dëshmitarë në vendin e ngjarjes, policia ka nisur gjurmimin e Agim Mushës, arrestimi i të cilit është bërë i mundur shumë shpejt. Më pas, policia ka kryer shoqërimin e tij për në komisariatin nr.2 në kryeqytet, ku edhe është marrë në pyetje nga hetuesit. Burime të policisë së komisariatit nr.2 në kryeqytet kanë pohuar se gjatë marrjes në pyetje ai ka reaguar ndaj tyre duke kundërshtuar me dhunë dhe duke i fyer.Ndërkaq, vëllai i Irena Selit i ka bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të marrë seriozisht ngjarjen e ndodhur dje, pasi sipas tij dëshmon edhe veprimet e papërgjegjshme të Agim Mushës kundrejt familjes së tij, e në veçanti kundër motrës së zhdukur që prej 16 dhjetorit të vitit 2004, në portin e qytetit të Durrësit.
30/03/2006
Krijoni Kontakt