LETRA E PARË E PJETRIT
Dëshmitarët e shpresës
Tradicioni më i vjetër që në mbarimin e shekullit të parë ia ka mbështetur këtë Letër Pjetrit, kryetarit të apostujve. Vërtet edhe vetë autori na paraqitet si: »Pjetri, apostulli i Jezu Krishtit« (1, 1) dhe si: »dëshmitari i mundimeve të Krishtit« (5, 1). Paraqitet edhe si: »udhëheqës« që qorton, jo vetëm besimtarët, por edhe vetë udhëheqësit (5, 1-4).
Letra u drejtohet besimtarëve të shpërndarë nëpër Azinë e Vogël, pra të krishterëve jashtë Palestinës.
Të krishterët do të pësojnë vuajtje për fe. Duket se Letra do të ketë qenë shkruar para ndonjë salvimi që ndoshta pritej. Salvimi një ditë do të pëlcasë, por të krishterët le të jenë të kujdesshëm të mos e shkaktojnë (2, 12; 3, 1-17). Po erdhi, të krishterin nuk duhet ta lëshojë zemra, por ta ketë të drejtuar shikimin e vet drejt Krishtit Shëlbues për të ardhmen e lumtur që është takim me Krishtin (1, 5. 13. 20; 2, 12; 4. 5. 13. 17; 5, 1-4. 10).
Gjatë Letrës spikasin këto pjesë: etika e krishterë sipas shtresave të ndryshme të besimtarëve (2, 1 - 3, 7); teologjia e shëlbimit e themeluar në Is 52, 13 - 53, 12 mbi Shërbëtorin Pësues të Jahveut e përshkon mbarë Letrën.
Letra është e shkruar thjesht, por bukur. Stili është i gjallë, gjuha greke e pastër. Është katekezë e shkëlqyeshme për pagëzim.
Plani
Hyrja dhe falënderimi për jetën e re të pagëzimit (1, 3-12)
Detyrat nga jeta e re;
Shenjtërimi, dashuria dhe meshtaria (1, 13 - 2, 10)
Detyrat e të krishterit: kundrejt paganëve (2, 11-12); kundrejt shtetit (2, 13-17); skllevërit (2, 18-25); martesa (3, 1-7); dashuria vëllazërore (3, 8-13); salvimet (3, 13 - 4, 6).
Porosi të ndryshme (4, 7 - 5, 11)
Përfundimi (5, 12-14).
Letra u shkrua nga Roma në vitin 64 para salvimeve të Neronit, megjithëse ka nga ata që mendojnë se u shkrua më vonë, rreth v. 80-96.
Krijoni Kontakt