Gazmend Janku
g.janku@gazetashqiptare.com
TIRANE
Vjedhje me anë të mashtrimit nëpërmjet internetit. Kjo është akuza për të cilën u arrestua Lindita Halilaj, 42 vjeçe me banim në Shkodër. Ajo akuzohet se i ka vjedhur 50 mijë dollarë Neritan Hykës, emigrant shqiptar në Kanada. Vjedhja e pazakontë ka ndodhur edhe pse dy protagonistët nuk ishin takuar asnjëherë me njëri-tjetrin. Interneti ka qenë lidhja e tyre e vetme. Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës, ka rezultuar se 42-vjeçarja Halilaj, kishte krijuar një lidhje virtuale nëpërmjet internetit me Neritan Hykën, në Kanada. Komunikimet e shpeshta, bënë që Neritani të binte në dashuri me Linditën, e cila pasi e kuptoi këtë fakt, filloi të zbatonte edhe planin e mashtrimit. Duke i premtuar martesën, 42-vjeçarja nuk ka nguruar t’i kërkojë të dashurit të saj virtual, lekët për blerjen e banesës dhe orendive të tjera shtëpiake. Neritani i dehur nga dashuria, i ka dërguar disa herë para, të cilat në total kapnin shifrën e 50 mijë dollarëve. Pas marrjes së sasisë së valutës, Lindita ka ndërprerë komunikimet me Neritanin, i cili vetëm në këtë moment e kuptoi mashtrimin. Pasi kishte humbur 50 mijë dollarë, Neritani lajmëron të afërmit e tij, të cilën bënë edhe kallëzimin penal në Prokurorinë e Tiranës. Duke qenë se të dhënat në faqen e internetit përputheshin me gjenealitetet dhe të dhënat fizike të Linditës, ndaj kësaj të fundit, prokuroria firmosi urdhër-arrestin më 26 dhjetor të vitit të kaluar. Nuk ka vonuar, dhe policia dje ka bërë të mundur arrestimin e 42-vjeçares, ndaj së cilës rëndon akuza e vjedhjes me anë të mashtrimit.
Lidhja
Hetuesit kryeqytetas kanë dalë në përfundimin se lidhja midis emigrantit Hyka me mashtruesen Halilaj ishte krijuar nëpërmjet internetit ku të dy kalonin orët në chat.
Gazeta Shqiptare
Krijoni Kontakt