Close
Faqja 4 prej 5 FillimFillim ... 2345 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 31 deri 40 prej 44
  1. #31
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    PROFETËT E VEGJËL


    Në kanonin biblik hebraisht, libri i fundit i Profetëve, quhet thjeshtë: Të dymbëdhjetët. Duket se është mbajtur si një libër i vetëm i përbërë prej 12 librave predikimeve të dymbëdhjetë profetëve. Të Shtatëdhjetët - greqisht - i quajnë Dodekaprophêtôn - dymbëdhjetëprofetëve /nënk. Libri/.

    Këta qenë përmbledhur me siguri në një libër kryesisht në kohën e Siracidit /Sir 49, 10/.

    Kisha këta profetë i quan: “Të vegjël”, që s’do të thotë se kanë rëndësi të vogël, por pse shkrimet e tyre janë të shkurtëra.

    Renditja e librave në LXX tët nuk është e njëjtë me Biblën hebraisht, kurse Vulgata ka po atë renditje të Biblës hebraisht.





    PROFECIA E OZESË
    - Dashuria besnike, lidhje e përhershme -


    Emërtimi

    Libri quhet: Profecia e Ozesë, sipas emrit të profetit, predikimet e të cilit i përmban.


    Kush është Ozeja?

    Me prejardhje nga Mbretëria e Veriut ose siç quhej edhe Izraeli ose Efraimi. Nuk dimë shumë për të, por veprimtarinë e zhvilloi në kohën e Jeroboamit II e nën mbretërinë e pasardhësve të tij; por nuk duket se e përjetoi rrënimin e Samarisë: pra, fillon diku rreth vitit 750 deri diku para vitit 721, kur ndodhi rrënimi i Samarisë.


    Ndarja e librit

    Libri mund të ndahet në:
    1. Titullimi 1, 1;
    2. Martesa e Ozesë e vështrimi simbolik i saj 1, 2-3;
    3. Fajet e Izraelit e ndëshkimi i tij 4 - 14, 1;
    4. Kthimi i Izraelit 14, 2 - 10.


    Përmbajtja

    Ozeja është profet i bindur thellë në dashurinë e Hyjit ndaj Popullit të zgjedhur, i cili nuk i përgjigj dashurisë hyjnore. Këndej Ozeja thërret, qorton e kërcënon që nga mbreti, të parët e priftërinjëve deri në më të voglin izraelit.

    Dashurisë së Hyjit që s’i përgjigjet populli e paraqet simbolikisht i shtytur nga drama e jetës së vet. Ozeja ishte martuar me grua lavire, të cilën e donte. Por kjo lavirësoi duke e shkelur besnikërinë e martesës. Izraeli i dashur prej Hyjit me dashuri si dashuria bashkëshortore, që nuk lejon shkeljen e besnikërisë, nuk i përgjigj Hyjit e shkon pas hyjnive të huaja idhujtarisë: porsi lavirja që tradhton burrin ashtu edhe Izraeli e tradhton dashurinë e Hyjit duke u dhënë pas hyjnive të rreme e duke u larguar nga Hyji i vërtetë.

    Kreu 2 është çelësi i tërë librit: Izraeli, populli i shenjtë, është bashkëshortja e Hyjit, por sillet porsi kurorëshkelëse e lavire dhe kështu shkakton zemërimin e mendjezezinë e Hyjit. Hyji veç e do vazhdimisht: Ai do ta ndëshkojë, por me qëllim që ta kthejë e të gëzojë lumturinë e dashurisë së parë.


    Porosia

    Ozeja me gjithë që paraqitet shumë i zymtë është predikatar i lidhjes së ngushtë me Besëlidhjen dhe, ndëshkimet e mjerimet e paraqitura në predikimet e tija, janë gjithherë të drejtuara për kthimin shpirtëror kah Zoti. Në Ozenë spikat mendimi se Zoti është i pandërrueshëm, por jo i pandërrueshëm si guri, por i pandërrueshëm në dashurinë e vet të vazhdueshme ndaj popullit të Izraelit prandaj ndaj njeriut të veçantë e në përgjithësi /11, 8-9; 2, 25. /.

