Autor - RAGIP SYLAJ
UDHËKRYQI KULTUROR
/A injorohet kultura nga vetë krijuesit e saj?/
[ ]
(© Autori - All Rights Reserved)



--------------------------------------------------------------------------------

A INJOROHET KULTURA NGA VETË KRIJUESIT E SAJ?
Krijuesit e arteve, me një mirëkuptim dhe respekt më të madh të ndërsjellë, do të mund të bënin shumë më tepër në ripëtëritjen edhe të energjive e edhe të parave. Në të kundërtën, duke e injoruar njëri-tjetrin (mbase pavetëdijshëm) do të vazhdojnë ta injorojnë vetveten dhe frytet e punës së tyre shpirtërore. Dhe në këtë kontekst, në vend të mbylljes do të mund të bëhej më shumë për hapjen dhe ndritjen e perspektivës

Edhe sivjet, pavarësisht prej nivelit të arritur, po bëhen të gjitha përpjekjet që në fushën e kulturës të ruhet së paku kontinuiteti i saj. Por, çka e karakterizon këtë kontinuitet, i cili përballet me vështirësitë e përcjella si çdo kulturë e transicionit? Një e vërtetë e njohur është se ngjarjet kulturore tashmë nuk përcillen me pompën që dikur i hynin në punë pushtetit dhe strukturave udhëheqëse të tij. Këtë pompë të papompë tash e ka zëvendësuar reklama, e cila iu drejtohet atyre që më së paku e kanë hallin e së bukurës. Të konsideruara dikur si ngjarje festive të përgjithshme, ato tash më tepër janë festa të vogla për autorët e tyre, ndërsa disa takime kulturore pamjen festive më tepër e marrin kur ato i shoqëron snobizmi, i cili një ditë mund të shndërrohet në një shprehi për të bashkëjetuar me frytet e artit. Sidoqoftë me rrjedhat e artit e të kulturës pothuaj përgjithësisht të gjithë krijuesit nuk janë gjithaq të pakënaqur. A thua prej nga e ka burimin kjo pakënaqësi dhe ç'bëjnë vetë krijuesit që ta tejkalojnë këtë gjendje të rendë?

(Mos)solidarizimi i ndërmjetvetshëm i krijuesve

Përgjigjet që do të duhej dhënë në një varg pyetjesh, a thua i sjellin ndonjëherë nëpër mend vetë krijuesit, si p. sh.: A i lexojnë shkrimtarët veprat e njëri - tjetrit? A i shikojnë artistët, aktorët, regjisorët, muzikanët etj. shfaqjet e njëri - tjetrit? A shkojnë shkrimtarët në shfaqje të koncerteve të ndryshme (p.sh. të filharmonisë), në shfaqjet e teatrit, të filmit, në ekspozita etj.? Po, piktorët e krijuesit tjerë të arteve a e marrin (a blejnë) librin letrar për ta lexuar, ose a i përcjellin ata manifestimet e tyre letrare? A ka kooperim të ndërmjetvetshëm në kuptimin kualitativ të fjalës e jo në kuptimin kooperativist? Të gjithë ankohen se injorohen nga njëri-tjetri dhe të gjithë vazhdojnë ta injorojnë njëri-tjetrin, pa harruar se ata e kanë për borxh moral, së paku, se do të duhej ta respektonin punën e njëri-tjetrit, së paku për hir të respektit të ndërsjellë dhe të njëfarë solidarizimi. Dhe, kjo do të ndodhte po të mos ndodhte katandisja aty ku jemi kredhur shumica, për të mos thënë të gjithë pa përjashtim. Prandaj jorastësisht, Adem Mikullovci, në komedinë e tij, "Ti mos u përziej", ku ka dashur të bëjë një shfaqje urbane me aktorë të rinjë, e ku trajtohen edhe problemet e artit, moto e saj del thënia "Ai që merret me art është i dështuar, i humbur". Ndoshta për ta vënë pikën mbi i gjithnjë e më shpesh po e kultivojmë një varg të ri emblematik, që një ditë mund të na bëhet edhe refren o bobo: Rreth humbjes të përbashkuar! Ndoshta ky varg parodizues do të mund të bëhej edhe titull i një komedie të ardhshme, ose pjesa e dytë e komedisë së Ademit.

Krijimi i një vepre është krijimi i botës

Por, ndokush do të mundë të pyeste edhe ndryshe: në bëhet fjalë për vepra artistike apo për kuazivepra të kësaj natyre? Nëse do të ishte fjale për veprat surrogate të artit sigurisht që nuk do t'ia vlente të shtrohej një diskurs i tillë, i kotë. Por, cila është në fakt ajo vepër arti që do ta meritonte përkujdesjen dhe solidaritetin tonë për të mos thënë përkuljen ndaj saj? "Çdo vepër lind nga pikëpamja teknike, krejtësisht siç ka lindur kozmosi…Nga katastrofa të cilat, duke filluar me buçitjet kaotike të instrumenteve, arrijnë të bëjnë një simfoni që quhet muzikë e sferave. Krijimi i një vepre është krijimi i botës", thotë piktori impresionist Vasilij Kandinski.

Ndoshta një mirëkuptim më i madh ndërmjet vetë krijuesve do ta impononte edhe një sjellje tjetër, një përgjegjësi më të madhe edhe të vetë institucioneve dhe asociaioneve të kulturës ndaj krijuesve të këtyre vlerave. Madje, ky rigjallërim për të bashkëjetuar me veprat e artit dhe me proceset krijuese do të bëhej edhe model për ta kultivuar dhe shijuar kulturën edhe në qendrat komunale të Kosovës e më gjerë. Mirëpo, fatkeqësisht tash për tash mungon një promotor i tërë kësaj energjie (të fjetur). Nga kjo rrjedh se fati i krijuesve është në duart e vetë krijuesve dhe se nuk mund të pritet që shpejt të bie mrekullia nga qielli. Ne (krijuesit), me një mirëkuptim dhe respekt më të madh të ndërsjellë, do të mund të bënim shumë më tepër në ripëtëritjen edhe të energjive e edhe të parave. Në të kundërtën duke e injoruar njëri-tjetrin (mbase pavetëdijshëm) do të vazhdojmë ta injorojmë vetveten dhe frytet tona të punës shpirtërore. Dhe në këtë kontekst, në vend të mbylljes, do të mund të bëhej shumë më tepër për hapjen dhe ndritjen e perspektivës. Ndoshta ky diskurs do t'i ngjajë një projekti iluminist, por ne edhe ashtu siç po dëshmohet gjithnjë e më shpesh praktikisht nuk kemi shkuar më tej.

RAGIP SYLAJ