Duke qenë në Gjermani, me viewpoint‘in e ndryshuar dhe me distancën e duhur, i ndjek edhe unë sekuencat e shumta që të thuash çdo stacion televiziv i emeton. Konstatoj po atë që e kisha të vështirë në fillim ta kuptoj: njeriu u ngopka me të keqen. Si duket, është ndonjë mekanizëm që pas një numri, pas një shifre e statistike, e bllokon çdo emocion. Sidomos kur janë të këtilla, tmerruese e marramendëse si shifrat e statistikat që ushtria serbe i le pas vetes në Kosovë e në Bosnë. Shifrat e para që fillonin me katër zero, pesëdhjetëmijëshi i parë i shqiptarëve të dëbuar, natyrisht i tmerroi të gjithë njerëzit dhe të gjithë reaguan njëzëri kundër këtij fenomeni dhe pamjeve që ta kujtonin Luftën e Dytë Botërore dhe nacizmin. Mirëpo, ky fenomen i së keqes nuk u ndal në katër zero, po vazhdoi me pesë zerot e para që u paraqitën nëpër statistika....njëqind mijë të dëbuar, dyqind, pesëqind, ...vazhdoi deri në shifrën e pabesueshme një milionë njerëz të dëbuar, ...një milion e dyqind mijë të dëbuar...Dhe, ky fenomen s’po ndalet. Të bëhet sikur dikush po e rrotullon të njëjtën trakë, të njëjtën matricë të së keqes gjithë kohës. Transmetimi direkt i deportimit nuk duket aspak atraktiv, si transmetimi direkt i jetës, qenka monoton!
Njerëzit po i ngjakan njëri tjetrit në fatëkeqësi: të gjithë duken të njajtë në shëmtinë e tyre! Të rraskapitur, të palarë, të etur e të uritur, femrat pa make up e meshkujt të parruar, të gjithë me flokët e kreshpëruar nga furtuna e ikjes dhe tmerrit. Po, fatkeqësisht viktima gjithmonë duket e shëmtuar dhe kur del në sytë e botës me numra marramendës prej 1 milioni e sa, atëherë njeriu bllokohet, tërhiqet. Askush nuk ka dëshirë të identifikohet me viktimën, domethënë me shëmtinë. Viktima duket e bukur dhe tërheqëse vetëm në numra të vocërr, një dy, dhjetë, pesëdhjetë. Por, një milion, kjo është shumë, me një barrë kaq të madhe të shëmtisë dhe viktimizimit askush nuk do që të identifikohet e të bëjë. Të bëhet si diçka e sëmurë, e turpshme po të pa kush e të identifoi me të. „There is something sick in whole this“ më tha Elizabeth, gazetarja e The New Yorker, kur dëgjoi se deportimi i njerëzve po e kalon shifrën prej 1 milioni. „O my God!“, shfryu dhe e bëri një si grimasë gërdie. Po, ka diçka të gërditshme në gjithë këtë, të pështirë, që të bën me vjellë. Këto janë shifra që shkaktojnë kontrakcione të padëshirueshme të organizmit prandaj, si duket, edhe ekzistojnë ato mekanizma mbrojtës që ndërprejnë absormin e këtyre të dhënave, e bllokojnë marrjen e gjithë kësaj doze të së vërtetës nga e cila të vjellët, nga e cila mund të sëmuresh. Këtë askush s’e di më mirë se Millosheviqi. Këtë kufi ku shifra më nuk flet asgjë, ku ajo bëhet e akullt, petrifikohet, bëhetë gur. Kufirin ku ajo e humb aftësinë të të ngacmojë, të të prekë e të të dhemb. Ku ajo, ç’është më e keqja, fillon ta humb vërtetësinë, të bëhet e pabesueshme, madje, e dyshimtë...mos po e teprojnë pakëz këta shqiptarët...Pas këtij kufiri, tek njerëzit më shumë ze vend skepsa sesa besimi. Këto janë shifra e numra që vështirë mund të vërtetohen edhe njëherë, kush ka nge tashti të hyjë e t’i numërojë 1 milion të deportuar. Kush do t’i mbledh më ata njerëz. Shifrat e statistikat e Organizmave të ndryshëm të Kombeve të Bashkuara dhe të Organizatave të shumta Joqeveritare (NGO) zakonisht janë aproksimative. Dhe, pikërisht në këtë aproksamacion, në këtë pamundësi që ta kapërthesh e të jesh i saktë deri në fund me fenomene të këtij lloji, mbështetet e gjithë strategjia dhe fshihet e gjithë fëlliqëtia e këtij vrasësi nga Beogradi. Është plotësisht e njejtë si t’i kesh vra një, dhjetë ose njëqind mijë njerëz. Si t’i kesh dhunuar një, dhjetë apo dhjetë mijë vajza. Si ta kesh deportuar një fshat, një qytet apo një popull të tërë. Sepse, njeriu nuk ka aq dhembje në vete, nuk ka aq lotë e ndjesi sa t‘i vajtojë të gjithë këta njerëz, nuk ka aq besim sa të jetë konsekunet e ta përcjellë tragjedinë e këtyre njerëzve deri në fund. Lotët shterren, ndjesitë ngurtësohen, besimi fillon të çahet diku pas shifrave me dy zero, me tri zero. Më andej gjithçka ngurtësohet dhe, po them, ç’është më e keqja, fillon edhe dyshimi, nis e humbet besueshmëria. E pra, mu atje ku shterren lotët, ku përfundojnë ndjenjat dhe besimi, e ku fillon skepsa, akulli e petrifikimi fillon edhe mbretëria e këtij njeriu. Kjo është hapësira ku ai vepron që nga fillimi, brenda kësaj paaftësie të njeriut, brenda kësaj jopërsosmërie të tij. Mënyra më e mirë që ta fshehësh krimin është që ta bësh atë të pabesueshëm, t’ia humbësh vërtetësinë. Si t’i fshehësh 6000 njerëz të ekzekutuar nga qyteti i Srebrenicës në Bosnë? Natyrisht, brenda 200 mijë viktimave tjera në Bosnë. Numri dyqind mijë është i parrokshëm, i pabesueshëm, i gurtë, nuk flet, nuk dhemb, nuk shkakton lotë. Si t’i fshehësh 100 vajza të dhunuara? Natyrisht, duke i dhunuar 40 mijë vajza tjera. Numri 40 mijë nuk prodhon imazhe, nuk ndihmon që të imagjinohen dhembjet, piskamat, frika dhe poshtërimi i këtyre vajzave. Përkundrazi, i bllokon ato. Si t’i fshehesh qindra fshatra të shpërngulura nga Kosova? Natyrisht, duke i fshehur brenda qyteteve të shpërngulura. Po si t’i fshehësh tashti qytetet e shpërngulura? Natyrisht, brenda një populli të tërë të deportuar. Kush do ta besojë?! Madje as transmetimi direkt televiziv i këtij fenomeni nuk ndihmon. Viktimat i ngjajnë njëra tjetrës në shëmtinë e vet. Janë pamje monotone, të lodhshme, të padurueshme. Edhe lojrat e numërimit të fëmijve përfundojnë më së shumti në 1000. Pas këtij numri fillon të zvogëlohet koncentrimi, mpreftësia, dëshira, njëlloj si me këto imazhe deportimi...1 milion...një milionë e dyqind mijë njerëz ...
Këte e ka kuptuar Millosheviqi. Kështu edhe luan, me moton: po luajte, vuri bastet e mëdhaja; po gjuajte, gjuaji shifrat e mëdhaja. Sepse, si ta kesh vra një njeri, si t’i kesh vra njëqind mijë, vetëm njëherë do të përgjegjesh e do të jesh fajtor. Dhe, paradoksi nuk qëndron në këtë, po në faktin se po ta vrasësh një njeri dhe të të kenë zënë, nuk ke shans të shpëtosh nga faji. Ndërkaq, po t’i vrasësh një qind mijë e t’i deportosh 1 milion, ndoshta edhe ke shans të shpëtosh!
Po them, këtë e ka kuptuar Millosheviqi. Ai jo vetëm që na viktimizoi, por duke e hipur vuajtjen tonë në shifra të këtilla marramendëse e të pabesuesme, ai na vuri para situatave ku duhesh tashti edhe ta dëshmosh vuajtjen tënde, duhet ta mbrosh pozicionin tënd prej viktime. Ai na shndërroi të gjithëve në protagonista kafkianë duke na e kujtuar paradigmën e tij që e anticipoi këtë shekull dhe e cila, fatkeqësisht, nuk u zhduk me zhdukjen e komunizmit.
Si të mbrohesh nga diktatorët e vocërr të tipit të Millosheviqit i cili kontrollon gjithçka dhe i cili përmes mediave mundohet ta plasojë një ndërrim katastrofal tezash: se viktima në këtë luftë janë serbët dhe ai personalisht. E shkaktar i gjithë kësaj është vetëm NATO. Madje, edhe shqiptarët jetonin mirë para NATOs! Dhe, ç’është më e keqja, ai edhe ia arrin të krijojë opinion në vendet perëndimore me disa kuadro televizive që duhet ta dëshmojnë këtë ndërrim monumental tezash. Opinionet në vendet perëndimore përnjëherë u kthyen në diçka si Porotë. Kërkojnë dëshmi të reja nga shqiptarët, nga NATO. Fotografi e fakte të reja që do t’u mundësonte shqiptarëve ta mbrojnë pozicionin e tyre prej viktime të privilegjuar!
E di, më e mira është fotografia. Por, çka të bësh kur shqiptarët nuk u lejua të kenë fotografi, kamera, televizione. E para gjë që iu morr shqiptarëve qysh më 1989, kur Millosheviqi nisi rrënimin e Autonomisës së Kosovës ishte Televizioni. Të vetmen gjë që e kishin dhe e kanë shqiptarët është pamja e tyre e shëmtuar prej viktime, ku mund të lexohet frika dhe poshtërimi, dhe një numër, një shifër, si të vetmin fakt, si të vetmën dëshmi. Njashtu si hebrejtë që në fund u mbet vetëm numri. Edhe ne s‘kemi gjë tjetër pos këtij numri që duhet t’i bëjë Opinionet-Porota të na besojnë e të ndikojnë e të apelojnë qeveritë e tyre. Nuk ka dëshmi tjera se çfarë i bënë këta njerëz të ikin e të duken kështu. Nuk ka pamje të ekzekutimeve para familjarëve, rrahje e vrasje kolektive të burrave e djemëve, nuk shihen policët serbë duke i plaçkitur shtëpitë private të shqiptarëve, duke ua shkërdhye intimitetin dhe pronën e tyre, nuk ndihen piskamat e vajzave të dhunuara. S’ka asnjë fotografi. Vetëm ky numër. I ftohtë, i akullt, i pabesueshëm. E di këtë Millosheviqi. Kur kësaj ia shton edhe disa pamje ku shihen viktimat serbe nga bombardimet e NATOs, Opinioni-Porotë është plotësisht i hutuar. Kush qe viktima tashti këtu. Si fillonte ky tregim?!
Kjo më bën që të tmerrohem. Paradigma kafkiane ende qenka e gjallë. Ajo nuk qenka zhdukur me zhdukjen e komunizmit. Ajo vetëmsa qenka transformuar e fshehur brenda kësaj bote omnivizuale ku ajo që nuk shihet as ekziston, dhe ku syri i dominon të gjitha shqisat tjera, e më e keqja ka nisur ta dominojë edhe imagjinatën. Po sikur vërtetë të mos e kishin shqiptarët asnjë fotografi të fatkeqësisë së tyre!? Si do të përfundonte fati i tyre. Njashtu si i Josef K., duke pranuar para xhelatit se ne përgjithësisht e kemi merituar këtë fat dhe se jemi fajtor?!
Natën e parë të luftës, policia speciale e Millosheviqit në ora dy pas mesnate hyri në shtëpinë e avokatit më të njohur shqiptar Bajram Kelmendi. Pasi e kishin tmerruar dhe shtrirë përtoke gjithë familjen e tij, i kishin marrë me vete në xhipa Bajramin dhe dy djemtë e tij, Kastriotin 30 vjeçar, i sapomartuar, dhe Albanin 16 vjeçar. Kanë dashur ta marrin me vete po atë natë edhe foshnjën njëvjeçare të Kastriotit si tregon e veja e Bajramit, zonja Nekibe Kelmendi, juriste e njohur, por ajo nuk ua kishte lëshuar nga dora. Të nesërmen kufomat e ekzekutuara nga afër të Bajramit dhe dy djemëve të tij u gjendën të hudhura në paralagje të Prishtinës. Përse Bajramin të parin, ishte pyetja që lindte pasi e mblidhje veten nga tmerri. U muarr vesh shumë shpejtë. Ai për vite me radhë kishte punuar me një dozë konspiracioni në mbledhjen e fakteve dhe dëshmive që provojnë ndërlidhjen direkte të Millosheviqit dhe krimeve që kanë ndodhur në Kosovë. E përgatiste për gjyqin e Hagës këtë dosje. Porosia ishte shumë e qartë: zhdukja e dokumenteve, e gjurmëve të krimit, e dëshmitarëve. Tipike për një kriminel. Por, siç e thamë, Millosheviqi këtë lojë nuk e luan me shifra të vocërra. Nëse e luan, luaje me shifra të mëdhaja, të pabesueshme. Shanset për të shpëtuar janë më të mëdha. Për t’i zhdukur gjurmët dhe faktet e krimeve të tij ndaj shqiptarëve në Kosovë, ai nisi një ndërrmarrje të pabesueshme: t’i zhduk provat e ekzistimit të një populli të tërë. Gjërat e para që u dogjën në Kosovën e djegur e të plaçkitur, qenë Librat e të Lindurve dhe Librat e të Vdekurve në të gjitha qytetet e Kosovës. Këtë akcion e vazhdoi pastaj me marrjen e të gjitha lejeve të identifikimit nga transportet e organizuara të njerëzve me tren deri në kufi, ku i dëbonte më tej. E dinte Millosheviqi. Zhdukjau njerëzve të kaluarën, dëshmitë për të, fotografitë e tyre, dhe lëshoi të bredhin nëpër botë, ti i ke denuar mjaftë. Atyre gjithë jeta do t’u kalojë duke e dëshmuar identitetin jo vetëm para të tjerëve, por edhe para vetes. Gjithë jeta do t’u kalojë duke u mbrojtur e duke e dëshmuar pafajsinë dhe pozicionin e vet prej viktime.
Mallkimi është shumë i madh. Shumë, shumë i madh. Pastaj, mendojeni vetëm rrezikun: 1 milion njerëz me germin e tragjedisë që bartin në vete. Prandaj, kjo padrejtësi kaq e madhe mundet me e u kënaq vetëm me drejtësi. Kriminelët duhet të gjykohen.
Mund edhe të mos ndodh kjo gjë, por vuajtja e shqiptarëve të Kosovës dhe krucifikimi i tyre do të mbetet si një përmendore morale para së cilës mund të kalosh me indiferentizëm, mund të pështysh si e rreme, ose mund të vjellësh nga ajo që sheh, por gjithsesi duhet të marrësh një qëndrim, që gjithmonë ka me folur për ty.
Po, shqiptarët e Kosovës pasi i dëbuan përtej vendlindjes së tyre, nuk kishin me vete asgjë për ta dëshmuar identitetin e vet dhe krimin që bëhej ndaj tyre, pos një numri. Si çifutët.
Dhashtë Zoti që kthimi i tyre në Kosovë të mos zgjasë 2000 vjet.
Wiepersdorf Schloss, Gjermani 12 qershor 99
(Artikull i botuar në të përditshmen FRANKFURTER RUNDSCHAU
Krijoni Kontakt