    Kur në ne të mbizotërojë ideja e thatë e abstrakimit mbi Hyjin, e bazuar thjesht mbi fuqinë e mendjes dhe zemra na mbetet e ftohtë ndaj Hyjit, atëherë është mirë të marrim në dorë librin e Ozesë.

  2. #32
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    PROFECIA E JOELIT
    - Dita e Gjyqit është afër -


    Emërtimi

    Libri quhet sipas emrit të profetit Joel. Vetë emri do të thotë Hyji Zot.


    Autori dhe koha e krijimit

    Joeli, biri i Fatuelit, ka jetuar dhe zhvilluar veprimtarinë, siç mendohet përgjithësisht nga biblistët, në mbretërinë e jugut, madje në Jerusalem.

    Kohën e predikimit të tij - të shkrimit të tij, të vjetrit e kanë vënë në shekullin VIII, por ky mendim është lënë pothuajse krejtësisht nga biblistët e kohës sonë. Ata mendojnë se vepra u shkrua në fillim të shekullit IV dhe për këtë sjellin arsye të mjaftueshme për kuptimin e kritikës moderne.


    Libri dhe ndarja e tij

    Në një poezi lirike poeti profet zhvillon në librin e vet dy gjëra kryesore: Zoti është zjarr flakues që ndëshkon deri në pastrim shpirtëror e atëherë përtërit deri në shenjtërim.

    Libri zakonisht ndahet në dy pjesë:

    1. Në pjesën e parë përshkruan sulmin e madh të karkalecave që zhdukin çdo gjë dhe kështu janë nxitje për njënesë e lutje: 1 - 2, 27.

    2. Në pjesën e dytë: 3 - 4, përshkruan në mënyrë apokaliptike kohën e Mesisë dhe të Gjyqit të fundit. Dhuratën e Shpirtit të Zotit do ta marrë mbarë populli.

    BR ardhjen e Shpirtit Shenjt /Vap 2, 17-21/ e çmon fillesë të përmbushjes së profecisë së Joelit. Pas dhuratës së Shpirtit Shenjt do të vijë dita e tmerrshme e Gjyqit të Zotit në fushën e Jozafatit, ku do të gjykohet mbarë njerëzimi /4, 1. 12/.

  3. #33
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    PROFECIA E AMOSIT
    - Kundër padrejtësisë shoqërore -


    Emërtimi

    Quhet sipas emrit të profetit, profecitë e të cilit janë të përmbledhura: Profecia e Amosit.


    Kush ishte Amosi?

    Amosi ishte nga Tekua, një vend i vogël në rrethinën e Betlehemit, bari delesh dhe që merrej edhe me kultivimin e fiqve të egjër. Për profet Zoti e thërret papritmas /7, 14/.

    Edhe para Amosit ka pasur profetë, por Amosi ka përparësinë ndër profetë qoftë ashtu të quajturit ‘Të mëdhenj’, qoftë edhe ‘Të vegjël’, se është i pari ndër ata nga të cilët na kanë mbetur përmbledhjet e predikimeve të tyre.

    Predikoi në Mbretërinë e Veriut ose si quhet edhe të Izraelit në kohën e Jeroboamit II /783-743/ para Krishtit.


    Libri dhe ndarja

    Libri ka për përmbajtje: padrejtësinë shoqërore dhe idhujtarinë.

    Mbreti Jeroboam II ia doli të sjellë mirëqenie të madhe në mbretërinë e vet në saje të periudhës së paqes e të tregtisë me qytetet idhujtare të Tirit e të Sidonit. Me mirëqenie hynë edhe idhujtaria dhe padrejtësia shoqërore. Krerët e pasanikët ndrydhin shumë e shfrytëzojnë tepër skamnorët. Profeti çohet kundër këtyre padrejtësive. Edhe më rëndë e shqetëson çështja e besimit. Shërbesa hyjnore e kryer, njëmend me madhëri, është bërë vetëm formalitet i jashtëm.

    Libri zakonisht ndahet:
    1. Titulli 1, 1;
    2. Profecitë kundër paganëve e Izraelit 1, 2 - 2, 16;
    3. Qortime e kërcënime 3 - 6;
    4. Vegimet 7, 1 - 9, 8a;
    5. Përfundimi: përtëritja 9, 8b-15.


    Porosia

    Atë që beson në Hyjin dhe në Besëlidhjen me Të, e mëson se historia botërore dhe sjellja e njerëzve e kanë qëllimin e vet. Ta lexonin njerëzit, sidomos ata që e kanë përkohësisht në dorë fatin e njerëzve, do t’i preknin thellë në ndërgjegje padrejtësitë e bëra ndaj të vegjëlve por edhe amullimi shpirtëror që s’kanë sy ta shohin e vesh t’i dëgjojnë për t’i ndaluar padrejtësitë shoqërore. Por, në fund, është Zoti ai që të drejtën do ta çojë në vend, sepse Ai është Zotëruesi i gjithësisë /9, 11-15/.

  4. #34
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    PROFECIA E ABDISË
    - Kundër shfrytëzuesve të së keqes të të afërmit -


    Emërtimi

    Libri quhet sipas emrit të profetit, të cilit i mbështetet shkrimi. Abdia /shërbëtori i Zotit/.


    Autori dhe koha e krijimit

    Për autorin dimë fare pak. Duhet të ketë jetuar në Jude dhe, si jeta e tij dhe krijimi i veprës është shumë i diskutuar ndër biblistë, mjaft të mendohet se disa e vënë në shekullin IX e vazhdë deri në shekullin III. Është shkrimi më i shkurtër i BV: vetëm 21 varg.


    Përmbajtja dhe ndarja

    Libri zakonisht ndahet në dy pjesë:

    1. 1 - 15b;
    2. 15a + 16-21.

    Në pjesën e parë sjell mallkimin kundër popullit të Edomit, i cili u soll keq kundër vëllezërve të vet, izralitëve që prej rrënimit të mbretërisë së Judës 587 para Krishtit duke e shfrytëzuar gjendjen e mjerueshme të tyre.

    Në pjesën e dytë flet për rrënimin e Edomit si shenjë paralajmëruese se Zoti do të ndëshkojë çdo padrejtësi.

    Është një klithmë e thellë hakmarrjeje, por prapë shpirti ngritet në sigurinë e madhe se Zoti është rivendësuesi i përsosur i drejtësisë.

  5. #35
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    PROFECIA E JONËS
    - Për besimin nuk ka kufij -



    Emërtimi

    Libri quhet Profecia e Jonës, sipas emrit të personit kryesor të tregimit. Jona d. m. th. Pëllumb. Shkrimi i shenjtë librin e rendit ndër Dymbëdhjetë profetët e vegjël, megjithëse nuk është libër vërtet profetik.


    Autori dhe koha e krijimit

    Autori mbetet i panjohur, por duhet të ketë qenë judeas. Koha e krijimit është shumë e diskutuar ndër biblistë, por mendohet se është krijuar diku në kohën pas kthimit nga shpërngulja.


    Ndarja dhe përmbajtja

    Libri zakonisht ndahet në dy pjesë:

    I. kk 1 2. Në këtë pjesë flitet se si Jona qe dërguar prej Zotit të predikojë në qytetin e madh Ninivë të Asirisë. Jona, pse s’dëshiron të kthehet populli armik i Izraelit, s’dëgjon e hyn në barkë për të ikur larg Zotit në brigjet e Spanjës, në Tarsis. Çohet në det furtunë e madhe e, pasi u tregon detarëve se ai është shkaktari i stuhisë, kërkon të hidhet në det, ku e përpin një peshk i madh. Peshku, pas tri ditësh, e qet në breg.

    II. kk. 3 4. Zoti i urdhëron përsëri Jonës të shkojë të predikojë në Ninivë dhe Jona dëgjon. Mbret e popull bëjnë pendesë dhe kthehen e Jona hidhërohet. Prapëseprapë Jona ngul në shkretëtirë për të parë se si do të shkatërrohet Niniva /mendon se Zoti do të ndërrojë mendim e do ta shpartallojë Ninivën/, por aty, me tharjen e urthit, Zoti i jep mësimin e zemërdhimbësisë së vet.


    Gjinia letrare

    Libri i Jonës është shkrim didaktiko-satirik me qëllim që të mësojë popullin e Izraelit se Hyji është Hyji i të gjithë njerëzve dhe se të gjithë njerëzit i përkasin atij. Këtu mund të shtrohet pyetja: a ka ekzistuar Jona? Në të vërtetë Jona ka ekzistuar: Jona, biri i Amatit /Krhs. 2 Mbr 14, 25/, por ky duket se është vetëm emërhuazues. Jona i tregimit ka ekzistuar sikurse ka ekzistuar babai; i zemërdhimbshëm e djali plangprishës /Lk 15, 11-32/, ose si vreshtarët vrastarë /Mt 21, 33-41/ ose pasaniku gopçar e Lazri i vobektë /Lk 16, 19-31/, pra në mënyrë personi të shëmbëlltyrës - parabollës. Vihet ndër profetë, sepse jep vështrimin e kërcënimeve të profetëve kundër popujve paganë se: Zoti është i mëshirshëm për të gjithë njerëzit e të gjithë popujt dhe thekson se besimi s’ka kufij.

    Tregimi mësimdhënës i Jonës është krejt afër me BR: Hyji nuk është vetëm Hyji i çifutëve, por edhe i paganëve, sepse s’ka pos një Hyj të vetëm /Krhs. Rom 3, 29. etj. /.

    Pra, edhe paraqitjet e ngjarjeve të mrekullueshme, pak a shumë të fantazisë për mësim në mënyrën e popullit të thjeshtë janë ilustrim i mësimit kryesor. Shkrimi është shumë interesant për kuptimin e misionit të popullit izraelit si misionar për popujt e tjerë, sidomos të rrethinës, që do të marrë hov të jashtëzakonshëm me misionarin e madh Palin e Tarsit.

  6. #36
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    PROFECIA E MIKESË
    - Të drejtat e skamnorëve -


    Emërtimi

    Libri quhet Profecia e Mikesë sipas emrit të profetit, predikimet e të cilit na sjell.


    Autori dhe koha e krijimit

    Për autorin nuk dimë shumë. Ai vetë në 1, 1 na thotë se është Morastitas, pra, nga një vend i vogël në jug të Palestinës afër Getit të filistenjve. Ishte me prejardhje të vegjëlisë - fshatar.

    Veprimtarinë e vet e ka zhvilluar në kohë të mbretërve të Judës: Joatamit, Akazit e të Ezekisë dhe qe bashkëkohës me Amosin, Ozenë e Isainë. Edhe koha e krijimit të librit duhet të merret në këtë kohë shek. VIII - VII para Krishtit.


    Ndarja e librit

    Libri zakonisht ndahet në katër pjesë:

    I. 1, 2 - 3, 12 ku flet për gjykimin e Izraelit: kërcënime e dënime;
    II. 4, 1 - 5, 14 ku flet për premtimet e dhëna Sionit;
    III. 6, 1 - 7, 7 gjykimi i ri kundër Izraelit me qortime e me kërcënime;
    IV. 7, 8-20 ku flet për shpresën e ripërtëritjes së Izraelit.


    Porosia e profecisë

    Mikeja është profet që thërret e kërkon drejtësinë shoqërore për të nëpërkëmburit, për skamnorët e shfrytëzuar nga të mëdhenjtë e pasanikët. Padrejtësia shoqërore për profetin është mëkat që kërkon gjyq në qiell.

    Predikimet e tija janë plot kërcënime e thirrje në hakmarrje, por nuk është ky qëllimi i profetit. Në mënyrën e të shprehurit të kohës profeti ka për qëllim të vërë në pah gjithëpushtetësinë e Hyjit dhe pashmangëshmërinë e vendosjes së drejtësisë hyjnore. Kush e lexon njëherë me vëmendje Mikenë 6, 8 lidhur me besimin e vërtetë e jo atë shtiarak si dhe 7, 18-20 mbi faljen hyjnore, veçori e qitur në pah bukur prej profetit, ai nuk e harron më Mikenë.

  7. #37
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    PROFECIA E NAHUMIT
    - Rënia e perandorisë skllavëruese -


    Emërtimi

    Libri quhet Profecia e Nahumit, sipas emrit të profetit, profecitë e të cilit na sjell.


    Autori e koha e krijimit

    Për autorin nuk dimë, pothuajse, asgjë. Ai për vete thotë se është Elcezeas, nga një vend që ende nuk jemi në gjendje ta identifikojmë. Libri duhet të jetë shkruar që nga viti 626 - 612.


    Ndarja:
    1. Titulli 1, 1;
    2. Hyrja 1, 2 - 2, 1;
    3. Rrënimi i Ninivës 2, 2 - 3, 19.


    Libri

    Vepra e profetit Nahum është vepër letrare e spikatur, por nuk është më pak religjioze. Në gërshetimin e gëzimit të patregueshëm për rrënimin e armikut robërues me ndjenja të forta hakmarrëse, gjithmonë duhet të kihet parasysh se mendimi i autorit është: Vaj për atë që çohet kundër Zotit qoftë edhe si perandoria siriane, sepse, nën shkopin e drejtësisë hyjnore, do të shpartallohet! E kjo, jo pse Zoti është hakmarrës, por pse s’lejon të robërohet njeriu prej njeriut. S’ka pushtet njerëzor që mund ta keqpërdorë sundimin që i përket Zotit e, çdo skllavëri do të mbarojë, një herë me çlirim nga mëkati, e pastaj edhe politikisht. Hyji paraqitet si një vigan i madhërueshëm, para të cilit s’ka gjë që mund t’i bëjë ballë. Megjithatë, po ky Hyj i gjithëpushtetshëm, përkulet me dashuri përbri të voglit të shtypur padrejtësisht dhe e çliron.

  8. #38
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    PROFECIA E HABAKUKUT
    - Sy për sy me shtypjen -



    Emërtimi

    Libri quhet Profecia e Habakukut, sipas emrit të profetit, profecitë e të cilit sjell.


    Autori dhe koha e krijimit

    Për autorin, pothuajse, s’dimë asgjë. Në vetë librin /1, 5-6/ mund të mësojmë se, përafërsisht, ka vepruar në kohën e rënies së pushtetit sirian e në fillimin e pushtetit neobabilonez. Nëse ky konstatim është i saktë, atëherë Habakuku vjen menjëherë pas Nahumit, përafërisht pas luftës në Karkemish /602/ para Krishtit.

    Ndarja

    Libri zakonisht ndahet:

    1. Titulli 1, 1;
    2. Dialogu ndërmjet profetit e Hyjit 1, 2 - 2, 4;
    3. Mallkimet kundër shtypësit 2, 5 - 20;
    4. Lutje për ndërmjetësim hyjnor 3, 1-19.


    Libri

    Me gjithë mendimet e ndryshme ndër biblistë, duhet të mbahet se libri është vepër e një autori të vetëm. Një mendim e përcjell krejt librin dhe e lidh në një: Të fshehta janë udhët e Zotit.

    Nga përmbajtja mund të veçojmë se si profeti bashkëbisedon me Zotin, ku i paraqet se Judenë e ka mbuluar padrejtësia e Hyji i përgjigjet se do të vijnë babilonezët - vegël e tij - e do t’i mbushin mend. Në pjesën e dytë profeti ankohet se babilonezët po e teprojnë e Hyji i përgjigjet se do t’i shpëtojë ata që shpresën e kanë në të.


