Po postoj kete artikull, mbi kete gruan e Et'hemit, pasi e di se c'mall eshte...![]()
Shpirtke si thua ti a martohet njeri me diturine me 240 letra nga Parrrrisi...lol
Grate e politikaneve rrefehen
Intervista/Flet Dituria, bashkëshortja e politikanit të njohur Ethem Ruka
“240 letrat e Ethemit nga Parisi”
Dorina TOPOLLAJ
Për pesë vjet, e shtuna ka qenë dita më e bukur e javës për të. Atë ditë Dituria priste me padurim letrën nga Ethemi, që prej vitesh s’ishte më shoku i lojërave me top e me flokët e prera shkurt, por shoku i jetës së saj. Ai, në atë kohë studionte në Paris, e lidhja mes tyre është ruajtur me besnikëri në 240 letrat që bashkëshortja e politikanit dhe shkencëtarit të njohur i ruan edhe sot me fanatizëm. Sytë i përloten, ndërsa kujton atë kohë kur jetonte e vetme me djalin gjashtë muajsh. Por sapo kalon ndër mend ato vite, sytë i marrin sërish shkëlqimin e mëparshëm dhe fytyra i çelet. “Kam jetuar një jetë të pasur dhe të pastër”, tregon me sinqeritet kimistja, duke thënë se është ndjerë e vlerësuar nga bashkëshorti dhe dy djemtë e saj. Mbi oxhakun e shtëpisë së saj shndrit portreti i “Nënë Terezës” i derdhur në argjend, një dhuratë që bashkëshorti ia ka dedikuar për 50-vjetor. Më me vlerë se argjendi i porositur në Itali, është krahasimi që ai i ka bërë të shoqes me bamirësen shqiptare. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, Dituria tregon jetën me politikanin e njohur, Ethem Ruka. Si u njohën që në fëmijëri dhe momentet më të vështira të jetës së saj. Çfarë i ka thënë për lëvizjet në politikë dhe pse i ka kërkuar të japë dorëheqjen kur ishte ministër.
Kur jeni njohur me bashkëshortin tuaj?
Unë kam një histori të veçantë në njohjen në çift, pasi bashkëshorti im ka qenë komshi me mua. Erdhi nga një fshat i Tepelenës në Gjirokastër, ku bëri edhe shkollën e mesme. Ka qenë 13 vjeç dhe erdhi te motra, e cila e rriti siç rriti fëmijët e vet. Unë isha 7 vjeç atëherë, dhe ne luanim bashkë, shëtisnim bashkë me gjithë fëmijët e lagjes, shkonim dhe vinim nga shkolla me gjithë grupin. Jetonim në një lagje të veçantë të Gjirokastrës, ku kishte vetëm ushtarakë. Babai im ishte oficer me gradë madhore.
Kur filluat ta shihnit ndryshe mikun tuaj të fëmijërisë?
Ndryshe e kam parë kur fillova vitin e parë në universitet për Kimi Industriale. Ka qenë momenti kur Ethemin e kishin mbajtur pedagog, pasi doli me rezultate të shkëlqyera. Unë e adhuroja se ai studionte shumë dhe se ishte i palodhur në punë.
E kujtoni momentin që ju shprehu ndjenjat për herë të parë?
Dashuria erdhi shumë natyrshëm. S’kishte nevojë për një propozim formal. Isha shumë modeste dhe serioze, kjo gjë e tërhoqi atë. Unë e adhuroja dhe ai më adhuronte.
E kujtoni me bashkëshortin kohën e fëmijërisë?
Ethemi kujton një gjë të veçantë që ma ka thënë shumë kohë pas martesës. Më kujtonte të shëndoshë, të urtë, të veshur me një fustan mbi gju të lidhur nga pas me një rrip flutur dhe flokët e dendura të kapura bisht lart. Më tha se isha shumë e urtë dhe se s’nxirrja zë çfarë do që të ndodhte. Kujtojmë kur loznim me top e me litar. Ndërsa unë e mbaj mend me flokët të prera shumë shkurt. Madje shumë shpejt gjatë kohës që jemi njohur, pothuaj në moshën 20 vjeç, atij i kanë rënë flokët. Mua nuk më bënte fare përshtypje. Kur bisedonim me shoqet në konvikt, ato thonin e dua burrin me flokë të zeza, e duam bjond, e duam me flokë shumë. Unë kur shihja Ethemin, thoja vetëm pak i kanë rënë atij. Këtë gjë nuk e vija re se isha e verbuar nga zgjuarsia e tij. Profesori i Ethemit, e ka vënë të japë mësimin e laboratorit në vit të katërt për bashkëmoshatarët e tij.
Lindja e fëmijëve e zbeh apo e shton dashurinë?
Lindja e fëmijëve e shton dashurinë. Unë kolegeve të mia, vartëseve të mia u them gjithmonë: bëni mirë të bëni të dytin se s’ka si familja. Të parin kam lindur Rudensin dhe unë e doja shumë një fëmijë mashkull se ne ishim 4 motra dhe një vëlla në shtëpi. Kur erdhi koha për fëmijën e dytë, unë prapë e doja djalë, ndërsa Ethemi tha se kjo ishte absurde. Ai tha se do gëzohej sikur të ishte vajzë. Tani që po kalojnë vitet, më vjen keq që s’kam bërë një vajzë.(qesh). Jam shumë e gëzuar për fëmijët e mi. Rudensi ka mbaruar në Angli për Arkeologji, ndryshe nga ç’donim ne si prindër. Ethemi e kishte ëndërr që ai studionte për Mjekësi. Ndërsa i dyti quhet Maren, dhe është me rezultate të shkëlqyera në Mjekësi.
Thonë që vjehrra e harron kohën e saj të nusërisë, po vjehrra juaj?
Mua vjehrra më ka vdekur. Para se të vdiste, në sallën e reanimacionit ku ajo po jetonte momentet e fundit të jetës, pa pritur e pa kujtuar, ajo tha: “Unë do t’ia lë uratën Diturisë dhe Ethemit”. Ajo ka thënë shprehimisht këto fjalë: “Uratën të ketë Dituria, 100 vjet të vejë, një gjemb të mos i hyjë, në mjaltë shkeltë”. Jam emocionuar shumë, nuk e prisja dhe s’kisha jetuar me të.
Sa e pasur është familja juaj?
Unë i përmbahem asaj shprehjes, as s’kam dhe as nuk më mbarohet. Llogarinë e mbaj unë. Mirëpo Ethemi shpesh më thotë, se të dëgjojë njeri se ka gruan nga Gjirokastra, do të thotë kushedi sa i pasur është Ethemi. Vetëm unë të njoh sesa prish, sikur e ke dorën me vrimë. Unë nuk e di se çfarë e do burrin, ministër po, deputet po, duke shkruar libra po..(qesh). Unë fal edhe shumë. Por, jam nikoqire në shtëpi. Rrallë mund të drekojmë jashtë, unë gatuaj shumë mirë dhe e kam hobi gatimin.
Po për punët e shtëpisë ju ndihmon?
S’e kam lënë vetë Ethemin të merret me punët e shtëpisë, pavarësisht se ai është shumë i kujdesshëm dhe i ndjeshëm. Unë kam një karakter të fortë dhe i kam përballuar të gjitha vetëm. I kam thënë vetes se ky burrë ka shumë punë për të bërë, ai ka dëshirën, potencialin intelektual, dhe unë s’mund ta pengoja për egoizmin tim, por kam marrë përsipër punët. Unë habitem kur shumë nga shoqet e mia marrin në telefon burrin dhe i thonë të lyejnë shtëpinë apo gjëra të tilla. Ethemi është shumë i shpenguar me këto. Ai shpesh thotë se mbështetja e Diturisë ka qenë e pafundme. I jam përkushtuar familjes sime pa kursim dhe për këtë fëmijët dhe bashkëshorti më kanë vlerësuar. Një nga librat që ka shkruar që titullohet “Skllevër apo zotër të gjeneve tona”, ma ka përkushtuar mua.
A ju bën bashkëshorti dhurata?
Me raste, pa raste, ai e ka në tip të bëjë dhurata. Dhuratat më tipike të tij janë lulet, se ai është paska biolog (qesh). Por, më e veçanta është ajo e dy viteve më parë. Ishte një ditë shumë e lodhshme pune për mua. Shoqëroja disa specialistë të huaj francezë që kishin ardhur te Inspektoriati Shtetëror i Punës. Vija nga Butrinti dhe ora ishte 11 e natës. Më doli para në Durrës se ishte edhe koha e keqe. Kur hyra në shtëpi ishte ora 12:00 e natës. Hapa dritat dhe përballë sa hyra te dera, te kolltuku ishte një pako e madhe dhe një tufë me lule. I thashë Ethemit pse s’i kishte futur lulet në vazo, se ai ka zakon të blejë lule të freskëta çdo të shtunë. Ai më tha se mi kishte blerë mua se kisha 50-vjetorin. E kisha harruar fare. Hapa kutinë dhe në të gjej një portret të Nënë Terezës të punuar me argjend, të cilën e kishte porositur në Itali. Pas shumë vitesh, më thotë “Ti Dituri je si Nënë Tereza”. “Shyqyr e paske kuptuar” i thashë. (qesh). Ai më tha se e kishte kuptuar prej vitesh, porse priste 50-vjetorin të ma thoshte. Jam ndjerë shumë e emocionuar dhe shumë e vlerësuar. Atë natë kam fjetur pak, me gjithë lodhjen e madhe.
A ju ka shkruar letra bashkëshorti apo kartolina?
Në pesë vjet më ka shkruar 240 letra me shumë mall, përkushtim, vlerësim dhe dashuri. Ishte koha kur Ethemi shkoi për studime në Paris dhe unë isha me fëmijën 6-muajsh vetëm në Tiranë, në një shtëpi me qira. Një letër më vinte mua ditën e shtunë dhe një letër nisja unë. Unë i përshkruaja me detajet më të vogla djalin tim, foli..., eci..., hëngri..., qau..., belbëzoi.... Njëherë kur Ethemi erdhi në vitin e tretë, jam mallëngjyer shumë pasi kur i thashë djalit shko te babi, djali s’iu afrua. Jo mami nuk dua unë këtë babi, dua babin në fotografi. Në bufen 2500-she ku kishim librat, qelquriat, si të gjithë në atë kohë. Aty kisha fotografinë e Ethemit. Unë e pyesja për jetën e Parisit, për jetën atje. Ai më përgjigjej në mënyrë të përgjithshme për këto pyetje. Ndërsa bëja pyetje për shkencën për kulturën, më shpjegonte sesi ishte treni i shpejtësisë së lartë, por unë s’i imagjinoja dot. Unë u kënaqa se jeta jonë mori kthesë krejt tjetër. Dëgjoja për arritjet e tij dhe kjo gjë më gëzonte pa masë. Ethemi bëri ekuivalentimin e diplomës, studimet e thelluara që këtu quhen Master dhe Doktoranturës. Profesori i atjeshëm, donte ta mbante në Francë si pedagog. Por në të njëjtën kohë, bëra një sakrificë shumë të madhe se mbeta vetëm me djalin 6-muajsh dhe isha vetëm 25 vjeçe. Shoqet e punës, drejtori, kryeinxhinieri më kanë mbështetur maksimalisht ato kohë. Ndryshe nga të tjerët punoja nga 6:30-14:30. Këtë e bënin ngaqë isha jabanxhi dhe me një fëmijë të vogël. U jam shumë mirënjohëse atyre.
Debatoni shpesh dhe cila është tema e debatit?
Debat ka, por ka edhe tolerancë. Ai harxhon shumë kohë për njerëzit, si për njerëzit jashtë dere, ashtu edhe për miqtë apo fisin. Përpara nuk e kam vënë re këtë gjë, por tani që jeta sikur po mblidhet, ai është 58 vjeç, unë 52 më vjen keq që ai harxhon kaq shumë kohë me ta, në disa raste edhe kur nuk e meritojnë. Një temë tjetër ku debatojmë unë e Ethemi janë pantallonat. Mua më pëlqen shumë të vishem me pantallona, Ethemi ka shumë dëshirë të vishem me fund. (qesh)
Nëse keni mundësi më rendisni tri gjëra pozitive që të sjell të qenit bashkëshorte politikani dhe tri gjëra negative..
Në gjërat pozitive mund të fus mundësinë dhe kënaqësinë që më është dhënë kur kam arritur të ndihmoj shumë njerëz. Ethemi ka qenë 14 vjet deputet, ka drejtuar disa ministri dhe njerëzit kanë trokitur pa fund në dyert tona. Unë jam gëzuar sa ata, ose më shumë kur kam pasur mundësi t’i ndihmoj. Udhëtimet, janë një gjë tjetër pozitive të cilat i kam gëzuar ngaqë bashkëshorti im ka qenë politikan. Kam qenë edhe në varrin e Faraonit në Piramidën e Keopsit. E treta, është festa e “7 Marsit”, ku Ethemi merr dhurata dhe telefonata pa fund edhe tani, dhe kjo më jep kënaqësi të madhe. Sa për negativet, ka shumë, por do veçoja këto të tria. E para, më hoqën nga puna në vitin 1992. E dyta, nuk do ta harroj kurrë kur na kanë qëlluar me armë në shtëpi në vitin 1994 kur ishim në opozitë. Në vitin 1996, në mitingun pas humbjes së Partisë Socialiste më kanë rrahur djalin.
Çfarë i keni thënë bashkëshortit tuaj për lëvizjet në politikë?
Të të them të drejtën kur ishte ministër Arsimi, pati momente që nuk po e përballoja dot. Ishte viti 1997 dhe shikoja se te dera e shtëpisë vinin shumë njerëz për punë, për shkollë, vinin njerëz të sëmurë. Duke u nisur nga karakteri i Ethemit që s’i thoshte kurrë jo, dhe unë njësoj si ai, jam lodhur shumë. Fillova të jem e mbyllur, të mos dal, shkëputa telefonin e shtëpisë se isha kthyer në një sekretare të Ethemit. Pastaj në atë kohë kishte shumë greva, dhe më kujtohet një grevë në Qytetin Studenti që zgjati shumë dhe unë i lutesha Ethemit që të bënte dorëheqjen. Ai s’pranoi se donte të bënte reformë. Unë pezmatohesha me grevat, mendoja më te keqen, po sikur të ndodhte gjë, do të mbetej në histori ministri që vdiq filan student. Kam përjetuar shumë keq atë kohë. Tani kur i shoh ministrat e Arsimit, më vjen keq.
A flet për punën bashkëshorti juaj dhe a ju kërkon këshilla?
Jo, kohën e ka pasur shumë të kufizuar dhe këshilla s’më ka kërkuar, por unë ia kam dhënë vetë me mendjen time. Ai ka bërë sikur më ka dëgjuar, por ka bërë siç ka dashur.(qesh)
A mendoni se një ditë bashkëshorti juaj do të bëhet President?
Asgjë nuk është e pamundur.
Kush eshte Dituri Ruka
Dituri Ruka ka lindur në Gjirokastër, por sipas bashkëshortit të saj, “dorën e ka me vrimë”. “Shpenzoj shumë, por edhe fal shumë”, përpiqet të justifikohet 53-vjeçarja e diplomuar për Kimi Industriale. Është martuar në vitin 1977 dhe që në atë vit e deri në ’92-shin ka punuar si shefe laboratori në Ndërmarrjen Kimike. Zonja Ruka ka përfunduar edhe kurs pasuniversitar, por kjo s’e ndihmoi në vitet 1992-1997, të gjente punë pasi e hoqën për arsye politike. Që nga ’97 e deri më tani punon si drejtoreshë në Drejtorinë e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë në Inspektoriatin Shtetëror të Punës. Nëna e dy djemve, ka pasion kërcimin dhe të kënduarit të këngëve të çdo treve. Në vitin 2001, në një show vallëzimi me mbi 100 çifte konkurrentë që u organizua te restorant “Piazza”, Dituri dhe Et’hem Ruka u përzgjodhën si çifti që kërcen më bukur. Për këtë u vlerësuan me një biletë udhëtimi për në Nju Jork. Ka një garderobë të larmishme dhe gatuan shumë mirë.
Tirana-Observer.
Krijoni Kontakt