Boliviani zotëron fjalëkalimet e 7 ministrave
Specialisti i informatikës bënte pushime në Himarë me gruan argjentinase dhe miqtë shqiptarë
Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Skandali vazhdon. Guliemo Barragano, specialsti i informatikës, ishte kthyer në një person të plotfuqishëm në Ministrinë e Rendit. Burime të dikasterit blu bëjnë të ditur se Barragano zotëron të gjithë fjalëkalimet (pasword) e shtatë ministrave, kohë në të cilën ai ka qenë me detyrë specialist informatike në këtë Ministri. Informacioni, që kalonte në të gjitha e-mail-et e ministrave njihet mirë nga Guliemo Barragano, i cili dyshohet se i ka marrë me vete të dhënat, që kishte mundur të zbulonte.
Zbulimi
Ai ka mundur të zbulojë të gjithë fjalëkalimet (pasword) dhe i gjithë informacioni i kompjuterave është përvetësuar nga boliviani. Ai ishte kthyer një person shumë të rrezikshëm, por për krerët e Ministrisë së Rendit ai ishte një person me pushtet të plotfuqishëm dhe me popullaritet të madh. I gjithë informacioni zyrtar, që kalonte tek posta elektronike e ish-titullarëve, njihej mirë nga boliviani. Ai është larguar nga Shqipëri, pasi u bë e mundur që FBI-ja që hetonte rreth tij dhe kishte krijuar dyshimet e saj. Nuk dihet ende me saktësi se çfarë sekretesh ka mundur të përvetësojë boliviani nga posta elektronike e ministrave, por ajo që dihet është që largimi i tij nga Shqipëria ka lënë shumë për të dyshuar. Deri tani provë e rëndësishme për zbulimin e veprimtarisë së tij është një Lap Top, të cilin ai ka dashur ta marrë me vete, por që nuk ia ka arritur, pasi kontrolli i tij në Aeroportin e Rinasit ia ka bllokuar. Njohja e pasword-eve të zyrave të tjera në Ministri nuk ishin problem për specialistin e shkëlqyer të informatikës. Ai hynte dhe dilte pa asnjë problem nga zyrat e kabinetit dhe kishte mundur të krijonte rrethin e tij të ngushtë të miqve, që përbënin një burim të shëndetshëm informacioni më vete, në lidhje me sekretet në Ministrinë e Rendit. Hetimet në lidhje me veprimtarinë e tij vazhdojnë, por specialistët e fushës saktësojnë se marrja e të dhënave të rëndësishme nga e-mail-et e ministrave mund të përbëjë një rrezik të madh për vendin. Nuk dihet ende se cili ishte qëllimi i bolivianit dhe se kujt i duheshin sekretet dhe shkëmbimet e postës elektronike të minstrave.
Pushimet
Boliviani kishte mundur t’i joshte miqtë e tij shqiptarë me pushime në bregdet. Madje, ai në Shqipëri hiqej si një njeri që kishte shumë para. “Unë e kam babanë miliarder në Bolivi, këtu vij të punoj për hobi”, kishte thënë boliviani, sipas disa personave që e kishin njohur mirë atë. Ndërsa të tjerë kishin shijuar pushime, që vetëm mund të ëndërrohen. Ai kishte zgjedhur bregdetin e Himarës, për t’u zbavitur me miqtë e tij. Por, edhe në Himarë ai nuk kishte mundur të kalonte pa u vënë re. Burimet bëjnë të ditur se ai kryente një jetë paksa të çuditshme dhe veprimet e tij vazhdojnë të komentohen nëpër ambientet ku ai ishte i njohur.
Abuzimi
Guliemo Barragano erdhi në Shqipëri para katër vjetësh dhe ka kryer informatizimin e disa prej strukturave kryesore në Ministrinë e Rendit. Ai e ka kryer një aktivitet të tillë, duke zotëruar vetëm 15 kompjutera. Sapo inauguronte një sallë, ai i shpërngulte kompjuterat dhe i dërgonte në sallën e ardhshme. Sipas informacioneve të disa njerëzve më të afërt, me të cilët boliviani rrinte, mësohet se ai është rreth 30 vjeç. Duke iu referuar këtyre burimeve mësohet se ai është i martuar me një grua nga Peruja, e cila zotëron një pasuri të madhe. Ndërkohë, ajo banon në Itali dhe e vizitonte shumë shpesh Shqipërinë, kryesisht në sezonin veror. Në Ministrinë e Rendit ai ishte paraqitur me statusin e punonjësit të ICITAP. Gjatë qëndrimit të tij katërvjeçar në Shqipëri ka qenë i pajisur vetëm me një Green Card.
Instalimet
Për katër vjet boliviani ka
instaluar të gjitha rrjetet e informacionit. Një nga sallat, që është lënë përgjysmë nga boliviani, është edhe salla e mbledhjeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, e cila ka mbetur bosh
SEMINARI
Guliemo Barragano
përdori fondin e vitit 2002 të akorduar për Policinë e Shtetit për seminarin triditor. Boliviani organizoi seminar me oficerët te hotel “Tirana” dhe fondi ishte lëvruar nga BE-ja. Kostoja e një të ftuari në trajnim shkonte rreth 300 dollarë
TRAFIKU
Burimet saktësojë se
boliviani ka kryer të tjera afera të pista, përveçse ka vjedhur kodet e informacionit në Ministrinë e Rendit. Sipas burimeve policore dyshohet se Barragano është përfshirë edhe në trafikun e drogës.
Ky lajm është publikuar: 07/03/2006
Krijoni Kontakt