Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Viktor Gjika , Kinematografia i jep lamtumirën "babait të filmit"

    Agjensia e Lajmeve "SOT"

    Viktor Gjika , Kinematografia i jep lamtumirën "babait të filmit"

    Homazhe në nder të regjisorit dhe “Artistit të Popullit”
    Personalitete të shquara të artit dhe kulturës, kolegët, miqtë dhe familjarët i dhanë dje lamtumirën e fundit regjisorit të shquar Viktor Gjika. Ai u nda nga jeta në moshën 71 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Ai është regjisor i shumë filmave të njohur shqiptarë, mes të cilëve përmenden "Horizonte të hapura", "I teti në bronz", "Yjet e netëve të gjata", "Rrugë të bardha", "Rezistencë", "Gjeneral gramafoni" "Nëntori i dytë", "Njeriu me top" etj. Për kontributin tij në kinematografinë shqiptare ai është vlerësuar me titullin “Artist i Popullit”. Regjisori Gjika është cilësuar si njeri me kontribut të çmuar në kinemanë shqiptare, i cili do të kujtohet përherë nëpërmjet filmave dhe dokumentarëve të tij. Mes miqsh dhe bashkëpunëtorësh Viktor Gjika kujtohet si një njeri dinamik dhe tepër aktiv.

    Natasha Lako, një prej njerëzve e cila i ka qëndruar pranë në ditët e fundit të jetës së tij tregon se ai e dinte që ishte i sëmurë, por megjithatë ai e kaloi menjë forcë njerëzore. “ Ishte një sëmundje e rëndë, për të cilën ai ishte koshient, por ai ishte një burra stoik dhe nuk e dha veten. Ai jetoi deri në momentin e fundit pa e dhënë veten, duke e ditur se ai do të vdiste. Kishte 3 vjet që vuante nga kjo sëmundje. Nuk ka qenë thjeshte vuajtje, por kanë qenë 3 vjet qëndresë në personalitetin e tij, sepse nuk ka njeri të mos ligështohet në momente të tilla. Ai e kaloi me një forcë karakteri, me një forcë njerëzore. Nuk e dha veten asnjëherë para miqve dhe familjes. U përpoq të bënte një jetë normale me përjashtim të këtyre 3 muajve të fundit. Ai gjatë kësaj kohe shkroi dhe kujtimet e veta. Besoj se së shpejti do të dali dhe një libër për jetën e tij. Ai ishte një regjisor, i cili duke ditur fundin e jetës, mendoi gjithçka me qetësi të madhe. Vetëm para dy javësh, kur ishte me kriza vendosi që t’ia dorëzonte shokut dhe mikut të tij kujtimet e tij, sepse ai nuk kishte më fuqi. Janë kujtime interesante, sepse kur njeriu shkruan në një moment të tillë, ndryshon shumë kur shkruan në një moment të thjeshtë. Këto janë kujtime, të cilat ballafaqojnë atë me fundin e tij, gjë që ai e prit me shumë dinjitet, me shumë krenari, sepse ai ishte koshiqet për atë që e priste”, tregon Lako. Më tej ajo shton se: “Ai kishte mbaruar një dokumentar tjetër dhe kishte të tjera projekte në dorë. Ai kishte shumë dëshirë për të vazhduar përpara, por ishin vite shumë të rënda për atë sidomos kimioterapia, por ai e përballonte. Viktori ka një vajzë në Romë, ai ka dhe bashkëshorten Florën të cilën e ka njohur kur ka qenë 