Mendja njerëzore ndoshta e ka të pamundur të shpjegojë atë çfarë ka ndodhur përgjatë një viti në një qytet të veriut të Greqisë, ku dy prindër, emigrantë nga Shqipëria, kanë lejuar një grek të kryente marrëdhënie seksuale me fëmijët e tyre, kundrejt parave. Tre fëmijë të emigrantëve shqiptarë, më i madhi ishte vetëm 13-vjeç, janë abuzuar seksualisht për një vit të tërë, me dijeninë e prindërve, ndërsa historia e mësipërme është zbuluar vetëm gjatë ditës së djeshme. Greku 47-vjeçar, biznesmen nga Edhesa, ka rënë në pranga paraditen e djeshme, me akuzën e marrëdhënieve seksuale me të miturit, por prangat nuk iu janë kursyer edhe dy të ashtuquajturve prindër nga Shqipëria. Mbi ta pritet të ngrihen akuza edhe më të rënda nga autoritetet greke.
***
Sipas të dhënave të policisë greke, të bëra publike dje, një 47 -vjeçar grek, biznesmen nga Edhesa, kryente prej më shumë se një viti marrëdhënie seksuale me tre fëmijë me origjinë shqiptare. Bëhet me dije se dy fëmijët 9 dhe 13 vjeç, kanë qenë vëllezër, por së bashku me ta është abuzuar seksualisht edhe një tjetër 9-vjeçar. Pas arrestimit, pedofili 47- vjeçar ka rrëfyer dje në polici se kishte lidhje me tre fëmijët që në janar të 2006.Gjatë kësaj kohe, ai i merrte të tre fëmijët me makinën e tij dhe i çonte në vende të vetmuara dhe të braktisura. I vinte të shikonin DVD me përmbajtje pornografike dhe më pas kryente me ta vepra të turpshme. E sikur të mos mjaftonte rituali i pedofilisë, i kryer me dijeninë e prindërve, 47-vjeçari nga Edhesa regjistronte gjithçka me anën e një kamere. Policia greke bëri me dije dje seka sekuestruar si prova materiale një aparat DVD si dhe një kamera, së bashku me kasetat e filmuara prej 47-vjeçarit.Policia po heton përmbajtjen e kasetave, për mbledhjen e provave të mjaftueshme materiale.
***
E tmerrshmja e gjithë kësaj historie tronditëse është se prindërit e fëmijëve ishin në dijeni të plotë me atë që ndodhte. Madje, ata e kishin kthyer shfrytëzimin e fëmijëve të tyre në burim fitimi. Mësohet se babai i dy fëmijëve 9 dhe 13 vjeç, merrte nga greku 100-150 euro për çdo herë, në mënyrë që pedofili të vazhdonte marrëdhëniet me të dy fëmijët me pagesë. Ndërsa babai i 9- vjeçarit tjetër, kur për herë të parë mori vesh se çfarë kishte ndodhur nga i biri, nuk i shkoi ndërmend t'i drejtohej policisë. Në vazhdim ai kërcënoi grekun se nëse nuk i jepte 50 mijë euro, do ta denonconte në polici. Zyrtarë të policisë greke bënë me dije dje se ai e "shiti" fëmijën e tij vetëm për 2 mijë euro, e pas marrjes së parave ai e bindi të birin të mos fliste me asnjeri se çfarë bënte me 47- vjeçarin. Pas arrestimit të pedofilit grek, policia zbuloi gjithë historinë e shfrytëzimit të tre fëmijëve shqiptarë dhe arrestoi prindërit e tyre. Ndaj babait të dy fëmijëve pritet të ngrihet akuza e bashkëpunimit në krim, ndërsa babai i 9-vjeçarit do të përballet edhe me akuzën e kërcënimit për qëllime përfitimi. Po dje, avokati i 47- vjeçaritka pranuar se veprimet e klientit të tij përbëjnë krim ndaj të miturve.
3 Fëmijë shqiptarë, dy prej të cilëve vëllezër, janë shfrytëzuar seksualisht nga një pedofil grek për një vit të tërë. Përveç abuzuesit, në pranga kanë përfunduar edhe prindërit e fëmijëve, të cilët kishin rënë dakord kundrejt parave
150 Euro merrte babai i dy fëmijëve 9 dhe 13-vjeç, për çdo herë që pedofili grek kryente marrëdhënie seksuale me ta, në mënyrë që këto para t'i merrnin për një kohë të gjatë. Ndaj tij policia ka ngritur akuzën e bashkëpunimit në krim
2000 Euro ka qenë ujdia e prindit të dytë shqiptar, për të lejuar grekun të abuzonte seksualisht me të birin.Kur ka mësuar ç'kishte ndodhur, ai i ka kërkuar grekut 50 mijë euro, por më pas ka heshtur kur ka marrë 2 mijë euro .
Gazeta SHEKULLI
Krijoni Kontakt