Socialistët pendohen për bojkotin e Parlamentit
Socialistët që kanë dalë nga dera e Parlamentit po kërkojnë të rifuten atje qoftë edhe nga dritarja, por tani për tani pendesa e tyre nuk po gjen rrugët e duhura për ta bërë këtë gjë me dinjitetin që i takon opozitës. Kjo, për shkak se largimi i deputetëve socialistë nga salla e Kuvendit ka rezultuar si një veprim i nxituar i cili çoi në bojkot forcën kryesore të opozitës. Për këtë arsye, krerët e kësaj partie janë duke kërkuar ndihmën e presidentit Moisiu, për një ndërmjetësim të mundshëm midis palëve. Tani duket se pretekset e kërkuara nga deputetët e Partisë Socialiste për të braktisur Parlamentin, kanë rezultuar të dështuara dhe qëllimi i deputetëve është fokusuar tek gjetja e një preteksti tjetërqë të mundësojë hyrjen “dinjitoze” të tyre në sallë. Kësisoj, trokitja në portën e presidentit për të negociuar një ballafaqim të mundshëm, rezultoi e pasuksesshme, pasi selia blu e kundërshtoi hapur këtë alternativë. “Presidenti mund të ndërhyjë vetëm kur ka krizë, por në këtë rast situata është krejtësisht normale”, janë përgjigjur ata. Kjo përgjigje e selisë blu e ka vështirësuar rikthimin e deputetëve socialistë, të cilët gjatë ditëve të fundit të qëndrimit të tyre në Parlament kishin marrë me vete në formën e rekuizitës edhe bilbilat apo prangat. Duket se tani për tani socialistët nuk kanë më asnjë rrugë të ndërmjetme për t’u rikthyer si “fitimtarë”, përveç rrugës së vetme që t’i kërkojnë ndjesë elektoratit të tyre për destabilizimin artificial të punimeve kuvendore. Dhe megjithëse ende disa prej deputetëve apo krerëve të selisë rozë janë duke përmendur si kusht, rivotimin e Topallit në mënyrë të fshehtë, përsëri duket qartë se ata kanë hequr dorë nga çdo lloj kushti. Qëllimi i vetëm i tyre është të gjejnë një pikë të mundshme për t’u rikthyer pa kërkuar ndjesë, ngaqë kjo gjë do t’i rëndonte akoma më shumë vendimet e tyre të nxituara për bojkot. Kjo, sepse edhe nga kontaktet e socialistëve me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar ka dalë fare qartë se askush nuk ka pranuar të justifikojë vendimin e bojkotit të tyre, i cili po i lë socialistët jashtë vendimarrjeve të Kuvendit.
< Para Tjetri >
Krijoni Kontakt