I vdekur, me një plumb në kokë, është gjetur dje në orët e para të mëngjesit një futbollist i ri korçar, Elis Bame. Trupi i 17-vjeçarit u gjet në kodrat “Partizani” të qytetit. Banor i lagjes “Radanec”, Elisi ishte djali i vetëm i familjes Bame.
Pas vdekjes së tij prindërit mbetën pa fëmijë. Sipas hetimeve të zhvilluara deri dje pasdite mësohet se futbollisti është ekzekutuar në vendin ku edhe u gjet trupi, shumë afër Kishës së Shën Todrit që është ngritur vitet e fundit në këto kodra. Sipas krerëve të policisë hetimet po zhvillohen në tri pista, të cilat përmblidhen në një hakmarrje të mundshme ndaj vetë të riut apo familjes së tij.
Gjetja e trupit
Të parët që e kanë zbuluar trupin e pajetë të 18-vjeçarit në kodrat e qytetit ishin një grup qytetarësh, të cilët që në orët e para të mëngjezit ishin ngjitur për të bërë fizkulturën e përditshme. Trupi i 17-vjeçarit është gjetur vetëm tre metra larg rrugës automobilistike që të çon në malin e Moravës. Një pellg gjaku gjendej në kanalin anash rrugës, gjë që sipas ekspertëve nënkupton se në fillim 17-vjeçari ishte qëlluar pikërisht aty dhe më pas është tërhequr zvarrë për ta fshehur, pak më tej. Sipas hetimeve të para Elis Bame është vrarë në orët e vona të mbrëmjes, pa shkuar ende mesnata. Ai është çuar në kodrat e qytetit me mjet, i cili pas ekzekutimit është larguar së bashku me vrasësin apo vrasësit. Për disa orë rresht trupi i pajetë i të riut mbeti i paidentifikuar. Ka qenë policia që ka mundur të kryejë identifikimin duke u mbështetur tek disa të dhëna individuale që kishin në kartelën e Elis Bames, mbasi tre vjet më parë ai ka qenë i dyshuar për plagosjen e një polici, krim të cilin e mori përsipër babai i Elisit, Arturi, dhe për të është duke kryer dënimin me tre vjet burg.
Autorët e krimit kanë pasur qëllim hakmarrjen, sepse ata nuk i kanë marrë viktimës së tyre asgjë edhe pse djali mbante disa zinxhirë të trashë prej floriri në dorë e në qafë dhe në portofol iu gjet një shumë e madhe lekësh. Të fundit që e kanë parë Elisin kanë qënë shokët e tij të lagjes, disa prej të cilëve ishin edhe shokët e ekipit të futbollit të Ligës Amatore U 19, me të cilët ai stërvitej çdo ditë. Ata u ndanë rreth orës 21.00, më pas askush nuk di të thotë se ku ka shkuar 17-vjeçari. Nëna e tij, Majlinda, ka pritur gjithë natën në ankth kthimin e të birit, i cili nuk është dukur në shtëpi as në mëngjes. Duke patur një parandjenjë të keqe, ajo ka lajmëruar vëllezërit e të shoqit. Elisi ishte fëmija i vetëm i Artur dhe Majlinda Banos. Prindërit e tij prej vitesh kanë punuar tregtarë në Pazarin e Korçës. Ata shisnin aparate telefonash celularë.
Në dhomën e burrave dje qëndronin të përlotur dy nga 6 xhaxhallarët e Elisit, Vasfiu dhe Festimi. Ata sapo ishin kthyer nga policia, ku kishin dëshmuar çka dinin rreth vrasjes së nipit. “Elisin e kisha nip dhe e doja shumë. Nuk ishte as i fjalëve e as i sherreve. Pasioni i tij i vetëm ishte sporti. Si i ri që ishte edhe nxitohej ndonjëherë, por prindërit dhe ne e këshillonim dhe shpresonin se duke u rritur do të bëhej më i përmbajtur. Nuk di që ai të ketë pasur ndonjë hasmëri, por di që familja kishte bërë sherr me një familje tjetër në lagjen tonë. Para katër vjetësh, në këtë lagje u vra një djalë i ri. Si autor i kësaj vrasjeje u përfol një kushëri i nënës së Elisit, që herë pas here qëndronte tek familja Bame. Të afërm të tij fajësuan familjen e tim vëllait dhe vazhdimisht kërcënonin, por nuk ma merr mendja që hakmarrja të ishte kaq e madhe sa të vinin dorë mbi Elisin e pafajshëm”,-thotë njëri prej tyre, Vasfiu.
“Kërkojmë drejtësi, kërkojmë që shteti të verë dorë dhe të zbardhë të vërtetën. Ne jemi fis i madh dhe në rast se mbulohet krimi do të veprojmë vetë”,-tha njëri nga xhaxhallarët e tjerë të viktimës.
Trajnerët
“Elisi, golashënuesi më i mirë i Ligës Amatore U 19”
Trajnerët Dion Kushe dhe Robert Çingo të Ligës Amatore U 19, skuadër me financim privat, të cilët stërvisin ekipin e futbollistëve të rinj, ku bënte pjesë Elisi, ishin përfshirë në organizimin e ceremonisë mortore. “Do ta nderojmë djalin se e meriton, ishte nga më të mirët e ekipit tonë!”,-thanë ata pa fshehur dhimbjen dhe lotët. Sipas Kushes “Elisi ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës. Ishte kërkues ndaj vetes dhe kishte një talent që kishte tërhequr vemendjen e trajnierëve të ekipeve të të rriturve. Ishte shumë punëtor, para dite ndihmonte nënën në pazar, pasdite stervitej dhe në mbrëmje vazhdonte shkollën e mesme. Dëshira e tij e vetme ishte të bëhej futbollist i njohur. Në fazën e parë të kampionatit që sapo përfundoi u klasifikua golashënuesi më i mirë. Me humbjen e tij mendoj se Korça humbi një nga sportistët e talentuar dhe me të ardhme në këtë sport“. Deri në orët e vona të pasditës, nga Komisariati i Policisë në Korçë nuk u dha ndonjë version zyrtar rreth motiveve të vrasjes së Elisit. Kreu i këtij komisariati ka pohuar për gazetën se ishin duke u kryer hetime në tre pista, të cilat kishin për bazë hakmarrjen ndaj vetë 17-vjeçarit dhe familjes së tij. Mësohet se gjatë ditës së djeshme janë shoqëruar në polici rreth 20 persona që janë mbajtur për orë të tëra. Shpjegime kanë dhënë edhe disa të rinj që kanë qëndruar deri në orën 21.00 me Elisin në një nga sheshet e lagjes „Radanec“ ku jetonte 17-vjeçari. Ndarja prej tyre dhe largimi i Elisit për në shtëpi duket se ka mbetur një nga pikat më të rëndësishme për hetimet e policisë.
Shokët e tij nuk kanë pohuar se me cilin ka qenë kur është nisur drejt shtëpisë, ndërsa një nga xhaxhallarët e 17- vjeçarit ka pohuar se nipi i tij gjithmonë rrinte i shoqëruar, që kur familja e tij ishte kërcënuar, Elisi nuk lihej asnjëherë vetëm. Fakti që ai është gjendur i vetëm me autorët e vrasjes përbën për policinë një moment shumë delikat dhe të dyshimtë. Gjithsesi hetimet vazhdojnë dhe sot pritet që policia të shprehet më qartë rreth zbardhjes së kësaj vrasjeje
Krijoni Kontakt