Arsimimi dhe meditimi
Civilizimi arsimon, kultura edukon. I pari kërkon mësim, e dyta meditim.
Përsiatja, meditimi, si përpjekje e brendshme për të njohur veten dhe vendin e vet në botë, është aktivitet plotësisht i kundërt nga mësimi, arsimimi, grumbullimi i njohurive mbi faktet dhe raportet e tyre. Meditimi shpie kah urtësia, mirësia, paqja e brendshme, kah një lloj i katarzës greke. Ky është një kthim kah fshehtësitë, kredhje në vetvete për të shpaluar ndonjë të vërtetë religjioze, morale e artistike. Anasjelltas, mësimi është i kthyer kah natyra për t’u njohur dhe për t’u ndryshuar kushtet e ekzistencës. Shkenca aplikon vëzhgimin, analizën, zbërthimin,eksperimentin, verifikimin, ndërkaq kontemplacioni paraqet njohjen e pastër (ke neoplatonizmi madje mënyrën mbiracionale të njohjes). Vëzhgimi kontemplativ është “i liruar nga synimet dhe dëshirat” (Schopenhauer), pra vëzhgim pa funksion, i liruar nga interesi, çfarë s’është asnjëherë shkenca. Kontemplacioni s’është qëndrim i shkencëtarit, por i mendimtarit, i poetit, i artistit, i murgut. Edhe shkencëtari njeh çastet e kontemplacionit, por jo në funksion të shkencëtarit, veç si njeri, si artist (sepse të gjithë njerëzit janë artistë në një farë mase). Meditimi ofron pushtetin mbi vetveten, shkenca mbi natyrën. Shkollimi ynë ndërton vetëm civilizimin tonë dhe vetë ai nuk kontribuon kulturën tonë.
Sikur që sot mësohet shumë, përsëritet, pasohen disiplinat shkencore, ashtu dikur meditohej shumë. “Të urtit nga Laputa, të kredhur në meditim, nuk vërenin, as dëgjonin ata që i shqetësonin me pyetje” (J. Payot: Arti për të qenë njeri). Legjenda thotë se para njohjes së madhe Buda mbeti në breg të lumit tri ditë e tri netë i kredhur në meditim, pa qenë i vetëdijshëm për kalimin e kohës. Kurse Ksenofonti na ka lënë një rrëfim të ngjashëm për Sokratin: “Një mëngjes meditonte për diçka, pa i gjetur zgjidhje; nuk donte të dorëzohej, prandaj vazhdoi të meditonte që nga agu deri në mesnatë dhe qëndronte si i mbërthyer, i thelluar në përsiatje; ndërkaq rreth mesnatës e vunë re dhe përshpëritja pushtoi turmën se Sokrati rri dhe mediton për diçka që nga agimi. Më në fund, në mbrëmje pas darkës, disa jonianë nga kërshëria nxorën rrogozat e vet dhe bujtën nën qiellin e hapur për të pasur mundësi ta kundrojnë dhe të shohin se a do të qëndrojë tërë natën. Ai qëndroi aty deri në mëngjesin pasues, kurse me t’u kthyer dita, bëri uratën dhe mori rrugën e vet” (Ksenofont, Gostia, 220). Galileu, profeti i civilizimit evropian, tërë jetën qe pushtuar nga çështja e rënies së trupave, kurse Tolstoi tërë jetën meditoi për njeriun dhe fatin e tij. Nëse konstruktori i aeroplanit ose i anijes me avull është dashur së pari të mësojë e të eksperimentojë shumë, Buda, Sokrati, Seneka, Gazaliu, Rumiu, Firdusi, Shakespearei, Dostojevski, Hugoi është dashur të meditojnë thellë dhe t’i përjetojnë botët e tyre. Mësimi dhe meditimi janë dy aktivitete të ndryshme. I pari e solli Newtonin deri te zbulimi i ligjit të gravitacionit, i dyti Beethovenin deri te krijimi i Simfonisë IX. Në kundërshtinë ndërmjet meditimit dhe mësimit përsëritet edhe një herë kundërshtia ndërmjet natyrës dhe botës, shpirtit dhe intelektit ose - kulturës dhe civilizimit.
Tekefundit, në natyrë e gjejmë edhe botën edhe njerëzit, në të vërtetë, gjithçka tjetër përveç vetvetes, Unit, personalitetit tonë. Ndërkaq pikërisht përmes Unit tonë ne jemi të ndërlidhur me pafundësinë. Përmes Unit tonë, dhe vetëm përmes këtij, ne ndiejmë lirinë dhe mund të shikojmë botën tjetër të madhe, banorë të së cilës jemi njëkohësisht. Vetëm Uni mund t’i dëshmojë vetvetes se bota e frymës dhe e lirisë ekzistojnë. Pa Unin, pa vetveten, mbetem pa dëshmitarin e vetëm dhe të fundit për një botë jashtë botës së natyrës. Sepse pa mua, gjithçka tjetër është e jashtme dhe fanitëse. Meditimi është ajo kredhje në vete, përpjekje që përmes qenies së vet të kapet dhe të gjendet rruga deri te e vërteta për jetën e vet dhe për ekzistencën në përgjithësi. Ai nuk përpiqet të përgjigjet në problemet e shoqërisë a të njerëzimit. Është fjala për çështjet që njeriu ia parashtron vetvetes.
Hollë e hollë, meditimi as nuk është funksion i intelektit. Shkencëtari që konstrukton tipin e ri të aeroplanit ose që në kokën e vet përpunon detajet e projektit të ndonjë ure a të ndonjë konstruksioni, nuk mediton. Ai mendon, hulumton, verifikon, krahason dhe këto, as veç e veç, as të tërat bashkë, nuk janë meditim. Mediton murgu, poeti, mendimtari, artisti. Këta të fundit përpiqen ta arrijnë të vetmen të vërtetë të madhe, të vetmen fshehtësi të madhe. Kjo e vërtetë do të thotë gjithçka dhe asgjë: gjithçka për një shpirt, asgjë për tërë botën tjetër.
Për këtë arsye meditimi është aktivitet religjioz. Për Aristotelin dallimi ndërmjet mendjes dhe kontemplacionit është dallimi ndërmjet njerëzores dhe hyjnores. Në budizëm urata tërësisht përbëhet nga meditimi dhe kështu manifestohet. Në krishterim hasim “rendet kontemplative” të murgjve, një dukuri krejtësisht të zakonshme. Ndërkaq Spinoza flet për kontemplacionin si formë më e lartë dhe njëkohësisht si qëllim më i lartë i moralitetit.
Vetvetiu arsimimi nuk i edukon njerëzit. Ai nuk i bën më të lirë, më të mirë, më humanë; ai i aftëson, i bën më efikas, më të dobishëm për shoqëri. Sikur dëshmon edhe përvoja historike, njerëzit e arsimuar, popujt e arsimuar, mund të jenë objekt i manipulimit dhe mund t’i vëhen në shërbim ligësisë, por atëbotë shumë më me efikasitet sesa të prapambeturit. Historia e imperializmit është varg i rrëfimeve të vërteta ku shihet se si popujt e civilizuar kanë zhvilluar luftë të padrejtë, shfarosëse dhe robëruese kundër popujve më pak të arsimuar e të prapambetur, që mbronin lirinë e vet. Civilizuesja e agresorit s’pati asnjë ndikim në qëllimet dhe metodat e tij. Ajo pati ndikim në efikasitet dhe vetëm përshpejtoi disfatën e viktimave.
Krijoni Kontakt