Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1

    Lëvizja VETËVENDOSJE! prezanton planin serb për copëtimin e territorit të Kosovës

    Aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosje” sot prezentuan planin e Serbisë për eksterritorialitetin e kishave dhe manastireve ortodokse që po përgatitet në Kosovë. Sipas Lëvizjës Vetëvendosje ky projekt, së bashku me decentralzimin, ka për qëllim copëtimin e Kosovës nga Serbia.


    Në një konferencë për gazetarë aktivistët e Lëvizjës “Vetëvendosje”, paraqitën detajet e hartave të planeve të Serbisë për objektet fetare që mendohet të fitojnë zona të veçanta rreth e përqark, e në veçanti rastin e Manastirit të Deçanit. Të gjitha këto i prezentoi, udhëheqësi i Lëvizjes, Albin Kurti dhe si dhe Dardan Molliqaj, aktivist. Albin Kurti tha se qeveria serbe me planin për statusin eksterritorial do të fitojë 150 objekte fetare me 1000 kilometra katrorë apo mbi 9 përqind të teritorit të Kosovës. ”Paralelisht me decentralizimin, i cili do të krijojë njësit e reja teritoriale dhe administrative është edhe eksterritorialitei, i cili i vie në ndihmë këtij projekti të decentralizimit” tha Kurti. Ndërkaq, Dardan Molliqaj aktivist I Lëvizjes “Vetëvendosje” nga Deçani paraqiti rastin e eksterritorialitetit të Manastrit të Deçanit, objekt ky i cili sipas urdhërit ekzekutiv të Petersenit 2005/5 I ka dhënë status eksterritorial rreth 800 hektarëve përreth vendit ku ndodhet Manastiri. Prej këtyr 800 hektarëve 200 janë prona shoqërore të cilat janë liruar nga AKM-ja nga privatizimi kurse 600 hektarë të tjerë janë pronë private e shqipëtarëve të cilët nuk kanë të drejtë të lëvizin nëpër pronat e tyre. Në këtë teritor përfshihen edhe ndërmarrjet publike dhe shoqërore të Komunës së Deçanit. Ndërkohë që komuna e Deçanit ka nurmin më të madh të pa-punësisë në Kosovë, rreth 62% sipas qendrës për punësim në Deçan.


    RTK 23/03/2006 16:43:32

  2. #2
    I come back
    Anëtarësuar
    01-10-2005
    Postime
    345
    E perse kishat duhet ti kalojne Serbise? Nuk jane te zote shqiptaret e Kosoves ti garantojne ato? Ne te kundert ku qendron pavaresia ketu! Me duket shume qesharake.
    Politikanet e Kosoves duhet te kuptojne nje gje, qe bota ia ka interesin Serbise, e jo Kosoves.

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Fushat e minuara të statusit - Shkruan :Agron Bajrami (Gazeta "KOHA DITORE")




    Fushat e minuara të statusit


    Shkruan :Agron Bajrami (Gazeta "KOHA DITORE")

