Close
Faqja 0 prej 5 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 44
  1. #1
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192

    Exclamation Hyrje në BIBEL (Besëlidhja e Vjetër)

    PESËLIBËRSHI


    Pesë librat e parë të Biblës përbëjnë një tërësi, të cilën hebrenjtë e quajnë Tora - Ligji. Këta pesë libra, që në fillim të krishterimit, u quajtën me një emër: Pesëlibërsh. Emërtimi vjen nga greqishtja (që i quan) Pentateukos (biblos) - Libri pesëvëllimësh ose Pesëlibërshi. Se u nda kështu që në kohët e lashta na e vërteton përkthimi greqisht i të Shtatëdhjetëve LXX. Këta përkthyes, sipas përmbajtjes, ia ngjitën emrin secilit prej tyre.

    Janë këta pesë:
    1. Zanafilla (mund të përkthehet edhe me: Të bërët, Prejardhja) genesis;
    2. Dalja Exodos
    3. Levitiku Levitikon
    4. Numrat Arithmoi
    5. Ligji i përtërirë Deuteronomion (Ligji i dytë).


    Emërtimi që përdorin hebrenjtë: merret fjala e parë e librit ose edhe fjala e parë më e rëndësishme.

    Pesëlibërshi përbën një tërësi të veçantë. Pikat thelbësore janë: fillimi i rruzullit, i njeriut, i Popullit të zgjedhur dhe përgatitja përfundimtare për të hyrë në tokën e premtuar. Rreth këtyre dy gjërave kryesore gërshetohen të dhënat e tjera historike të zhvillimit të popullit të Izraelit si popull me ngjarjet dhe formimin e tij si popull: të dalët nga skllavëria egjiptiane, të zgjedhurit si popull i Hyjit, lidhja e Besëlidhjes, Ligji... Me kohë këto ngjarje do të merren si një dhuratë e veçantë e Hyjit ndaj popullit të Izraelit dhe do të simbolizojnë shëlbimin përfundimtar. Në këtë edhe (duhet të) shihet karakteri thjesht dhe thellë fetar i Pesëlibërshit dhe i tërë Biblës është, pra, kjo histori religjioze, që biblistëve u pëlqen ta quajnë, historia e shëlbimit.

    Historia e popullit të Izraelit fillon me çlirimin nga skllavëria egjiptiane dhe themelimin e Besëlidhjes së Sinait. Çka sjell Bibla para kësaj kohe, janë shkoqitje të gjeniut hebre të të dhënave të ndryshme të popujve të tjerë apo edhe shtjellime të tyre lidhur me çështjet jetësore e gjithmonë të rëndësishme të njerëzve me aftësi mendore të mëdha, ndër ta është domosdo Moisiu, edhe pse jo i vetmi që zë vendin e parë. Pas të dhënave të gojëdhënave të ndryshme, më vonë shtjellohen ngjarjet sipas aftësisë dhe mënyrës së mendimit dhe të dijes së kohës e të vendeve.

    Lidhur me krijimin e Pesëlibërshit ka shumë hipoteza, por ajo që sot për sot është më tepër e pranuar, edhe pse ka kundërshtime, është hipoteza e gojëdhënave. Biblistët e sotëm këto gojëdhëna i ndajnë në katër të tillë.

    E ato janë:
    a) Gojëdhëna jahviste e emërtuar kështu, sepse Hyjin e quan Jahve. Ka fjalor të veçantë, stil të gjallë plastik dhe figurativ. Historinë e rënies dhe të prishjes së njeriut e shndërron në historinë e shëlbimit me ndërmarrje të veçantë të vetë Krijuesit. Kësaj gojëdhëne i mbështetet ligji jahvist (Dl 34).
    Mendohet se burimi i saj është në Jude.

    b) Gojëdhëna elohiste e emërtuar kështu, sepse Hyjin e quan Elohim. Në këtë gojëdhënë takimi i Hyjit me njeriun është më pak material; fjalori është më i varfër e antropomorfizma ka shumë pak apo aspak.
    Kësaj gojëdhëne i mbështetet ligji elohist (Dl 21 23).
    Burimin duket se e ka në fiset e veriut.

    c) Gojëdhëna priftërore e emërtuar kështu, sepse mendohet se bartësit dhe krijuesit e saj ishin priftërinjtë e Tempullit të Jerusalemit. Flet për Aronin dhe për priftërinjtë, për ligjet e përgjithshme të Daljes (me përjashtim të ligjit jahvist dhe elohist që u përmendën) dhe për ligjet e Lev. dhe të Nr. Mendohet se bartësit e kësaj gojëdhëne qenë ata që ia dhanë Pesëlibërshit trajtën përfundimtare që arriti në kohën tonë.

    ç) Gojëdhëna deuteronomiste kjo gojëdhënë gjendet në librin e fundit të Pesëlibërshit, në Ligjin e përtërirë. Ky libër greqisht quhet Deuteronomion Ligji i dytë këndej i përtërirë, sepse përsërit ligjet e mëparshme, sidomos ato që prej Horebit e më këtej. U shkrua me qëllim që të vinte në pah dashurinë, kujdesin dhe përkrahjen e veçantë të Hyjit ndaj Izraelit. Po ky ndikim ndihet gjithashtu edhe në disa libra të tjerë jashtë Pesëlibërshit si në Librin e Jozuehit, në Gjyqtarët, në Librat mbi Samuelin dhe në Librat mbi Mbretërit.

    Duket se kjo gojëdhënë e ka burimin e vet në fiset e veriut dhe me sa duket, pasi ra mbretëria e Izraelit, levitët e atyre fiseve, e sollën në Tempullin e Jerusalemit.

    Gojëdhëna jahviste gjendet në Zan. që nga kr 2 e më tutje, në D1 dhe në Nr.

    Gojëdhëna elohiste gjendet në tre librat e parë.

    Gojëdhëna priftërore fillon që në Zan 1 dhe vazhdon në dy librat e tjerë, kurse Lev është i tëri i kësaj gojëdhëne.

    Kështu, në Zan, D1 dhe Nr janë të gërshetuara dhe të shkrira të tri gojëdhënat; Lev i përket vetëm gojëdhënës priftërore, kurse gojëdhënës deuteronomiste i përket i tërë Ligji i përtërirë.

    Në Pesëlibërshin, pra, si shihet, shkrihen gojëdhëna të ndryshme. Ato janë trashëgim i marrë nga Moisiu që, më vonë, u përpiluan dhe u renditën sipas rrethanave dhe nevojave të kohës, të njerëzve e të vendit. Në këtë mënyrë Moisiu mund të mbahet autor i Pesëlibërshit në vështrimin më të gjerë të fjalës, sepse ai si protagonist me paraqitje, veprimtari dhe ligjdhënie e, sipas shumë gjasave, edhe me ndonjë shkrim të lënë pas, i vuri themelet kombësisë hebrenje, besimit, ligjeve dhe gojëdhënave, këndej edhe vetë librat, në këtë vështrim, mund ta mbajnë emrin e tij.

    Edhe këtu duhet të vihet në dukje, çka vlen pak a shumë, për të gjithë librat e Biblës se një autor, pothuajse, ia shtrin puplën një autori tjetër, dhe atë, ndoshta, shumë herë një numër i madh njerëzish e vazhduan apo e përshtatën, sipas nevojës së njerëzve apo të kohës, atë që shkroi ai. Sepse, rrallë mund të gjendet ndonjë libër i kohëve të lashta që të jetë shkruar prej vetëm një autori. Kjo vlen posaçërisht për Shkrimin e shenjtë. Por, shumë prej tyre e stilizuan, e përmirësuan dhe e përshtatën. Njëmend, librat e Shkrimit të shenjtë u shkruan nën ndikimin e frymëzimin e Hyjit, por prapëseprapë libri mbiu, u rrit dhe lëshoi shtat deri në trajtën që arriti në kohën tonë, bashkë me jetën dhe me kohën.

  2. #2
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I ZANAFILLËS


    Zanafilla (Genesis Gjeneza, Të bërët, Prejardhja) hebr. Bere’shith. Në fillim, përmban parahistorinë në vështrim të përgatitjes së Popullit të zgjedhur.
    Libri i Zanafillës është, pothuajse, themeli i tërë BV. Në të shkrimtari hebre shtjellon në pika më kryesore arsyen e krijimit të rruzullit dhe jep arsyen biblike të krijimit dhe të historisë.

    Zan, për nga ana e trajtës së jashtme, ndahet në 10 brezni – Tôledôth:
    1. Tôledôth i i qiellit dhe i tokës (1, 1 2, 4a)
    2. Tôledôth i i Adamit (5, 1)
    3. Tôledôth i i Noehit (6, 9)
    4. Tôledôth i i Noehit e i bijve të Noehit (10, 1)
    5. Tôledôth i i Semit (11, 10)
    6. Tôledôth i i Tares (11, 27)
    7. Tôledôth i i Ismaelit
    8. Tôledôth i i Izakut (25, 19)
    9. Tôledôth i i Ezaut (36, 1)
    10. Tôledôth i i Jakobit (37, 2)


    Zan, sipas përmbajtjes paraqet:
    1. Parahistorinë e njerëzimit 1 11
    2. Historinë e patriarkëve të Popullit të zgjedhur 12 50
    a) Abrahami 12 25, 18
    b) Izaku 25, 19 26, 43
    c) Jakobi 27 50


    Parahistoria e njerëzimit shërben si hyrje në Bibël në historinë e shëlbimit. Nis nga fillimi i rruzullit, flet për njeriun e parë, rënien e tij dhe pasojat e rënies, për përmbytjen. Me Noehin e drejtë toka banohet përsëri. Breznitë që më parë ishin në përgjithësi, tani përcaktohen në një njeri në Abrahamin, që është trungu themelues i Popullit të zgjedhur.

    1. Abrahami njeriu, besimi dhe nënshtrimi i plotë vullnetit të Hyjit. Pasardhësit e tij do ta fitojnë për pronë tokën e premtuar.

    2. Jakobi është njeri shumë dredhanik që i zuri vendin të vëllait, Ezaut. Gjithashtu e fiton me dredhi edhe bekimin atëror të Izakut dhe e shfrytëzon mjeshtërisht ungjin, Labanin. Por, s’do t’i vlenin asgjë të gjitha dredhitë dhe aftësitë e tija po të mos e kishte parapëlqyer Hyji që në kraharorin e nënës. Dymbëdhjetë bijtë e Jakobit janë themeluesit e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit.

    3. Izaku është figurë e zbehtë ndërmjet Abrahamit dhe Jakobit.

    4. Jozefi, njeri i drejtë dhe i pajisur me urti. Tregimi mbi të ka për qëllim të paraqesë se Hyji nuk heq kurrë dorë nga njeriu i mirë dhe i drejtë dhe se Perëndia prej të keqes, mëkatit, nxjerr të mirën.

  3. #3
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I DALJES



    Emërtimi
    Librin e dytë të Pesëlibërshit Pentateukut e emërtojmë: Dalja dhe duhet të jetë përkthim i emërtimit LXX Exodos, të cilin e morën latinët e gati pothuaj të gjitha përkthimet. Hebraisht quhen, si rëndom, të gjithë librat e tjerë me fjalët e para: We’élleh šemôt: Dhe këta janë emrat.

    Përmbajtja e ndarja
    Dalja quhet shpeshherë edhe ‘Ungjilli i Besëlidhjes së Vjetër’, sepse kumton ‘Lajmin e gëzueshëm’ të ndërhyrjes hyjnore në ekzistencën e një grupi njerëzish /4, 31/ për t’i bërë të lindin për liri e për t’i bashkuar në një popull të shenjtë /19, 4 6/.

    Flet për ngjarjen e çlirimit të izraelitëve nga skllavëria egjiptiane, për të dalë nga ajo dhe për të trajtuar gjatë udhëtimit nëpër shkretëtirë për dyzet vjet si përgatitje në formim të fiseve në popull si dhe për Besëlidhjen në malin e Sinait.

    Këndej e ndajmë në tri pjesë kryesore:
    l. Dalja nga skllavëria /1, 1 15, 21/;
    2. Udhëtimi nëpër shkretëtirë /15, 22 18, 27/;
    3. Besëlidhja në malin Sinai /19 40/.


    Trajta letrare
    Dalja u quajt me të drejtë një epope fetare në themel historike. D1 përmban ngjarje historike që janë themeli i besimit të izraelitëve, por që shpeshherë zbukurohen me një ton epik e me zmadhime. Kjo mënyrë paraqitjeje shërbente për një qëllim të dyfishtë: dhënia e madhërisë dhe e lavdërimit Hyjit të Izraelit dhe vënia në pah e gjendjes së veçantë të popullit të Izraelit, popullit të zgjedhur në fuqi të pëlqimit të vullnetit të lirë të Hyjit.

    Përpunimi
    Siç u tha në hyrjen e Pesëlibërshit shihet qartë në këtë libër gërshetimi i gojëdhënave të ndryshme që specialistët i quajtën: Jahviste, Elohiste, Priftërore. Aty këtu gjendet ndonjë e përkitur e të dhënave të gojëdhënës Deutoronomiste.
    Pa hyrë në çështjen e diskutueshme të kohës së ngjarjeve që paraqiten jemi të mendimit se duhet të kenë ndodhur në shekullin XV para Kr. , kurse trajta e këtij libri që ka arritur te ne, sipas të gjitha gjasave, duhet të jetë e shekullit V para Kr.
    Në mbarë librin mbizotëron figura e Moisiut. I zgjedhur prej Hyjit për ndërmjetës mes Hyjit e popullit, i pajisur me cilësi në shkallën më të lartë për aftësi udheheqjeje, është me siguri figura historike veçanërisht e rëndësishme e popujve të lashtësisë. Por jo vetëm për lashtësinë e hershme, por s’ka dyshim se edhe për historinë e njerëzimit, është dhe mbetet njeriu që, për nga organizimi, e kjo në mënyrë të veçantë shpirtërore, është figura që s’ka qenë tejkaluar prej ndonjë njeriu tjetër. Është ati i judaizmit, vetë Mesia Jezu Krishti me kristianizëm e përsosi, kurse edhe për besimin e tretë monoteist botëror islamizmin, është gurrë nga e cila plotësisht varet dhe mbetet nën ndikimin e pamohueshëm më të madh.

    Ai në malin Sinai merr zbulesën hyjnore, dëgjon emrin e shenjtë të Hyjit dhe lidh Besëlidhjen në një teofani jashtëzakonisht të mrekullueshme.

  4. #4
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I LEVITIKUT
    - Formimi i një populli të shenjtë -


    Titulli

    Libri i tretë i Pesëlibërshit të Moisiut ose i Tora-s, Ligjit, quhet Levitik. Emërtimi i vjen prej përkthyesve në greqisht të të Shtatëdhjetëve, të cilët e quajtën Leueitikon ose Leuitikon /Biblion/. Këtë emërtim e përvetësoi edhe Vulgata dhe u bë i rëndomtë, pothuajse, në të gjitha gjuhët, në përkthimet e mëvonshme, e do të thotë Libri i Levitëve, i pjesëtarëve të fisit të Levit, të cilët me trashëgim bëheshin pjesëtarë të priftërisë në Izrael. Bibla hebraishte e emërton me fjalët e para të librit: “Wayyiqrâ” E /Zoti/ thirri.

    Përmbajtja

    Temat kryesore që rrahen në libër janë: kulti ritual që populli duhet t’i bëjë Hyjit dhe ligjet përkatëse lidhur me pastrinë ligjore, rituale që populli të jetë i shenjtë në praninë e Hyjit të shenjtë.

    Këto mund të paraqiten kështu:

    1. Në shtatë kapitujt e parë /1 7/ flitet në hollësi për flitë që izraelitët duhet t’ia paraqesin Zotit;
    2. Në kapitujt 8 9 flitet për shugurimin e Aronit e bijve të tij si dhe për hyrjen e tyre zyrtarisht në shërbesën priftërore, kurse në kapitullin 10 flitet për detyrat e priftërinjve.
    3. Në kapitujt 11 15 flitet për pastrinë e për papastrinë ligjore rituale si dhe për kuptimin e së “shenjtes” dhe të “profanes” dhe rregullat si mund të rifitohet “pastërtia rituale”.
    4. Në kap. 16 shtjellohen sjelljet për “ditën e madhe të shpërblimit”.
    5. Në kap. 17 26 jepet një përmbledhje ligjesh që zakonisht quhet “Kodi i shenjtërisë”.
    Kurse në kap. 27 flitet për kushte dhe për të dhjeta.

    Dihet se Levitiku nuk është një kod organik dhe sistematik i çështjeve që rreh, por është më tepër një renditje e përmbledhjeve të ndryshme të ligjeve të ndryshme e të pjesshme.

    Renditjen e fundit Levitiku e përjeton pas shpërnguljes dhe plotëson nevojat e Tempullit të Dytë.

    Libri është fryt i traditës priftërore.

    Levitiku u duk tepër vonë për të bërë një ndikim të madh në librat e tjerë të Biblës. Pastaj, sa për libra të Beslidhjes së Re, gjithashtu mund të thuhet se për shkak të rregulloreve të kalueshme të flive që ishin vetëm shenjë e flisë së Krishtit e që u përkryen me vdekjen e Jezu Krishtit dhe e humbën, prandaj rëndësinë e tyre, sigurisht që nuk ka ndikuar as ndër ta.

    Megjithatë, ndikimi indirekt është shumë i madh e arsyeja qëndron në atë që njerëzit kanë nevojë ta shprehin kultin ndaj Hyjit edhe në mënyrën e jashtme. Por, pa Levitikun do të na mungonin shumë elemente për të kuptuar se si shën Pali dhe sidomos Letra drejtuar Hebrenjve e kanë shtjelluar teologjikisht vdekjen e Krishtit.

  5. #5
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I NUMRAVE



    Titulli

    Emri “Numrat” që tani përdoret pothuajse në të gjitha përkthimet, i vjen këtij libri prej përkthyesve në greqisht të Shkrimit të shenjtë, nga të Shtatëdhjetët. Të Shtatëdhjetët e titulluan librin e katërt të Pesëlibërshit të Moisiut “Arithmoi”, të cilin Vulgata e përktheu me “Numeri” ose “Liber Numeri”. Po këtë titull e morëm edhe në përkthimin tonë. Bibla hebreje përdor dy emërtime: “Vayyedabber - E /Zoti/ foli”, fjala e parë e librit, dhe atë që është shumë më i përhapur në Biblat hebreje moderne: “Bemidbar - Në shkreti”, që më mirë i përgjigjet përmbajtjes dhe është fjala e katërt e librit.

    Ndarja dhe përmbajtja e Librit

    Libri ndahet lehtë në tri pjesë:
    a/ Në Sinai/ 1, 1 10, 10/, ku flitet se si populli, sipas vullnetit hyjnor, është një bashkësi e përbërë prej dymbëdhjetë fisesh. Libri hapet me “numërimin”, regjistrimin për rishtari ushtarake, nga edhe të Shtatëdhjetët ia caktuan emrin /1 4/. Vend të veçantë ka fisi i Levit, i cili nuk hyn në numërimin e ushtarëve për shkak se, për vullnet të Zotit, është i caktuar të kryejë shërbesat hyjnore në Tendë. Kapitujt 5 10 përmbajnë një përmbledhje ligjesh të ndryshme që vështirë lidhen me përmbajtjen e librit.
    b/ Në shkreti/10, 11 22, 1/, ku flitet për kohën që populli e kaloi në shkretëtirë dhe për ngjarjet e ndryshme që atje i përjetoi. Është pjesa thelbësore e librit ku shihet fytyra e njeriut e fytyra e Zotit: populli s’pushon së qituri shqelma e nynykaturi aq sa dëshiron të kthehet në Egjipt, pra, në skllavëri, kurse Zoti, gjithherë i mëshirshëm, qorton por nuk heq dorë nga njeriu për ta shpënë në Tokën e premtuar në liri.
    Edhe kjo pjesë e këput vazhdimësinë e tregimit të ngjarjeve me disa përmbledhje ligjesh që janë si një shtojcë e Daljes dhe e Levitikut si p. sh. kap. 15, 1 15: ligje për fli e kushte etj. etj.
    Në udhëtim drejt Tokës së premtuar populli jo vetëm se vonon arritjen e vet në Tokën e premtuar për shkaqe të brendshme: murmurime, mospërfillje e vullnetit të Zotit, por has edhe në pengesa të jashtme: populli i Edomit /20, 14 22/, i Aradit /21, 1 3/, i Seonit /21, 21 31/, i Ogut /21, 32 35/, që ia vonojnë arritjen në cak.
    c/ Në tokën e Moabit /22, 2 36, 13/ Izraelitët janë afruar Tokës së premtuar. Aty pengohen nga mbreti Balak, i cili kërkon ndihmën e vëguesit Balaam që, me mallkimin e tij, ta pengojë Izraelin. Balaami, në vend që ta mallkojë Izraelin, i shtytur prej Hyjit, e bekon.

    Pas ngjarjeve tronditëse të lavirësisë së izraelitëve me idhuj në Beelfegor /25/, populli bie përsëri në fije /26/. Ndërkaq populli fiton ligje të reja që duhet t’i rregullojnë jetën në Tokën e premtuar. Populli mbetet në rregullimin fisnor, këndej edhe Tokën e premtuar e ndajnë në krahina ndër njëmbëdhjetë fiset e Izraelit, kurse Levitëve u caktohen qytetet e tyre, sepse ata nuk kanë pronë të veçantë si fis dhe njëkohësisht caktohen gjashtë qytetet strehim për ata që do të bëjnë disa krime /35/.

    Libri në thelb flet se si Hyji e organizon popullin e vet në shkretëtirë dhe si i prin drejt Tokës së premtuar.

    Vlera e pakalueshme e këtij libri dhe, që e bën gjithmonë të kohës, qëndron në paraqitjen e shtegtimit të popullit të Hyjit, të atij të Izraelit, për të cilin flet, si dhe të çdo populli tjetër që shtegton shpirtërisht drejt Zotit. Zoti e bën të zemërimiojë e të çojë; i prin dhe e ushqen, e përkrah dhe e ndëshkon. Por populli /edhe çdo njeri/ i kundërshton, lodhet, mërzitet në shtegtim drejt Tokës së premtuar / jetës së ndershme besimtare morale/, aq sa dëshiron e planifikon të kthehet në Egjipt në skllavëri. Kështu e vonon arritjen e vet në cak, madje edhe të mirëve s’u mbetet tjetër, por ta vërejnë së kundrualli. Kë intereson shtegtimi shpirtëror drejt përsosmërisë, qoftë si popull, qoftë edhe si person, libri i Numrave është me vlerë papërshkrueshmërisht i rëndësishëm.

  6. #6
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I LIGJIT TË PËRTËRIRË


    Titulli

    Emërtimi i të pestit libër të Pesëlibërshit të Moisiut, që ne po e marrim në shqyrtim, vjen nga përkthimi greqisht i të Shtatëdhjetëve, të cilët e quajtën: Deuteronomion Ligji i dytë. E parapëlqyem titullimin me: Ligji i përtërirë për arsye se në të vërtetë ky nuk është një ligj i dytë, por i njëjti ligj, porse i përtërirë me shtjellime, me shpjegime. Edhe pse përkthyesit grekë e përkthyen gabimisht 17, 18: “mišneh hat tôrah” përsëritje e ligjit, pra, kopje, përsëdytje e ligjit, emërtimi “Ligji i dytë”, megjithatë mjaft mirë e pasqyron librin për nga përmbajtja. Hebrenjtë, sipas zakonit të tyre, e quajnë me fjalët e para të librit: “Elleh had debharîm - Ja, fjalët” ose edhe vetëm: “Debharîm Fjalët.”


    Trajta dhe përmbajtja e librit

    Për nga trajta libri është një shtjellim i ngrohtë i Ligjit me anë të gjinisë letrare të fjalimit. Lënda për të cilën flet, ndahet në gjashtë pjesë të shtjelluara përmes katër fjalimeve të Moisiut që i mban në rrafshin e Moabit, në bregun e Jordanit, përballë Jerikut. Fjalimet ndërpriten me kodin e Ligjit të përtërirë dhe me tregimin e ditëve të fundit të jetës së Moisiut dhe të vdekjes së tij.

    1. Fjalimi i parë i Moisiut: 1, 6 4, 40. a/1, 6 3, 29: pjesa historike e ngjarjeve prej çojës së Sinait deri me ardhjen në Moab; b/ 4, 1 40 pjesa e fjalimit të Moisiut që nxit të zbatohet ligji.

    2. Dekalogu, besnikëria ndaj Zotit, urdhri për shfarosjen e kananenjve, falenderim për ndihmat gjatë udhëtimit nëpër shkretëtirë, qortime që nxjerrim nga e kaluara e mësime për të ardhmen.

    3. Kodi deuteronomik: 12, 26. Është pjesa thelbësore e librit që sjell ripërtëritjen e ligjit: Ligje besimi, autoriteti, ndaj të afërmit, frytet e para e të dhjetat dhe përfundimi i qortimit. /Fjalimi i dytë i Moisiut/.

    4. Fjalimi i tretë i Moisiut: udhëzime lidhur me Rrasat e Ligjit me mallkime kundër atyre që e shkelin Ligjin; bekimet dhe mallkimet dhe përfundimi i fjalimit.

    5. Fjalimi i katërt i Moisiut: përtërihet qortimi për ta mbajtur Ligjin me përkujtim të së kaluarës, me premtime e kërcënime.

    6. Ditët e fundit të Moisiut: zgjedhja e Jozuehut për pasardhës /31/, kënga e Moisiut /32/, bekimi i dymbëdhjetë fiseve /33/ dhe vdekja e gjëma e Moisiut /34/.

    Palca e Ligjit të përtërirë është dashuria e lirë e Zotit ndaj popullit të zgjedhur. Izraeli, nësë do ta gëzojë Tokën e premtuar, duhet ta pranojë Zotin për Hyj të vetin duke përjashtuar plotësisht të gjitha hyjnitë e paganëve: pabesnikëria ndaj Zotit do të ndëshkohet pa mëshirë.

    Ligji i përtërirë mund të quhet Libri i Besëlidhjes për veçanti. Besëlidhja është një dhuratë dhe një kërkesë e jetës.

    E denjë për t’u vënë re është dashuria ndaj të afërmit me mëshirë e dhembshuri ndaj të mjerëve. L. i përtërirë ka faqe me të cilat, më tepër se çdo libër tjetër i BV, i afrohet lartësisë hyjnore të Ungjillit. Prej syrit depërtues të Moisiut vërehet Mesia si profeti i Madh e i fundit /18, 15 19/.

    Një pamje teologjike dhe një pritje e fortë e bëjnë L. p. një kryevepër të letërsisë së vjetër. Por besimtari mund të lexojë në të jetën e vet me ato ngritje e rënie shpirtërore që i sprovon gjithkush, po në të mund të gjejë gjithmonë nxitjen e fortë për ngritje: Sepse “Fjala është krejt afër teje, në gojën tënde, mu në zemrën tënde që ta zbatosh.” /31, 14/.

  7. #7
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRAT HISTORIKË

    JOZUEHU, GJYQTARËT, RUTA, SAMUELI, MBRETËRIT



    BESËLIDHJA NË PROVË GJATË KOHËS

    Këta libra në Biblën hebraike quhen: “Profetët e mëparshëm” në kundërvënie me “Profetët e mëvonshëm”, siç janë Isaia, Jeremia, Ezekieli dhe të Dymbëdhjetë të vegjlit. Ky emërtim u erdhi lidhur me një traditë që këta libra i mbante për shkrime të Jozuehut, libri me të njëjtin titull dhe pastaj të Samuelit, dhe Librat mbi Mbretër të Jeremisë.

    Ne i quajmë: Libra historikë, sepse na paraqesin historinë e hyrjes dhe të marrjes në pronësi të Tokës së premtuar dhe përgjithësisht jetën e popullit të Izraelit në Tokën e premtuar, besnikërinë e Zotit ndaj Besëlidhjes dhe qëndrimin e këtij populli më së shumti, në mënyrë jobesnike ndaj Besëlidhjes.

    Themi histori, por kjo nuk duhet kuptuar si histori e kohës së sotme me kronologji e përpikmëri paraqitjeje, por më tepër si zgjedhje ngjarjesh të trashëguara në bazë të tregimit të atyre që i kanë përjetuar, e të renditura sipas planit që hagiografi e kishte paraparë ta paraqiste. Faktet paraqiten dhe idealizohen sipas planit: sukseset janë të Zotit e të besnikërisë së tij sipas fjalës që u kishte dhënë etërve të popullit, kurse mossukseset janë fryt i pabesnikërisë së popullit ndaj besëlidhjes. Mesazhi i këtyre librave është: besnikëria ndaj Ligjit të Zotit sjell suksese, pabesnikëria dështime; autorët sjellin të dhënat që e ilustrojnë këtë mesazh.

    Për lexuesin e atëhershëm, po edhe të sotmin, këta libra janë një nxitje e vazhdueshme me pyetjen gjithherë të kohës: “Sa jam besnik i ndërgjegjes së ndritur nga sa e sa të ndritura të kulturës, të civilizimit, e, posaçërisht, të Zotit me BV e me BR”?

    Edhe një gjë: edhe lexuesin e shquar, që mund të jetë sado kudo i thelluar në kuptimin e filozofisë së historisë, pra, në kuptimin e vështrimit të historisë, qoftë të asaj të Shëlbimit, qoftë edhe të historisë në përgjithësi, mund t’i duket tepër e vështirë për t’i kuptuar ato paraqitje të egra e të vrazhda të disa veprimeve si fjala vjen të ‘heremit’të anatemës, të ngarkimit me mallkim’ të shfarosjes me të njomë e me të thatë të mbarë qyteteve e popujve. Nuk duhet të shkandullohemi, por t’i shikojmë në këndvështrimin e marrëdhënieve të kohës. S’duhet të harrohet se gjendemi në një kohë kur ndërgjegjja njerëzore nuk kishte arritur ende një përparim të dëshirueshëm. Ato ishin ligje të përbashkëta të kohës e të popujve, ligje lufte që, ehe mjerim(!) s’dimë të gjejmë përligjje as për ditët tona. Të mos mendojmë tjetër vetëm shfarosjet në masë të Luftës së Dytë Botërore, që e përjetuam edhe ne: burgje, llogore përqendrimi me vdekje të ngadalësuar! Vrasje. Vrasje dhe burgime jo në numër të vogël, por me miliona, dhe jo vetëm në luftë, por, mjerisht, edhe pas saj dhe jo dy mijë vjet para Krishtit, por dy mijë pas Krishtit! Pastaj duhet shtuar se hagiografi mendimet e popullit dhe veprimin e tij, ia mbështet shumë herë lehtë Zotit, si në vijën e fundit, e s’i merr, shpesh herë fare parasysh shkaqet e dorës së dytë. Takimi, pastaj, me popujt idhujtarë për besimin monoteist të izraelitëve, sillte pa dyshim rrënim e dëmtim të sigurt. Shto pastaj, se të gjitha këto veprime çanësohen si “ndëshkim i drejtë për shkak të paudhësive dhe veprave përçudnuese të idhujtarëve”.

    Nuk duhet nënvleftësuar se shfarosjet në të vërtetë kanë qenë shumë më pak sistematike sesa mendohet; thjeshtësimi është pjesë edhe e gjinisë letrare.

  8. #8
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I JOZUEHUT



    Titulli

    Bibla hebraike e quan: JEHOSHUA, Të Shtatëdhjetët: JEZUS, kurse Vulgata: Liber Josue - Libri i Jozuehut.

    Emërtimi i këtij libri vjen prej personazhit kryesor të Librit. E njohim prej librave të mëparshëm të Pesëlibërshit të Moisiut. Ishte përkatës i fisit të Efraimit, biri i Nunit dhe quhej “Hôshe’a”. Këtë emër që do të thotë /shëlbon/, Moisiu ia shndërroi në “Jehôshu’a” Zoti shëlbon. E përmend D1 23, 13;17, 8 16; 24, 13; 33, 11; Nm 11, 27 29; 13, 8; 14, 30 38 etj. Ja përcjellës dhe ndihmës i Moisiut dhe ai vetë, nën urdhrin e Zotit, duke ia vënë duart mbi kokë, para mbarë kuvendit të dheut të izraelitëve e cakton pasardhës të vetin për t’i prirë popullit e për ta sunduar.


    Përmbajtja

    Mbarë libri mund të ndahet në dy pjesë:

    1. Pjesa e parë: /kk 1 12/ flet për pushtimin e tokës së Kanaanit. Kalimi me mrekulli i lumit Jordan. Pushtimi i Jerikut, po ashtu me mrekulli. Pushtimi, edhe ky mrekullisht pas sulmit që shkoi huq, i qytetit Hai. Pushtimi i krahinës së jugut. Shërria e gabaonëve. Pushtimi i krahinës veriore. Përfundimi i pjesës së parë.

    2. Pjesa e dytë: /kk 13 24/ flitet për ndarjen e Tokës së premtuar ndër fiset e Izraelit.

    Pasi bën që populli ta përsërisë besëlidhjen me Zotin me përbetim kremtor se do t’i shërbejë vetëm atij e atë do të adhurojë, mban një fjalim në Sihem dhe, në moshën 110 vjeç, vdes e varroset në pronë të vet në Tamnatsare, në pjesën e fisit të Efraimit, në pjesën veriore të malit Gaas.

    Për sa i përket autorit si dhe kohës së krijimit: çështjet janë shumë të koklavitura. Mendimi më i përgjithshëm duket se është: autori anonim ndoshta ishte prej fiseve të Transjordanisë në kohën kur Davidi ende qëndronte në Hebron.

  9. #9
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I GJYQTARËVE
    - Një popull në formim -


    Librin në fjalë Bibla hebraike e quan Shofëtim, të LXX tët e quajnë Kritai /greqisht/, Vulgata Iudices /latinisht/ e ne në përkthim po e quajmë “Gjyqtarët”.

    Titulli i përgjigjet mjaft mirë brendisë së librit me kusht që fjalës të mos i jepet kuptimi i ngushtë ‘gjykatës’, por një vështrim shumë më i gjerë. Gjyqtarët këtu kanë kuptimin e personave që janë udhëheqës të pajisur me pushtet ushtarak e civil. Këta kanë edhe një veçori: janë njerëz posaçërisht të ngritur prej Zotit për të shpëtuar një fis a shumë fise të popullit të Izaelit, kur ky bie nën pushtimin e popujve idhujtarë fqinjë. Janë pra, çlirimtarë, heronj, të kohës ndërmjet Jozuehut dhe formimit të monarkisë izraelite.


    Përmbajtja

    Libri mund të ndahet:

    a) Në dy hyrje /1, 2, 5/, ku na paraqitet gjendja e Izraelit pas vdekjes së Jozuehut dhe /2, 6 3, 6/, ku na paraqitet gjendja fetare e Izraelit që gjendet gjithmonë në lëkundje: Ja besnike e Ja gjendje idhujtare.

    b) Pjesa qendrore e librit /3, 7 16, 31/, ku flitet për Gjyqtarët çlirimtarët, heronjtë, udhëheqësit e ngritur posaçërisht prej Zotit po për këtë qëllim. Ekzegjetët i ndajnë në gjashtë “të mëdhenj” e në gjashtë “të vegjël”, jo lidhur me rëndësinë e tyre më të madhe a më të vogël, por lidhur me njoftimet që na jep Libri për ta.

    c) Dy shtojcat: e para /17 18/, ku flitet për idhujt e njëfarë Mike dhe migrimin e fisit të Danit; e dyta /19 21/, ku flitet për përdhunimin e një gruaje dhe shfarosjen e fisit të Beniaminit.


    Autori

    Tradita, qoftë ajo hebraike, qoftë edhe ajo e krishterë, Librin ia mbështet Samuelit. Në libër janë të gërshetuara tradita të ndryshme, të cilat duket se vetëm janë sistemuar sipas planit të përpiluesit deuteronomist, të paprekura ose fare pak të prekura për të treguar ciklin: pabesnikëria e rrjedhimi i saj: ndëshkimi; pendimi i izraelitëve rrjedhimi i tij: Zoti dërgon çliruesin - gjyqtarin; pra: pabesnikëri - ndëshkim; pendim - çlirim.

    Duke lexuar Librin duhet pasur para sysh, pra, se ato janë tradita shumë të vjetra, të zgjedhura sipas planit të hagiografit, që ka për qëllim të paraqesë jetën shumë të vështirë të izraelitëve para themelimit të një pushteti qendror të monarkisë. Kjo vështirësi ishte aq më e madhe për të ruajtur monoteizmin mes popujve idhujtarë më të fortë se izraelitët. Tregimet epike të këtyre heronjve na japin një dritë për t’i kujtuar vështirësitë e këtij populli për të mbetur gjallë. Këto kujtime të çliruesve, të treguara thjesht dhe me një shije të veten të posaçme të kohëve të lashta, synojnë të na japin një vështrim të thellë të historisë: vërtet në këtë popull që lufton për të qëndruar gjallë me ço e rrëzo të vazhdueshme, është piktura e jeta e njeriut që tani është besnik dhe pas pak bie në fund me sjelljet e me veprimet e veta morale. A nuk është kjo edhe për Kishën e Krishtit një pasqyrë? Mendoj për popullin e krishterë, që i kërcënuar prej mijëra e mijëra joshjesh të idhujtarive të ndryshme, bie e çohet orë e çast gjatë historisë. Por, edhe përmes sa e sa ngjarjeve të trishtueshme, që na i paraqet ky libër, vërteton thellë se “udhëheqësi” i fundit i mbarë historisë është Zoti.

    Libri i mësonte izraelitët se ndëshkimi është rrjedhim i pabesnikërisë, kurse ngadhënjimi mbi armikun fryti i pendimit e i kthimit te Zoti. Kishtari i lëvdon Gjyqtarët për besnikërinë e tyre /Sir 46, 11 12/, kurse Letra drejtuar Hebrenjve na i parqet sukseset e tyre si shpërblim për fenë e tyre: këta janë ajo “re dëshmitarësh” që u jep zemër të krishterëve t’i ikin mëkatit e t’i mbartin me duresë vuajtjet /Hebr 11, 32 34; 12, 1/.

  10. #10
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I RUTËS
    - NJË E HUAJ: STËRGJYSHE E MESISË -


    Ky libër i vogël /s’ka përveç katër kapituj/ u quajt kështu sipas emrit të personit kryesor: Ruta. Ngjarja që përshkruan, duhet të ketë ndodhur në kohën e Gjyqtarëve. Shumë prej emrave të mëdhenj të biblistëve, sidomos të fillimeve të krishterimit, e kanë mbajtur si Shtojcë të librit të Gjyqtarëve.

    Përmbajtja është shumë e thjeshtë: Elimeleku nga Betlehemi, i shtyrë prej gjendjes së vështirë ekonomike, e lë vendin e vet dhe, me gruan e me dy djem, shkon në tokën e Moabit. Ai vdes, djemtë i martohen me dy bija moabësh. Vdesin edhe djemtë e Noemia, nëna e djemve, mbetet vetëm me dy reja pa fëmijë. Mendon plaka të kthehet në vendin e vet dhe rejat i vihen pas. Njërës ia mbush mendjen të kthehet në gjininë e saj, por tjetrës, Rutës, s’ia del dot. Ajo vjen me të në Betlehem dhe atje e marton me një kushëri të burrit - në bazë të ligjit të leviratit /Lp 25, 5 10/ dhe prej asaj martese lindi Obedi - gjyshi i Davidit.


    Autori dhe koha e krijimit

    Autori mbetet i panjohur. Tradita, qoftë hebraike, qoftë e krishterë, ia mbështet Samuelit. Koha e krijimit është e vështirë të përcaktohet. Ka të tillë që e mendojnë më herët, por shumica e vënë pas shpërnguljes, në kohën e ripërtëritjes me Ezdrën e Neheminë /rreth 550 para Kr. /


    Mesazhi

    Një moabite /nga populli i përjashtuar, shih Lp 23, 4 ev/, prej dashurisë që ka Zoti për të gjithë njerëzit, bëhet bijë e Izraelit e hyn në lëndën gjenealogjike të më të madhit mbret të Izraelit - stërgjyshe e Davidit e po kështu edhe e Mesisë /Mt 1, 3 5/. Ç’argument i bukur për t’u rrahur e ç’mësim!

    A është Ruta tregim historik apo krijim letrar? S’është me siguri një punë e lehtë për ta provuar. Ka arsye të mendohet edhe si krijim letrar, pasi edhe kuptimi i emrave është disi si i paramenduar: Mahalon - debolim; Kelion - shkrirje; Rutë - mikeshë, shoqe; Orfë - ajo që kthen shpinën, pra që shkon, kthehet.

    Nëse do të ishte kështu, atëherë porosia del shumë më e shquar.

    Sidoqoftë, porosia e këtij libri të shkurtër, por si vepër letrare shumë e qëlluar, është edhe shumë aktuale: dashuria e përcjellë me nderim ndaj të afërmve, hapja ndaj të huajve me çlirim nga skoriet e nacionalizmit të ngushtë që zë frymën e përparimit, ja ndaj hirit hyjnor që thërret gjithkënd duke ndikuar në ndërgjegjen e njeriut, - janë mësime të begatshme, të shëndosha e gjithmonë të fuqishme, që i japin librit vlerë të përhershme.

Faqja 0 prej 5 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Popujt e zhdukur
    Nga Fatih në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 15
    Postimi i Fundit: 03-01-2010, 19:27
  2. Ortodoksia dhe Shqipëria
    Nga shendelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 258
    Postimi i Fundit: 07-04-2004, 18:16
  3. Pazari i vjetër i Krujës
    Nga Eni në forumin Folklori shqiptar
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-02-2003, 14:34

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •