Grate e politikaneve rrefehen
Intervista/ Flet bashkëshortja e politikanit dhe shkrimtarit Preç Zogaj
“Sakrificat e dashurisë me Preçin”
Dorina TOPOLLAJ
Për të, Preçi ka mbetur ai djali simpatik e fjalëbutë që njohu në Shtëpinë e Kulturës 28 vjet më parë. Dashuria s’e ka vënë vetëm përpara shpeshtimeve të tik-takeve të zemrës, por edhe para një vendimi që kishte kundra kohën dhe që pikërisht për këtë e vinte mes dashurisë e familjes. Por Drande Zogaj, që në atë takim të parë, e kishte ndjerë se Preçi ishte pjesë e jetës së saj. “Ai për mua është bashkëshorti ideal”, thotë Drandja, e cila ka kaluar plot 23 vjet martesë me politikanin e njohur. E megjithëse në jetën e saj bashkëshortore me Preçin s’ka kaluar vështirësi, jeta i ka rezervuar jo pak të papritura të hidhura. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, 47 –vjeçarja rrëfen jetën e saj me deputetin e Partisë Demokratike.
A ju kujtohet takimi i parë me bashkëshortin tuaj?
Ka qenë fundi i majit të vitit 1978. Unë isha në vit të fundit të gjimnazit në atë kohë, dhe na thirrën në një aktivitet për të rinjtë në Shtëpinë e Kulturës në Ishull të Lezhës. Atje punonte edhe Preçi, i cili ishte emëruar si disenjator në vitin e stazhit pas mbarimit të Shkollës së Kulturës në degën e Regjisurës. Atje e takova për herë të parë mes të rinjsh dhe shumë shpejt hymë në muhabet, pasi ai njihte edhe vëllezërit e mi. Pra ishte një takim i rastësishëm, në një aktivitet të rinjsh, gjë që organizohej shpesh në atë kohë.
A ju kujtohet çfarë ju tërhoqi me shumë tek ai?
Faktikisht në momentin që e pashë Preçin më ra në sy si djalë. Më shumë më bëri përshtypje mënyra e komunikimit, butësia e tij, zgjuarsia e tij, sesa paraqitja e jashtme, e cila gjithsesi më bëri përshtypje. Unë kisha dëgjuar për të më parë, pasi ai ishte anëtar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve të Lezhës, por s’e kisha takuar asnjëherë. Ne u prezantuam dhe biseduam për dy-tre orë. Ai më pyeti për provimet e maturës pasi unë isha në prag të tyre atëherë, dhe i kërkova të më bënte hartimin. Ai shprehu kënaqësi, por më tha se s’dinte se ç’temë do të më binte. I thashë se zakonisht tema binte për heronjtë pozitivë etj.
Atëherë si dolët në provim?
Kujtoj se kur hyra në provimin e Letërsisë, më filluan tik-taket e para të zemrës për Preçin. Nuk më ra ajo temë në fakt, por vetëm për shkak se ma kishte bërë ai, unë futa shumë fraza të tij. Atë ditë kur mbarova provimin, e takova në rrugë pranë fshatit tim. Më pyeti se si dola dhe i thashë se edhe pse s’më kishte rënë ajo temë, kisha futur shumë fjali të tij, këtu vërejta që iu bë qejfi.
Po më pas si rrodhën ngjarjet?
Atëherë ishte koha kur bënim kërkesat për shkollë të lartë. Unë fitova të drejtën e studimit për Agronomi, ndërsa Preçi që e kishte mesataren 10, edhe pse konkurroi për Dramaturgji, ku doli shkëlqyeshëm, për shkak të biografisë nuk ia dhanë të drejtën. Ka qenë një moment shumë i vështirë, kur e kam takuar rastësisht në rrugë dhe ai më pyeti për shkollën. E mora i thashë, por është një degë koti, Agronomi. Faktikisht këtë degë unë e urreja, kisha shumë dëshirë të shkoja për Gjuhë-Letërsi apo për Juridik. Preçi u gëzua që më doli e drejta e studimit, pavarësisht se edhe atij po ashtu si mua nuk i pëlqente si degë. Por më tha se mund të kishte edhe më keq, duke iu referuar rastit të vet. Unë u ndjeva shumë keq. Preçi ishte shumë i talentuar, që në atë kohë kur ishte 20 vjeç kishte mësuar në mënyrë autodidakte dy gjuhë të huaja frëngjisht dhe italisht. Pas këtij takimi, jemi parë më shpesh në vit të parë të shkollës së lartë. Ishim shokë të mirë dhe të sinqertë. Por ai më dukej pjesë e imja, dhe padrejtësitë që ai përjetonte për shkollën, në një farë mënyre i përjetoja edhe unë. Por pas dy vjetësh vetëm në sajë të spikatjes së tij si talent, i dhanë të drejtën e studimit për Gjuhë-Letërsi me korrespondencë. Ai tre vjet shkollë, i ka bërë për dy, ngaqë ishte i talentuar, ndërkohë e kishin dërguar ushtar. Periudha e shkollimit të Preçit, ka qenë një dramë për shpirtin e Preçit dhe unë e kam ndjerë shumë.
A mund të na tregoni momentin kur bashkëshorti juaj ose ju, shprehët dashurinë?
Ka qenë gusht i vitit ‘80, dhe unë isha në plazhin e Shëngjinit. Ai ishte ushtar dhe kishte ardhur me një shok të vetin. U takuam dhe ai më tha se pas tre vitesh që njiheshim, do të ishte mirë t’i thonim njëri-tjetrit atë që ndjenim në të vërtetë? I thashë se kisha shumë emocione dhe se ndjeja shumë për të, por se kishim një “mur Berlini” në mes. Fakti që ai ishte me biografi të keqe, ishte një pengesë shumë e madhe. Preçi më tha se për gjithçka mund të vendosja unë. Me kaq mbaroi ai takim. Më pas, jemi takuar megjithëse rrallë dhe flisnim në telefon siç ishte atëherë me central, derisa mori vendimin të më vinte në shtëpi. Kjo periudhë ishte plot me debate dhe diskutime. Isha motra e 5 vëllezërve, dhe disa njerëz të familjes ishin anëtarë të partisë. Disa nga vëllezërit ishin kategorikisht kundër, pasi mendonin se do të kishte pasoja për jetën time, dy të vegjlit më përkrahnin. Të gjithë e vlerësonin Preçin si njeri, por më kishin motër të vetme dhe shqetësoheshin për mua. U fejuam, dhe mbaj mend që dita e fejesës, 13 marsi, ka koinçiduar me Konferencën e Rinisë së Rrethit, ku kemi qenë të dy delegatë, dhe gjatë gjithë punimeve na tërhiqnin vëmendjen për zhurmë se ne çuçurisnim pa pushim. Rreth tre vjet më pas, u martuam.
Çfarë mbani mend nga dasma?
Mbaj mend që dasmën e kemi bërë në tetor. Ka qenë tradicionale, por ajo që më ka mbetur në mend është se ka qenë tmerrësisht ftohtë. Gjithsesi ishte ditë e bukur, se pas shumë vuajtjesh kurorëzohej lidhja jonë.
Cili ka qenë momenti më i shënuar në jetën tuaj bashkëshortore?
Natyrisht lindja e fëmijëve. Ishte gëzim i madh, sidomos atëherë po të lindje fëmijën e parë djalë. Edhe i dyti ishte po djalë. Ata ishin fillimi i jetës.
Po ai më të vështiri?
Në gjithë jetën bashkëshortore nuk mund të them se kam kaluar ndonjë moment tipik të vështirë me Preçin. Por momenti më i vështirë që ka kaluar edhe ai me mua dhe që na ka prekur jashtë mase, është vdekja tragjike e tre njerëzve të shtëpisë sime në një hark kohor rreth një viti. Djali i vëllait, 18 vjeç, vëllai 54 vjeç dhe vëllai tjetër 42 vjeç, më kanë shkatërruar shpirtërisht, gjë të cilën e përjetoi jashtë mase edhe Preçi. Pas asaj tragjedie të tmerrshme, siç thotë populli, zoti me njërën dorë të hedh dhe me tjetrën të pret, ne realizuam edhe ëndrrën e kahershme të lindjes së një vajze që quhet Alesia. Për mua ka qenë guxim shumë i madh dhe mund të them vazhdimësia e jetës sime. Nëse dy djemtë ishin fillimi i jetës, Alesia është vazhdimi i saj.
Lindja e fëmijëve sipas jush e zbeh apo e shton dashurinë mes çiftit?
Lindja e fëmijëve e plotëson marrëdhënien në çift dhe e transferon atë në atë që quhet familje. Aq sa shtohet, po aq edhe proporcionalizohet mes anëtarëve të tjerë të familjes.
Kush nga ju të dy e mban llogarinë e shtëpisë?
Llogarinë e shtëpisë e mbaj unë. Preçi është shumë i angazhuar, por është shumë i predispozuar të na pyesë sa lekë kemi, ku jemi, si mund të vazhdojmë. Është shumë afër nesh shpirtërisht, por vetë natyra e punës që ka e mban larg. Është edhe politikan edhe shkrimtar. Ai s’mund të rrijë pa shkruar, është ideali i jetës së tij. Por ai mundohet të krijojë hapësira të lira për t’iu përkushtuar mua dhe fëmijëve.
Sa e pasur është familja juaj?
Familja jonë ka një ekonomi normale. As nuk na mungon as nuk na tepron. Jetojmë mirë.
A i diskuton bashkëshorti juaj problemet e punës në shtëpi dhe sa ju shqetësojnë ato juve?
Nuk para diskutojmë shumë për punë, por edhe unë s’jam e predispozuar ta ngacmoj. Përgjithësisht kur e shikoj në televizor unë i bëj vërejtje ose e lavdëroj për situata të ndryshme që i gjykoj sipas mendimit tim.
Çfarë i keni thënë bashkëshortit për lëvizjet në politikë?
Preçi është angazhuar në politikë që me Lëvizjen e Studentëve, për shkak të së kaluarës së tij. Ai dha shumë kontribut në atë lëvizje dhe në themelimin e partisë, njëkohësisht edhe në themelimin e shtypit të parë opozitar. E kam mbështetur në të gjitha lëvizjet. Ai gjithmonë ka ecur vetë pa përkrahjen e askujt, pavarësisht se ai ka ndihmuar shumë njerëz.
Çfarë mendoni ndërsa e ndiqni në politikë, kur ai akuzon apo e akuzojnë? Si i keni kaluar këto momente?
Të jem e sinqertë, ndërsa në fillim isha e kënaqur që ai merrte pjesë në atë përmbysje të asaj të kaluare të tmerrshme e cila e ka bërë të vuajë, në këtë periudhë nuk do doja të ishte në politikë. Politika e ditës është egërsuar aq keq, saqë edhe ne që s’merremi me polikë stresohemi dhe shqetësohemi. Preçi nuk akuzon njeri, por e akuzojnë dhe ajo që është më e çuditshmja, akuzuesit janë ata të cilët ai i ka ndihmuar më shumë. Kjo gjë më mërzit. Kontributi i Preçit është mjaft i madh në politikë. Ai i përkushtohet shumë asaj, dhe gjithçka e ka bërë falë aftësive të veta dhe jo s’e ka pasur mbështetje nga ndonjë njeri.
A debatoni shpesh dhe a i mbani mëri njëri-tjetrit në raste të
tilla?
Debatojmë shumë rrallë. Tani s’më kujtohet as se përse debatojmë. Preçi është shumë tolerant dhe i shuan debatet edhe në familje. Mirëkuptohemi gjithmonë dhe për mua është bashkëshorti ideal.
A jeni xheloze? Nëse bëhesh, si sillesh?
Për mendimin tim, dashuria e ka dozën e vet të xhelozisë. Preçi është shumë korrekt, por unë edhe unë s’fle në dafina.(qesh)
A ju ka shkruar bashkëshorti poezi, letra dashurie apo kartolina? E vazhdon edhe sot këtë zakon?
Preçi më ka shkruar vazhdimisht poezi. Tani e ka rralluar ca, pasi duke u rritur fëmijët, ai u është përkushtuar edhe atyre, kështu që shkruan edhe për ta. I ruaj poezitë dhe letrat që më ka dërguar Preçi.
A ju bën dhurata? Cila është dhurata që ju ka lënë më shumë përshtypje?
Preçi bën shumë dhurata, është shumë i vëmendshëm ndaj ditëlindjeve dhe festave. Dhurata që më ka mbetur në mendje është një parfum dhe një kostum që më ka sjellë nga udhëtimin e tij të parë pas Lëvizjes Demokratike.
Në fund të intervistës do doja të falënderoja gazetën tuaj dhe t’i uroja suksese.
Poezi e Preçit për Dranden
U deshëm të rinj
U deshëm të rinj, aq të rinj,
sa etërit s’na besuan.
Megjithëse dashuria s’qe një mrekulli,
krejt natyrshëm ne e krijuam.
Nga brigjet e Drinit, të patrembur ikim,
hijet që përgjojnë, rishtas janë kaçube,
ai zëri yt: Kujdes janë lule!
Ulem t’i mbledh e s’mund t’i mbledh,
t’i këpus më është ndaluar,
më është ndalur fjala me mend.
Për herë të parë jam i dashuruar.
U deshëm të rinj – kaltëronin sytë tanë,
jeta pa sekrete shkruhej aty.
Atëherë pse të fshiheshim në hije të saj?
Përse të dashuroheshim pa na ditur njeri?
Tirana-Observer.
Krijoni Kontakt