Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu i ka dhënë mandatin Agim Çekut që të formojë qeverinë e re të Kosovës, vetëm një ditë pas dorëheqjes nga posti të ish-kryeministrit Bajram Kosumi.


Çeku ka qenë në krye të Trupave Mbrojtëse të Kosovës

Z. Çeku u propozua në post nga partnerja në koalicionin qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Më herët gjatë ditës, z. Çeku u takua me kryeadministratorin e Kosovës, Soren Jesen Petersen.

Pas takimit z.Çeku, ish-komandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, tha se me të marrë mandatin, do të fillonte punën për të krijuar qeverinë e re.

Ndërkohë, shefi i UNMIK-ut Jesen-Petersen, tha se i kishte bërë thirrje kryeministrit të ri që të përshpejtonte zbatimin e standardeve dhe të siguronte që Kosova do të bënte ç'është e mundur për të ofruar cilësi më të lartë të jetesës për të gjitha bashkësitë e saj.

Ndryshime

Zhvillimet e së enjtes pasuan dorëheqjen e kryeministrit Kosumi dhe vendimin e partisë më të madhe në koalicionin qeverisës, Lidhjes demokratike të Kosovës, LDK për të larguar Nexhat Dacin nga posti i kryetarit të Parlamentit.

Qeveria e re e Kosovës do të mbështetet në marrëveshjen ekzituese për koalicion mes AAK-së dhe LDK-së, dhe pritet që të bëhen të ditur edhe emrat e ministrave të kabinetit qeveritar.

LDK-ja ka bërë të ditur se do të shkarkojë edhe disa ministra nga radhët e saj.

Figurë popullore

Agim Çeku është i lindur më 29 tetor 1960 në rrethin e Pejës.

Në kohën e ish-Jugosllavisë ka pasur një karierë ushtarake.

Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë.

Konflikti në Kosovë e bëri atë një nga figurat më popullore.

Ai ka qënë një nga komandatët kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pas luftës ai ishte komandat i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, një organizëm që doli nga ish-UÇK-ja.

Puna e tij në krye të TMK-së vlerësohet veçanërisht për përfshirjen në të të minoriteteve.

Ndërkohë, klasa politike në Kosovë, por edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë deklaruar se ndryshimet politike, nuk do të ndikojnë në procesin e filluar të negiciatave për përcaktimin e statusit final të Kosovës