Me rastin e 600 vjetorit të lindjes së Gjergj Gjon Kastriotit i mbiquajtur nga turqit Iskender në përkujtim të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë (Iskender Zül Karneyn) dhe nga kristianët “Atleti i Krishtit”.
Agron Luka
Aleksandri i Madh “Biri i Zeusit” me përkrenare me “kok një bri cjapi të mrekullueshëm” në Shkodër!
Zbulimi arkivor surprizë i studiueses italiane Luçia Nadin.
Zbulimi i Statuteve të Qytet Komunës Republikane të Shkodrës të shek XIV-XV dhe brenda tyre i një lloj testamenti me privilegje të Aleksandrit të Madh, akorduar disa popujve të gadishullit tonë “me gjuhë të përafërt”, na jep mundësinë të shprehim disa mendime. Bëhet fjalë për librin “Statuti di Scutari”, della prima metà del secolo XIV con le addizioni fino al 1469, a cura di Lucia Nadin, giugno 2002, Roma. Këtë libër të plotë ka pasur mirësinë të ma dhurojë prof. Nadin, me të cilën patëm edhe rastin të njihemi personalisht dhe të bashkëbisedojmë gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri. Një material të pjesshëm ajo ma kishte dhuruar qysh më 1997. Besoj se këtu po plotësoj edhe një pjesë të kërkesës së prof. Nadin, për një diskutim në interpretimet e ndryshme, rreth këtij zbulimi, të cilin më vonë do ta plotësojmë më tej.
Fillimisht do të ishte me interes që lexuesi të njihet konkretisht me tekstin, të cilin po e citojmë sipas përkthimit shqip:
“PRIVILEGIUM ALEXANDRI MAGNI MACEDONIS EX GRECO ORIGINALI TRADUCTUM”
Unë Aleksandri, bir i Filipit mbretit të Maqedonasve, mishërim i Monarkisë, krijues i Perandorisë Greke, bir i Zeusit të madh, bashkbisedues i Brahmanëve dhe i Pemëve, i diellit dhe i hënës, triumfues mbi mbretëritë e Persëve e të Medëve, Zot i botës prej ku lind dhe deri ku perëndon dielli, nga veriu në jug, pinjoll i farës së shquar të popujve Ilirikë të Dalmacisë, Liburnisë, dhe të popujve të tjerë të së njëjtës gjuhë që popullojnë Danubin dhe zonën qëndrore të Thrakës, u sjell dashurinë, paqen dhe përshëndetjet e mia dhe të të gjithë atyre që do të më ndjekin në sundimin e botës. Duke qenë se ju gjithmonë më jeni treguar të besës dhe të fortë e të pathyeshëm në betejat e bëra krah meje, u jap e u dorëzoj juve në zotërim të lirë gjithë hapësirën prej Akuilonit e deri në skaj të Italisë së jugut. Askush tjetër veç jush, të mos guxojë të vendoset e të qëndrojë në ato vende, dhe po u gjet ndonjë i huaj, ai do të mund të qëndrojë vetëm si skllavi juaj, dhe pasardhësit e tij do të jenë skllevër të pasardhësve tuaj.
U shkrua në kështjellën e qytetit të Aleksandrisë, themeluar prej meje buzë lumit madhështor të Nilit, në vitin XII. Me vullnet të perëndive që nderohen në mbretëritë e mia, Zeusit, Marsit, Plutonit dhe Minervës, perëndisë së perëndive. Dëshmitarë të këtij akti janë Atleti, logotheti im, dhe njëmbëdhjetë princë të tjerë, të cilët unë po i emëroj si trashigimtarë të mi dhe të të gjithë botës, meqenëse po vdes pa lënë pasardhës.
Aleksandri i Madh i Maqedonisë, në vitin 325 para lindjes së Krishtit, ose siç njihet ndryshe, viti 4874.
Në lidhje me këtë dokument të cilësuar si apokrif, që është një kopjim me dorë i shek XV nga një tekst në latinisht, i cili pretendohet se ishte përkthyer nga një “ish origjinal greqisht”, konsideratat e para janë shprehur se kemi të bëjmë me një lloj fallsifikimi, të një kohe të papërcaktuar ende.
Ne na rezulton se kemi të bëjmë me një njohës ekspert të burimeve antike dhe nuk e përjashtojmë që formulimi ka pasur edhe ndonjë bazë reale. Nga formulimi i tekstit bindemi plotësisht se aty kemi një lloj akti testamentar kolektiv të kohës dhe tipit të natyrës skllavopronare dhe jo të një kohe feudale. Në ndihmë vjen edhe vërejtja se aty nuk ka asnjë lloj prezence e as pretendimi të sferës sllavojugore.Gjithsesi, këto “privilegje të një akti testamentar” duhet të jenë shfrytëzuar për pjesën kohore kur i hynin në punë komunitetit e më pas Komunës Qytetare Republikane mesjetare të Shkodrës. Në këtë arsyetim, ndonjë premisë na çon sëpaku në një kronologji aty rreth shek XI. Kështu nuk mund të mohohet se, “Privilegjet dhe Testamenti”, kanë shërbyer si një lloj preambule e dëshmie për të treguar lashtësinë dhe ligjshmërinë e të drejtës së pronësisë autoktone etj. Qytetarët shkodranë mund ta kenë shfrytëzuar, për t’u mbrojtur, për të ruajtur e konfirmuar autonomitë e privilegjet e tyre, përballë okupatorëve sllavojugorë dhe përgjithsisht nga feudalët. “Privilegjet dhe Testamenti”, janë pasuar pastaj me të drejta dhe privilegje të reja qytetare, siç i gjejmë nga disa gjurmë të ish “Statuteve antike” para këtij Statuti mesjetar, të cilat janë përforcuar edhe me dekrete të akorduara nga perandorët bizantinë.
“Privilegjet” dhe “Testamenti”, edhe sikur t’i marrim në minimumin e vlerës së tyre, na tregojnë se kemi një lloj dokumentimi për të hetuar vetëdijen e hershme të mbrendshme të atyre popullsive autoktone që e pretendonin trashigiminë e lavdishme të Filipit II dhe gruas së tij epirote Olimpisë, të Aleksandrit të Madh, Aleksandrit Mollos e Pirros së Epirit.
Krijoni Kontakt