29- nëndori
ky simbol i rrejshëm i shqiptarëve
Debati i ndezur së fundmi në mediat elektronike dhe ato të shkruara të shtetit amë, lidhur me 28 – 29 nëndorin, sigurisht nuk mund të jetë pa vend. Përkundër disa ideve me orgjinë kriptokomuniste se “duheshka festuar të dy datat”debati në thelb, rreket të zbulojë se mitet dhe simbolet e rrejshme të shqiptarëve, tani vlen të shihen realisht, të mos hymnizohen dhe dora- dorës nëse e kërkon koha edhe të na sjellin baltën e kohës,së paku jo neve,të mbetur jashtë kufijve dhe rreth e për rreth shtetit amë. Janë momente të rëndësishme historike kur datat na bashkojnë,por ka edhe asi datash të cilat na hidhërojnë, madje edhe na hedhin në kujtimin e dhimbjeve dhe plagëve të cilat në vazhdimësi kërkojnë sakrifica e shërime,por ja që gjurmët janë,mjerisht të thella,e një date e tillë është edhe ajo e 29 nëndorit.datë e cila ashtë lidhshmëri e pashkëputur me ate të komunistëve gjakpirës jugosllav,dhe vuajtjet gjysëmshekullore nën ate krijesë ma së miri I dime ne shqiptarët jashtë shtetit amë,andaj ky debat domosdoshmërisht ta tërhek edhe neve në mbrendësitë e saja.
Nostallgjitë e rrejshme
Për të sqaruar më realisht lexuesin shqiptar, vlen të merret në konsideratë fakti që me ardhjen e demokracisë në shtetin amë ( Shqipërinë politike ), në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar, atributet e shtetit të parë shqiptar iu caktuan me të drejtë qeverisë së Vlorës, nën kryesinë e Ismail Qemalit, madje data 4 dhjetor 1912, dita e parë e punës e kësaj qeverie, ka hyrë në analet e historisë të shqiptarëve si dita e themelimit të shtetit shqiptar. Natyrisht në këtë rishikim të plotë të historisë dhe për më tepër të simboleve të saj, u angazhua jo vetëm qeverisja demokratike e asaj kohe por edhe politilogë, studjues ,historianë, gazetarë, deputetë dhe u paraqitën një varg provash të pakontestueshme lidhur me krijimin dhe funksionimin e shtetit të parë shqiptar. Të vetmit që e kundërshtuan këtë akt, në vitet 1992 – 1993 ishin një tufë pleqsh nostalgjikë të së keqes së kaluar, të cilët sot e kësaj dite, mbajnë nëpër dollapët e shtëpive të tyre, dekoratat apo urdhërat e çlirimit me simbolet drapër e çekan, të huazuara prej Moske e Beogradi.
Deri këtu gjithçka shkoi mirë por me ardhjen në pushtet të bolshevikëve shqiptarë në vitin 1997, me ndihmën e Beogradit, Athinës dhe grykëve të kallashnikovëve, avangarda e pleqve nostalgjikë sikur u gjallërua. Në vitet që rodhën më pas, institucionet e manipuluar të shtetit amë, nën ndrydhjen dhe shtjellën ideologjike të helmatisur, bënë ç’ishte e mundur që miti i rrejshëm i 29 nëndorit, fitores të komunistëve, “të ringrihej” përmes gjithfarë veprimtarive antishqiptare, duke anashkaluar apo lënë në harresë të plotë jo vetëm ngjarje kulmore të tilla, siç janë ngritja e flamurit në Vlorë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit,formimi i shtetit të parë shqiptar, por edhe një varg figurash të shquara që lidhen në mënyrë organike me ngjarjet epokale të kombit tonë. Sa për ngjarje apo data të tjera, të cilat lidhen me shqiptarët etnikë në Mal të Zi, Kosovë, Iliridë apo Çamëri, as që u tha ndonjë fjalë në këta vjet. Mbi këto ngjarje e burra të shquar, të cilët nuk kursyen as jetën për trojet tanë etnikë, qëllimisht, fatalisht dhe institucionalisht është derdhur vetëm vrerë dhe errësirë.
Ndërkaq fitorja e të djathtëve shqiptarë në zgjedhjet e kësaj vere, dhe në mënyrë të veçantë afrimi i festive të 28 – 29 nëndorit, duket se ringjallëroi shtratin e lumit të debateve allashqiptarçe. Të parët që u hodhën në ofensivë ishin avangarda e bolshevikëve, e cila kërcënoi deri në referendum, nëse 29 nëndori nuk do të ishte festë kombëtare për gjithë shqiptarët. Pas tyre dhe politikanë të cilët ngjiten në shkallët e Kuvendit të Shqipërisë me votat e 70- 80 vjeçarëve të matufosur, po përpiqen të mbajnë në këmbë simbolet gjakatare, vetëm e vetëm për hirë të karriges, pa çarë kokën se çfarë qëndron pas atyre miteve që ideuan dhe mbajtën në këmbë, një prej diktaturave totalitariste më të egra në krejt Evropën Lindore. Çështë më e keqja, televizione që në Tiranë kanë marrë liçensa si televizione publikë kombëtare, u bjenë borive të melodive sllave, lidhur me problemin ne fjalë.
E pra në këto momente e shoh të udhës të sqarojmë disa hamendje e dyshime të cilat, duan apo s’duam ne, lidhen me mite të tilla që për 5 – 6 decenie me radhë, kanë shërbyer jo vetëm si emocion ngazëllyes për shqiptarët, por edhe si pika referimi, prej të cilave kanë marrë udhë dhe janë zhvilluar proçese të shumtë social – politikë edhe etnologjikë. Dihet tani që Lufta e Dytë Botërore i ndau shqiptarët në dy kampe. Kampi i parë, ai nacionalistëve, ishte rryma demokratike dhe nacionaliste, e cila përfshiu ne vehtvete burrat më të shquar të Shqipërisë, brenda dhe jashtë kufijve politikë në prillin e vitit 1939, atëhere kur pushtimi i vendit tonë prej Italisë fashiste u bë fakt i kryer. Vizionet që përfshinë udhëheqjen e këtij kampi ishin padyshim perëndimore, për faktin se këta, jo vetëm kishin të studiuar dhe jetuar në Itali, Austri, Amerikë, Francë, Gjermani, por edhe se bënin pjesën më të pasur të familjeve shqiptare. E thënë ndryshe, këta ishin pinjollë të familjeve të mëdha shqiptare në shekujt 19-20, çka përbënin ashtin e vetedijes sonë kombëtare.
Ndërsa kampi i shqiptarëve të tjerë ( pa dashur t’i fyej aspak) jo vetëm që nuk bënin pjesën në grupin e familjeve të mëdha, por më e keqja ishte se ishin të ndikuar prej ideologjisë komuniste e importurar prej sllavëve,me prapavija djallëzore të tyre. Them më e keqja sepse, që këta të luftonin kundër okupatorit do të ishte një shëmbull ideal, por që paskëtaj t’u vërsuleshin për t’i shtypur e zhdukur krejt vlerat që mbartin familjet e mëdha, kjo ishte tragjedi. Dhe kjo tragjedi nuk vonoi. Në fundnëndorin e vitit 1944, aradhat partizane e lanë ushtrinë gjermane të largohej e qetë nga Shqipëria, ndërsa nuk vonuan të organizojnë ekspeditat ndëshkimore të tipit bolshevik ndaj ‘borgjezisë”, përndryshe familjeve të mëdha shqiptare,madje edhe ndaj formacioneve ushtarake nacionaliste siç ishin ato të Ballit Kombëtar, Lidhjes së Dytë të Prizrenit më pas të NDSH-së,dhe e tërë kjo bëhej në bashkëpunim të ngushtë me partizanët e çetnikët serbosllav.Dhe si rrjedhjojë e këtyre ndëshkimeve ndaj “reaksionarëve”,ishte aq e përgjakur saqë zgjati deri me nënshtrimin e Kosovës dhe viseve tjera etnike shqiptare nën ishjugosllavinë titiste Kjo bëri që në 50 vitet e diktaturës komuniste, një pjesë e shqiptarëve, ata që cilësoheshin “fitimtarë”, ta shihnin 29 nëndorin si simbolin më të madh kombëtar, ndërsa pjesa tjetër, ajo e dhunuara në burgje dhe kampe të tmerrshëm pune, ta shihte si fatkeqësi, nga cila kërkonte të shpëtonte një orë e më parë. Ky andikap në mardhëniet e shqiptarëve mes veti, jo vetëm që nuk mund të shërbente si si një festë ngazëlluese, por për më tej, gozhdët e këpucëve në parada ushtarake, aplaudimet frenetike në plenumet komuniste, hapnin plagë të reja në ndërgjegjen historike të shqiptarëve.