    Porosia

    Habakukun e shkandullon sjellja e Zotit me popullin e vet. Pse Zoti lejon të pësojë populli i zgjedhur që, megjithëse nuk është plotësisht i drejtë, është më i drejtë se babilonezët. Ky mendim mundon edhe sot popuj të shumtë që pësojnë në skllavëri. Habakuku e zhvillon problemin në besim të thellë në Hyjin e në drejtësinë e tij se do t’i ndëshkojë shtypësit e do t’i çlirojë të nëpërkëmburit dhe i këndon Zotit himne si Madhërisë së vetme.

  9. #39
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    PROFECIA E SOFONISË
    - Dita e Zotit -


    Emërtimi

    Libri quhet Profecia e Sofonisë sipas emrit të profetit, profecitë e të cilit sjell.


    Autori e koha e krijimit

    Për autorin dimë aq sa mund të nxirret nga vepra e tij. Ai i sjell në librin e vet disa breza. E bën këtë që të na sigurojë se rrjedh nga shtëpia mbretërore, atëherë do të ishte pasardhës i mbretit Ezeki /716 - 678/ ose, pse i ati quhej Kus, që do të thotë etiopas e me të ka dashur ta vërtetojë se është judeas. Profetoi në kohën e mbretit Jozi, kur ky ishte ende i mitur, pra, para reformës, përafërsisht ndërmjet viteve 640 - 630 para Krishtit.

    Në këtë kohë, pra, duhet vënë edhe kohën e krijimit të veprës.


    Ndarja

    Libri zakonisht ndahet:

    1. Titulli 1, 1;
    2. Dita e Zotit në Jude 1, 2 - 2, 3;
    3. Kundër paganëve 2, 4-15;
    4. Kundër Jerusalemit 3, 1-8;
    5. Premtimet 3, 9-20.


    Porosia

    Sofonia nuk kënaqet të qesë në shesh të keqen e idhujtarisë, të formalizmit në kult e në besim, të padrejtësisë shoqërore, por depërton në prejardhjen e tyre: rrënja është në mungesë feje e në krenari. Prandaj e paraqet Ditën e Gjyqit të Zotit me kërcënime të mëdha e me fjalë të rënda, por ky profet, ugurzi në shprehje, është njeri i një shprese të madhe: është një Tepricë të përvuajturish që i shpëton këtij gjyqi e i jepen premtimet.

  10. #40
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    PROFECIA E AGJEUT
    - Rindërtimi i Tempullit e i popullit -


    Emërtimi

    Libri quhet sipas emrit të profetit, profecitë e të cilit sjell: Profecia e Agjeut.


    Autori e koha e krijimit

    Për autorin na flet Esd 5, 1; 6, 4 edhe vetë autori disa herë në librin e vet. Duhet të ketë qenë një ndër ata të shpërngulur që u kthyen me Zorobabelin . Profecitë e tija mbahen se janë të vitit 520 para Krishtit, madje ai vetë i daton që më gusht e deri në dhjetor të vitit 520 para Krishtit.


    Ndarja

    Librin zakonisht e ndajmë:

    1. Rindërtimi i Tempullit kap. 1;
    2. Lavdia e Tempullit 2, 1-8;
    3. Këshillimi me priftërinj 2, 9-19;
    4. Premtimet Zorobabelit 2, 20-23.


    Porosia

    Thirrje e fuqishme për ndërtimin e Tempullit si qendër, ku nderohet e shihet Lavdia e Zotit, por sidomos ku populli bëhet tok një dhe përtërihet shpirtërisht e kombëtarisht. Përreth Tempullit zgjohet shpresa se do të përtërihet mbretëria mesianike. Këtë do ta cekë edhe më tepër bashkëkohësi i Agjeut, profeti Zakari.

Faqja 4 prej 5 FillimFillim ... 2345 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Popujt e zhdukur
    Nga Fatih në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 15
    Postimi i Fundit: 03-01-2010, 19:27
  2. Ortodoksia dhe Shqipëria
    Nga shendelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 258
    Postimi i Fundit: 07-04-2004, 18:16
  3. Pazari i vjetër i Krujës
    Nga Eni në forumin Folklori shqiptar
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-02-2003, 14:34

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •