Faleminderit fjollat dhe fioreal,
Nënë Tereza - shpirt i kombit
Bujar Leskaj*
Gonxhe Bojaxhi e njohur kudo si Nënë Tereza, është njeriu që mëshirës i dha pushtet. Kumti i saj e kapërcen kohën, duke u shndërruar në njësi e pakapshme për të. Ajo iu shfaq botës në kohë të errëta për t’i dhënë dritë. Shekulli që prej pak kohësh kaloi, qe i pasur në histori dhe personalitete, por të gjithë dhe gjithçka njohën vlerësime dhe kundërshti, ndërsa gruaja “e vogël” jo, pa mëdyshje të gjithë u bashkuan në konsideratën se Nënë Tereza është shenjti i gjallë, sfera më e epërme e qenieve njerëzore. Ajo frymëzoi krahasimet e gjithkujt që do të harmoninë dhe virtytin. Gonxhja shqiptare u shndërrua në gjuhë, fjalët e së cilës njeriut i thanë dhe i provuan se dashuria është e mundur. At Zef Pllumi me origjinalitetin e patjetërsueshëm, na jep këtë përcaktim mbi marrëdhëniet e Nënë Terezës me fenomenet e shekullit. “Tiranët mizorë sot përçmohen edhe prej njerëzve të vet. Bankierët e mëdhenj, të pasun, dinakë e “misët” trupëbukurat flutura, lule të vyshkuna, kanë mbetë pa emën. Paradoks i madh i këtij shekulli, Nanë Tereza e Kalkutës prej kombit të shqiptarëve. Ajo nuk pati kurrë kapitale, as pushtet shtetnor: kje vetëm shpirti i dashunisë për jetën, për njeriun e për Zotin, që e bani të madhe para njerëzve të këtij shekulli”.
Si qytetar i këtij vendi, por edhe si ministër i kabinetit “Berisha”, gjej rast të theksoj që Nënë Tereza nuk ka provokuar kurrë gjë tjetër veçse mirësi, paqe, dashuri, tolerancë aq sa kjo botë e madhe postmoderne pa madhështinë e asaj gruaje shtatbrishtë do të ishte e mangët. Ajo hyri në mes të lebrozëve, të përbuzurve të varfërve, pa i pyetur kurrë të ç’feje jeni, të ç’race, kombi, vendi apo ngjyre. Ajo e mbështolli njeriun me petkun e humanizmit, duke u shndërruar në ikonë të kësaj ndjesie për të gjithë globin. Ta konsiderosh atë vetëm si murgesha që i përket botës katolike, do të thotë që ta zvogëlosh pafundësisht. Do të zemëroheshin hindutë, myslimanët, ortodoksët që ajo i deshi pa dallime.
Kur Nënë Tereza merrte çmimin Nobel për paqe, klika që komandonte vendin e saj Shqipërinë, e denigroi e madje nuk e lejoi që të vendoste një tufë me lule mbi varrin e të dashurve të saj, duke na vënë përsipër një njollë turpi, ndonëse para saj të mëdhenjtë e politikës dhe shoqërisë botërore gjunjëzoheshin. Ajo nuk u zemërua kurrë me ne, përkundrazi në çdo kontinent ajo çoi frymën dhe emrin e Shqipërisë dhe i gjithë ky komb identifikohej me të.
Shqipëria e pas 90-ës te Nënë Tereza gjeti forcën për t’u ringritur, mori diçka nga ajo, duke iu afruar botës si populli i saj në të njëjtën kohë Nënë Tereza kuptoi që shqiptarët pa kurrfarë, dallimi e kishin pranuar atë si shpirt të kombit. Kur në vitin 2003 papa Gjon Pali i Dytë shpalli lumturimin e Nënë Terezës, flamujt tanë kombëtarë, duke u valvitur hareshëm në sheshin e “Shën Pjetrit” në Vatikan, te çdo shqiptar sanksiononin një krenari të ligjshme, sepse mund të thonin me plot gojën jemi bashkëkombës të Nënë Terezës.