    Në javët që vijnë, presionet ndërkombëtare do të shtohen ndaj palës kosovare që të zbusë pozicionin e vet në çështjet e financimit të jashtëm të komunave të ardhshme me shumicë serbe në Kosovë si dhe në lidhjen e tyre "horizontale", në një "asociacion të komunave serbe të Kosovës". Ky, së paku, është konkludimi bazuar në disa dokumente dhe deklarime të muajve të fundit, përfshirë pyetjet me shkrim që i janë parashtruar palës kosovare nga ekipi i Ahtisaarit, në periudhën mes dy takimeve vjeneze, të cilin opinioni ka pasur rast ta shihte të botuar, në versionin integral, në "Kohën Ditore" të së shtunës. Në fakt, presioni ka nisur qysh pas takimit të parë në Vjenë dhe përveç pyetësorit të Ahtisaarit, i cili u ka paraprirë diskutimeve të raundit të dytë, negociatorët kosovarë kanë marrë mesazhe edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Grupi i Kontaktit të "lëshojnë pe" në disa prej çështjeve që janë vënë në tavolinën e diskutimit të raundit të dytë. Mesazhi amerikan ka ardhur në formën e letrës së të dërguarit të posaçëm për status, Frank Wisner, ndërsa takimi i përfaqësuesve të Grupit të Kontaktit me kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku, të premten në Prishtinë, ka nxjerrë mesazhin e ri ndërkombëtar, sipas të cilit, decentralizimi duhet të nisë të zbatohet edhe para se të arrihet zgjidhja e statusit. Kështu, edhe një herë, decentralizimi bëhet karota për serbët dhe shkopi për shqiptarët.
    Dy realitetet që diktojnë zgjidhjen
    Nëse presioni momental ndaj palës kosovare vihet në kontekstin e duhur, nuk ka se si t‘i iket konkludimit se procesi i udhëhequr nga Ahtisaari është duke e ndjekur një vijë të përcaktuar qysh më parë. Për shumëkënd, e tëra do të mund të dukej jo më shumë se një zbatim i planit që tashmë është hartuar dhe e pret momentin për t‘u nxjerrë para opinioneve në Kosovë e Serbi. Por, një vështrim më i vëmendshëm në zhvillimet e muajve dhe viteve të kaluara, e përjashton çdo lloj teorie të konspiracionit ndërkombëtar kundër Kosovës, çfarë shpeshherë mund të dëgjohen në instant-analizat e përditshme kosovare. Në fakt, gjasat janë se nuk ekziston - as në fazën e hartimit - ndonjë plan i fshehtë që mund ta ketë emrin "Zgjidhja për statusin e ardhshëm të Kosovës". Por, ajo që ekziston, është realiteti në terren, i cili për palën ndërkombëtare duket se paraqet bazën e çdo zgjidhjeje të qëndrueshme politike. Dhe kjo, në anën tjetër, bart me vete vendime edhe të mira edhe të këqija për Kosovën. Për të parë se cili është plani, pra, duhet parë, në mënyrë sa më objektive, realitetin e Kosovës sot, gjashtë vjet pas fundit të luftës. Realiteti primar, më i qartë dhe i pashmangshëm, prej të cilit nis të ndërtohet e tërë zgjidhja, është ekzistimi i Kosovës jashtë Serbisë.
    Me futjen e NATO-s në Kosovë, dhe largimin e forcave të Beogradit, është krijuar realiteti që mundëson pavarësimin e Kosovës përmes një procesi politik që e njeh situatën në terren. Kjo do të duhej të ishte edhe arsyeja pse fillimi i negociatave për status është përcjellë me deklarime gjithnjë e më të zëshme për pashmangshmërinë e pavarësimit të Kosovës. Porosi zyrtare, gjysmëzyrtare dhe jozyrtare i janë dhënë edhe Beogradit edhe Prishtinës (por edhe fqinjëve në rajon dhe anëtarëve të Grupit të Kontaktit) se ndërrimi i realitetit të krijuar në qershor të vitit 1999 mund të bëhet vetëm përmes luftës dhe dhunës, një gjë kjo e papranueshme. Rrjedhimisht, opsioni i vetëm që mbetet i mundshëm, është ekzistimi i Kosovës si e pavarur nga Serbia. Por, realiteti i dytë që është marrë parasysh, ishte ekzistimi i strukturave paralele serbe dhe organizimit të tyre jashtinstitucional, me udhëheqjen politike dhe përkrahjen financiare nga Beogradi. Ky realitet, i cili deri para një viti është konsideruar i papranueshëm për tërë bashkësinë ndërkombëtare - meqë në mënyrë të drejtpërdrejtë shkel "biblën" e UNMIK-ut, Rezolutën 1244 të OKB-së - tash, në kuadër të hapjes së procesit të statusit, na shfaqet si realitet që duhet legjitimuar. Pra, në vend të shpërbërjes së strukturave paralele, procesi i zgjidhjes së statusit po shkon në drejtimin e legalizimit të këtyre strukturave.
    Ilustrimi më i mirë mbase mund të jetë fakti që e tërë pakoja që kërkon lejimin e mundësisë së krijimit të asociacioneve të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe lidhjes së tyre me Beograd, është kopjim i asociacionit ilegal të komunave serbe, të krijuar nga ekstremistët serbë në veri.
    Raporti i Eides - skenari i bisedimeve
    Zanafilla e kësaj qasjeje të ndërruar ndërkombëtare është tek raporti vlerësues, madje shumë i lavdëruar në Prishtinë, i ambasadorit norvegjez Kai Eide. Përderisa është e vërtetë se Eide, me raportin e tij, teknikisht i hap rrugën bisedimeve për status, ai, brenda raportit, nxjerrë jo vetëm përshkrim të situatës, por edhe vlerësime dhe rekomandime se çka duhet bërë që ajo situatë të kalojë në gjendje të statusit të zgjidhur. Ja çka thotë Eide, në përmbledhjen e raportit të tij, në pjesën relevante për decentralizim: "Për të arritur një kthim të qëndrueshëm dhe komunitete të dukshme të pakicave, ka nevojë për një proces më të gjerë të decentralizimit. Kjo do të mund të përmbante kompetenca të shtuara në sferat si policia, drejtësia, arsimi, kultura, mediumet dhe ekonomia. Kjo do të mund të mundësonte lidhje horizontale ndërmjet komunave me shumicë të serbëve të Kosovës. Kjo, po ashtu, do të mund të krijonte shndërrimin e strukturave paralele në entitete legjitime. Megjithatë, kjo nuk do të duhej t‘i cenonte institucionet qendrore të Kosovës ose ta zbehte autoritetin e Prishtinës. Komuniteti ndërkombëtar do të duhej të jetë i gatshëm për të ndihmuar në nisjen e aranzhimeve për një decentralizim më të gjerë". Pra, qysh në vjeshtën e vitit të kaluar, pala kosovare ka pasur rastin të lexojë paralajmërimin se çka pritet të ndodhë. "Kompetenca të shtuara në sferat si policia, drejtësia", "lidhjet horizontale ndërmjet komunave me shumicë serbe", "shndërrimi i strukturave paralele në entitete legjitime"... këto janë fjali që sot debatohen dhe do të debatohen, në Vjenë, dhe që, në një formë, apo tjetër, janë vetëm reflektime të realitetit ekzistues të enklavave serbe. Dhe, derisa zyrtarët më të lartë të Kosovës, të katër kabineteve qeverisëse dhe dy mandateve parlamentare, janë shprehur deklarativisht kundër enklavizimit të Kosovës, heshtja para rekomandimeve të këtilla si këto të Eides, apo edhe miratimi i tyre i tërthortë përmes deklaratave falënderuese për diplomatin norvegjez, vetëm sa e kanë hapur edhe më shumë rrugën që qasja e tillë të ndiqet në bisedimet e Vjenës.
    Tre faktorët përgjegjës
    Derisa është më se e nevojshme, për palën kosovare, që t‘u rezistojë, deri në fund, përpjekjeve për legalizim të gjendjes ekzistuese të brendshme në Kosovë, nuk duhet harruar as faktet pse një gjendje e tillë, në radhë të parë, ekziston. Kush, pra, ka faj për enklavat? Përgjegjësia, në çdo rast, është e shumëkujt. Së pari, përgjegjësia duhet kërkuar në Beograd.
    Politika zyrtare serbe është ideatorja, krijuesja dhe financuesja kryesore që ka mundësuar ekzistimin e sistemit paralel serb në Kosovën nën mandatin e OKB-së. Beogradi, vazhdimisht, ka shfrytëzuar enklavat si platformë prej së cilës do të sulmojë sistemin e Kosovës, përbrenda, ndërsa karshi faktorit ndërkombëtar i ka përdorur si mjet shantazhi në kuadër të presioneve për nxjerrje të koncesioneve. Për këto qëllime, Qeveria e Serbisë, me rrugë ilegale, paguan shuma të mëdha të hollash, një praktikë kjo që Beogradi dëshiron ta vazhdojë për qëllime sigurisht të njëjta. Në anën tjetër, një vështrim i shkurtër për gjithë atë që ka ndodhur pas luftës e bën shumë të qartë se të gjitha institucionet e Kosovës, që nga viti 1999 e këndej, kanë ndihmuar krijimin e situatës ku minoritetet janë tërhequr në izolim. Përgjegjësinë, mbase më të madhe, e bartin liderët politikë të Kosovës, shumica e të cilëve, edhe kur nuk kanë mundur të ndikonin në ndryshimin e situatës, i kanë heshtur problemet që gjithnjë kanë qenë evidente.
    Por faji nuk është vetëm i "faktorit vendor". Përgjegjësi të madhe ka edhe Misioni i OKB-së, i cili vazhdimisht ka dështuar në zbatimin e Rezolutës 1 244. UNMIK- u ka toleruar edhe strukturat paralele, edhe enklavizimin e serbëve, edhe ndërhyrjet nga Beogradi. Jo rrallë, një gjë të tillë e kanë pranuar edhe shefat e misionit, gjatë adresimeve të tyre para Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por realiteti nuk ka ndërruar, ndërsa shpesh aktivitetet paralele, ilegale, të serbëve janë toleruar edhe në emër të politikës dhe me qëllim të ruajtjes së qetësisë. Që të ilustrohet ky pohim, nuk duhet shkuar në të kaluarën e largët. Para 10 ditësh, të premten, më 10 mars, policia dhe doganat e Kosovës kanë konfiskuar 2 milionë euro të holla që janë futur ilegalisht nga Serbia në Kosovë. Të hollat ishin dërguar nga Banka Popullore e Serbisë dhe destinim kishin autoritetet serbe në komunat në veri të Kosovës. Dy ditë më vonë, tri komunat serbe në veri, - Zveçani, Zubin-Potoku dhe Leposaviqi, - kanë ndërprerë çdo bashkëpunim me UNMIK-un derisa të mos kthehen të hollat. Edhe pse një shkelje drastike e ligjit, i tërë incidenti është mbyllur ashtu që UNMIK-u ia ka kthyer gjithë të hollat Beogradit, madje pa asnjë gjobitje, duke shkelur rregulloren e vet sipas së cilës nuk është dashur të kthehen së paku 25 % e shumës së të hollave që janë futur në Kosovë pa paralajmërim. Ajo që ky rast ilustron është se nevoja për "qetësi" politike shpeshherë ka bërë që UNMIK-u të tolerojë strukturat dhe aktivitetet ilegale nëpër enklava, duke i lejuar që ato të jenë de facto "autonome" nga sistemi legjislativ i Kosovës. Tash, në Vjenë, ato mbetet të legalizohen. Nëse pala kosovare, pajtohet, natyrisht.
    Radhën e ka Grupi Negociator
    Por, pala kosovare, në momentin e fundit, duket se ka nisur t‘u rezistojë këtyre presioneve, dhe kjo, me gjasë, do të mund të ishte arsyeja pse presioni, në ditët e ardhshme, do të mund të jetë edhe më i madh. Por, janë disa vendime që duhet marrë Grupi Negociator, të cilat do të mund të ndihmonin ekipin kosovar t‘u rezistonte imponimeve, të cilat në afat të gjatë do të mund të ishin mekanizma pengues dhe frenues. Çdo raund i ardhshëm i negociatave për decentralizim, deri në arritje të konkludimit të këtij procesi, do të jetë më i rëndë, dhe jo më i lehtë. Në të ardhmen, në Vjenë do të diskutohen edhe çështjet si Mitrovica dhe krijimi i komunave të reja. Do të nxirren hartat dhe lapsat. Do të kërkohen territore. Negociatorët e Kosovës atje do të ndeshën me atë që figurativisht mund të quhet fushë e minuar, me mina të vjetra që janë vënë nga serbët, por edhe nga vetë shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Synimi i liderëve kosovarë, në institucione dhe brenda Grupit Negociator, do të duhej të ishte sqarimi se formula "pavarësi e kushtëzuar" mund të jetë mekanizëm për mandatimin e pranisë së ardhshme ndërkombëtare në Kosovë, por jo edhe derë nëpër të cilën do të institucionalizohet prezenca e padëshiruar e Serbisë në Kosovë. Për këtë arsye, zbatimi i çdo forme të decentralizimit të dakorduar mund të nisë vetëm pasi të arrihet marrëveshja për statusin e Kosovës. Përndryshe, nëse ndodh ashtu siç i ka këshilluar Grupi i Kontaktit kryeministrit Agim Çeku - që decentralizimi të nisë që sot, para arritjes së statusit, në kohën kur palët ende po e debatojnë çështjen - Kosovës, mbase, mund t‘i vihet emri edhe Frankenstein.
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

Tema të Ngjashme

  1. "Revolucioni vonuar" dhe Ahmet Krasniqi
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 214
    Postimi i Fundit: 20-09-2018, 13:55
  2. Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë i Republikës së Kosovës
    Nga Albanino në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 2055
    Postimi i Fundit: 27-11-2014, 11:11
  3. Identiteti evropian i shqiptarëve
    Nga Iliriani në forumin Portali i forumit
    Përgjigje: 572
    Postimi i Fundit: 02-05-2012, 15:45
  4. Demaçi themelon "Forumi Qytetar i Kosoves"
    Nga mani në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 37
    Postimi i Fundit: 20-03-2004, 13:33

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •