Si çdo shqiptar, edhe unë i pres me padurim dhe ankth
bisedimet e Vjenës për statusin e Kosovës. Më duket se
zemra po më del nga vendi. Me këtë rast edhe unë nuk mund
të rri pa i thënë Grupit negociator nëpërmjet “Rimëkëmbjes”
nja dy fjalë urimi: Punë të mbarë dhe suksese, suksese,
suksese dhe një “porosi” të vonuar. Për të qenë i ndershëm,
porosinë nuk e kam tamam nga vetja ime; e kam nga historia.
Nga Historia e ngritjes së Shqipërisë Nanë vendosa të
përcjell një përvojë duke riprodhuar pa asnjë koment një
copëz nga “Kujtimet” e politikanit dhe diplomatit shqiptar
Mehdi Frashëri.
“Me Blinishtin bashkë, u nisëm nga Gjenova e Italisë për në
Gjenevë të Zvicrës. Në stacion doli na priti major Abrami,
që ishte ingliz dhe sekretar i seksionit politik të Lidhjes
së Kombeve. Na mbajti për drekë në restorantin afër
stacionit dhe pastaj u ndamë. Major Abrami ishte porositur
prej inglizëve që të përkrahte çështjet tona në Lidhjen e
Kombeve.
Atëherë direktor i minoriteteve ishte zoti Kolban, një
suedez nga nënshtetësia, njeri shumë i ëmbël dhe i drejtë,
siç janë popujt skandinavë. Sekretari i përgjithshëm i
Lidhjes ishte zoti Enric Drumont, me nënshtetësi inglize.
Blinishti ishte sekretar i përgjithshëm pranë Lidhjes së
Kombeve në Gjenevë dhe banonte në “Hotel de Russie”,
prandaj edhe unë rashë në këtë hotel, ku kishte ndenjur
edhe dërgata e parë shqiptare e kryesuar prej Imzot Fan
Nolit. Të nesërmen vajta e u poqa me zotin Enric Drumont,
me Kolbanin e me major Abramin.
Të pasnesërmen ishim të thirrur në këshill, që krysohej
prej ministrit të Jashtëm të Britanjës së Madhe, zoti E. J.
Belfour, një plak tepër simpatik dhe i ditur, dashamir për
shqiptarët, saqë kuptohej edhe nga fjalët, edhe nga gjestet
e tij.
Unë për herën e parë paraqitesha në Lidhjen e Kombeve
përpara diplomatëve më të mëdhenj të botës.
Qeveria shqiptare, simbas vendimit të Këshillit të Kombeve,
kishte adaptuar një ligj rreth organizimit të komuniteteve
fetare. Këtë ligj e kisha hartuar vetë, kur isha ministër i
Brendshëm, dhe i ishte paraqitur për dijeni Lidhjes së
Kombeve.
Pasi u dhashë shpjegimet e duhura, dola jashtë. Komisioni i
Lidhjes së Kombeve që kishte ardhur në Shqipëri, kishte
paraqitur raportin e vet për sa u përkiste minoriteteve.
Profesor Sederholmi, me qëllim që të emërohej nga ana e
Lidhjes si inspektor për aplikimin e dispozitave që u
përkisnin minoriteteve, kishte marrë edhe pëlqimin e Xhafer
Ypit (kryeministër i Shqipërisë-BXh) për këtë inspektim të
Lidhjes së Kombeve, por, meqenëse një gjë e tillë do të
çelte shumë plagë në Shqipëri, unë u fjalosa me Enric
Drumont-in, me zotin Kolban dhe me major Abramin, duke u
thënë se një inspektim permanent nuk ishte i pajtueshëm me
parimet e sovranitetit të një shteti dhe sidomos nuk kishte
asnjë precedent për shtetet e tjera që kanë minoritete
shumë më të rëndësishme, prandaj një gjë të këtillë nuk
mund ta pranonim (bold-BXh); sa për pëlqimin e
kryeministrit tonë, kjo do të ketë rrjedhur nga një
mosmarrëveshje. Profesor Sederholmi kishte rënë në “Hotel
de Bergues” dhe ishte i sëmurë. Vajta e poqa në shtrat dhe
i bëra fjalë se pëlqimi i kryeministrit rridhte nga
mosmarrëveshja, dhe qeveria, ashtu dhe parlamenti shqiptar,
nuk mund të pranonte një gjë të këtillë. Kurse në realitet
qeveria e atëhershme, për mungesë eksperience, e kishte
pranuar një gjë të këtillë.
Mbi këto veprime e demarshe, në vendimin e Këshillit
kontrollimi permanent u la jashtë, megjithëqë grekët kishin
bërë ç’ishte e mundur për ta futur këtë kontroll në
Shqipëri. (Mehdi Frashëri, “Kujtime (Vitet 1913 - 1933”
OMSCA-1, 2005, f. 140 - 142).
Mu fiksua gjithë shqetësim ky pasazh qysh se pat filluar
zhurma e madhe për afrimin e ditës së bisedimeve për
zgjidhjen e statusit të Kosovës, por sidomos kur lexova
shkrimin e zotëri Mexhid Yvejsit nga Gjakova “Kosova hyri
në vitin e ri me iluzione të vjetra” botuar në “Rimëkëmbja”
të datës 24 janar 2006. “...Bisedimet nuk janë për statusin
e Kosovës, por për statusin e serbëve brenda në Kosovë”,
shkruan ai duke iu referuar një burimi diplomatik që më
përshkoi si një thikë e ftohtë. Nuk besoj të ketë përshkuar
ndonjë vend tjetër më shumë se sa Shqipërinë ajo “thika e
ftohtë e diplomacisë”. I përcjellim shqetësimin Grupit
negociator kosovar që të përpiqen sa të munden, të mos
lejojnë t’i ngulet Pavarësisë ndonjë gozhdë e madhe e
ndryshkur në faqe të murit në emër të mbrojtjes së të
drejtave të njeriut sa që, për ta shkulur më pas, ajo mund
të tërheqë pas vetes gjithë faqen e murit e të rrezikojë të
shëmbë krejt ndërtesën e Pavarësisë duke i zënë brenda
shqiptarët. Inshallah diplomacia nuk do t’i vënë mbi kurriz
të Pavarësisë ndonjë arkë me xhama për t’i bërë shqiptarët
të flasin me vete.
Shkodër, 14 shkurt 2006 Bajram XHAFA
Krijoni Kontakt