KRYESIA E BASHKËSISË ISLAME TË KOSOVËS
FAKULTETI I STUDIMEVE ISLAME
Prishtinë, mars 2006
Organizojnë
Simpoziumi ndërkombëtar me temën
“GJASHTË SHEKUJ TË ISLAMIT NDËR SHQIPTARË”
Gjashtë shekujt e kaluar janë përshkuar nga zhvillime dramatike në fatet e popullit shqiptar, duke farkuar një identitet të veçantë të tij, me Islamin si njërën nga shtresat dominuese dhe dinamike. Kjo përvojë e gjatë e Islamit ndër shqiptarë, e shtrirë në së paku gjashtë shekuj, është e nevojshme të trajtohet në mënyrë të gjithanshme e korrekte shkencore, për të nxjerrë vlerësimet e duhura për të kaluarën dhe udhëzime të dobishme për të ardhmen.
Vështruar nga pikëpamja e zhvillimeve historike në trojet shqiptare dhe në hapësirat e Evropës Juglindore, Islami ndër shqiptarë erdhi si rezultat i zgjerimit të rrufeshëm të Perandorisë Osmane dhe të ofertës që solli ajo për shqiptarët, në raport me fqinjët ballkanikë, veçmas me serbët dhe grekët, të cilët e kishin thelluar procesin e asimilimit të shqiptarëve në shekujt XII-XIV.
Debatet në këtë temë pothuajse asnjëherë deri sot nuk janë orientuar në trajtimin objektiv e të paanshëm, po kanë ndjekur rrugën e ideologjizimeve dhe të propagandës negative ndaj rolit që ka pasur Islami ndër shqiptarë, që nga fillimi e deri në ditët tona. Shpeshherë ka ndodhur edhe të fshiheshin qëllimisht kontribute të lëvizjeve e personaliteteve të mëdha kombëtare, vetëm e vetëm për shkak të parashenjës islame të tyre.
Prandaj, një trajtim ndërdisiplinar dhe korrekt, që synojmë të arrihet në këtë simpozium, shpresojmë të iniciojë korrigjimin e pamjes së deformuar, që është sajuar për Islamin dhe rolin e tij në fatet e shqiptarëve, duke ravijëzuar edhe perspektivat në botën e sotme, që po shkon drejt integrimit dhe globalizimit.
Ky simpozium është një debat në të cilin ftohen të marrin pjesë të gjithë ata që janë kompetentë për të diskutuar me argumente, me vullnet të mirë e pa paragjykime.
Këtu më poshtë jepen tezat themelore:
1. Kontaktet paraosmane të shqiptarëve me Islamin;
2. Zgjerimi i Perandorisë Osmane në Ballkan dhe ndikimi që pati në fatet e shqiptarëve;
3. Përleshjet e para në fushëbeteja në mes shqiptarëve dhe turqve;
4. Ndryshimet e mëdha gjeopolitike, kulturore e fetare që ndodhën në viset shqiptare dhe në Evropën Juglindore, pas betejës së Kosovës të vitit 1389;
5. E vërteta për betejën e Kosovës në dokumente osmane dhe evropiane;
6. Shkaqet sociale, ekonomike dhe fetare që nxitën përqafimin e Islamit nga shqiptarët;
7. Skënderbeu në dokumentet osmane;
8. Roli i dijetarëve shqiptarë dhe të huaj në përhapjen e fesë dhe të qytetërimit islam ndër shqiptarët;
9. Roli dhe kontributi i mejtepeve dhe medreseve në ruajtjen e vlerave fetare e kombëtare;
10. Ndikimi i konflikteve shqiptaro-osmane, pas reformave të Tanzimatit, në lindjen e Lëvizjes nacionale shqiptare dhe specifikat islame të kësaj lëvizjeje;
11. Kontributi i ulemasë shqiptare për shkollën, për gjuhën dhe për shkrimin shqip;
12. Dalja e shqiptarëve në skenën e historisë evropiane në fillim të shekullit XX si shtet dhe komb më vete, me identitet kompleks fetar e kombëtar;
13. Ndikimi i armiqësive shqiptaro-xhonturke në dobësimin e Islamit ndër shqiptarë;
14. Ndikimi i Islamit në transformimin social, kulturor dhe politik të shqiptarëve nga mesjeta e deri në ditët tona;
15. Trashëgimia shpirtërore dhe materiale islame - dëshmi e qytetërimit islam;
16. Toleranca fetare ndër shqiptarët;
17. Elementet islame në formësimin moral të individit, të familjes dhe të popullit shqiptar;
18. Qëndrimi osman ndaj të drejtave dhe lirive të komuniteteve të tjera fetare ndër shqiptarët;
19. Letërsia alamiado dhe ndikimi i saj në letërsinë e Rilindjes Kombëtare;
20. Roli i dijetarëve shqiptarë në kulturën dhe qytetërimin islamë të Perandorisë Osmane dhe në Botën Islame;
21. Figurat përfaqësuese të kulturës dhe qytetërimit islam ndër shqiptarët;
22. Ndikimi i Sheriatit në Kanunin e Lekë Dukagjinit;
23. Roli i fesë islame në ruajtjen e identitetit kombëtar në periudhën e pushtimit serb prej vitit 1912 e këndej;
24. Elemente islame në artin dhe kulturën popullore shqiptare;
25. Bashkëjetesa paqësore e feve ndër shqiptarët sot;
26. Mbrojtja e trashëgimisë kulturore islame në kohën e sotme;
27. Perspektiva e zhvillimit të ardhshëm të shqiptarëve në integrimet euro-atlantike dhe identiteti islam;
28. Islami ndër shqiptarët dhe demokracia;
29. Islami ndër shqiptarë dhe integrimet euro-atlantike;
30. Perceptimi i Perëndimit ndaj Islamit ndër shqiptarët;
31. Roli i xhamive dhe institucioneve fetare islame në kohën tonë;
32. Harmonia fetare ndër shqiptarët - model i një koekzistence paqësore ndërmjet feve e qytetërimeve në përmasa më të gjera.
* * *
Ky Simpozium është paraparë të mbahet më 12 – 14. 09. 2006.
Paraqitja për pjesëmarrje duhet të bëhet brenda datës 15. 06. 2006, me rezymenë e kumtesës jo më shumë se një faqe dhe biografinë (CV) e autorit.
Autorët, kumtesat e të cilëve pranohen për simpozium, kumtesat, të plota, të redaktuara dhe të korrigjuara, duhet t’ia dërgojnë organizatorit deri më 31. 07. 2006, së bashku me një rezyme (në gjysmë faqe) në gjuhën angleze.
Organizatori heq shpenzimet e qëndrimit dhe të udhëtimit.
Adresa për paraqitje:
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës
Rr. “Bajram Kelmendi”, 84
10 000 PRISHTINË
Tel. ++381 38 224 024
Tel & fax. ++ 381 38 245 700
E-mail: kryesia_bik@hotmail.com
kryesia_bik@yahoo.com
Krijoni Kontakt