Nga Redi Shehu

Është interesant fakti se si disa përfaqësues “eminentë”
për ne shqiptarët ku përfshihet këtu edhe Arbër Xhaferi, të
frustruar ndoshta nga realiteti ynë shumë i çuditshëm, pak
kaotik për ta, gjejnë disa përkufizime për bashkëkombasit e
vet që do t’ia kishin zili varrmihësit shekullorë të
shqiptarëve në ve¬çanti dhe çështjes së tyre në
përgjithësi, duke kërkuar disa, gjoja, gjetje në vetëdijën
kombëtare të shqiptarëve.
Artikulli i Arbër Xhaferit në gazetën “Shekulli” dt.
7.3.20006 me titull “Të jesh kontingjent”, jo vetëm që
tregon jostabilitetin e mendimit të tij në lidhje me temën
që trajton, por edhe pozicionin shqetësuas që marrin disa
përfaqësues në dëm të interesave kombëtare.
Të qënurit kontingjent mercenarizmi nuk është as gjetja e
duhur, dhe as termi i pershtatshëm për individin shqiptar,
siç mundohet ta etiketojë ai atë. Nga pohime të tilla mund
të konkludojmë se ky individ shqiptar na rezulton pa kolonë
vertebrale dhe duke i shtuar kësaj meskinitetin material,
jep një kuadër të një shqiptari mercenar i përjetshëm të
interesave antikombëtare.
Nuk besoj se shqiptarët qenë kontingjentë mercenarë në
çlirimin e Kosovës, as kur shqiptarët e luftuan për fitimin
e të drejtave të tyre bazë të jetesës në Maqedoni. Po ashtu
shqiptarët nuk qenë kontingjent mercenarizmi kur
përzgjodhën luftën ndaj okupatorit apo luftën ndaj
komunizmit. Gabojmë nëse i japim një kuptim gjithpërfshirës
mercenarizmit duke e identifikukar me vetëdijen e çdo
shqiptari. Në rast se mercenarizmin e një pjese apo klase
të caktuar e identifikojmë si lajtmotiv të shqiptarit,
atëherë duhet të themi me plot gojë, se në këtë rast po
konsumohet mercenarizëm nga shqipfolës në dëm të interesave
kombëtare.
Përmasa më të mëdha dëmi merr kur për të përmbysur
konceptin universal të fesë, në këtë rast të fesë islame,
përdoret termi kontingjent mercenarizmi i një populli të
caktuar në raport me një popull tjeter brënda të të
njëjtit besim, duke i hapur rrugë kështu procesit të
parcelizimit ose të të ashtuquajturit “gardh” etno-kulturor
brënda besimit, i cili nuk u dashka të lejojë që as nëpër
vrimat e veta më të vogla, të kalojë fryma universale,
vëllazërore e fesë, me preteksitn e ruajtjes nga
ekstremizmat fetarë.
Ekstremizmi mbi të gjitha, është prodhim i padrejtësisë,
dhe padrejtësi të tilla në trajtimin e çështjeve të fesë
duke mercenarizuar figurën e besimtarit apo të prinjësit si
mandator të mercenarizmit, nuk ndihmojnë aspak në
eleminimin e shenjave të ekstremizmit edhe nëse gardhet
janë të fortifikuara.
Të kërkosh sot parcelizim të Islamit në kohën e globalizmit
dhe rënies së kufinjve të çdo lloji, apo etnizmim të fesë
nën emrin e një gjoja “islami shqiptar”, jo vetëm që e
shkëput fenë nga konteksti i saj gjithpërfshirës, por
krijon një precedent sa të paparë aq edhe të rrezikshëm, i
cili shumë kollaj mund të shtrihej edhe në fetë e tjera
monoteiste duke kërkuar diversifikim të shtrirjes së fesë
mbi baza etnike, kulturore apo pozite gjeografike.
