Kreu i LSI-së tha se ishte kundër marrëveshjes së opozitës, pasi ajo ishte e tipit të Mega-Dushkut
Meta: Do të dalim të vetëm në zgjedhje
“LSI-ja ka përzgjedhur 450 kandidatë për zgjedhjet e ardhshme lokale, në të cilat LSI-ja do të dalë e vetme”
D. Ndrenika
TIRANË- Partitë opozitare gjenden përballë një dështimi për bashkëpunimin ndërmjet tyre, sepse Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi prerë se nuk do të bëhet pjesë e marrëveshjes me Partinë Socialiste, duke u mbështetur në votat dhe rezultatet e zgjedhjeve të 3 korrikut 2005. Ilir Meta, kryetar i LSI-së, tha dje se “LSI-ja është kundër marrëveshjes së partive të majta, sepse ajo nuk mund të bëhet pjesë e krizës së opozitës dhe as pjesë e këtyre marrëveshjeve të paramenduara të tipit të Mega-Dushkut”. Meta deklaroi se “LSI-ja ka përzgjedhur 450 kandidatë për zgjedhjet e ardhshme lokale, në të cilat LSI-ja do të dalë e vetme në konkurrim për të fituar”. Meta i bëri komentet në konferencën për shtyp të mbajtur për investimet publike në Shqipëri, për të cilat shtoi se janë në rënie dhe nuk kanë përmbushur asgjë nga premtimet që ka bërë Partia Demokratike gjatë fushatës zgjedhore dhe as premtimet e qeverisë së saj. “LSI-ja ka një marrëveshje madhore me të gjithë ata shqiptarë, të cilët besojnë te dinjiteti i votës së tyre, që u cenua në mënyrë makabre më 3 korrik nga Mega-dushku. Së dyti, beson plotësisht në fuqinë e saj organizative-elektorale dhe do të bëjë aleancën e saj me qytetarët shqiptarë dhe me ato grupe shoqërore dhe individë me integritet”, -ka thënë Ilir Meta. Pandashëm nga gjykimi mbi marrëveshjen ndëropozitare të nënshkruar nga PS-ja me PAD-ja, PSD-ja dhe PDS-ja, Meta ka shtuar se për LSI-në kjo është vijimësi e paragjykimeve të tjetërkujt. “Nuk besoj se kjo çështje meriton vëmendje të madhe nga ana jonë, pasi kemi të bëjmë me një marrëveshje të paravendosur prej kohësh dhe totalisht të paragjykuar nga të tjerët. Në këtë drejtim, mua më mbetet të theksoj se ne nuk do të bëhemi pjesë e krizës së opozitës tjetër, e mungesës së saj të reformimit, të mungesës së konceptit të bashkëpunimit dhe të ndarjeve të përgjegjësive. Dhe njëkohësisht nuk kemi ndërmend të bëhemi pjesë e pyllit të Dushkut, i cili sigurisht po e atrofizon atë pjesë të opozitës që është përgjegjëse për këtë proces, por që për fat të keq ka dëmtuar rëndë legjitimitetin e institucioneve në vend”, -ka thënë Meta, duke shigjetuar praktikat partiake të socialistëve, mosgarancinë e PS-së se po reformohet, se po ndryshon, se po tregon përparim dhe se ka një mendësi të re. Për Ilir Metën, mbetet gjithashtu pa shqetësim për LSI-në përballja me zgjedhësit, pasi që ai mendon se dinjiteti i votës së tyre u nëpërkëmb nga PD-ja dhe PS-ja. “Ne hyjmë tani në procesin e përzgjedhjes së 470 kandidatëve të LSI-së për të gjitha bashkitë dhe komunat në vend dhe të 6 mijë kandidatëve për këshilltarë në të gjitha nivelet e komunave, të bashkive dhe të qarqeve”, -ka thënë Meta, duke saktësuar shifrën e të zgjedhurve për konkurrim në vendoret e ardhshme, jashtë aleancave me PS-në, për të cilën mëse njëherë ka thënë se kurrfarë nuk e ka larguar “nanoizmin” në praktikat, veprimet dhe qëndrimet e saj. I etiketuar ngahera prej PS-së e sidomos nga PSD-ja se bën lojën e të djathtës, Meta ka thënë se “dua të siguroj të gjithë shqiptarët se fokusi kryesor i LSI-së mbetet opozita ndaj qeverisë së Berishës, si një qeveri e paaftë për të hapur fronte pune për shqiptarët dhe e aftë për të hapur fronte lufte me të gjithë institucionet në këtë vend; Së dyti, mbetet përgjegjësia jonë për të kontribuar në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive për integrimin evropian të vendit, proces që siç e vëreni po shtyhet nga muaji në muaj, ku besoj se nuk ka të bëjë vetëm me arsye teknike. Së treti, padyshim që mbetet sfida e zgjedhjeve vendore, ku LSI-ja do të hyjë për të fituar dhe tashmë do të zhbllokojë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në të gjithë vendin”. Qëndrimi i Ilir Metës është se forcën e tij “nuk mund ta mbaj peng askush dhe aq më tepër ata që janë peng të së kaluarës së tyre aspak të lavdishme dhe tepër të dyshimtë”.
Krijoni Kontakt