Close
Faqja 3 prej 5 FillimFillim 12345 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 30 prej 44
  1. #21
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I FJALËVE TË URTA
    - Rregullore e sjelljes së mirë e të urtë -


    Përkatësia

    Libri i Fjalëve të urta i përket kështu të quajturës Letërsi e urtisë dhe bën pjesë ndër librat e tjerë të BV të këtij grupi siç janë: Jobi, Predikatari, Kënga e Këngëve, Libri i Urtisë dhe Siracidi. Sikurse Pesëlibërshi për autorësi i mbështetet Moisiut, po ashtu edhe librat e letërsisë së urtisë i mbështeten mbretit Salomon, birit të Davidit, megjithëse dihet se autor nuk mund të jetë Salomoni.


    Libri i Fjalëve të urta

    Quhet kështu sipas emërtimit të Vulgatës: “Liber Proverbiorum” që dëshiron të jetë përkthimi i emërtimit hebraisht: “Mëshalim” /shumësi i “Mashal”/ këndej edhe fjala Meselé, (që burimin duhet ta ketë këtu, që përafërsisht do të thotë po këtë gjë), që në të vërtetë don të thotë shumë më tepër se fjalët e urta, por pasi fjalët e urta kanë peshën më të madhe të librit, atëherë merret si: “Pjesa për tërësinë Pars pro toto”, sepse në këtë libër kemi edhe poema me përmbajtje fetare e moralizuese, përqeshje, thënie në të cilat mbizotëron krahasimi, parime popullore etj. Po këtë emërtim e kanë edhe të Shtatëdhjetët: “Paroímia”.


    Përmbajtja

    Si libër që ka për synim të drejtojë kah sjellja e mirë njeriun - individin, ka përfshirje shumë të gjerë sa dhe jeta e njeriut. Këndej merr parasysh: urtinë marrëzinë, nderin - çnderimin, dashurinë - urrejtjen, hidhërimin - butësinë, kamjen - skamjen, hitinë - përtacinë; marrëdhëniet e njeriut ndaj Zotit; prindërit – fëmija, miku - armiku etj.


    Ndarja

    Zakonisht libri ndahet në:
    1. 1, 1 7: Emërtimi.
    2. 1, 8 - 9, 18: hyrja: gjini letrare e përzier. Grishje të fitohet urtia autori i panjohur.
    3. 10, 1 - 22, 16: rregulla për jetë: autor Salomoni;
    4. 22, 17 - 24, 34: detyrat ndaj të afërmit: autorë: Të urtët;
    5. 25-29: parime të ndryshme: autor Salomoni;
    6. 30, 1-14: urtia hyjnore: vogëlsia njerëzore: autor Aguri;
    7. 30, 15-33: thënie me numra, përmbajtja e ndryshme, autorët anonimë;
    8. 31, 1-9: udhëzime për mbretër, autor Lamueli;
    9. 31, 10-31: këngë alfabetike: lavdërim gruas së ndershme, autori i panjohur.


    Autori

    Për autor të krejt librit tradita, siç e thamë edhe më lart, e mban Salomonin, birin e Davidit, mbretin e shquar të Izraelit për urti e pasuri. Por kjo i mbështetet po ashtu si edhe Pesëlibërshi Moisiut. Libri në vete shënon, përveç Salomonit, edhe “të urtët” edhe dy të tjerë: Agurin e Lamuelin. S’ka arsye të vihet në dyshim se do të ketë edhe pjesë të Salomonit, por duhet mbajtur si vepër që është krijuar gjatë shekujsh dhe redaktori i ka përmbledhur diku pas shpërnguljes së Babilonisë e na i ka dhënë në trajtën që i kemi sot. Mbahet se kjo do të ketë ngjarë rreth shekullit të katërt para Krishtit, por ka edhe nga ata që e mbajnë të përmbledhur në shek. VI-V.


    Rëndësia

    Në të vërtetë urtësia e Fjalëve të urta nuk mbetet vetëm në nivelin e dijes e të urtësisë njerëzore. Në tërësinë e librit përmbajtja merr një kuptim religjioz e moral shumë të thellë pasi kjo sjellje jetësore paraqitet si kërkesë e domosdoshme e besnikërisë ndaj Hyjit si “frikë e Zotit”, ku fjala “frikë” ka kuptimin e “frikës druajtjes, të fesë, të përshpirtërisë, të nderimit, të dëgjesës e të dashurisë ndaj Hyjit”, prandaj kur thotë: “Frika e Zotit fillimi i urtisë” /1, 7/, i përfshin të gjitha këto vështrime. Këndej edhe nuk duhen marrë porsi fjalë të urta thjeshtë njerëzore e të dijes së njeriut. S’ka dyshim se ka edhe gjëra që sot, pas ardhjes së Vetë Urtësisë - Birit të Zotit, na duken skorje, por megjithatë, libri është një gurrë vërtet autentike e urtisë. Kush e lexon me vëmendje dhe mundohet ta përvetësojë sheh sa i gjallë është problemi jetësor për njeriun që mendon.

  2. #22
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I KISHTARIT
    - Përsiatje mbi gjendjen e njeriut -


    Emërtimi

    Ky libër në Biblën hebraishte quhet “Kohelet”. Nuk është emër i përveçëm si do të na dukej, por trajta e participit të gjinisë femërore nga “kahal” që do të thotë: bashkim, mbledhje, tubim. Këndej edhe Kohelet do të thotë: Mbledhësi, bashkuesi, tubuesi, ai që udhëheq, prin, mëson e predikon në mbledhje. Të Shtatëdhjetët e përkthyen në greqisht Ekklesiastes që pastaj e mori edhe Vulgata dhe nuk e ndryshoi as edhe Vulgata e re por e la me “Liber Ecclesiastes”. Edhe ne po e lëmë me këtë emër: Kishtari.


    Autori

    Në këtë libër thuhet se autor i Kishtarit është Salomoni, biri i Davidit, mbret i Jerusalemit /1, 1; krh. 1, 12. 16; 2, 4-10/, por kjo duhet marrë si fikcion letrar pasi librat e dijes të urtisë, i mbështeten Salomonit. Kishtari duhet të jetë shkruar ndërmjet Jobit e Siracidit dhe afërsisht në gjysmën e dytë të shekullit III para Krishtit nga një shkrimtar i panjohur.