Tradhëtia ndaj 28 nëndorit
Në kushtet e debatit të sotëm, unë do t’u kujtoja lexuesve se vlen të ndalemi në gjëra thelbësore, doktrinore dhe jo në kujtime veteranësh dhe aq më keq dokumente të sajuar për 50 vjet në bodrume arkivash të ideologjizuar. Kështu, është pranuar tanimë prej të gjithëve ne, se udhëheqja komuniste shqiptare u shërbente me servilizmin më të madh politik interesave të Beogradit. Këshilltarët jugosllavë në udhëheqje të komunistëve të Tiranës, vetëm emrin kishin të tillë, pasi të shumtën e kohës dirigjonin të gjtha veprimet, aksionet dhe aq më shumë strategjinë e udhëheqjes. Për të mos u zgjatur me këtë çështje , mjafton të përmend faktin se në arkivat e shtetit shqiptar ndodhen midis të tjerash, fjalët e Sejfulla Malëshovës, udhëheqës i lartë i komunistëve shqiptarë, i cili thekson midis të tjerash se “Miladin Popoviç ka qënë udhëheqës kryesor i Partisë Komuniste Shqiptare. Kongresi i Përmetit si dhe krijimi i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar ishin kryer prej tij, pasi Partia jonë: as Komiteti Qëndror nuk e kuptonin kongresin”. ( Arkivi Qëndror i shtetit- Tiranë. Fondi AP.)
Pra jo vetëm krijimi i Shtabit të Përgjithshëm, por edhe mekanizma e ngjarje të tjera të komunistëve shqiptarë, deri tek kongresi i Përmetit, ai që vulosi përfundimisht drejtimin e Shqipërisë në kahje të popujve sllavë, mbajnë vulën sllavo – ortodokse. Pa dashur të hyj në imtësira dhe dokumente të tjerë, mendoj të sjellë në këto radhë një urdhër të E. Hoxhës që mban datën 19 nëndor 1944 dhe që gjendet sot në dosjen e dokumentave të Shtabit të Përgjithshëm. Midis të tjerave këtu thuhet tekstualisht: “Qeveria do të hyjë në Tiranë më 28 nëndor. Duhet të sigurohet qyteti dhe të arrestohen elementët me të vërtetë të dyshimtë. Partia dhe të tjera organizata të mobilizohen për sigurimin e qytetit, vençanërisht rinia. Qyteti të jetë i pastruar nga shenjat e luftës, rrugët të jenë të hapura. Të sigurohen banimet dhe ushqimet për qeverinë, këshillin, shtetin, rininë, gruan dhe të gjithë personelin e tyre, rreth 250 vetë, përveç 300 vetave të batalionit të Shtabit. Të rregullohen zyrat. Për 28 nëntor të thirren delegacione nga 10 – 15 veta nga Durrësi, Kavaja, Shijaku, Elbasani, Peqini, Shkodra, kruja, Peza, krahinat e Peshkopisë dhe e Kukësit. Për jugun lajmërojmë ne. të thërriten delegatë nga fshatrat afër tiranës. Të sigurohet buka përgjithësisht në qytet dhe veçanërisht për 28 nëndorin, që të mos bëhen çrregullime atë ditë. Të organizohet një paradë e madhe për 28 nëndorin me brigadën I, IV, VIII, XV. Nëse ndonjëra prej këtyre ndodhet larg të zëvendësohet. Të organizohen manifestime të mëdha për këtë ditë ku të marrin pjesë në mënyrë të organizuar i gjithë populli. T’u jepen udhëzime organizatave të tjera të Shqipërisë së mesme dhe të veriut për këtë festë. Ardhja e qeverisë të mbahet konspirative. Enver”
Më 28 nëndor 1944 qeveria komuniste hyri triumfalisht në Tiranë, duke u brohoritur nga fshatarët e shumtë të ardhur prej rrethinave, ashtu sikundër jepte porosi të veçanta komandant Enveri. Në fjalën e tij, midis të tjerave ai e pagëzoi 28 nëndorin si ditë të çlirimit dhe gjithmonë sipas tij, kjo ditë do të kujtohej plot lavdi prej shqiptarëve. Gjithashtu këtë ditë e njoftoi jo vetëm shtypi i tiranës por edhe ai në Shkodër e gjetkë. Në arkivat e Shqipërisë ende ruhet sot zëri i spikerit të Radio-Moskës, i cili uronte 28 nëndorin në emër të gjeneralizmit Stalin, për popullin shqiptar.
Por përse duhej çuar ora e shqiptarëve 24 orë më para?
Ndonëse gjermanët ishin larguar nga Shqipëria, ndonëse shqiptarët iu rikthye normalisht jetës, tani Tirana duhet të paguante borxhet e pushtetit tek Beogradi. Ishin me mijra vullnetarët e shtetit amë që dërgoheshin të luftonin kundër gjermanëve, përkrah vëllezërve jugosllavë, kurse vetë “vëllezërit” bënin kërdinë ndaj shqiptarëve të pafajshëm në vise të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare. Udhëheqja e klikës komuniste shqiptare, nëpërmjet emisarëve të Beogradit, po përgatitej të shndrohej në një shtojcë të sllavëve, për të çuar deri në fund, çdo aventurë të tyre ndaj popullit tonë.
Çdo ditë e më shumë, në Beograd dhe Tiranë, krahas mardhënieve gjithfarësh po strukturohej ideja që edhe shteti amë pra Shqipëria e cunguar mund të ishte Republikë më vehte brenda Republikës Federale Jugosllave. Pikërisht për këtë, duheshin sinkronizuar jo vetëm çështjet institucionale por edhe simbolet apo mitet. Kështu, në 22 majin e vitit 1945, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, e vetëshpallur si një presidencë do të merrte vendimin mbi shpalljen e festave të reja të vendit, ku çuditërisht do të hiqej fare data 28 nëndorit 1944. kështu, në Fletoren Zyrtare të datës 16 qershor 1945, midis të tjerave lexojmë:
Vendim nr. 73
Mbi shpalljen e festave zyrtare
Kryesia e Këshillit Antifashistë Nacional Çlirimtar
Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar në mbledhjen e datës 22 maj 1945 vendosi: Të shpall festa zyrtare:
1. Dita 16 shtator – përvjetori i Konferencës së Pezës.
2. Dita 10 korrik – festa e Ushtrisë përvjetori i formimit të shtabit të përgjithshëm të
Ushtrisë Nacional Çlirimtare.
3. Dita 24 maj – përvjetori i Kongresit të Përmetit.
Tiranë, më 22 maj 1945.
Për Kryesinë e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar
Sekretari; Koço Tashko,
Kryetari Omer Nishani”
Ndërkaq më 29 nëndor 1943 ishte mbajtur në ish –Jugosllavi mbledhja e dytë e AVNOJ dhe përgatitej që 29 nëndori 1945 të shpallej Republika Federale Popullore Jugosllave nga Ansambleja Popullore e vendit. Prandaj, për t’u sinkronizuar vendimet, udhëheqja e Tiranës nuk pyeti shumë, as për çfarë kishte thënë disa muaj më parë, dhe as për atë se çfarë miqësie po farkëtonte me sllavët, këta armiq shekullorë të viseve arbërorë. Ajo çfarë ndodhi më pas, me buletinët e luftrave, me dokumentet e Partisë Komuniste apo të Shtabit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar të Shqipërisë, ishin vetëm spekulime ideologjikë e perversë.
Pa hyrë në diskutime e debate pa vlerë, pa u marë me faktin se kur ka ikur ushtari i fundit gjerman nga trojet shqiptare ( sepse duhet vlerësuar më parë çfarë lloj pushtuesi ka qënë ai për kombin tonë) unë e shohë “zjarrin” e ndezur të këtij debate akoma më thellë. Lufta vëllavrasëse e shqiptarëve në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kërkon ndriçime më të thella,jashtë inateve dhe fanatizmave ideologjike.Asnjëra palë nuk mund të mbetet peng i palës tjetër,e aq më tepër të kuazihistorianëve shqiptarë të cilët vazhdojnë të dërdëllisin ende sot pa përdorur forcën e faktit. Shoqëria e sotme shqiptare vlen të ndahet saora nga mendësitë komuniste sllave jo thjeshtë për t’u inkuadruar në proçese mbrenda shqiptare për vllezërim e bashkim kombëtar por edhe për të dezinfenktuar njëherë e mire kombin nga ky virus sllav . Veteranët e luftës,partizanët e ndershëm, duhet të distancohen nga 29 nëndori sepse ata nuk i ka lidhur dhe nuk i lidh asgjë me Beogradin, nuk mund të mbajnë përgjegjësi për udhëheqësit e tyre të dikurshëm. Këto mite duhen denocuar dhe gjykuar thellë nga studjues e historian shqiptarë, të cilët ndershmërisht punojnë në të mirën e kombit dhe atdheut shqiptar.Me mijëra janë ende sot ,varet e martirëve të kombit tone,të cilët u flijuan për çlirimin e vendit dhe lirinë e kombit,pikërisht nga tradhëtitë e së kaluarës.Ndaj 29 nëndori mbetet në garbiçen e mbeturinave të së kaluarës.
E.SH.
Krijoni Kontakt