Close
Faqja 2 prej 5 FillimFillim 1234 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 44
  1. #11
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I PARË I dhe II SAMUELIT
    - Të themelohet një mbretëri për Hyjin -



    Titulli

    Në fillim dy Librat e Samuelit ishin një libër i vetëm. Ndarja në dy libra u bë më vonë me përkthimin e të Shtatëdhjetëve, të cilët në përkthim greqisht, ndoshta sepse libri ishte i shkruar në dy rrotulla për shkak të gjatësisë, e ndanë në dy libra. Ata edhe i quajtën, bashkë me dy librat mbi Mbretërit, Libri I, II, III, IV mbi Mbretërit, nga e përvetësoi edhe Vulgata këtë titullim me Libri I, II, III, IV mbi Mbretërit. NOVA VULGATA dy librat e parë i titullon: Libri I, II i Samuelit. Kurse dy librat e tjerë, III dhe IV, siç do të shohim, i titullon: Libri I, II mbi Mbretërit.


    Përmbajtja

    Librat I, II të Samuelit flasin për:
    1. Samuelin, Gjyqtar i fundit i Izraelit /kk. 1 12/:
    a/ Lindja dhe rinia e tij në Tempullin e Silos, përbuzja e priftit Eli dhe e bijve të tij nga ana e Zotit;
    b/lufta e parë e filistenjve që e humbin izraelitët dhe u grabitet Arka e Besëlidhjes, për kthimin e Arkës së Besëlidhjes për shkak të murtajës që i kap filistenjtë;
    c/ për veprimtarinë ripërtëritëse të Samuelit, luftën e dytë kundër filistenjve me fitore të izraelitëve;
    ç/ për themelimin i Monarkisë: për shkak të udhëheqjes së dobët të bijve të Samuelit, populli kërkon një mbret. Samueli e shuguron Saulin për mbret të parë në Izrael.
    2. Saulin, mbret i parë i Izraelit, / 1 Sam 13 2 Sam 1/:
    a/ Lufta e tretë me filistenjtë, padëgjesa e Saulit;
    b/ Lufta kundër amalekëve: fitore, por padëgjesë e përsëritur e Saulit dhe përbuzja e tij nga ana e Zotit;
    c/ Davidi shugurohet fshehtas për mbret të Izraelit dhe pranohet në oborrin mbretëror si këngëtar dhe pastaj edhe armëmbartës i Saulit;
    ç/ Lufta e katërt kundër filistenjve: Davidi vret Goliatin: kjo trimëri i fiton miqësinë vëllazërore të Jonatës e smirën, që s’do t’i hiqet kurrë, të Saulit, prej të cilit i duhet të ikë edhe pasi që bëhet dhëndrri i Saulit;
    d/ Jeta e Davidit e të ikurit që, prej një vendi në vend tjetër i dëbuar prej Saulit, i duhet të kalojë edhe ndër armiq deri që në luftën e pestë kundër filistenjve nuk mbeti i vrarë Sauli me Jonatën e deri që i shpartallohet ushtria.
    3. Davidi mbret në Hebron dhe themelues i dinastisë /2 Sam 2, 24/:
    a/ mbret i Judës në Hebron, luftërat civile ndërmjet të përkrahësve të familjes së Saulit dhe të Davidit: vrasja e Abnerit dhe e Isbaalit;
    b/ mbret i mbarë Izraelit me kryeqytet Jerusalemin që e pushton, ku kalohet Arka e Besëlidhjes; premtim mesianik /k. 6/;
    c/ shrregullime familjare në shtëpinë e Davidit: Davidi kurorëshkelës dhe vrasës i Urisë: qortimi i Natanit; të tjera ultësi morale dhe ngatërresa e vrasje në familje;
    ç/ kryengritja e Absalomit dhe mbarimi i tij.
    4. Shtojcat /kk. 21 24/: janë pjesë disi të ndara nga përmbajtja e rëndomtë e librit, por që janë pjesë e tij. Aty flitet për vrasjen e shtatë pasardhësve të Saulit për shkak zie trivjeçare, për heronjtë e Davidit në luftëra kundër filistenjve, kënga ngadhënjyese e Davidit, fjalët e tija të fundit, trimat e Davidit, regjistrimi i mbretërisë dhe ndëshkimi me gërbulë e ndërtimi i një lteri në Sion.

    Lexuesi i kujdesshëm mund të nxjerrë dobi të madhe nëse di të gjejë në këtë tregim, me shumë pjesë të hidhura e plot dredhi, problemet e përhershme: nuk e pranon Zotin as nuk vepron për mbretërinë e tij kush nuk vepron me ndërgjegje të pastër e me besnikëri të plotë. Kush do, mund ta hetojë se me histori drejton Zoti dhe ai është gjithmonë i pranishëm në të, megjithëse njerëzit, e posaçërisht, ata që janë në timonin e shoqërisë, shumë herë heqin mbrapshtë.


    [vazhdon]

  2. #12
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRAT E MBRETËRVE
    - Prej kulmit të lavdisë në shkatërrim: shkaku pabesnikëria -


    Emërtimi

    Tanimë është përcaktuar të quhet Libri i mbretërve, i pari dhe i dyti. Origjinali ishte një libër i vetëm, por përkthyesit në greqisht, LXX e ndanë në dy libra, përafërsisht me të njëjtën madhësi dhe Vulgata e ndoqi këtë ndarje /Vulgata i quajti Libri III dhe IV i Mbretërve sepse me këtë emërtim përfshinte edhe dy librat e Samuelit/. Këtë ndarje e mori edhe Bibla hebraike që prej vitit 1517. Nova Vulgata Vulgata e Re, të cilën edhe ne e ndjekim, i quan: Libri I dhe II i Mbretërve.


    Përmbajtja

    Librat flasin për historinë e popullit të zgjedhur që prej vdekjes së Davidit e deri në shkatërrimin e popullit të zgjedhur me shpërnguljen me dhunë në Babiloni, në të vërtetë, deri në çlirimin e Jojakinit në vitin 561.

    Përmbajtja e librit mund të ndahet në tri pjesë:
    Pjesa I: Historia e Salomonit /1 Mbr 1-11/:
    a/ Veprat e sprasme të Davidit /1, 1 - 2, 11/;
    b/ Vitet e para të Salomonit /2, 12 - 4, 34/;
    c/ Ndërtimi i Tempullit /5, 1 - 9, 19/;
    d/ Kulmi dhe perëndimi i mbretërisë së Salomonit /9, 20 - 11, 43/.

    Pjesa II: Historia e dy mbretërive të ndara:
    a/ Ndarja politike dhe religjioze /1 Mbr 12, 1 - 24, 17/;
    b/ Historia e mbretërive të ndara /1 Mbr 12, 25 - 16, 34/;
    c/ Historia e Elisë dhe e Elizeut /1 Mbr 17 - 2 Mbr 1-13/;
    d/ Vijim i historisë së mbretërive të ndara /2 Mbr 14-17/.

    Pjesa III: Historia e mbretërisë së Judës deri në shpërngulje; /2 Mbr 18-25/:
    a/ Mbretëria e Ezekisë, mbretit të përshpirtshëm /18-20/;
    b/ Kobësia e Manaseut dhe e Amonit /21/;
    c/ Ripërtëritja religjioze e Jozisë /22, 1 - 23, 30/;
    d/ Shpartallimi dhe shpërngulja e Judës /24, 1 - 25, 26/;
    e/ Falja që e fitoi Jojakini /25, 27 - 30/.


    Vlera historike

    Megjithëse Autori ka përdorur të dhëna historike dhe ato, me pak përmirësime, përputhen me të dhënat historike të kohës, kështu që kanë vlerë historike, prapëseprapë synimi i Autorit është: më tepër një interpretim i historisë në dritën e porosisë themelore të Deuteronomit Ligjit të Përtërirë: Një Hyj i vetëm, një Tempull i vetëm.

    Pa vështirësi mund të hetohet nga lexuesi se rrjedha e tregimit të ngjarjeve ka për qëllim të theksojë e të argumentojë se pabesnikëria ndaj Besëlidhjes me Hyjin dhe ndaj kultit të tij i ka sjellë popullit të zgjedhur rrënimin deri në shpërngulje e në mërgim me dhunë. Synimi i Autorit ka qenë të vërë në pah si është e mundur që populli i zgjedhur, prej kulmit të lavdisë, të bjerë aq poshtë, më së pari duke u ndarë politikisht e religjiozisht, e pastaj, nga pabesnikëria e mbretërve, edhe mbarë populli të marrë rrugën e shkatërrimit të vetvetes për shkak të pabesnikërisë ndaj Hyjit.

    Ngjarjet e përsiatura në dritën e fesë e bëjnë lexuesin të hetojë pa vështirësi se mëkati është shkaku i rrënimit të individit dhe të bashkësisë qoftë ai edhe populli i zgjedhur i Zotit si bashkësi ose edhe i Shuguruari /të tillë ishin mbretërit, historia e të cilëve paraqitet/, domethënë nëkushtet kur nuk i shmangen udhës së mëkatit. Mendimi qendror i librit, ose i librave është: Besëlidhja e Hyjit nuk bën të tradhtohet.

    Ky kënd shikimi vërtet ka diçka ndrydhëse, por është çështja e rëndësisë së madhe të njeriut të pajisur me vullnet të lirë.

    Mëkati është kudo kaq thellë i mbërthyer në njeriun dhe i bërë, të thuash, petk në të, saqë vetë Zoti duhet të ndërmarrë diçka për të trajtuar në njeriun “një zemër të re” /Jeremia 31, 32 ev. /. Tregimi i çlirimit të Joakinit në shtojcën e librit, është si një thirrje shprese për shpirtrat e bërë hi e pluhur prej shkatërrimit e deportimit.

  3. #13
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRAT HISTORIKË


    - KRONIKAT, EZDRA, NEHEMIA -


    HISTORIA E IZRAELIT, PREMTIMI I HYJIT

    Librat historikë të Biblës nuk janë një kujtim i thjeshtë i ngjarjeve të së kaluarës që tashmë është mbyllur, por një kujtesë e tanishme, vetëdije e gjallë e një populli që synon ta kryejë misionin e vet në historinë e zhvillimit të njerëzimit.

    Librat e Kronikave, Ezdra dhe Nehemia janë një përpjekje e gjallë për ta kujtuar të kaluarën me qëllim që të përgatitet e ardhmja. Pas mërgimit për më shumë se një shekull këta libra e tregonin të kaluarën, ngjarjet e hershme dhe të kohës në mënyrën e vet të posaçme; por më tepër si përsiatje shprese për të ardhmen.

    Nga fati i brendshëm i njerëzimit veçohet thirrja e Izraelit që sillet drejt mbretërisë dhe Tempullit të Jerusalemit: Izraeli me dinastinë e Davidit, Jerusalemi me Tempullin e kultit të vërtetë ndaj Hyjit shënon praninë e Hyjit mes njerëzimit.





    LIBRAT E KRONIKAVE


    Përsiatje e re mbi historinë e Izraelit

    Emërtimi Bibla hebraike i quan: “Dibre hajamim”, që do të mund të përkthehej me: “Fjalë /Ngjarje/ të ditëve”, kurse shën Jeronimi i përkthen: “Chronicon totius historiae divinae” Kronikë e mbarë historisë hyjnore”. Të Shtatëdhjetët e përkthyen greqisht: “Paraleipomenon” që do të mund të përkthehet me: “Lajme të lëna” që e plotësojnë atë që e kanë thënë në librat e tjerë. Këtë emërtim e mori edhe Vulgata.

    Ne po i quajmë Librat e Kronikave.

    Mendojmë se është e nevojshme të theksohet se dy Librat burimorë ishin një libër i vetëm, ashtu siç ishin Librat e Samuelit dhe Librat e Mbretërve. Madje po shtojmë se, sipas të gjitha gjasave, këta dy libra, jo vetëm se me njëri-tjetrin bënin një tërësi të vetme, por ishin bashkë edhe me dy libra tjerë: me Librin e Ezdrës dhe Librin e Nehemisë, për të cilët do të flasim në vendin e tyre.


    Ndarja dhe përmbajtja

    Dy Librat e Kronikave mund të ndahen në këto pjesë:
    I. Breznitë prej Adamit e deri te Davidi /1 Kron 1-10/;
    1. Breznitë /1 Kron 1-9/;
    2. Sauli /1 Kron 10/;
    II. Davidi, themeluesi i dinastisë dhe i kultit në Tempull: /1 Kron 11-29/;
    1. Mbretëria e Davidit /1 Kron 11-14/;
    2. Arka e Besëlidhjes në Qytetin e Davidit /15-25/;
    3. Përgatitja për ndërtimin e Tempullit /21-29/;
    III. Salomoni dhe ndërtimi i Tempullit /2 Kron 1-9/;
    IV. Mbretërit e Judës /2 Kron 10-36/;
    1. Reformat e para /10-27/;
    2. Reformat e mëdha /28-35/;
    3. Shpartallimi i monarkisë /36, 1-21/;
    Përfundimi: Dekreti i Kirit /36, 22-23/.


    Karakteri historik i librave

    S’ka dyshim se Autori shkruan histori, d. t. th. ngjarjet që i paraqet janë ngjarje historike. Por duhet pasur parasysh se nuk i paraqet ngjarjet thjesht ashtu siç kanë ndodhur, por përsiat mbi ngjarjet e ndodhura. Ai më tepër shkruan një teologji të historisë, kështu që lëndën e zgjedh nga faktet historike për t’i dhënë lexuesit të kuptojë se shpëtimi vjen nëse populli i përmbahet dinastisë së Davidit sepse këtij i janë dhënë premtimet e Zotit dhe kultit të vërtetë Hyjit të vërtetë në Tempullin e Jerusalemit. Ai dëshiron t’i mbrojë bartësit e jetës fetare të ditëve të veta dhe të përshkruajë pamjen ideale të mbretërisë së Hyjit. Gjendja është tejet e mjerueshme: populli i humbur me dhunë ndër popuj paganë, Jerusalemi i shkatërruar, Tempulli i rrënuar, dhe pyetet: si mund të ndodhë një mjerim i tillë në popullin e zgjedhur? Me tërë librin përgjigjet: mbretër, priftërinj dhe popull e shkelën Besëlidhjen e Hyjit dhe prandaj Hyji i ndëshkoi. Por premtimet e Hyjit nuk kanë si të shkojnë kot: prandaj edhe shpresa në një përtëritje të sigurt me Mesinë që duhet të rrjedhë prej Davidit. Prandaj edhe arsyeja që e shënon vetëm atë që vlen për synimin e tij: shkurton ose s’shënon çka nuk shkon në këtë ujë. S’i përmend aspak mbretërit e Izraelit, por vetëm mbretërit e Judës. Edhe për këta nuk i intereson jeta private e tyre: s’i përmend ngjarjet e rinisë së Davidit, s’e përmend mëkatin e tij të fëlligështisë as pasojat e tija, s’e përmend idhujtarinë e pleqërimit të Salomonit etj.


    Burimet

    Autori i Kronikave ka pasur parasysh dhe ka përdorur shumë burime. Prej burimeve të librave të frymëzuar ka përdorur: Zanafillën, Daljen, Numrat, Jozuehin, Rutën, dy Librat e Samuelit, dy Librat e Mbretërve. Prej burimeve profane përmenden gjashtëmbëdhjetë tituj, por ndoshta i njëjti libër citohet me disa tituj. Pastaj është shërbyer me dituri edhe me të dhëna gojore të rrethit të vet.


    Autori dhe koha e krijimit

    Për sa i përket autorit të Librave të Kronikave, nuk mund të thuhet se kush ka qenë autori. Përgjithësisht mendohet se autor duhet të ketë qenë një levit dhe shumica mendon se duhet të jetë po ai i Librave të Ezdrës dhe të Nehemisë për shkak të sistemit të përbërjes së tyre, të stilit dhe të fjalorit. Mendimi i atyre që mendojnë se duhet të kenë qenë shumë autorë, është pothuajse krejtësisht i braktisur prej specialistëve të Biblës.

    Po as lidhur me kohën e shkrimit të librave mendimi nuk është i prerë. Mendohet se nuk duhet të jetë assesi përpara 400 v. para Krishtit por as nuk duhet të merret si më i vonshëm se viti 300 para Krishtit. Ka edhe të tillë që krijimin e Librit e ulin edhe deri në vitet 250 200. Zakonisht duke u mbështetur në disa të dhëna që mund të jenë shtesë e kohës së mëvonshme.

  4. #14
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I ESDRËS



    Kthimi në atdhe

    Me sa pamë deri këtu, popullin e zgjedhur, e lamë në një mjerim të madh, të humbur e të shpërngulur me dhunë në mbretërinë e Babilonisë, edhe pse me shpresë për një të ardhme të lumtur, veçanërisht me shpalljen e mbretit të Persisë, Kirit, për atdhesim /2 Kr 36, 22-23/.

    Për ta përcjellë hap pas hapi këtë riatdhesim dhe formimin e judeizmit, kronisti na la dy libra të shenjtë, atë të Esdrës dhe të Nehemisë.


    Emërtimi

    Dy librat e tanishëm në fillim përbënin një libër të vetëm që quhej Esdra. Kështu Bibla hebraisht dhe përkthimi greqisht i LXX. LXX e përmbanin edhe apokrifin, që quhej Esdra madje në vendin e parë, 1, 2, 3. Në kohën e krishterë libri u nda në dy libra: Esdra 1 dhe Esdra 2, ku Esdra 1 i përgjigjet Esdrës, kurse Esdra 2 Nehemisë, ndërsa Esdra 1 i LXX u quajt Esdra 3. Emërtimi i librave me Esdra e Nehemia është shumë i mëvonshëm dhe i përket vitit 1448 kur u shtyp Bibla hebraike e Bombergut.


    Përmbajtja dhe ndarja

    Libri flet për riatdhesimin e izraelitëve që kishin qenë shpërngulur me dhunë në mbretërinë e Babilonisë dhe për rivendosjen e tyre në truallin e të parëve si dhe për formimin e judeizmit si kombësi dhe ripërtëritjen e tyre fetare e kombëtare.

    Mund të ndahet në:

    1. ardhjen e karvaneve të para të të riatdhesuarve në Jerusalem nën drejtimin e Sasabasarit /Zorobabelit?/ dhe rindërtimin e Tempullit /kk 1-6/;

    2. ardhjen e dytë të të riatdhesuarve në Jerusalem në vitin e shtatë të Artakserksit, nën drejtimin e Esdrës priftit dhe skribës, njeriut në zyrën e lartë të oborrit të mbretërve persianë për çështje të judenjve. Ky bën reforma lidhur me besimin dhe me kultin hyjnor dhe merr masa të ashpra kundër martesave të përziera /7-10/.


    Mendimi teologjik i Librit

    Kujdesi kryesor i shkrimtarit është i përqëndruar në përtëritjen e bashkësisë besimtare judeje, të Tempullit dhe të Jerusalemit. Përtëritja merr për bazë Ligjin e Moisiut.

    Duke përsiatur se çka e gjeti Popullin e zgjedhur për shkak se e harroi Zotin, Hyjin e etërve të vet, dhe në ç’mjerim e shpuri kjo, bëri çmos që t’i kthente kah Ai. Izraeli i varfër, i dobësuar nga çdo anë, nevojtar, mëkatar, i rrahur e i përplasur, i humbur dhe i skllavëruar, i mposhtur kombëtarisht, shtetërisht e fetarisht, e sheh se është zhdukur ëndrra e monarkisë së dikurshme, por, prapëseprapë, në gjithë këtë mjerim e ndjen veten të thirrur të bënte një ripërtëritje shpritërore dhe t’ia kthente nderin Popullit të zgjedhur të Hyjit. Bazë e ripërtëritjes ishte Ligji i Moisiut. Një numër i madh kthehet nga shpërgulja dhe, edhe pse me trazime të mëdha, u rivendos në truallin e të parëve. Kështu kërkoi ringjalljen e shpirtit dhe fuqinë e ripërtëritjes së Ligjit të Moisiut, shërbëtorit të Zotit në kryeqytetin e vet, Jerusalemin e zgjedhur prej Zotit, në Tempullin dhe në Shtëpinë e Tij.

    Çfarë i porosit Libri lexuesit të sotëm? Dëgjo Zotin në urdhërimet e tija dhe ruaje thirrjen tënde me tërë kujdesin e njeriut të ditur!

  5. #15
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I NEHEMISË



    Ndërtimi i bashkësisë

    Për sa i përket hyrjes në përgjithësi të Librit të Nehemisë si dhe emërtimit të tij, shiko parathënien e Librit të Esdrës.

    Këtu mund të shtojmë diçka lidhur me ndarjen e Librit të Nehemisë.

    Libri zakonisht ndahet në këto katër pjesë:

    1. Ardhja e kuptarit mbretëror në vitin e 20 të të mbretërimit të Artakserksit. Nehemia vjen si qeveritar i krahinës së Judesë /1, 1 - 7, 73a/.
    2. Gjatë një kuvendi të përgjithshëm, prifti skrib Esdra ia lexon popullit Ligjin. Populli i rrëfen mëkatet dhe premton se do t’i përmbahet Ligjit /7, 73b - 10, 40/.
    3. Lista e emrave dhe e reformave. Shugurimi i mureve të Jerusalemit. Kthimi i Nehemisë në Persi /11, 1 - 13, 3/.
    4. Kthimi i dytë i Nehemisë në Jerusalem. Merr masa të ashpra kundër disa çrregullimeve që kishin shpërthyer brenda bashkësisë /13, 4-32/.

  6. #16
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    TOBIA, JUDITA E ESTERA


    - Tri tregime shprese -


    Në kohë të vështira nuk ndodh rrallë të qarkullojnë shkrime në të cilat të shtypurve u jepet shpresë e shtypësve u pakallëzohet mbarimi i mjerë. Këto shkrime e kanë pamjen e paraqitjes së ndonjë ngjarjeje historike, por në të vërtetë janë sendërgjime të autorit që nën hijen e historisë e realizojnë porosinë, mesazhin.

    Ndoshta nuk gabojmë nëse këta tre libra i cilësojmë si të tillë, sepse më shumë se histori, janë tregime frymëzuese për të qëndruar i ndershëm dhe besnik ndaj Hyjit qoftë në vështirësitë personale familjare /Tobia/, qoftë edhe në ato kombëtare fetare /Judita e Estera/. Me rëndësi është që të kuptohet mirë e menjëherë porosia e autorit që me tregimin e tillë ka dashur të japë.




    LIBRI I TOBISË

    Pasqyrë e familjes hebreje



    Emërtimi

    Libri e ka marrë emrin sipas personazheve kryesore për të cilët flet: “Libri i Tobitit /emri i babait/ ose Libri i Tobisë” /emri i të birit/.


    Teksti

    Teksti i origjinalit jo vetëm që nuk ka arritur deri te ne, por as te autorët nuk ka një mendim të prerë nëse ka qenë shkruar hebraisht, aramaisht apo greqisht. Tek ne ka arritur vetëm teksti greqisht por edhe ky në tri redaktime të ndryshme. Vulgata e re e merr për përkthim redaktimin S /Sinaitik/ që është më i ruajturi dhe duket më i vjetri nga të tri redaktimet, atë A aleksandrin dhe B vatikanas.


    Vendi në Kanon

    Bibla në gjuhën hebraike, pra edhe hebrenjtë, nuk e pranojnë këtë si libër kanonik, po ashtu as nga Kisha e reformuar. Por edhe te katolikët libri ka qenë vënë në dyshim nga shumë biblistë, por çështja mori përfundim definitiv në koncilin e Trentit kur u përfshi ndër librat kanonikë.


    Përmbajtja

    Libri e paraqet historinë e një familjeje hebreje në mërgim. Tobiti /babai/ është njeri besimtar, i përshpirtshëm e shumë dorëdhënë ndaj të gjithë të mjerëve, veçanërisht ndaj bashkëkombësve të vet. Megjithatë, verbohet edhe e ndjekin shumë kryqe në jetë. Po ashtu edhe Sara vajzë e ndershme, e urtë dhe e mirë, pa faj të vetin pëson nga djalli dhe që natën e parë të martesës i vret rresht shtatë burra.

    Të dy luten dhe e kërkojnë prej Zotit vdekjen, por nuk dëshpërohen. Zoti u ndihmon me anë të engjëllit Rafael: atë e shpëton nga djalli e Tobitit ia kthen dritën e syve. Gjithçka përfundon mirë.

    Për lexuesin e sotëm Libri është shumë ndërtues. Autori, njeri i ditur, e mëson dhe e ndërton lexuesin pa e lodhur aspak. Ai ka për qëllim ta vërë përpara njeriun e drejtë i cili e ka si parim të jetës, të jetë plotësisht i ndershëm çfardo që t’i ndodhë në jetë. Udha e vërtetë dhe e vetmja që njeriun e shpie në lumturi është zbatimi i urdhrave të Zotit në të mira e të vështira. Lexuesi që e heton këtë e ka në dorë çelësin e kuptimit të krejt librit.

    Lexuesi duhet të përmallohet duke e lexuar këtë libër ku në një tregim të jetës së përditshme familjare është ngritur lart besnikëria martesore e jetuar, kuptimi i vërtetë i lëmoshës, nderimi i të vdekurve, shija e lutjes e veçanërisht bujaria e lartë e martesës mes një burri e një gruaje: mendime ungjillore para Ungjillit.

    Libri i Tobisë mbahet se do të jetë shkruar diku nga shekulli IV II para Krishtit.

  7. #17
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I JUDITËS
    - Thirrje për guxim -


    Emërtimi

    Libri i Juditës quhet kështu nga emri i heroinës së librit. Në LXX zë vend pas Esterës e para Tobisë, kurse në Vulgatë pas Tobisë e para Esterës.

    Libri duhet të ketë qenë i shkruar në gjuhën hebraishte ose arameishte, por tek ne ka arritur në përkthimin greqisht dhe latinisht.


    Përmbajtja

    Mbreti i Asirisë, Nabukodonozori, me kryeqytet në Ninivë, pasi e mundi Arfaksadin, mbretin e Medisë, mendoi të bënte një ekspeditë ndëshkuese kundër të gjithë vasalëve, mbretërve të “Perëndimit”, që nuk kishin dashur t’i ndihmonin kundër Arfaksadit. Kryekomandant e caktoi Olofernin. Të gjitha mbretëritë e perëndimit iu nënshtruan me përjashtim të popullit jude, i cili u mbyll në qytezën e Betulisë për t’i bërë qëndresë.

    Kur u afrua koha e dorëzimit, për shkak të mungesës së ushqimit e të ujit të pijshëm, del në pah Judita Çifutja, e cila e sendërton një plan të çuditshëm për ta mposhtur ushtrinë e Nabukodonozorit. Lufta s’është më ndërmjet ushtrisë së Nabukodonozorit e të popullit çifut, por ndërmjet Olofernit simbolit të së keqes dhe Zotit. Judita Çifute, vegël në duart e Zotit, grua e vejë, e ndershme, e bukur e, mbi të gjitha, zbatuese e përpiktë e Ligjit të Moisiut, duke e përdorur bukurinë për ta marrë mendësh Olofernin, ia del ta vrasë këtë me armët e tija. Kthehet në Betuli me kokën e Olofernit, çifutët dalin në sulm kundër ushtrisë armike dhe e shpartallojnë plotësisht. Nga Betulia bëhet një procesion festiv në Jerusalem, ku me fli, me këngë e valle lavdërohet Hyji për fitoren mbi armiqtë.


    Porosia dhe koha e krijimit

    Judenjtë mund të shpëtojnë vetëm me ndihmën e Hyjit. Por ndihma e Hyjit s’do të vijë nëse ata nuk do ta zbatojnë Ligjin e Tënzot. Judita, zbatuese e përpiktë e Ligjit të Zotit, bëhet vegël në duart e Tija për t’i shpëtuar judenjtë. Hagiografin nuk e intereson aq as historia as gjeografia, madje ai, duket se qëllimisht, i lë pas dore për shkak të vetë gjinisë letrare që është apokaliptike, për të mos e dobësuar synimin që ka në paraqitjen: lufta e të keqes e personifikuar në Olofernin dhe lufta e të mirës kundër të keqes me Juditën. S’ka dyshim se autori, duke u shërbyer me elemente historike të epokave të ndryshme, ka dashur të shkruajë një libër ndërtues që t’u ndihmonte lexuesve ta mbështesin shpresën dhe guximin vetëm në Tënëzonë, i cili, me anë të Juditës, që të gjithë guximin dhe shpresën e ka në të, e shpëton popullin nga një situatë që për sa sheh syri i njeriut, nuk do të mund të shpëtonte.

    Mendohet se Libri do të jetë krijuar rreth mbarimit të shek. II ose në fillim të shek. I para Krishtit.


    Sjellja morale e Juditës

    Judita shërbehet me bukurinë e saj për ta ngashnjyer Olofernin, vë në rrezik nderin e vet kundrejt një njeriu të keq që kishte mundur t’ia cenonte nderin; vrasja e gjeneralit në gjendje të dehur dhe në gjumë është tradhti: këto sjellje i kanë shqetësuar sa e sa moralistë. Por duhet marrë parasysh se libri nuk përshkruan një rast ndërgjegjeje, por ka për qëllim të thotë: Hyji i shpaguan armiqtë e vet po me atë monedhë që ata e fabrikojnë: Oloferni deshi ta ngashnjejë popullin e Hyjit, Hyji përdor një femër për ta ngashnjyer e rrënuar atë, sepse veprimtaria e tij është shkaku i humbjes së tij.

    Mendimi është: ata që shpresojnë në Hyjin gjithmonë mund të llogarisin në ndihmën besnike të Tij.

  8. #18
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I ESTERËS
    - PËR LIRINË E BESIMIT -



    Emërtimi

    Libri ka marrë emrin e heroinës për të cilën flitet.


    Teksti

    Libri te ne ka arritur në dy versione: hebraisht dhe greqisht. Teksti hebraisht është, pothuajse, për dy të tretat më i shkurtër se ai greqisht. NV është përkthyer nga teksti hebraisht, i cili është plotësuar me tekstin greqisht dhe pjesërisht me Vetus Latina.


    Përmbajta

    Libri i Esterës, për nga përmbajtja, është i ngjashëm me Librin e Juditës. Edhe këtu një vajzë çifute, bonjake, nga familjet hebreje të humbura në mërgim, e rritur dhe e birësuar nga ungji Mardoke, arriti të bëhet mbretëreshë e Persisë, grua e Asuerit /Artakserksit I/ mbretit të Persisë. Kur mbreti, përmes kryeministrit të vet Amanit, dha urdhër të shfaroseshin çifutët në mbretërinë e tij, Estera, e nxitur nga ungji Mardoke, ia doli ta asgjësonte planin e Amanit, madje t’u ndodhte e kundërta armiqve të hebrenjve, dhe kështu të shpëtojnë nga bjerrja e lirisë fetare dhe nga zhdukja kombëtare.


    Autori dhe data

    Autori i këtij libri mbetet i panjohur. Duhet të ketë qenë një çifut nga Persia, të cilit i kishin rënë në dorë kujtimet e Mardokeut. Autori, ndërsa i përshkruan ngjarjet e kohës së sundimit persian /538 333/, shkruan edhe për bashkëkohësit e vet në kohën e Makabenjve.


    Porosia


    I tërë libri synon ta paraqesë ndihmën e vazhdueshme të Hyjit ndaj popullit të zgjedhur. Pra Hyji është ai që e shpëton popullin e vet, dhe theksohet se: kush ia ngre shokut kurthin, Zoti e bën që në të të bjerë vetë.


    Vërejtje

    Përveç tekstit hebraik, në të cilin për çudi nuk përmendet emri i Hyjit e kemi edhe tekstin greqisht, që është pranuar nga Kisha katolike si pjesë të frymëzuara, me çka teksti hebraik merr përfundim të kënaqshëm. Këto pjesë në përkthimin tonë janë të shënuara me shkronjat e alfabetit dhe të shkruara me shkronja të pjerrëta. Këto tekste e nënvizojnë me qartësi veprimin e Provanisë hyjnore.

  9. #19
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I JOBIT
    - Vuajtja e njerëzve dhe drejtësia e Hyjit -


    Emërtimi

    Libri emërtohet nga heroi kryesor i tij, Jobi. Jobi duhet të ketë qenë person historik, megjithëse historia nuk jep të dhëna për të. Nuk është izraelit. Duhet të ketë qenë një ndër njerëzit e mirë të familjeve patriarkale të kohës së lashtë të popujve të lindjes, nomadë ose gjysmënomadë. Ndoshta është nga Edomi.


    Forma e jashtme e librit

    Libri është i shkruar në prozë dhe në poezi. Hyrja /kk 1-2/ dhe përfundimi /k 42, 7-16/ janë në prozë, ndërsa pjesët e tjera të librit janë në poezi. Bën pjesë në të ashtuquajturit libra të Dijes, ndër të cilët për nga arti zë vendin e parë.


    Përmbajtja

    Libri është një poemë që i vë vetes për qëllim jo vetëm të japë përgjigjet në pyetjet dërmuese të shpirtit njerëzor: “Nga vjen e keqja në botë?” ose edhe: “Pse vuan i drejti?”, por ka për qëllim edhe të përcaktojë marrëdhënien e njeriut që pëson me Hyjin tejet të mirë e të shenjtë. Shihet menjëherë se nuk i mjaftojnë arsyet e shpagimit që dija e kohës dhe zbulesa e deriatëhershme ia japin. S’i mjafton shpagimi kolektiv: “shkon e njoma nëpër të thatën”, si do të thoshte populli ynë, as “vepra e mirë shpagimi i këtushëm” me anë të të mirave materiale dhe të jetës së gjatë. Këndej edhe e vë në skenë Jobin e drejtë pësues dhe tre miqtë e tij që me dijen e kohës e me arsyet tradicionale mundohen ta ngushëllojnë. Janë tri cikle dialogjesh. Në skenë hyn edhe Eliuhi, një i ri që flet shumë e që nuk përmendet as në hyrje as në përfundim si mik i Jobit /kk 32-37/. Kur zhvillimi i poemës arrin në kulmin e vet, Hyji i dëftohet Jobit. Jobi, i ndrydhur nga madhëria e veprës krijuese të Hyjit, edhe pse i grishur nga Hyji të pyesë ose edhe të kundërshtojë, dëshmon besimin e vet të thellë në të, pendohet dhe i tërheq mendimet dhe pohimet e veta të mëparshme.


    Autori dhe koha e krijimit

    Autori mbetet i panjohur. Shihet se do të ketë qenë shumë i ditur dhe njohës i mirë i dijes së kohës dhe me aftësi të madhe vrojtimi teologjikofilozofik. Është patjetër izraelit nga Palestina, megjithëse ka nga ata që kanë pohuar se ndoshta nuk është judé.

    Si kohë e krijimit duhet të merret periudha e passhpërnguljes, d. t. th. nga fundi i shekullit të pestë para Krishtit.


    Mësim për jetën

    Nga Jobi mësojmë se besimi në Hyjin, megjithëse nuk i zhvillon plotësisht e tani për tani të gjitha problemet që mendja e njeriut i dëshiron të qarta, sepse misteret mbeten mistere, shpie në duresë qetësuese e në paqe shpirtërore. Autori i ka para sysh lexuesit e kohës së vet dhe do t’u thotë bashkëkohësve të vet, izraelitëve të rënë ngushtë se të pashtet, të paatdhe, të patempull, të paliturgji e flijime, ta kenë para sysh të vërtetën se Hyji iu dëftua Jobit, pra ai është, dhe është me ta edhe në këtë gjendje. Kjo është një e vërtetë e madhe që i jep kuptim jetës për ta jetuar njerëzisht edhe në vuajtje.

  10. #20
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    LIBRI I PSALMEVE



    Një libër lutjeje

    Sikurse edhe popujt e tjerë të Lindjes, po ashtu edhe populli i Izraelit, ka pasur prirje të fortë për poezi. Këngë - poezi të shpërndara nëpër librat e ndryshëm të Shkrimit të shenjtë gjejmë mjaft.

    Në Shkrimin e shenjtë poezi në vete janë Psalmet.


    Emërtimi

    Emri i këtij Libri a i këtyre këngëve vjen nga vegla muzikore, me të cilën përcilleshin këto këngë kur këndoheshin. Kjo vegël quhej “Psalterion” e ishte vegël muzikore me korda. Hebraisht quhet: “Sefer tehil’lim” ose thjesht “Tehil’lim” “Libri i himneve” ose “Himnet”. Vulgata si dhe Vulgata e re e quajnë: “Libri i psalmeve”, që do të thotë: “Libri i këngëve të punuara për t’u kënduar të përcjella me vegël muzikore me korda”.


    Numri

    Si në origjinalin hebraisht, po ashtu edhe në përkthimin greqisht /LXX/ dhe në Vulgatë numri i psalmeve është 150. Në të vërtetë LXX bien edhe Psalmin 151, porse ky nuk gjendet në tekstin hebraik dhe Kisha askurrë nuk e ka pranuar për kanonik të frymëzuar.

    Në renditjen /numërimin/ e Psalmeve nuk ndiqet e njëjta mënyrë në origjinal e në përkthimet e Vulgatës. Kjo ka ndodhur sepse ndarja e Psalmeve nuk është bërë në të njëjtën mënyrë. Ne do të ndjekim mënyrën e rëndomtë që bëhët /të tillë siç e ka Vulgata e Re/: në kllapa do të shënohet numri i Vulgatës.


    Ndarja

    Psalmet janë të ndara në pesë libra me rëndësi jo të barabartë:
    Libri i parë: 1-41; Libri i dytë: 42-72; Libri i tretë: 73-89; Libri i katërt: 90-106; Libri i pestë: 107-150.

    Por, në mbështetje të përmbajtjes së Psalmeve, biblistët e tanishëm ato i ndajnë në tri grupe:

    a/ Himne lavdie - Në këtë grup përfshihen Psalmet: 8, 19, 29, 33, 46 48, 76, 84, 87, 93, 96-100, 103-106, 113, 114, 117, 122, 135, 136, 145, 150.
    Komponimi pothuajse është gjithmonë i njëjtë: pas ftesës për të lavdëruar Zotin, vjen arsyeja e lavdërimit: mrekullitë në natyrë krijimi, kujdesi i Hyjit në historinë e njerëzimit për shëlbim. Brenda këtij grupi veçanërisht dalin në pah dy lloje Psalmesh: këndimet e Sionit /Ps 46, 48, 76, 87/ dhe këndimet për nder të Zotit Mbretit të gjithësisë, ku del në shesh qëllimi i kuptimit të qenies hyjnore të Hyjit, Mbretit, jo vetëm të Izraelit, po të mbarë popujve të botës /Ps 47, 93, 96-98/.
    b/ Psalmet e lutjes - ose të ankimit, ose të vajtimit. Ky grup Psalmesh nuk këndon lavdinë e Hyjit, por Atij i drejtohet për ndihmë. Zakonisht fillon me një kushtrim për ndihmë e në trupin e Psalmit bëhet çmos për ta nxitur Hyjin që ta largojë atë të vështirë për të cilën kërkohet ndihma.
    Ky grup, pastaj, ndahet në dy degë: 1/ nëse flet për nevojën e një personi, atëherë është personal individual, 2/ nëse flet për një vështirësi kombëtare a kolektive, atëherë është kolektiv. Kështu Psalme të lutjes kolektive janë: 12, 44, 60, 74, 79, 80, 83, 85, 106, 123, 129, 137. Rasti nxitës është një vështirësi shkatërruese kombëtare, një uri e gjithmbarshme apo diçka tjetër si këto.
    Ndër Psalme me qëllime individuale merren: 3, 5-7, 13, 17, 22, 25, 26, 28, 31, 35, 38, 42, 43, 51, 54-57, 59, 63, 64, 69-71, 77, 86, 102, 120, 130, 140-143. Ankimet për të cilat bëhet fjalë, janë të shumta e të larmishme: rreziku i ndjekjes prej armikut, salvime të ndryshme, mërgimi, pleqëria etj. etj.
    c/ Psalmet e falenderimit - Edhe ky grup ndahet në dy degë: falenderimit individuale a kolektive, sipas falenderimit që bëhet në emër të individit a të bashkësisë.

    Përpos këtyre tri elementeve kryesore: himnit, lutjes e falenderimit, hyjnë edhe elemente të tjera. Kështu elementin profetik - parakallëzues e takojmë ndër Psalmet 2, 50, 71, 81, 82, 85, 95, 110 etj. Të gërshetuar me këtë element profetik janë edhe Këndimet Sionit e Këndimet Zotit, Mbretit të gjithësisë. Pasi mbreti në Izrael duhej “shuguruar” hebr. “Mashiah - Mesia” kështu u trajtuan Psalmet mesiane. Drejtpërsëdrejti për Mesinë flasin këto Psalme: 2, 45, 72, 110. Pikërisht Psalmi 110 është cituar më së shumti në BR!


    Autori

    Siç ia ka mbështetur tradita e vjetër Librat e Dijes mbretit Salomon, po ashtu edhe Librin e Psalmeve ia ka mbështetur mbretit David, këngëtarit të madh dhe rregulluesit të kultit në Izrael. Me siguri do të ketë shumë Psalme që arrijnë deri në kohën e Davidit, por kur vjen çështja që të përcaktohet se cilat Psalme janë ato, atëherë puna del shumë më e vështirë se kujton njeriu. Titujt e Psalmeve të cilët nuk mbahen për pjesë të frymëzuara, nuk na thonë shumë, pasi ata na flasin më tepër se cilës pjesë, cilit grup psalmesh i takon sesa për autorin.

    Edhe Psalteri e ka historinë e zhvillimit të vet dhe ka lidhje të ngushtë me librat e tjerë të BV, sidomos me Ligjin e Përtërirë e me Profetët.


    Përdorimi

    Me kohë Psalmet u bënë pjesë e lutjeve të caktuara për Tempull. Në ta pasqyrohet krejt përshpirtnia e BV. Ato shprehin lidhjen e ngushtë me përjetimin shpirtëror të Popullit të zgjedhur me Hyjin e Besëlidhjes.

    Psalmet jetojnë e vazhdojnë të përdoren edhe në krishterim. Ato bëhen lutje zyrtare e Kishës.


    Vlera shpirtërore

    Nuk është vështirë të kuptohet rëndësia dhe vlera e madhe shpirtërore e Psalmeve. Elementi religjioz është gjithkund i dukshëm. Vetë Hyji i ka shndritur autorët e Psalmeve për t’i vënë në dukje ato vlera shpirtërore që më shumë tregojnë qëndrimin e njeriut ndaj Krijuesit.

    Klithma e shprehur prej autorëve të këtyre poemave: himne lavdie Hyjit, kushtrim për ndihmë me lutjet e ankimit, të vajtimit e të falenderimit janë gjëra që sa të jetë njeriu - krijesë dhe Krijuesi - Hyji, nuk mund të mbarojnë askurrë, prandaj edhe vlera e tyre mbetet e përhershme.


    Theksimi i hakmarrjes

    Njeriu duke i lexuar por, sidomos duke i përdorur si lutje, has në disa vende në Psalme në nëmë të mëdha, mallkime të forta e sidomos në kërkesa hakmarrjeje kundër armikut, saqë shpesh mbetet i habitur. Por ato nuk duhen kuptuar ashtu, si të ishin shkruar në ditët tona, por duhet ditur se janë shkruar para dritës së ungjillit dhe janë vënë në gojën e të përndjekurit të pafajshëm. Ato janë thirrje për drejtësinë hyjnore kundër atij që përdor dhunën dhe kanë domethënien se Hyji nuk mund ta durojë të keqen që shkakton njeriu kundër njeriut ose edhe kundër njerëzve - vëllezërve të vet. Por, dorën në zemër, këto Psalme përmbajnë diçka që edhe në zemrën tonë rri disi e strukur dhe ku hiri i mësimit të Krishtit nuk ka mundur ende të depërtojë. Por duhet menduar se këto Psalme kanë edhe një vështrim shumë më të thellë: dikur thuheshin kundër njeriut të paudhë, dhunues, kurse sot kanë për qëllim luftimin e së keqes që Zoti gjithmonë e urren e Krishti e ka mundur, e jo më kundër personit; kundër mëkatit e jo kundër mëkatarit.
    Ndryshuar për herë të fundit nga NoName : 06-03-2006 më 11:04

Faqja 2 prej 5 FillimFillim 1234 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Popujt e zhdukur
    Nga Fatih në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 15
    Postimi i Fundit: 03-01-2010, 19:27
  2. Ortodoksia dhe Shqipëria
    Nga shendelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 258
    Postimi i Fundit: 07-04-2004, 18:16
  3. Pazari i vjetër i Krujës
    Nga Eni në forumin Folklori shqiptar
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-02-2003, 14:34

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •