Në vend të nxitjes ranë mjegullat e harresës.


Në Janar të vitit të kaluar (2005), në qendër të Athinës, në rrugën “3 Septemvriu”, u hap një shkollë shqipe (kurse për mësimin e gjuhës Shqipe, kurse për mësimin e kompjuterit, të gjuhës Angleze, Greke etj..). Këtë nismë e mori një djalë nga Fieri, Lorenc Koka, pasionant në profesionin e tij. Bukuri, mund të thotë dikush. Por a duhet parë kaq thjeshtë ? Lorencin, për të ndërmarr këtë nismë, nuk e shtyti nevoja për tu angazhuar me punë, por diçka tjetër , diçka që ka të bëjë me ndjenjën kombëtare, me personalitetin e bashkatdhetarëve të vet, sidomos të asaj shtrese të inteligjencës që endej (dhe endet) nëpër mugëtirën e emigracionit pa mundur të gjente ( të gjej) qetësinë shpirtërore. Mandej, për shumë vite është përfolur se do hapet një shkollë shqipe për fëmijët e emigrantëve, interesim ky nga ana e qeverisë shqiptare, por deri tashmë përderisa nuk shohim tym në horizont nuk mund të themi se diku është ndezur zjarri. E atë që s’mundi të bëjë qeveria deri më tashti në marveshje me shtetin grek, e bëri Lorenci, pavarësisht se dikush mund të thotë se nuk i ka përmasat dhe kriteret e një shkolle, apo çfarëdo lloj argumenti tjetër që mund të stisi, ( sigurisht që snobizmi s’ka alternative dhe logjikë tjetër!!) megjithatë ai është një institucion që flet në gjuhën shqipe, që ndihmon bashkatdhetarët e vet, që në një farë mënyre duke mos e njohur mirë gjuhën e vendit ku jetojnë këtu e disa vite, u çliron mendimin dhe pasionet nga ngërthimet që të imponon mosnjohja e gjuhës, rrit prestigjin e personalitetit që nëpërkëmbet si pasoj e ushtrimit të presioneve psikologjike që flurojnë në çdo hap të jetës së përditshme të emigrantit. Mendoj se në atë strehë që krijoi Lorenci, ata ndihen si në shtëpinë e tyre, si në sofrën e tyre duke komunikuar në gjuhën amtare. A nuk do ta ndiente veten të përçmuar një intelektual shqiptar nëse do të donte të aftësohej në informatikë kur mësimet do jepeshin në gjuhën greke dhe ai nuk do mundte të komunikonte? Sa të vështirë do ta kishte përvetësimin e njohurive pa njohjen gjuhësore? E pra, Lorenci dha një zgjidhje, dha një ndihmesë, dha tek bashkatdhetarët ndjesinë e një pjesëze të kupolës qiellore shqiptare. Përveç kësaj , për këdo që ndjek kursin tarifat janë më ekonomike se ato analoget në gjuhën greke, madje me diferenca të theksuara. Për të arritur gjer këtu nuk ishte kaq e thjeshtë, përpjekjet e Lorencit nuk kaluan nëpër rrugë të shtruara. Ai pati vështirësi qoftë ekonomike dhe administrative. Askujt nuk iu drejtua për ndihmë,as ambasadës e as ministrisë së jashtme në Shqipëri. Ai kishte besim tek forcat e veta , prandaj iu fut “ detit për të çarë dallgët” Mund të dështonte? Pse jo. Kapitalizmi dështimin e ka alternativë të parë. Por çështja s’ishte vetëm në aspektin ekonomik. Aspekti nacionalist , pra i përdorimit të gjuhës shqipe në një institucion, edhe pse privat, kjo e shqetësonte më tepër nismëtarin. Nëse procedura e përgatitjes së dokumenteve do të binte në dorën e ndonjë maniaku nacionalist sigurisht që avancimi do të ishte bërë i pamundshëm. Por Lorenci, ky djalë kurajoz, i cili në Shqipëri ishte diplomuar për mjekësi, por pasioni për informatikë e bëri të ndiqte studimet në New York College, sapo i shkeli këmba tokën helene, dhe që e mbaroi me rezultate të shkëlqyera, ia doli mban. Kur ende ishte duke ndjekur vitin e tretë të studimeve i shkoi nëpër mend të hapte për bashkatdhetarët shkollën për informatikë. Por si u prit ky eveniment? (mendoj se duhet përdorur ky term!) Kur përfundoi kursi i parë prej më se tridhjetë studentësh dhe do pajiseshin me diplomat përkatëse, sigurisht që ai çast duhej festuar. U shpërndan shumë ftesa, midis të tjerëve iu dërgua dhe trupës diplomatike Shqiptare në Athinë. Ambasada, për të përgëzuar shkollën dhe të diplomuarit, dërgoi një prej përfaqësuesve të saj. Por a duhet të mbetej me kaq? Një nismë, siç është kjo për të cilën bëmë fjalë pak më sipër, pavarësisht nëse është shkollë, kurs, a çfarëdo qoftë, në vend që të bëhet nxitje për të patur «çelje» të tjera, lihet që të bien mbi të mjegullat e harresës. Përse e themi këtë ? Sepse nga askush nuk pati ngacmime të tjera. Nga ministria e jashtme a nuk duhej të kishte qoftë dhe një urim? Nuk e kanë marrë vesh, do thotë dikush? Si është e mundur? A nuk duhej të ndiqej nga afër fati i kësaj shkolle, paçka se është private, por ama është shqipe ? A nuk duhej të thirrej diku që të jepte përvojën dhe pse jo të bëhej nxitje dhe për të tjerët? Se pranë kursit të informatikës Lorenci së bashku me bashkëshorten hapën dhe kursin e gjuhës angleze duke folur po shqip. Dhe përsëri s’e vuri kush ujin në zjarr. Dhe çfarë të bënë përshtypje ? Nëse Lorenci në festën që ai organizoi në hotel Titania, për diplomimin e studentëve të parë që dolën nga shkolla që ai krijoi, e ftoi trupën diplomatike, kurse trupa diplomatike kur organizoi festën kombëtare me rastin e datave 28-29 Nëntorit, nuk u kujtua t’i çonte ftesë. Përse të ndodh kështu? Thjesht harresë? Apo detyrat e tyre janë kaq të shumta, kaq të rënda, kaq të komplikuara, kaq të trazuara, kaq e kaq…sa nuk i lënë jo të mendojnë, por as të ngrejnë kokën, nga kokëdhimbjet!
Por, unë mendoj, se dhe kur kokëdhimbjet janë të mëdha, duhet të jemi pak kombëtar, pra, nëpër dhimbje duhet të mendojnë për emigrantin, për hallet dhe problemet që ai ka, e jo të jemi thjesht zyrtar...
Tashmë trupa diplomatike shqiptare ne kryeqytetin grek, në Athinë ka në krye të saj Ambasadorin e ri, i cili qysh në ditët e para tregoi një interesim të veçantë për aktivitetin që kryejnë biznesmenët, shoqatat dhe njerëzit e letrave shqipe këtu në emigracion. Dhe kjo shpresojmë se do të jetë nisja për të terratisur mjegullat e harresës dhe për ti dhënë dritë evenimenteve që kanë të bëjnë me çështjet e kombit pa marrë parasysh ç‘përmasa kanë ato
Irena Petro