23 vjeç, pas kthimit nga studimet nga Moska, e ka njohur në Korçë. Miqtë e tij po më tregonin se kur kishin shkuar në Institutin e Filmit në Moskë, ata e kishin çuar dhe një almanak që AQSHF kishte bërë për të. Ata e kishin çuar atje dhe ata ishin krenar që një regjisor që kishte studiuar atje, ishte një regjisor i shkëlqyer. Kur i vunë emrin e Dhimitër Orgockës një shtëpie kulture në Maliq megjithëse ishte i sëmurë, ai vajti në mes të vapës dhe me aq dashuri u ngjit në skenë për të thënë fjalët më të bukura dhe nuk e merrje vesh se sa i sëmurë ishte. Arti humbi një njeri, i cili ishte mjeshtër i madh i filmit shqiptar. Do të vijë dita që brezat do ta kujtojnë që ashtu siç kanë baballarët e tyre biologjikë,kanë dhe atë artistik. Do të mbete një baba i kinematografisë shqiptare”. Edhe figurat kryesore të politikës në vend ishin pjesë e homazheve për regjisorin Gjika. Presidenti i Republikës Bamir Topi e cilësoi ndarjen e tij nga jeta si një humbje për kinematografinë, për të theksuar gjithashtu edhe gjendjen aktuale të filmit shqiptar sot. Një kineast i jashtëzakonshëm, intelektual i shquar, prindi i pashembullt, i cili ia përkushtoi jetën me devotshmëri e profesionalizëm familjes, artit dhe vlerave përparimtare qytetare, cilësoi Presidenti Bamir Topi për regjisorin e njohur të kinematografisë shqiptare. “Me hidhërim të madh mësova për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm! Në këto çaste fatkeqësie dhe dhimbjeje të thellë për humbjen e të dashurit, dëshiroj t’ju gjendem shpirtërisht pranë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta!”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit që Presidenti Topi u ka dërguar familjarëve të regjisorit dhe Artistit të Popullit, Viktor Gjika. “I bindur se i ndjeri Viktor Gjika dhe veprat e tij do të mbeten përgjithmonë të pashlyera në panteonin e kinematografisë shqiptare dhe kujtesën e artdashësve anembanë, më lejoni edhe një herë të ndaj me ju dhimbjen e rëndë njerëzore!” përfundon mesazhi i Kreut të Shtetit. Po dje dhe kryeministri Berisha, në një mesazh ngushëllimi dërguar familjes së kineastit të njohur, Viktor Gjika, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, thekson se "Viktor Gjika, me gjeninë e tij krijuese, dha një kontribut tejet të çmuar për zhvillimin e kinematografisë shqiptare". Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, në këtë mesazh Kryeministri Berisha shprehet se "ndarja nga jeta e njeriut tuaj më të dashur, Viktor Gjikës, personalitetit më të madh të kinematografisë shqiptare, është një humbje e rëndë, jo vetëm për ju dhe miqtë e Viktorit, por për mbarë botën kulturore të vendit". Për kontributin e tij në kinematografinë shqiptare, emri i tij do të përkujtohet jo vetëm nga artistët e kineastë, por edhe nga të gjithë ata dashamirës të cilët jetuan me filmat e Viktor Gjikës.

    **************************************************
    Teodor Laço: Më la amanet kujtimet e tij

    Për mikun e tij, Teodor Laço, regjisori Viktor Gjika e ka kryer misionin e tij ndaj artit shqiptar dhe për atë është humbja e një modeli të mirë të shoqërisë sonë. Sipas Laços, Viktor Gjika kishte ndër duar shkrimin e një autobiografie të tij, e cila do të redaktohet dhe do të sillet së shpejti për lexuesin. “Ishte data 7 shkurt dhe më tha kam një amanet për ty, por me një gjysmë zëri siç e kishte ai në çastet e fundit. Erdha menjëherë dhe më tha se kam shkruar një libër mbi jetën time, por nuk kam arritur ta mbaroj. Të lutem të ma shohësh. E mora nga kompjuteri dhe e pashë që kishte shkruar që në vitin 1991. I thashë që janë dhe 17 vite të tjera që i duhet për të plotësuar dhe do të mundohem që ti plotësojmë bashkë, sepse mbetet një boshllëk i madh, pavarësisht se nuk ke bërë film artistik pas vitit ’91 t’i ke bërë disa dokumentarë të rëndësishëm. I bëra një pyetësor dhe me ndihmën e vëllait Thanasit mora përgjigjet e pyetësorit dhe jam duke e plotësuar librin nga boshllëqet që ka. Kam keqardhjen e madhe, që nuk arritëm që t’ia jepnim në dorë dhe ndoshta për 10 ditë libri do të jetë në duart e lexuesve”, tregon ai. Më tej duke folur mbi veprën e regjisorit Laço ai shton se: “Besoj se Viktor Gjika e ka kryer misionin e tij ndaj artit shqiptar. Në të gjitha bisedat që ne bënim ai më thoshe: Unë e mbarova misionin tim dhe jam i kënaqur”. Besoj se të gjithë artdashësit shqiptarë do ta mbajnë mend si një njeri i jashtëzakonshëm, i cili është një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare. Sa herë do të flitet për kinemanë shqiptare do të përmendet emri i tij. Viktor Gjika do të jetë si një nga gurët e këtij themeli. Sa herë të flitet për kulturën shqiptare do të përmendet Viktori, si një nga personalitet e kësaj kulture. Natyrisht që kujtimi i tij do të jetë i paharruar”, tregon miku i tij Laço.

    ************************************************** *************
    Dritëro Agolli: Brenga e tij, një dokumentar për Sandër Prosin

    Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, i cili ka bashkëpunuar me regjisorin Viktor Gjika për shumë skenare tregon disa nga brengat e tij, duke vlerësuar dhe kontributin e tij në kinemanë shqiptare. “Mua më ka ardhur shumë keq për vdekjen Viktorit dhe më duket sikur kam humbur një pjesë të jetës sime, sepse unë kam qenë bashkëpunëtor me atë dhe kam bërë disa skenare. Pastaj dhe disa nga veprat e mia romane, ai i ka ekranizuar. Kjo është ana intime e njeriut, por dua të them për anën tjetër të rolit të madh që ka luajtur në kinematografinë tonë. Ai ka qenë një nga pionierët e parë të kinematografisë sonë moderne, që ka krijuar filmin e vërtetë artistik. Ai e ka kthyer nga ana diletante amatore në profesioniste mjeshtërinë e tij. Me filmat e tij ai ka edukuar një brez të tërë dhe mund të themi dy apo tre breza, sepse këto filma kanë luajtur një rol të madh dhe në njohjen e historisë sonë të përpjekjeve të popullit shqiptar për të arrirë një jetë më të mirë dhe më të lumtur. Disa nga këto filma janë dhe dokumente artistike të historisë sonë, si filmi “Nëntori i Dytë”, që i kushtohet pavarësisë, edhe duket sikur është xhiruar në atë kohë”, tregon Agolli. Më tej ai shton se: “Ai kishte disa projekte për disa artistë, që ai çmonte shumë sipër Sandër Prosin dhe më ka thënë dhe mua që do të bënte një film dokumentar për atë, por kishte edhe të tjera siç kishte për Fan Nolin që ai realizoi, kishte dhe për Mihal Cikon etj. Ndërkohë që ai kishte dhe një ide që të bënte një film artistik për jetën e sotme, por veçanërisht për përpjekjet e njerëzve tanë për të ndërtuar një jetë më të re më të mirë. Bisedonim me të, por ai nuk arriti dot dhe nuk e prisja që ai të vdiste kaq shpejt”.



    ************************************************** ****
    Artistët: Viktor Gjika, një personalitet i kinemasë shqiptare

    Pirro Milkani:
    Ai i përket gjeneratës që vuri themelet e një ndërmarrje të madhe kombëtare siç ishte Kinostudio. Me eksperiencën e tij, ai jo vetëm realizoi filma, por dhe kontribuoi në shtimin e kuadrove të ardhshme, të cilat xhiruan filma të tjerë deri sa ne arritëm të bëjmë 14 filma në vit dhe kontributi i tij është i paçmuar. Ai mbetet një nga figurat më të shquara të kinemasë shqiptare. Nëse deri dje ai ishte një legjendë e gjallë e filmit shqiptar, që sot tutje do të jetë një legjendë e filmit.

    Rikard Ljarja:

    Për mua personalisht është një ditë shumë e vështirë sepse më ka vdekur një koleg, një mësues, një udhëheqës shpirtëror dhe e kam jashtëzakonisht të vështirë të them edhe këto dy llafe. Ai vërtet ishte miku im, por ishte edhe miku i gjithë Kinostudios, edhe pak më tepër ndoshta.

    Xhevdet Feri:

    Arti dhe kinematografia shqiptare nga Viktor Gjika vetëm ka fituar. Të afrimit, shokët dhe miqtë e tij kanë humbur mikun dhe kolegun. Viktori sëbashku me disa nga kolegët e tij tashmë e kanë zënë vendin në panteonin e kinematografisë shqiptare. Ne kemi humbur një mik.

    Agim Doçi:
    Është bërë traditë që personalitet të artit dhe kulturës të quhen ikona. Unë mendoj që Viktor Gjika është më i madhe se sa ikona. Ai ka qenë simboli punës cilësore dhe ndër regjisorët e paktë që ka krijuar stafin e imazhit nëpërmjet pelikulës filmike. Humbja e tij është një humbje e madhe, por jeton vepra.

    Mevlan Shanaj:
    Është një humbje e natyrshme për një mik të veçantë, për një artist të madh, por mbi të gjitha unë them se është një humbje kombëtare. Njerëz të tillë vijnë radhë në shoqërinë tonë. Uroj që shoqërisë shqiptare ndonjë ditë t’i vijë një Viktor Gjika, por jam i bindur së me këtë madhështi të tij, pak vështirë do të jetë.

    Alfred Trebicka:

    Humbja është madhe, por në rastin konkret kinemaja shqiptare humbi një nga njerëzit më të mëdhenj të saj. Pa dashur të anashkaloj të tjetrët Viktor Gjika ishte një simboli i kineastit dhe i kinemasë. Vërtetë kinemaja shqiptare humbi një nga simbolet e veta. E humbi fizikisht, sepse ai është me ne dhe me veprën e tij.


    Ila Terpini:

    Është një fatkeqësi jo vetëm për familjen, por dhe për kombin tonë. Ai ishte një nga artistë më të mirë dhe unë kam pasur fatin që filmin e parë që kam xhiruar “ I teti në bronx” me Viktor Gjikën ku unë isha operator, dhe jam bërë operator nga Viktor Gjika. Ai i la kombit filma të pavdekshëm si “Nëntori i Dytë, etj, të cilët mbeten. Ai ka vënë një gur në kinematografinë shqiptare. Ai ishte një njeri energjik,dhe i shkathët, i dashur. Nuk mund të gjendet një njeri i dytë.

    Mirush Kabashi:
    Një emër i jashtëzakonshëm, që ka hedhur themelet e kinematografisë. Ai së bashku me Anagnostin mund të konsiderohen si baballarët e kinematografisë shqiptare. Ishte një njeri i filmit, me vlera ,i talentuar që ka lënë tashmë bagazh të paçmuar në fondin e artë të kinematografisë shqiptare, por edhe një njeri i shkëlqyer. Jo vetëm arti dhe kultura, por dhe shoqëria shqiptare ka humbur një emër të madh.

    *******************************************

    Si e njohëm regjisorin Viktor Gjika

    Lindi më 1937 në Korçë. Studioi dhe u diplomua së bashku me Dhimitër Anagnostin (me filmin “Njeriu kurrë nuk vdes” 1961) në Moskë. Pas një periudhe të shkurtër pune si operator, iu përkushtua tërësisht regjisë, duke filluar me filmin “Komisari i Dritës”, bashkëregjisor, bashkëskenarist dhe bashkëoperator me Anagnostin. Më pas vijon një karrierë të suksesshme, në sajë të së cilës u zgjodh për të drejtuar Kinostudion “Shqipëria e Re” më 1982, post që e mbajti deri më 1989. Fatkeqësisht, angazhimi në funksione administrative e mbajti larg krijimtarisë. Filmi i tij artistik i fundit ka mbetur “Nëntori i dytë” (1982). Përveç shumë dokumentarëve, filmografia e tij përfshin edhe “Në çdo stinë” (1980/edhe skenarist), “Gjeneral gramafoni” (1978/edhe skenarist), “Njeriu me top” (1977/edhe skenarist), “Përballimi” (1976), “Rrugë të bardha” (1974), “Yjet e netëve të gjata” (1972/edhe skenarist), “I teti ne bronz” (1970/edhe skenarist) dhe “Horizonte të hapura” (1968/edhe skenarist). Është për t’u theksuar fakti se Gjika është ndoshta i vetmi regjisor shqiptar që nuk ka dështuar në asnjë film. Pas vitit ’90 ka xhiruar vetëm filma dokumentarë: “Kur ikin korbat” (2000), “Unë jam Ismail Qemali” (1997) dhe “Antoni Athanas” (1995), në të cilët është edhe skenarist dhe operator. Karriera e tij ka njohur vlerësime të shumta, me tituj e çmime, ndër të cilët më i rëndësishmi është Kupa e Festivalit për “Gjeneral Gramafoni”.

    +++++++++++++++++++++++++++++++
    Në fillim ishte ëndrra...
    Ëndrra zgjoi ëndjen,
    Ëndja-rini,pasion i zjarrtë
    Pushtoi ekranin e kinemasë!
    Eh! Kinema e shtrenjta, kinema...
    Plot të vërteta, plot vegime
    Kinema e dashur, jeta ime!
    V.Gjika

    ++++++++++++++++++++++++++++++++

  2. #2
    BeRaCi_Me_GjYsEm_PaPuCe Maska e ^_BIM_BUM_BAM_^
    Anëtarësuar
    24-04-2007
    Vendndodhja
    Auckland, New Zealand
    Postime
    1,560
    I Madh Ka Qen Dhe I Madh Do Mbetet
    Ajde ketu moj....mua nuk me iken dhia ne maje te malit...do me ikesh ti ne buze te trotuarit

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e kryenece
    Anëtarësuar
    17-01-2005
    Postime
    167
    Vertete nje nder emrat e medhenj te Kinematografise!

  4. #4
    Buena Suerte Maska e MI CORAZON
    Anëtarësuar
    21-07-2002
    Postime
    7,485
    Viktor Gjika: Pengu i regjisorit të ndjerë, film për Sandër Prosin

    E quajtën "poet i ekranit", sepse ai nuk ishte vetëm ish-student i Institutit Kinematografik "VGIK" në Moskë, ku u diplomua për operator filmi, por ai ishte një nga emrat më të mëdhenj që shkroi me shkronja të arta historinë e filmave shqiptarë: si regjisor, si shkrimtar, si skenarist, si kameraman, si producent. Është Viktor Gjika, i ndarë nga jeta afro tre vjet më parë, që e dinte edhe origjinën e brumit të tij artistik, që buronte atje nga pullazet e mbushura me dëborë, në Korçën plot histori, kulturë e tradita, ku nëna i sugjeronte të lexonte libra kryevepra botërore. I hodhi të gjitha kujtimet e tij në një libër, që mjerisht nuk pati kohë ta shihte e ta shijonte të botuar, por ndoshta edhe kjo ka të mirën e vet, sepse miqtë, të afërmit, kolegët, dinë ku ta gjejnë sa herë t'i marrë malli për të.
    Kështu shprehet, duke perifrazuar vargjet e Dritëro Agollit, shkrimtari dhe politikani i njohur Teodor Laço, mik i fëmijërisë së artistit të madh: "Kur të jeni mërzitur kërkojeni dhe ai do të zbresë, do të ulet pranë jush", për të ndarë jetën sa të shkurtër, po aq edhe të gjatë, për sa i përket dinamikës me të cilën jetoi deri në fund. Nuk u bë rastësisht artist, pavarësisht medaljes së artë me të cilën mbaroi shkollën e mesme, çka i jepte prioritet për të mbushur formularët, në të cilët mund të zgjidhte degën e tij të preferuar, por u mbështet në jetë edhe nga i ati, Gjon Nika, një ish-i mërguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga nëna besimtare që nuk e shkëputi kurrë nga vetja besimin, edhe pas ndalimit të tij në mënyrë të dhunshme në vitin 1967.
    Petrit Ruka, autor i filmit-dokumentar mbi jetën e artistit, teksa xhiron në Korçën e mbushur plot me kujtime për të, shprehet: "Këtë radhë po sheh një dokumentar që nuk e kanë xhiruar sytë e tu të ëmbël, sheh këtë radhë ca planë të çuditshëm flu, që bredhin kuturu, ca planë të shfokusuar që nuk filmohen dot qartë, sepse nuk ka asnjë diafragmë dhe shpejtësi që t'i rrokë …. S'e kishim menduar kurrë që do të mblidhnim kaq shpejt jetën tënde të madhe dhe në një tavolinë montazhi do të mund të çmalleshim me ty. Me cilin skenar dhe me cilën regji mund ta mbledhim jetën tënde, që të rrjedhë e gjitha në një ekran kinemaje ku çarçafi i madh ngjethet që ka humbur një nga regjisorët më të mëdhenj të Shqipërisë…"
    Sot, kinemaja shqiptare spikat me protagonistët e pazëvendësueshëm e për gjithë jetën në qendër të opinionit publik, për shkak të formës që u dha Viktor Gjika në personazhet e tyre, midis të cilëve spikasin: Sandër Prosi, (Nëntori i dytë) 1982; Tinka Kurti, (Yjet e netëve të gjata, 1972); Rikard Ljarja (Komisari i dritës, 1966); (Rrugë të bardha, 1974); Roza Anagnosti, (Komisari i dritës, 1966); Mevlan Shanaj, (I teti në bronz, 1970); Timo Flloko (Njeriu me top, 1977); Bujar Lako, (Përballimi, 1976, Gjeneral gramafoni); Dhimitër Orgocka (Horizonte të hapura, 1978); Llazi Sërbo (Yjet e netëve të gjata, 1973), etj. Ai diti ta zgjedhë kohën, me dramat dhe kulmet e historisë, në kushtet e vështira të diktatit e censurës. Siç është shprehur Todi Bozo, një prej ish-drejtuesve të ish-Kinostudios, "ai bën pjesë me dinjitet në atë grup artistësh që ia dolën të sjellin romanticitetin e atdhetarizmit, heroizmin e luftërave të popullit dhe të vërteta të tjera, jo rrallë, të hidhura të jetës së tij". Sipas miqve, ai kishte tre vjet i sëmurë dhe e kaloi me forcë karakteri dhe me forcë njerëzore. Nuk e dha veten asnjëherë para miqve e të afërmve. Gjatë kësaj kohe e shkroi edhe librin që nuk mundi ta mbaronte dot deri në fund, por që miqtë më të ngushtë e çuan deri në fund amanetin e tij për ta çuar këtë autobiografi në duart e lexuesve. Gjika është cilësuar si njeri i rrallë, i cili do të kujtohet jo vetëm nëpërmjet pasurisë së jashtëzakonshme që i la kinematografisë shqiptare, por edhe nëpërmjet kujtimeve të punës e të jetës që dëshironte t'i ndante me të gjithë.
    "Kam lindur në Korçë më 23 qershor të vitit 1937 dhe më ka pritur në duar plaka Dhorevicë që shërbente si mami në mëhallën tonë. Nëna më ka thënë se kam lindur me këmishë, e cila ishte aq e bardhë, sa kur më nxorën mua, të gjithëve iu duka si ezmer, ndonëse isha më biondi i gjithë fëmijëve". Kështu i nisi kujtimet e tij në libër Viktor Gjika, edhe pse tashmë pas kaq shumë vitesh punë, e pat kuptuar se nuk ishte vetëm fati ai që e kishte udhëhequr gjithnjë drejt sukseseve, por puna, përkushtimi dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore që krijoi me kolegët e bashkëpunëtorët gjatë gjithë viteve. Ai nuk ishte vetëm për vete një hap para, por sipas asaj që regjisori Piro Milkani shkruan në kujtimet e tij, ishte një shembull i mirë dhe shpresë për të gjithë ata që duan të ndjekin ëndrrat e tyre. "Viktor Gjika ishte shumë trim. Ai ishte takuar me vdekjen dhe e dinte se ajo do të vinte. Vetëm ne, miqtë e tij, e kishim të vështirë ta pranonim atë",- shprehet Teodor Laço. Ndaj edhe e përcollën me duartrokitje, edhe pse nuk po ngjitej në skenë, as po merrte ndonjë trofe. Nuk ishte dorëzim. Ai iku, sepse ia kishte marrë të gjitha kësaj jete. Kur mbushi 70 vjeç, ndonëse e dinte se nuk i kishte mbetur shumë, do të rrëfehej në një intervistë: "Ka jetë më të bukur se ajo që kam bërë unë? E ndjej veten të përkëdhelur. Mora dhe arsimimin dhe ushtrova profesionin që dëshiroja. Nga ana tjetër familja: Gruaja ime ishte një nga më të bukurat në Tiranë në vitet '60, por mbi të gjitha shumë e mirë. Kjo mirësi reflektohej në punën time. Profesioni ynë është i vështirë për gratë, sepse jemi vazhdimisht larg, në Shkodër, Korçë, Sarandë… I jam mirënjohës që kuptoi profesionin tim dhe pasionin që kisha për të. Këtë ia injektoi dhe vajzës dhe të dyja mundoheshin të më ndihmonin me të gjitha mënyrat".
    Iku me pengjet e minutave të filmave që ia prenë në dhomat e montazhit, në filma si "Gjeneral Gramafoni", "Nëntori i dytë", "Yjet e netëve të gjata" etj. Iku edhe me pengun që nuk realizoi dot një film për Sandër Prosin, aktorin e tij të preferuar, sepse qe i madh, por vdiq para kohe, ndaj edhe u harrua më shpejt. Për këtë e meritonte Prosi një film të mirë. Por pengjet e Viktor Gjikës ishin shumë pak, në krahasim me kontributin që dha ai në historinë e kinemasë shqiptare.

    Kozeta Kurti
    Where does a thought go when it's forgotten?

  5. #5
    Buena Suerte Maska e MI CORAZON
    Anëtarësuar
    21-07-2002
    Postime
    7,485

    Për: Viktor Gjika , Kinematografia i jep lamtumirën "babait të filmit"

    Interviste me te bijen e Viktor Gjikes, Ester Gjika.



    Thjeshte dhe bukur!
    Ndryshuar për herë të fundit nga MI CORAZON : 04-04-2013 më 20:28

Tema të Ngjashme

  1. Video GOAL - (Fantasy Football Today)
    Nga Davius në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 77
    Postimi i Fundit: 30-07-2009, 09:11
  2. Lamtumirë mos thuaj!
    Nga Loti i shpirtit në forumin Letërsia shqiptare
    Përgjigje: 43
    Postimi i Fundit: 15-05-2008, 18:23
  3. Tragjedi tjetër në det, 21 të mbytur e 7 të humbur
    Nga ALBA në forumin Portali i forumit
    Përgjigje: 162
    Postimi i Fundit: 24-05-2004, 15:03

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •