Pavarësia e Kosovës pothuajse e pashmangshme

Sekretari i jashtëm britanik thotë se të gjithë e pranojnë se situata para vitit 1999 në Kosovë është e papranueshme si bazë për një të ardhme dhe se rruga drejt pavarësisë bëhet pothuajse e pashmangshme.

Sekretari i Jashtëm Britanik, Xhek Strou, ka thënë se "pavarësia e Kosovës është pothuajse e pashmangshme". Deklarata e Strout u bë gjatë takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Salzburg të Austrisë dhe pas deklaratës së ministrit të Jashtëm të SMZ, Vuk Drashkoviq, i cili përsëriti edhe një herë qëndrimin se është "kundër pavarësisë së plotë të Kosovës".
Duke iu referuar kësaj deklarate, sekretari i Jashtëm britanik tha se deklarata e ministrit të jashtëm të SMZ-së nuk është asgjë e re dhe se ai është i vetëdijshëm për shqetesimet e qeverisë serbe sa i përket pavarësisë së Kosovës. Por ai theksoi se ky është realiteti dhe se popullata serbe në fund të fundit do të duhet ta pranojë se shumica dërmuese e popullit në Kosovë duket se do të mbështesin pavarësinë.
"Të gjithë e pranojnë se situata para vitit 1999 në Kosovë është e papranueshme si bazë për një të ardhme dhe në qoftë se ky është realiteti, atëherë rruga drejt pavarësisë bëhet pothuajse e pashmangshme", tha Strou.
Sipas tij Bashkimi Evropian është duke vëzhguar dhe dëgjuar me kujdes këshillat që ofron misioni i Marti Ahtisarit, përfshirë modalitetet dhe metodat e bashkëpunimit me Serbinë. Ai tha se me rëndësi kritike është edhe kufiri kohor i zhvillimeve.
Ndërsa lidhur me disponimin politik në Serbi, sekretari i Jashtëm britanik tha se ekzistojnë vështirësi të shumta në pjesë të ndryshme të shoqërisë serbe sa i përket pranimit të faktit se bota ka ndryshuar.
"Kjo është diçka e vështirë edhe në aspektin psikologjik për popullin serb e veçanërisht edhe për liderët e tyre. Në njëfarë mënyre unë e kuptoj se pse ata ndodhen përballë problemeve të tilla dhe më vjen keq për këtë. Por ne në Bashkimin Evropian po përpiqemi që të nxjerrim Serbinë nga kjo periudhë e ftohtë. Ne jemi duke punuar shumë në këtë aspekt, por edhe ata duhet ta ndihmojnë veten, e këtu përfshihet edhe bashkëpunimi i plotë me Gjykatën e Hagës", u shpreh ai.
I pyetur rreth kryeministrit të ri të Kosovës, gjeneralit Agim Çeku, dhe ankesave të Beogradit rreth emërimit të tij si dhe akuzave kundër tij për pëfshirje në krime të luftës, Strou tha se ekziston procesi i përshtatshëm në qoftë se individët duan të akuzojnë individë të tjerë për përfshirje në krime lufte, kështu që këto akuza duhet të vendosen para prokurores dhe ata duhet ta bëjnë këtë në qoftë se nuk e kanë bërë deri tani. Por ai theksoi se nuk i takon atij të vendosë për këtë, por kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Karla Del Ponte.





(Kohapress)