Imagjinoni një çikë sa dakort do të ishte Vatikani me një
ide të tillë. Përballë nesh do të shfaqej një hartë e
pafund të krishterësh të parcelizuar në shtete të ndryshme
pa komunikim dhe harmonizim të veprimit.
Parcelizimi i Islamit ne bazë kombesh, etnish apo pozitash
gjeografike, i ngjan asaj bakllave e cila është e ndare ne
kallëpe me njëra tjetrën, paçka se ka ngjyren dhe shijen e
njëjtë. Kjo sepse ashtu ajo gëlltitet më lehtë. Ne nuk duam
të mendojmë që dikush pretendon që e njëjta gjë të ndodhë
me Islamin, pavarësisht se në kundërshtim me ëmbëlsirën, ky
i fundit mund t’i japë një shije të hidhur ndonjërit.
Tentativa per parcelizim të ndarjes së një mesazhi hyjnor
në mesin e aplikuesve të tij, i cili në thelb është zbritur
si një mesazh universal, prodhon të kundërtën e këputjeve
të lidhjeve të të ashtuquajturit ekstremizem fetar, duke
prodhuar ekstremizma me baze lokale të shpërndara ne copëza
si metastaza të cilat përkundrejt zgjidhjes së problemit do
ta komplikonin atë në një përmasë të pariparueshme.
Koncepti universal i besimit islam, koncepti global i tij
si një tërësi e pandarë në mes kombesh e racash, pozitash
gjeografike, është mjeti më i mirë për përhapjen universale
të vlerave njerëzore të atyre vlerave burimore të besimit
të cilat e kane shtyrë dhe e shtyjne shoqërinë njerëzore
drejt arritjeve më të larta.
Është pikërisht ky karakter universal i besimit i cili do
të ishte mjeti me i mirë për shërimin e sëmundjeve të
ndryshme të karakterit shoqëror e fetar që mund të shfaqen,
i cili me anën e stabilizimit të dialogut dhe shkëmbimit të
eksperiences në mes popujve të të njëjtit besim apo edhe
të besimeve të ndryshme do zhdukte çdo shtrembërim të
interpretimit të fesë përfshire këtu edhe ekstremizmin.
Në radhë të parë çdo njeri është kontingjent i vetvehtes,
dhe se shqiptari ka qenë dhe është aq i zgjuar sa të
dallojë prioritetet kombëtare nga interesat vetjake,
mercenarizmin nga kontributi, kontingjencën nga integrimi
dhe bashkëpunimi.
Nuk përbën vlerë që në emër të lirisë së shprehjes të
shkelësh kufirin e dinjitetit njerëzor, as në emër të
lirisë së fjalës të përdhosësh besimin e tjetrit, ngase
sistemet e vlerave qoftë në Lindje apo në Perëndim janë
ndërtuar pikërisht për të ruajtur boshtin e ekzistencës,
njeriun dhe dinjitetin e tij. Prandaj besimtarët muslimanë
dhe as prijësit e tyre nuk synojnë ndonjë unitet kundër
vlerave perëndimore, sepse kjo do furnizonte me lëndë
djegëse teorinë eksplozive Hantingtoniane të përplasjes së
qytetërimeve. Përkundrazi mospajtimi me degradimin e
sistemit të vlerave, është ilaçi më i mirë për ruatjen e
këtij boshti.
Prandaj për rrjedhojë edhe nëse shqiptarët kanë përzgjedhur
gjatë rrjedhës së historisë, besimin islam si katalizator i
vlerave dhe identitetit kombëtar, këtë e kanë bërë duke
qënë plotësisht të vetëdijshëm që ky besim është një urë e
pashmangshme komunikimi, bashkëpunimi, integrimi dhe
harmonizimi si në mes popujve të tjerë muslimanë, por edhe
ndaj tyre jo të tillë, duke vënë në jetë kështu parimin
themelor që ka feja në përgjithësi, universalizimin e
mesazhit dhe harmonizimin e veprimit.