Goran Bregoviç aromë ballkanike në Tiranë
Oliverta Lila
Folk dhe ritme shqiptare në krijimet e tij muzikore
I duket e çuditshme që do të vijë në Tiranë. Dhe këtë e thotë vetëm pak ditë para se të ngjitet në skënën e Pallatit të Kongreseve. Këngëtari i njohur serbo – kroat Goran Bregoviç për herë të parë do të sjellë muzikën e tij për publikun shqiptar në datat 1 dhe 2 prill . I ftuar nga “Media Art”, pritet që të bëjë një performancë të vërtetë muzikore në Tiranë. Ndonëse është i njohur me muzikën shqiptare, ky do të jetë një hap për ta sjellë muzikën e tij për publikun shqiptar. Deri tani nuk ka ndodhur. Shkëmbimet artistike midis Shqipërisë dhe Serbisë kanë qenë inekzistente. “Shipëria është një territor nga i cili unë kam rrëmbyer shumë. Është i vetmi vend ku unë “vjedh” muzikë dhe nuk është çudi nëse do të dëgjonit që unë të këndoja një këngë tuajën”, shprehet Bregoviç në një intervistë para se të mbërrijë në vendin tonë. Do të këndojë live 28 krijime së bashku me një formacion të madh muzikor. Në një spektakël që do të zgjasë më shumë se dy orë në Pallatin e Kongreseve. Pas këngëve të tij ritmike qëndron orkestra “Weddings and Funerals Band” (Banda e martesave dhe funeraleve) me 45 instrumentistë dhe këngëtarë. “Natën e parë do të luaj me një formacion të madh muzikor. Janë rreth 45 vetë ku përfshihen kori i meshkujve, tre këngëtare femra, një bandë frymore etj. Pra një orkestër sinfonike e përshtatur për muzikën time. Do të interpretoj edhe disa nga kompozimet e mia për kinemanë. Në mbrëmjen e dytë do të jem vetëm me bandën time muzikore dhe do të ketë këngë të repertorit tim”, shprehet Bregoviç.
Ritmi ballkanik
Këngët e Goran Bregoviç nuk i përkasin vetëm vendit të tij. Për këtë edhe ka një publik të gjerë që i pëlqen dhe blen disqet e tij. Shqiptarët i njohin këngët e tij “Maki, maki”, “Policia”, “Underground Tango”, “Hop, hop, hop” etj, edhe pse asnjëherë ai vet nuk e ka prekur skenën shqiptare. Ka “vjedhur” pak nga të gjitha motivet duke ia nënshtruar këtë edhe përpunimit me teknikën moderne. Vet e pohon me të fortë se këngët e tij janë frymëzime ballkanike. Në formulën e muzikës së tij përzjehen xhazi, ritmet sllave, meksikane, motive turke dhe vokalitet bullgar, sinfoni të shenjta ortodokse dhe tingujt modern të pop-it. Si është muzika e tij? “Muzika ime? Është një përzierje, lind nga një bazë ballkanike ku kryqëzohen tre kultura, ortodokse, katolike dhe myslimane” është shprehur ai gjatë turit të sukseshëm që pati në Itali. Një sukses të madh ka patur edhe në Francë ku disqet e tij janë shitur në 100.000 kopje. Kompozimet e tij, një miks midis folkut ballkanik dhe përpunimit teknologjik kanë pushtuar Europën edhe falë bashkëpunimit me regjisorin Emir Kurturica. Kolona zanore e filmave “Il tempo dei gitani” e “Underground”, i cili në vitin 1995 u shpall fitues i “Palmës së artë” në Festivalin e Filmit në Kanë.
Rruga e një këngëtari
Sot ai është i njohur për ritmet e tij ballkanike, një përzierje motivesh folklorike dhe rymash moderne. Por nuk ka nisur kështu. I lindur në Sarajevë nga një nënë serbe dhe një baba kroat, Goran Bregovic krijoi grupin e parë rrok kur ishte 16 vjeç. Për rreth 15 vjet punon me grupin e quajtur “White Button”. Prodhojnë 13 albume të shitur në 6 milion kopje. Në ato kohë rroku kishte një rol shumë të rëndësishëm në jetën e tyre. Ishte e vetmja mundësi për të shprehur publikisht pakënaqësitë pa rrezikuar të përfundoje në burg. Turnetë e pafundme do ta kthehenin në atë kohë Bregoviç në idhullin e rinisë jugosllave. Për të plotësuar dëshirën e prindërve të tij, Goran ndjek studimet për filozofi e sociologji. Sot ndoshta do të ishte një mësues në qoftë se suksesi i madh i diskut të tij të parë nuk do të kishte vendosur ndryshe. Ndërsa sot ka një bandë të madhe “Ëeddings and Funerals Band” (Banda e martesave dhe funeraleve) dhe gëzon akoma suksesin e muzikës së tij.
"Milosao"
Krijoni Kontakt