Ndaj historisë është legjitime të kesh opinione e qëndrime të ndryshme, por ama besoj që janë fort të paktë ata shqiptarë që nuk e kuptojnë dhe besojnë që ADN-në e këtij kombi e kanë ngjizur emrat madhorë të Gjergj Kastriotit, Buzukut, Budit Bogadanit Veqilharxhit, Kristoforidhit, Naimit, De Radës, i Qemalit, A Zogut, Konicës, Fishtës, Nolit, Gurakuqit, Rugovës dhe më tepër akoma emri i Nënë Terezës.
Në kuadrin e politikave të reja që po ndërmerr MTKRS-ja, që konsistojnë në ndërgjegjësimin ndaj vlerave kombëtare dhe forcimit të kujtesës historike, ne realizuam këtë monument dhe vendosëm që të respektojmë Shkodrën, qyteti i cili ndër mote ka qenë shembull qytetërimi, kulture, bashkëjetese e tolerance pikërisht i atyre vlerave që Nënë Tereza përçoi kudo në botë. Në tetor të vitit 2005 unë si ministër i Kulturës nga foltorja e teatrit “Migjeni”, propozova që pikërisht në këtë qytet, simboli universal i vlerave humane pra Nenë Tereza të ketë përmendoren e saj dhe mbaj mend mirë që shkodranët m’u përgjigjën me një duartrokitje të nxehtë, e cila ma forcoi më tej bindjen time. Shkodra na flet përditë me historinë e saj, bash në agimet e pavarësisë Gjergj Fishta së bashku me klerikët myslimane të qytetit bashkon me drita kishën dhe xhaminë. Kjo dritë nuk u shua asnjëherë sepse ajo është emëruesi i përbashkët i shqiptarisë, kjo dritë që nga Shkodra ka ndriçuar mbarë botën tonë. Këtë dritë Nënë Tereza e përçoi në të gjitha skajet, çka tregon se toleranca nuk i buronte vetëm nga doktrina, por edhe nga raca të cilës i përket.
Ky detyrim i yni (dhe besoj i çdo shqiptari) mendoj se do të konkretizohet edhe në qytete të tjera si Vlora, Durrësi apo Korça, sepse ne e dimë që lavdia e saj nuk ka nevojë për asgjë ndërsa ndërgjegjja, shpirti dhe të vepruarit tanë kanë nevojë për të. Ja ç’na shkruan ajo në vitin e vrazhdë 1997; “Kujtoni se Zoti ka krijuar secilin prej nesh për gjëra të mëdha; të duam dhe të na duan. Ky është kuptimi i jetës, të cilin asnjë vuajtje nuk mund ta largojë prej nesh. Çdo burrë, çdo grua, çdo fëmijë është vëllai im, motra ime dhe unë duhet t’i dua gjithsecilin, ashtu si Zoti na do të gjithëve… Nëna po lutet shumë për të gjithë popullin tim të dashur të Shqipërisë, derisa secili të mësojë të dashurojë deri në dhimbje në mënyrë që t’i sjellë paqe vendit dhe zemrave të gjithsecilit. Le të lutemi”. Për ta nderuar ashtu siç duhet Nënë Terezën dhe për të përkufizuar më mirë lidhjen shpirtërore të popullit tonë me këtë shenjtore, MTKRS-ja dëshiron që brenda këtij mandati qeverisës të mundësojë fillimin e punimeve për të ndërtuar muzeun ndërkombëtar Nënë Tereza në Tiranë.
Duke ndjekur parimin e saj që thotë “Dashuria ndërton dhe urrejtja shkatërron”, shoqëria jonë do t’i hapë vetes rrugë të reja integruese.
Unë jam i bindur që Këshilli Bashkiak i Shkodrës, duke iu bashkuar iniciativës jo vetëm të ministrit të Kulturës, por të mbarë opinionit në një nga sheshet e bukura të qytetit të Rozafës do të dijë t’i gjej monumentit të Nënë Terezës vendin që i takon natyrshëm. Ky akt do të jetë konfirmim i radhës i qytetarisë shkodrane e një hop i ri tejet emancipues.
*Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Krijoni Kontakt