Kreu i shtetit prej tre ditësh në Turqi, i shtruar në “Gulhane Askeri Tip Akademisi”
Moisiu në spital, gati operacioni
Ankara, ndërhyrja kirurgjikale pa rrezik për jetën
Prej tre ditësh Presidenti Alfred Moisiu ndodhet në Turqi. Ka qenë një vizitë më e heshtur dhe pa bujë se ato të zakonshmet. Njoftimi zyrtar i vizitës i bërë publik nga Presidenca, flet për “kontroll mjekësor periodik në një nga klinikat shëndetësore të kryeqytetit turk”. Pra, për një egzaminim të përgjithshëm shëndetësor të kreut 76 vjecar të shtetit. Ky është udhëtimi i tretë mjekësor i Moisiut në Turqi, pas atyre të viteve 2004 kur operoi gjurin dhe atij të vitit të shkuar, i cili u ndërpre papritur nga vdekja e Papës Gjon Pali i II më 2 prill 2005.
Burime të besueshme njoftuan ndërkaq për Gazeta Shqiptare dje, se shtrimi i Presidentit në Spitalin Ushtarak të Ankarasë (Gulhane Askeri Tip Akademisi), lidhet në fakt me dicka më të rëndë sesa një “kontroll mjekësor periodik”.
Burimet njoftojnë se kreu i shtetit po kryen egzaminimet mjekësore, para një ndërhyrjeje kirurgjikale. Informacioni që vjen nga kryeqyteti turk thotë se ai do të operohet sot, ose e shumta nesër, pa dhënë megjithatë hollësi rreth objektitivit dhe natyrës së operacionit. Mësohet megjithatë se Presidenti nuk ndodhet në rrezik për jetën dhe se ndërhyrja nuk paraqet risqe të larta për shëndetin e tij.
Para dy vjetësh, Moisiu kreu po në Turqi një operacion në menisk, kurse para një viti, në prill, ai u ftua formalisht nga Presidenti turk Sezer, për një kontroll mjekësor. Zoti Moisiu duhej të qëndronte rreth një javë në një klinikë të Ankarasë, por vdekja e Papës Gjon Pali II i prishi planet. Atij iu desh të udhëtonte urgjent në Romë.
Shëndeti i Presidentit Moisiu përbën një temë delikate që i tajkalon dukshëm kufinjtë e një ceshtjeje thjesht mjekësore. Megjithë moshën e shtyrë, ai ka gëzuar shëndet të plotë gjatë viteve të mandatit presidencial, cka e ka ndihmuar në përballimin e mjaft sfidave të politikës, por edhe të jetës personale. Në vitin e fundit të mandatit të tij, Moisiu dhe posti i tij përgatitet të jetë në qendër të zhvillimeve politike, jo vetëm për shkak të afrimit të datës së zgjedhjes të kreut të ri të shtetit, por edhe të situatave të krijuara sidomos gjatë muajve të fundit, me fërkimet dhe përplasjet që ka pasur me qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e tre korrikut.
Gazeta Shqiptare
Krijoni Kontakt