    Përmbajtja e ndarja e librit

    Libri zakonisht ndahet në dy pjesë kryesore, por, përderisa në vetë librin nuk mund të shihet një plan i përpiktë i autorit, çdo ndarje mbetet pak a shumë subjektive.


    Hyrja 1, 1-3;
    PJESA I:
    Parathënia: Mërzia: 1, 4 - 4, 11:
    Katër mënyrë zhgënjimi:
    1. Jeta e Salomonit: 1, 12 - 2, 26;
    2. Vdekësia: 3;
    3. Individi dhe shoqëria: 4, 1 - 5, 8;
    4. Paraja: 5, 9 - 6, 12.

    PJESA II:
    Parathënia: Të qeshurit 7, 1-7;
    Katër mënyrë zhgënjimi:
    1. Shpagimet: 7, 8 - 8, 15;
    2. Dashuria: 8, 16 - 9, 10;
    3. Rasti: 9, 11 - 11, 6;
    4. Mosha: 11, 7 - 12, 8;
    Përfundimi: 12, 9-14.


    Mendimet e Kishtarit - Koheletit

    Thënia me të cilën e fillon dhe e përfundon librin: “Kotësi kotësish e gjithçka është kotësi” /1, 2 dhe 12, 8/, ka mjaftuar që Kishtari të fitojë epitetin: skeptik, pesimist madje ‘avant la lettre’, edhe ekzistencialist, epikureist dhe hedonist. Të gjitha këto epitete e kanë disi burimin e vet edhe në libër, porse asnjëri nuk mund të vërtetohet plotësisht. Nuk është skeptik, sepse është besimtar në Hyjin e drejtë dhe patrandësisht mbështetet në Provaninë hyjnore, s’është pesimist i plotë, sepse u gëzohet krijesave dhe vetë krijimit, s’është ekzistencialist i zymtë, sepse gjen arsye të jetës së lumtur në përdorimin e të mirave materiale, por ndalon shpërdorimin. Vërtet ai nuk është asket i krishterë, por gëzimet e kënaqat i cilëson si “dhuratë e Hyjit” /2, 24; 3, 13; 5, 18 tj. /, por ai, si mendimtar, flet edhe për pesimizëm dhe pëfundon se “Hyji është qëllimi i njeriut” /6, 10; 12, 7/. Mendoj se duhet të thuhet, pa frikë gabimi, se ai është realist që vetë e merr jetën ashtu siç është dhe mundohet të bëjë edhe të tjerët ta marrin ashtu siç është. Kërkon dhe me tërë librin e vet thotë se njeriu është njeri e jo as “engjëll” as “djall”.


    Si ta lexojmë Kishtarin?

    Me përsiatje të vazhdueshme, të thella, të bukura por, sa herë me ankth e jo pa ironi të thellë, e shtron përpara pyetjen e madhe e për mendues shqetësuese, ndrydhëse që kërkon përgjegje të kënaqë shpirtin e njeriut: Cila është në të vërtetë gjendja e jetës njerëzore? Shpeshherë të duket se shkatërron gjithçka të mirë ke menduar për jetën njerëzore. Përqesh shumë herë mendimin tradicional edhe të librave të mëparshëm të Biblës. Vë në pah me guxim, e këtu qëndron përsiatja e tij e thellë, se: drejtësinë në jetë nuk e përcjell si rrjedhojë mirëqenia. Pohon qartas se i drejti vuan sa herë dhe i keqi gëzon në këtë jetë. Në të vërtetë Kishtari na e hedh përpara kocin e problemit pa pretendim ta zhvillojë, më tepër na udhëheq të përsiatim vazhdimisht pa kryengritje dhe përfundon se duhet t’i nënshtrohemi vullnetit të Krijuesit.

    Kishtari edhe për ditët tona mbetet bashkëkohor: në krizën e mendimit që e cilëson kohën tonë, ai i flet ndërgjegjes së mendimtarit të ngulë shikimin e vet drejt në Krijuesin dhe është e kotë të ngulësh besimin tënd në pasuri apo në njerëz, se sot të lavdërojnë e nesër të poshtërojnë. Me zgjuarsi thekson se njeriu vlen aq sa është e di t’i përdorë të mirat që janë dhuratë e Zotit dhe jo aq sa ka.
    Pastaj duhet lexuar si libër “kalimi” nga besimi i kohës në besimin e ardhshëm. Autori thotë se suksesi i jetës tokësore të njeriut nuk është qëllimi i saj: s’është kjo shpërblimi i Hyjit. Ishte kjo në planin hyjnor të përgatitjes së njerëzimit të mund ta pranojë një ditë “fjalën shkandulluese” të Mësuesit të përhershëm: “Lum të vobektët... Lum të butët... Lum pajtuesit... ”.

  3. #23
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I URTISË
    - Feja e izraelitëve ballafaqohet me helenizëm (helenizmin) -


    Emërtimi

    Dorëshkrimet greqishte këtë libër e emërtojnë:

    Urtia e Salomonit, kurse Vulgata e quan Libri i Urtisë. Veçanti e këtij libri është se i vetmi i BV ka qenë shkruar greqisht në origjinal. I përket grupit të librave të Besëlidhjes së vjetër që quhen deuterokanonikë. Kisha katolike e mban për libër kanonik, megjithëse ka qenë shkruar greqisht.


    Autori, vendi dhe koha e krijimit

    Autori mbetet i panjohur dhe fshihet me pseudonim me emër të Salomonit. Kështu ndodh edhe me këtë libër si me librat e tjerë kështu të quajtur të Urtisë. Autori duhet të ketë qenë një izraelas i ditur e shumë i përshpirtshëm që ka dashur t’u japë bashkëbesimtarëve sigurinë e besimit të etërve. Mendohet se duhet të ketë qenë nga bashkësia e izraelitëve që ishin ngulur në Aleksandri, qendër e madhe kulture e kohës. Çmohet se libri u shkrua në gjysmën e parë të shekullit të parë para Krishtit. Kështu ky libër, për kah koha e krijimit, është më i afërmi libër i BV me librat e BR.


    Plani dhe përmbajtja

    Pas grishjes që bën ta dëshirojmë urtinë. /1, 1-15/, autori vë në pah rëndësinë e madhe të urtisë në jetën e njerëzve /1, 16 - 5, 23/, përshkruan prejardhjen, natyrën, veprimtarinë e urtisë dhe shënon mjetet për t’ia arritur /10, 1 - 11, 3/. Nga kap. 11, 4 urtia ia lë fjalën Hyjit, frymës së tij, fjalës, dorës dhe krahut të tij. Me kapitujt 19, 22 përfundohet libri.

    Lehtë mund të shihet se libri është i planifikuar mirë dhe i ndarë në tri pjesë kryesore:

    I. Udha e Urtisë në kundërshtim me udhën e të patenzonëve /1-5/;

    II. Urtia në vetvete /6-9/;

    III. Veprimtaria e Urtisë gjatë historisë /10-19/.

    Autori u drejtohet bashkëbesimtarëve që të mos e humbasin identitetin fetar e kombëtar në përzierjen e madhe të kulturës pagane. Si apologjet has në vështirësinë e paraqitjes së matur të besimit të vet sepse duket se do t’i ruhet polemikës me kundërshtarët, por gjithherë e ruan maturinë e njeriut të ditur. Duket se e ka pasur mirë parasysh që edhe lexuesi i huaj i mundshëm të fitojë mendim të mirë e tërheqës për besimin e të parëve të autorit megjithëse s’mund të vërtetohet se misionarizon. Në takim me helenizmin - kulturën greke, s’ka pasur se si të mos marrë çka i ka pëlqyer për të vërtetuar bindjet e veta dhe shihet se e ka njohur deri diku zhvillimin mendor të kohës, por nuk është nën ndikimin e tij dhe e përdor gjithherë nën këndin e shikimit biblik. Si njeri i kulturuar i kohës e ka njohur në përgjithësi, por nuk bën askurrë një ballafaqim sinkretizues të mendimit të kohës me mendimin biblik. Këndej mundohet ta zhvillojë sa më fuqishëm shtjellimin e besimit në Hyjin /teologji/ dhe për herën e parë në Bibël shtrohet problemi i ekzistencës së Hyjit e përdoret argumenti i shkaktueshmërisë kauzalitetit /13, 1-9/. Flitet edhe për njeriun dhe fatin e tij /antropologji/. Si i tillë libri është shumë afër BR: njeriu është krijuar që të jetojë /1, 12-15/, vdekja ka hyrë në botë nga smira e djallit /2, 24/, por ajo për të drejtin është shndërrim i mënyrës së jetës me kalim në pavdekësi athanasia /hera e parë që përdoret në BV 2, 23; 3, 4; 6, 18-19 etj. /. Për këtë arsye shumë specialistë e kanë cilësuar si libër filozofie të fesë.

    Në takim të BV me kulturën greke, Libri i Urtisë përgatit të pranohet Jezu Krishti dhe porosia e tij.


    Për kohën e sotme

    Libri i Urtisë ka rëndësi jo të vogël për të krishterin e ditëve tona që duhet t’i përshtatet jetës së sotme dhe, me ndryshimet e mënyrës së jetës dhe të mendimit, të mos mbetet manesh dhe njëkohësisht të mos e humbë identitetin e vet fetar. Në të do të gjejë nxitje të fortë për ta ruajtur zanafillën e vet të krishterë në takim jo të lehtë mes jetës së desakralizuar dhe të sekularizuar të sotme me Ungjillin.
    Ndryshuar për herë të fundit nga NoName : 06-03-2006 më 11:22

  4. #24
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I SIRACIDIT
    - Pasqyrë e besnikërisë së hebreut -



    Emërtimi

    Në tekstin greqisht ky libër emërtohet: Urtia e Sirakut. Vetë autori në fund të librit thotë se është: “Ben Sira”, i biri i Siracidit. Emërtimi latinisht i Vg: “Ecclesiasticus /liber/” duket se do të thotë: “Libri i Kishës - i Bashkësisë”, sepse, pas gjase është çmuar si “doracak” në bashkësi për edukimin moral të katekumenëve. Ndoshta do të mund ta quanim: Bashkësiari. Titullimi latinisht duket se arrin te shën Cipriani. Pasi biblistët e kohës, shumica më e madhe, e emërtojnë: Siracidi, mendoj se edhe ne s’po largohemi nëse po e quajmë kështu. S’do të ishte keq të quhej edhe Ekleziastiku.


    Autori dhe koha e krijimit

    Autori na e tregon emrin e vet dhe nuk fshihet nën pseudonim porsi shkrimtarët e tjerë të librave të Urtisë. Libri qe shkruar hebraisht nga Ben Sira dhe duhet ta ketë shkruar në vitin 190 para Krishtit. Greqisht e përktheu i nipi për bashkësinë e hebrenjve në Aleksandrinë e Egjiptit në të 38 tin vit të mbretërimit të Euergenetit II, d. m. th. në vitin 132 para Krishtit.

    Autori është njeri i ditur, shumë i përshpirtshëm. Ka për qëllim të bëjë çmos për ta ruajtur identitetin fetar e kombëtar të izraelitëve që aso kohe ua kishin hapur derën dy kapakësh rrymave të reja të kulturës joshëse të paganizmit dhe të këndit të shikimit pagan në të gjitha fushat e jetës.


    Përmbajtja e ndarja e librit

    Libri flet për çështje më të ndryshme të jetës së njeriut e të sjelljes së mirë të izraelasit dhe dëshiron të japë pasqyrën e jetës së besimtarit besnik të Izraelit. Në fillim jep një mësim të shkurtër mbi urtinë që subjektivisht përkon me frikën e Zotit e objektivisht është mbajtja e Ligjit të Moisiut.

    Ndahet zakonisht në dy pjesë.

    Pjesa e parë 2, 1 - 42, 14 : porosi për jetë të përshpirtëshme, qortime besnikërie, rregulla jetësore për të rinj, për të rritur, për pleq, për fëmijë, për prindër etj. etj. ;

    Pjesa e dytë 42, 15 - 50, 29 : ku më tepër shtjellon teologjinë “e historisë së shëlbimit”.

    Fillon me krijimin dhe vazhdon me ruajtjen, rritjen e kujdesin e Hyjit për popullin e Izraelit. Ai nuk ndalet në histori si të tillë, por, me anë të personave të shquar të Izraelit, paraqet se si, në saje të urtisë, të tillët ia arritën shenjtërisë. Ndër njerëzit e tij të mëdhenj vend të rëndësishëm zënë priftërinjtë, sepse Aroni e Fineesi kanë vend të veçantë në librin që e përfundon me lavdërimin e Simonit, kryepriftit të kohës së tij.


    Shtesat

    Lutja e falënderimit 51, 1-17;

    Kënga përfunduese 51, 18-38.

    Siracidi është përfaqësuesi i fundit i të urtëve të BV në Palestinë. Është përfaqësuesi më i shquar i “hasidim ve të përshpirtshmëve” të Izraelit, që, pas pak kohe, me gjak do ta mbrojnë besimin e vet kundër salvuesit, Antiokut Epifan.


    Libër kanonik

    Libri i shkruar hebraisht ka humbur. Shën Jeronimi e ka pasur tekstin hebraisht. Tanivonë u gjetën në Kairo e në Kumran tri të pestat e librit. Vg e ka marrë përkthimin latinisht megjithëse shën Jeronimi nuk e ka përmirësuar. Megjithëse ky libër nuk figuron në kanonin e Biblës hebraike, librin e citojnë shpesh rabinët. Letra e Jakobit frymëzohet nga ky libër dhe Mateu, në Ungjillin e vet, e ka parasysh. Kisha e pranon për libër të frymëzuar kanonik dhe e përdor shumë në liturgji.


    Për ditët tona

    Për arsye të shtjellimit të kënaqshëm dhe për shijen e matur të mendimit, për shkak të shpjegimit me besnikëri të zbatimit të Ligjit, për vështrim të lartë të mendimeve të pranisë të Hyjit në histori, për nderim që i jep kultit hyjnor, Siracidi na vizaton shkrolcin e mençur që kthehet e bëhet nxënës i Krishtit, i cili di të nxjerrë të reja e të vjetra nga visari i vet /Krhs Mt 13, 52/. Se sa i rëndsishëm është edhe për ditët tona na e vërteton edhe përdorimi i begatshëm në liturgji: mëson të ruajmë lirinë e vërtetë përballë joshjeve të kohës.
    Ndryshuar për herë të fundit nga NoName : 06-03-2006 më 11:25

  5. #25
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I ISAISË
    - Profetët -



    Emërtimi

    Fjala “profet” nga greqishtja “profetes” tregon atë që flet në emër të Hyjit dhe përkthen termin hebraik: “nabhì”. Këndej profet në vështrimin e parë të fjalës është “ai që flet në emër të Hyjit”, kurse në rendin e dytë është ai që parakallëzon, i shndritur prej Hyjit, “të ardhmen”. Në hebraishte ka edhe një term tjetër: “ro’eh” vegues, ai që sheh atë që Hyji ia mundëson ta shohë e që njerëzit e tjerë nuk mund ta shohin.

    Profetë, pra, sipas mendimit të Biblës, janë njerëz veçanërisht të grishur prej Hyjit të flasin çka Hyji u thotë, të jenë zëdhënësit e tij, kasnecë, lajmëtarë, kumtues të fjalës së tij.


    Profetët

    Profeti i parë dhe më i madhi i BV është Moisiu /Krh. Dalja 20, 19-21; Lp 5, 23-28; 34, 10-12. Sipas Lp 18, 18 ai është modeli i të gjithë profetëve. BR në të do të shohë prototipin e Jezusit profet/.

    Por periudha e vërtetë e profetëve fillon me Samuelin /shek. XI para Kr. / e vazhdon mrekullisht deri në shekullin V para Kr. Prej disave nuk na shpëtuan shkrime /Elia, Elizeu/, kurse prej 16 i kemi shkrimet që mbajnë emrat e tyre.

    Këta ndahen në “profetë të mëdhenj” 4 /Isaia, Jeremia, Ezekieli dhe Danieli - Danielin Bibla hebraike nuk e rendit ndër profetë, dhe 12 “të vegjël” - quhen kështu për shkak të shkurtësisë të shkrimeve nën emrat e tyre. Janë: Oseja, Joeli, Amosi, Abdia, Jona, Mikeja, Nahumi, Habakuku, Sofonia, Agjeu, Zakaria e Malakia.

    Këta njëherësh quhen edhe “profetë shkrimtarë”, megjithëse nuk duhet marrë në kuptimin e sotëm të shkrimtarit gjoja se ata janë ulur e kanë shkruar librin që mban emrin e tyre; librat profetikë e kanë historinë e veçantë të shkrimit të vet, sepse zakonisht janë shkruar gjatë shekujsh nga nxënësit e tyre.


    Profetizmi

    Është dukuri e veçantë dhe ekskluzive e popullit hebre. Profetizmi e përcjell gjatë krejt historisë popullin hebre. Thirrja profetike varet vetëm e krejtësisht nga grishja e lirë e vullnetit të Hyjit, pa farë merite të të grishurit, pa marrë parasysh gjendjen shoqërore, kulturën, etj. Isaia ishte bujar, Jeremia e Ezekieli priftërinj, Samueli levit, Elizeu bujk, Amosi bari etj.

    Profetët janë udhëheqës të teokracisë, rojtarët e Besëlidhjes, ndërtuesit e të ardhmes. Të thellë në përsiatjen e së kaluarës, të rrënjosur në kuptimin e të tashmes, depërtues të shquar në synimet e planit hyjnor me njerëzimin, ia mbërrijnë të kenë fatin e zbulesës hyjnore për të udhëhequr njerëzimin udhës së sigurt të Hyjit. Në marrëdhëniet shoqërore kërkojnë drejtësinë mes njerëzve, vëllazërimin dhe barazinë. Si revolucionarë të vërtetë të mendimit njerëzor qortojnë e kërcënojnë pa dallim mbretër, priftërinj, pasanikë e skamnorë deri edhe mbarë popullin e njerëzimin kur s’ecin udhës së drejtësisë shoqërore.

    Pyetja e madhe e ekzistencës së popullit hebre gjen përgjigjen e vet në lëvizjen profetike. Si ka mundur të qëndrojë ky popull mes një morie popujsh të mëdhenj e të vegjël në kazanin e valuar të popujve të Lindjes së Afërt? Pak mund të gjenden popuj që kanë rënë më poshtë se populli i Izraelit, të robëruar, të copëtuar, të deportuar, të skllavëruar nga popujt më të fortë e më të mëdhenj, ia kanë dalë të mbeten gjallë, madje të përtërijnë bashkësinë kombëtare, të krijojnë traditën e vet e të ndikojnë pozitivisht mbi mbarë historinë e mëvonshme. Si? Me anë të dhuratës së Hyjit që janë profetët! Ata ia dolën t’i japin shpjegim historisë dhe ia arritën ta bindin popullin për këtë shpjegim. Kështu ia dolën ta ruajnë identitetin kombëtar dhe fetar. Mjafton të merret parasysh pushtimi asirian, pastaj ai babilonas, mërgimi dhe kthimi në grupe në Jude!


    Autori

    Isaia, biri i Amosit, duket se rrjedh nga një familje bujarësh, nga Jerusalemi dhe mbahet se do të ketë lindur rreth viteve 768-765 para Kr. Thirret nga Hyji për profet në vitin 740 para Kr. , në vitin e vdekjes së Ozisë /6, 1-13/. Veproi për një kohë të gjatë 40-50 vjet nën katër mbretër të Judës: Ozisë, Joatamit, Akazit, Ezekisë e ndoshta edhe të Manaseut. Gojëdhëna çifute mban se qe martirizuar nga Manaseu që e preu me sharrë. Sidoqoftë për Isainë nuk dimë më asgjë pas vitit 700. para Kr.

    Isaia është me siguri njëri ndër më të shquarit poetë të popullit të Izraelit dhe njeri thellësisht fetar. Madhësia e tij shihet lehtë kur dihet se ka pasur aq ndikim të madh sa që për tre shekuj vazhdon shkolla e tij e nxënësit e tij vazhdojnë të profetizojnë e të shkruajnë nën emrin e tij deri në të pestin shekull para Krishtit.

    Libri i Isaisë - kulmi i profecisë së Izraelit përfshin tri pjesë të epokave, të frymëzimeve profetike e të autorëve të ndryshëm: a/ 1-39: Isaia /740-700/; b/ 40-55 Deutero - Isaia /550-539/; c/ 56-66 Trito - Isaia /sh. V/. Pavarësisht nga tradita, qoftë hebreje, qoftë edhe e krishterë, sipas së cilës krejt Libri i Isaisë mbahej për vepër e Isaisë, kritika e biblistëve të dy shekujve të fundit mendon se vetëm pjesa e parë është vepër e Isaisë, kurse dy pjesët e tjera u përkasin autorëve të tjerë, të cilat dikush nga shkolla e Isaisë përfundimisht i ka rregulluar e lidhur në një. Megjithatë, duhet pasur parasysh se ka arsye të forta, të cilat kanë ndikuar në Komisionin biblik papnor /28. VI. 1908/ të kërkojë prej studiuesish të kenë kujdes në shqyrtimet e tyre që hipotezat të mos i marrin për teza, sepse, duke marrë parasysh periudhën e gjatë prej një gjysmë shekulli veprimi të Isaisë, ndryshimet stilistike, as fjalori as paraqitja, s’mund të mbeten të njëjtë.


    Përmbajtja

    Pjesa e parë /1-39/ ndahet në: 1. Profecia kundër Judës e Izraelit para luftës siro efraimite /1 -5/; 2. Libri mbi Emanuelin, ku gjenden fjalimet gjatë kohës së luftës siro efraimite /6-12/; 3. Profecia mbi popujt e huaj /13-23/; 4. Apokalipsi i Isaisë /24-27/. Mbahet shtesë e nxënësve të tij; 5. Këngët mbi Samarinë e mbi Judenë kundër politikës së tyre e kundër popujve paganë /28-35/. 6. Të dhënat biografike të profetit /36-39/. Edhe kjo pjesë është shtojcë e nxënësve të tij.

    Pjesa e dytë /40-55/ quhet Libri i ngushëllimit. Këtu kemi një pamje tjetër dhe një kohë tjetër. Jerusalemi është i rrënuar, populli i humbur në shpërngulje në Babiloni. Dhe ja, ngjallet shpresa me paraqitjen e popullit persian, sidomos me mbretin Kir, 539. para Kr. Në ngjarjet historike ai lexon synimet hyjnore që ka me popullin e vet. Në këtë pjesë janë katër këngët mbi Shërbëtorin e Zotit /42, 1-7; 49, 1-9b; 50, 4-11; 52, 13 - 53, 12/. Këto janë katër poema lirike. Paraqesin një shërbëtor të Hyjit: të përsosur, që e bashkon popullin e vet dhe është dritë për mbarë popujt, predikon fenë e vërtetë që vjen prej Hyjit. Këto pjesë, megjithëse janë pjesët më të studiuarat, prapë s’kanë përkim as lidhur me prejardhjen e tyre as me përmbajtjen. BR sheh në to Jezusin prej Nazaretit, sepse Ai vetë ia ka përshtatur vetvetes dhe misionit të vet shpërblimtar /Lk 22, 19-20. 37; Mk 10, 45/. Edhe predikimi i krishterë i parë ka parë në Të shërbëtorin shëlbimtar të njerëzimit të Deutero Isaisë /Mt 12, 17-21; Gjn 1, 29/.

    Pjesa e tretë /56-66/ që e quajnë Trito-Isaia - Isaia i Tretë, çmohet si vepër e një profeti tjetër. Mbahet si një përmbledhje e përbërë. Disa copëza patjetër flasin për izraelitët e kthyer në atdhe që mundohen të rindërtojnë Tempullin e të përtërijnë kultin në të. Redaktorët janë “deuteronomistë” pas mërgimit.

  6. #26
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I JEREMISË
    - Për të çrrënjosur e për të mbjellë -


    Emërtimi i librit

    Libri hebraisht quhet sipas fjalëve me të cilat fillon: “Fjalët e Jeremisë”, greqisht thjesht: “Jeremias”, kurse N. Vulgata e quan: “Libri i Jeremisë.”


    Autori e koha e veprimit

    Autor i librit mbahet Jeremia. Ai thotë për vete se rrjedh nga një familje priftërore e Anatotit, një vend i vogël në verilindje të Jerusalemit, larg tij kund 5, 5 km. Mendohet se duhet të jetë një nga pasardhësit e kryepriftit Abiatar, të cilin Salomoni e pat konfinuar në Anatot /1 Mbr 2, 26/. Lindi përafërsisht në gjysmën e dytë të shekullit VII para Kr.

    Veproi në kohën e mbretit Jozi, Joakaz, Joakim, Joakin, Sedeci dhe të qeveritarit Godoli. Pas vdekjes së këtij të sprasmi përdhunë qe mbartur në Egjipt, ku parakallëzoi profecinë e fundit /k. 44/. Pas kësaj kohe s’dihet më gjë për të.

    Veprimtaria e tij zgjati dyzet vjet, me vuajtje e mjerime shumë të mëdha. Me përjashtim të mbretit Jozi dhe të qeveritarit Godoli, që sundoi vetëm dy muaj, të gjithë të tjerët e përndoqën e nuk deshën ta dëgjojnë.

    Pa me sytë e vet pushtimin e parë të vendit si dhe shpërnguljen e parë të popullit të Judesë. Përjetoi rrethimin e Jerusalemit, pushtimin dhe rrënimin e tij, djegien dhe shkatërrimin e Tempullit dhe deportimin e popullit në Babiloni nën tmerrin e Nabukodonozorit. Krejt jeta e tij mund të përmblidhet në “Ja, unë po i vë fjalët e mia në gojën tënde, ja, sot po të vë mbi popuj e mbretëri: që të çrrënjosësh e të rrënosh, të përndash e të shpërndash, të ndërtosh e të mbjellësh!” /1, 9 10/.


    Libri

    Libri i Jeremisë është libër përmbledhjesh profecish të thëna në raste të ndryshme e në kohë të ndryshme, pa marrë parasysh as rendin kronologjik të ngjarjeve as të profecive. S’është lehtë të bëhet një ndarje e përpiktë, sepse Libri nuk është redaktuar sistematikisht. Po ndjekim atë ndarje që është më e zakonshme ndër biblistët.


    Titulli /1, 1-3/;

    I. Profecitë kundër Judës /1, 4 - 25, 13/;

    II. Profecitë kundër popujve paganë /25, 14-38; 46-51/;

    III. Profecitë lidhur me shëlbimin /26-35/;

    IV. Vuajtjet e Jeremisë /36-45/;

    Shtojca /52/.


    Nuk dimë se ç’kriter ka ndjekur Jeremia në përpilimin e librit të vet. S’ka dyshim se ai do të ketë pasur një rend të profecive të veta, kur ia bëri diktat sekretarit të vet besnik Barukut në vëllimin që e dogji mbreti Joakim /k. 36/, pa dyshim se libri, që përsëri ia bëri Profeti diktat Barukut, do t’i ketë shërbyer redaktorit ose redaktorëve në përmbledhjen e profecive të Profetit që kanë arritur deri tek ne. Mendohet se do të kenë ekzistuar dy redaktura, pasi teksti greqisht i të Shtatëdhjetëve nuk e ka atë renditje që e ka teksti hebraik. Vulgata ndjek tekstin hebraik.

    Jeremia nuk lartësohet poetikisht si Isaia ose ndonjë profet tjetër, por ai ndriçon me thjeshtësi, spontanitet dhe është shumë natyror saqë mund të bëhet model i tregimit të çdo literature. Është profet i zemrës dhe, me jetën e vet, siç qe shembëlltyrë e gjallë e Krishtit pësues, paraqet në vetvete të gjitha vuajtjet dhe shpresat e popullit të zgjedhur.

    Teksti që ka arritur deri tek ne duket se rrjedhë nga periudha e shpërnguljes. Mendojmë se profecitë e Jeremisë kanë qenë lexuar e rilexuar e medituar nga të shpërngulurit në dheun e huaj. Me vuajtjet e mëdha dhe me shpresën e madhe se do të vijë dita e shpëtimit dhe e lirisë, Jeremia mbetet edhe sot e kësaj dite dëshmitar ngushëllues dhe frymëzues, qoftë i individit që pëson padrejtësi, qoftë edhe i popujve të skllavëruar në mënyrë të ndryshme, por sidomos kur “gjyq është martina.”

  7. #27
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    Vajtimet
    - Një popull i përvujtëruar -


    Emërtimi

    Libri zakonisht quhet sipas emërtimit që ia dha Vulgata: Lamentationes VAJTIMET. Bibla hebraike e quan, si bën rëndom me librat e tjerë, me fjalën e parë: ‘EKAH SI’, kurse të Shtatëdhjetët e quajnë THRENOI - VAJE. Bibla hebraike e vendos në grupin e “Shkrimeve - Ketubim”.


    Përmbajtja

    Libri përbëhet nga pesë poema - këngë vajtimi.

    Si qendër duhet marrë mëkati, posaçërisht i priftërinjve dhe i profetëve, me të cilin e joshën popullin ta lërë rrugën e vërtetë e ta prishë Besëlidhjen me Zotin. Këndej Zoti edhe largohet prej popullit të vet, pothuajse veshet në re, që lutja e popullit të vet të mos depërtojë tek Ai /3, 44/ dhe ai heq dorë nga Qyteti /4, 16/. Qyteti, që hebraisht është i gjinisë femërore - mbetet “e vejë”, fëmijët e saj /tij/ bonjakë. Por gjithkund në libër përshkohet ndjenja e thellë e shpresës së gjallë se Zoti do të sjellë faqe prej popullit të vet: “Na kthe (te ti), o Zot, e ne do të kthehemi” /5, 21/.


    Autori e koha e krijimit

    Tradicioni, qoftë hebre, qoftë i krishterë, librin ia ka mbështetur profetit Jeremi. Mirëpo, kritika e biblistëve të sotëm nuk e pranon më Jereminë për autor. Autori duhet të ketë qenë një judeas që e ka përjetuar rrënimin e Jerusalemit, shkatërrimin e Tempullit dhe shpërnguljen me dhunë të popullit të Judesë. Mendohet se do të jetë krijuar për përdorim liturgjik, sepse duket se një lloj kulti do të ketë ekzistuar edhe pas rrënimit të Tempullit, ku në rrenojat e tija bashkoheshin judenjtë e mbetur në Palestinë për të vajtuar. Autori duhet të ketë qenë judeas i mbetur në vend. Se u krijua për përdorim liturgjik na flet edhe arsyeja se u përdor dhe ende sot e kësaj dite përdoret në sinagoga dhe lexohet me rastin e agjërimit përkujtues të ngjarjeve të idhta të vitit 587 para Kr. të nëntën ditë të muajit Ab /korrik - gusht/. Liturgjia katolike e përdor në Triditshen e Javës së shenjtë /të enjten, të premten e të shtunën/.

    Koha e krijimit nuk është lehtë të caktohet, por me siguri pas ngjarjeve të vitit 587, pas shkatërrimit të Jerusalemit, pas djegies së Tempullit e pas bartjes me dhunë të popullit të Judesë në Babilon, në kohën e Nabukodonozorit.

    Trishtimi në mjerimin fizik e moral të katastrofës politike e religjioze, sjellja mëkatare që e shtrëngon, të thuash, Zotin ta ndëshkojë popullin e vet, shpresa në ndihmën e Zotit, Zotëruesit të historisë së përgjithshme dhe kombëtare, i japin këtij libri një bukuri tragjike, por që shpreh një shpresë të patrandshme në mirësinë e atërinë e Hyjit ndaj popullit të vet të zgjedhur, por njëkohësisht edhe ndaj të gjithë popujve edhe të ditëve tona. Prandaj edhe lexohet e përsiatet me kënaqësi, si të fliste edhe për ngjarjet e ditëve tona. Për këtë arsye është e mbetet libër shumë aktual.

  8. #28
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    Libri i Barukut
    - Lutje e shpresë -


    Emërtimi dhe vendi në Bibël

    Libri emërtohet kështu sipas emrit të sekretarit të profetit Jeremi. Libri, megjithëse duhet të ketë qenë shkruar hebraisht, Bibla hebraike nuk e ka. Teksti ekziston në përkthimin e të LXX /greqisht/. Këta e quajnë thjesht BARUK, kurse Vulgata e ka me këtë emërtim: Libri i Barukut. Shën Jeronimi nuk e përktheu latinisht kështu që mbeti përkthimi latinisht i vjetër. Të LXX e kanë menjëherë pas Jeremisë e para Vajtimeve, kurse Vlg e ka pas Vajtimeve.


    Autori dhe koha e krijimit

    Megjithëse Libri i mbështetet Barukut, birit të Nerisë, sekretarit të Jeremisë, s’ka dyshim se është pseudoepigrafi, dhe kritika e biblistëve e mban se duhet të ketë qenë një autor ose edhe më mirë, disa autorë, që qëllimisht ia kanë mbështetur Barukut, pasi duket se libri ka qenë shkruar shumë pas vdekjes së Barukut. Për kohën e krijimit biblistët nuk janë plotësisht në përkim. Mendohet se duhet të ketë qenë krijuar kah fundi i të tretit qindvjetor para Krishtit, ose edhe më vonë.


    Përmbajtja e ndarja

    Libri ndahet:

    Hyjra 1, 1 - 14

    Lutja pendestare 1, 15 - 3, 8

    Poemë urtësisë të barazuar me ligjin 3, 9 - 4, 4

    Poemë nxitjeje e ngushëllimi 4, 5 - 5, 9

    Shtojcë: Letra e jeremisë.

    Libri është shkruar në katër gjini të ndryshme letrare:

    lutje, poezi urtësie, predikim profetik dhe satirë.


    Porosia

    Libri përmban analizë të thellë të mëkatit qoftë individual qoftë edhe kolektiv të mbarë kombit. Mëkati është çrregullim i rendit moral, prishje krenare e urtësisë hyjnore me kryengritje qëllimore kundër mirësisë së Hyjit.

    Shërim s’mund të ketë po qe se mëkatari me përvujtëri nuk kthehet kah Zoti që është burim i çdo të mire.

    Baruku na sjell një emërtim krejt të ri lidhur me Hyjin: I Amshueshmi, të cilin nuk e gjejmë askund gjetiu /4, 10. 14. 22. 24/.

    Porosi e madhërishme për Izraelin në mërgim, sepse ngjall shpresën e madhe të kthimit, riatdhesimit, në një Jerusalem të ripërtëritur dhe më të lumë se në të gjithë të kaluarën, me një Besëlidhje të amshueshme, thirrje kjo, edhe për të gjitha kombet që rënkojnë nën zgjedhën e padrejtë të robërisë, veçanërisht të robërisë së mëkatit, që është më e rënda skllavëri, por edhe të robërisë politike.

    Ky libër na e shtjellon në një mënyrë të mrekullueshme qëndresën e madhe historike të popullit të Izraelit, sepse na tregon se si ata, edhe në skllavëri të shpërnguljes me dhunë, janë të bashkuar me vendasit e vet, sado të mjerë, në atdheun e vet.

    “A e ke lexuar Barukun? - shkruante La Fontaine - Ka qenë një gjeni i madh!” /La Fontaine sipas Luigjit Racine/.

  9. #29
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    Profecia e Ezekielit
    - Shpresa e madhe nën ndikimin e Hyjit -


    Profeti

    Ezekieli, biri i Buziut, prift, është një ndër të shpërngulurit me dhunë në Babiloni, në vitin 597 para Kr. . Jetoi në një bashkësi të shpërngulurish në brigjet e lumit Kobar. Thirrjen profetike e fitoi të pestin vit të shpërnguljes d. m. th. në vitin 593 para Kr. . Veprimtaria e tij ndoshta mund të ndahet në dy periudha: nga viti 593 deri në rënien e Jerusalemit më 587. dhe, nga rënia e Jerusalemit deri në vitin 571. , kur mendohet se profetizoi për herën e fundit /Ez 29, 17-20/. Mendohet se u vra nga një princ i Judës pse e kishte qortuar rëndë për idhujtari.

    Është predikatar i fortë me fjalë të fuqishme që në mënyrë njerëzore u drejtohet njerëzve, por edhe gjeni i madh, i pasur në paraqitje e shumë herë i vështirë për t’u kuptuar me simbolizime të shkëlqyera. Është njeriu që i përjetoi momentet më të vështira të popullit të Izraelit e dëshmia e tij më së forti na e argumenton qëllimin e madh që Zoti e pat me popullin e zgjedhur për historinë e njerëzimit. Këndej, patjetër, është shkrimtar me aktualitet të veçantë.


    Libri

    Libri i Ezekielit është i planifikuar mirë dhe pa vështirësi hetohen këto pjesë:

    1. Hyrja /1-3/;

    2. Profecitë para rrethimit të Jerusalemit /4-24/;

    3. Profecitë kundër popujve të huaj /25-32/;

    4. Profecitë gjatë rrethimit dhe pas rrethimit të Jerusalemit /33-39/;

    5. Ligji - tora e Ezekielit /40 48/.

    Megjithatë, shumë vende paralele, futje të reja e shtrirje që nuk janë të Ezekielit, tregojnë se edhe kjo vepër ka pasur zhvillimin e vet gradual, pak a shumë si edhe librat e tjerë të Shkrimit të shenjtë. Edhe në të shihet se edhe nxënësit, nën ndikimin e fortë të personalitetit të mjeshtrit të vet, e kanë bërë punën e vet. Unitetin e tanishëm të librit e kemi me siguri nga redaktori i fundit.


    Porosia

    Ndëshkimet, që Zoti i çon, janë rrjedhojë e mëkatit të popullit si komb dhe të personave. Populli i Judesë ka mëkatuar rëndë kundër Zotit, e Zoti, pse është i drejtë, duhet ta ndëshkojë: rrethimi i Jerusalemit dhe shpërngulja me dhunë do ta vërtetojë këtë gjë. Por, pasi populli ta ketë kuptuar, në fuqi të të vështirave që do t’i sprovojë, se Zoti është dhe që është i drejtë, do të vijë shpëtimi: riatdhesimi në Palestinën rrënjësisht të organizuar, në një Jerusalem plotësisht të përtëritur, në një Tempull të rindërtuar me një hyjshërbim hollësisht të përcaktuar. Me zemër të re, në Besëlidhjen e re, përsiatja ndrydhëse e të kaluarës është vetëm e përkohshme, mbi pamjen e një të ardhme më të lume që duhet ta vendosim e ta mbështetim ekzistencën tonë.

    Me shumë simbolizime e paraqet shpresën e madhe se pas të vështirave do të zbardhë dita e lume për Izraelin: do të jetë një popull i bashkuar, jo më i ndarë në dy mbretëri, do të ketë një Tempull të vetëm të ripërtëritur me një kult të përcaktuar hollësisht e jetë shoqërore të rregulluar mirë. Simbolika me eshtrat e ringjallur, ngjall shpresën e kthimit dhe të ripërtëritjes së Izraelit.

    Rëndësi ka të theksohet se tek Ezekieli, shumë më tepër se te librat e tjerë të BV është vënë në pah përgjegjësia vetiake - personale: “Kush të mëkatojë, ai vetë do të vdesë; djali s’do të përgjigjë për mëkatin e babait të vet, as baba s’do të përgjigjë për mëkatin e të birit. Drejtësia e të drejtit do të jetë mbi të drejtin e paudhësia e të paudhit do të jetë mbi të paudhin.” /Ez 18, 20/.

  10. #30
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    PROFECIA E DANIELIT

    - Mbretëritë e tokës e Mbretëria e Hyjit -


    Emërtimi

    Sipas emrit të personit që mbizotëron në libër, quhet edhe vetë libri: Profecia e Danielit. Kush ishte Danieli? Ishte një hero i njohur ndër izraelitë /Ez 14, 14 e v. ; 28, 3 etj. /, i cili e quan Daniel /Gjykatës Zoti/, dhe gjithashtu i përmendur edhe ndër popujt e Lindjes? Megjithëse quhet sipas tij, ai nuk është autori.


    Autori dhe koha e krijimit

    Edhe për këtë libër, sikurse edhe për shumë libra të tjerë të Shkrimit të shenjtë, autori mbetet i panjohur. Duhet të ketë qenë një judeas i përshpirtshëm i kohës së salvimit të rëndë të Antiokut IV Epifan /175-164/. Libri, pra, duhet të ketë qenë shkruar në atë kohë, me siguri para vitit 165 para Krishtit, sepse nuk e përmend fitoren e Makabenjve. Me shembujt e ndritshëm të bashkatdhetarëve të vet ka dashur t’u japë zemër sivëllezërve të vet të mos i lëshojë zemra e të kenë guxim të qëndrojnë në fenë e të parëve.


    Gjinia letrare

    Ky libër është shkrimi i parë apokaliptik i BV. Kjo s’do të thotë se pjesë shkrimi zbulesor nuk ka pasur edhe më përpara /Sh. Is 24-27; Ez 1, 4-28; 10, 1-22 etj; Zak 9-14; Joel 3-4. /. Shkrimtari, i bindur se me rrjedhën historike sundon Zoti, me simbole e shenja mundohet ta zbulojë rrjedhën e historisë, kështu që ngjarjet konkrete i shtjellon si provë kalimtare deri të vijë paqja me drejtësi.

    Nuk duhet të na hutojë se autori na i paraqet ngjarjet e shek. VI dhe ato i gërsheton me ngjarjet e shekullit të dytë, sepse për të luftërat që ndjekin njëra tjetrën, s’janë tjetër, por simbole të fuqive të errëta në kundërshtim me Hyjin e me ardhjen e Mbretërisë së tij. Autori bën ç’mos që ta pikturojë këtë ardhmëri të pasigurt dhe kështu jep pasqyrën e qartë të shkrimit apokaliptik zbulesor.


    Ndarja e librit

    Libri mund të ndahet:

    1. Tregime ndërtuese 1-6
    2. Zbulesa në vështrimin e vërtetë të fjalës 7-12
    3. Shtojca 13-14.


    Vendi i Librit në kanon

    Për Biblën hebraike Libri i Danielit hyn ndër librat kështu të quajtur ‘Ketubim’ libra shkrime mësimi dhe vjen pas Librit të Esterës e para Ezdrës, kurse për të LXX e për Vulgatën /kështu edhe për Vulgatën e Re/ është njëri ndër katër profetët e “mëdhenj”, i katërti profet.

    Gjuha e librit

    Libri është shkruar, sa dihet deri tani, një pjesë hebraisht, një pjesë aramaisht e një pjesë tjetër gjendet vetëm greqisht. Nëse Libri merret në shqyrtim për kah vlera e zhvillimit teoriko teologjik, profecia e Danielit, mund të vlerësohet si arritja kulminante e mendimit besimtar me kategoritë e reja në teologji: mbi ngjalljen e të vdekurve /12, 2/ e me shpërblimin e të drejtëve e ndëshkimin e përhershëm të të paudhëve që ende ndër librat e tjerë të BV nuk kishte arritur.

Faqja 3 prej 5 FillimFillim 12345 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Popujt e zhdukur
    Nga Fatih në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 15
    Postimi i Fundit: 03-01-2010, 19:27
  2. Ortodoksia dhe Shqipëria
    Nga shendelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 258
    Postimi i Fundit: 07-04-2004, 18:16
  3. Pazari i vjetër i Krujës
    Nga Eni në forumin Folklori shqiptar
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-02-2003, 14:34

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •