Nesër do të oshëtijnë kambanat...
Zoti im, nesër, të dielën, me agimin do të oshëtijnë kambanat. Në të gjithë rruzullin do të shpërndahet jehona e tyre metalike dhe e ëmbël. Do të na zgjojnë, edhe mua edhe vëllezërit e mi. Do të drejtohen te të gjithë bijtë e tu. Do të na ftojnë në Tempullin Tënd, për të të takuar Ty, të të flasim. Do të na kujtojnë se Tryeza e Darkës Mistike shtrohet dhe është koha të vijmë e të zëmë vendet tona afër Teje. Nesër në mëngjes do të oshëtijnë kambanat. Sikur i dëgjoj që tani të jehojnë brenda në pjesën e shpirtit tim, dhe të kërkojnë të më shkëputin nga ndonjë ëndërr dhe të më zgjojnë nga gjumi im i thellë. Duhet që ta rrëfej. Ndiej se në lëvizjet e mia të përditshme jam i narkotizuar. Se ndërsa kam mendimin e gabuar se nuk më shpëton asgjë nuk jetoj realitetin. Se nuk ndërtoj dhe nuk përballoj me sy të zgjuar jetën time. Qepallat e mia janë të hapura plotësisht. Duart e mia lëvizin. Të gjitha ndjenjat e mia funksionojnë. Por me gjithë këtë ndihem se jam i narkotizuar. Më ka narkotizuar dehja e epokës sime, vera e fortë e gjërave materiale dhe e komoditeve që ofron shekulli. Dhe gjendem i rrethuar brenda në ëndrrat. Librat që lexoj, gazetat që ndjek, revistat që shfletoj, të gjitha më flasin për gjërat materiale dhe ushqejnë me planet e tyre të guximshme ëndrrat e mia. Dhe brenda në këto ëndrrat e mia shastisem. Humbas ndjenjën e realitetit. Nuk konceptoj botën që ekziston larg gjërave materiale. Nuk mendoj shpirtin tim. Nuk kërkoj dritën e forcën hyjnore. Harroj praninë Tënde dhe ekzistencën e qiellit. Për këtë dhe kambanat i dëgjoj shpesh, por nuk i kuptoj. Nuk arrij të zbërthej lajmin që sjellin në qenien time dhe në jetën time. Bien, bien por nuk më zgjojnë vazhdoj të rri në ëndrrat tokësore. Në komoditet, në pasuritë në udhëtimet dhe në çdo gjë tjetër që përbën qartë një jetë tokësore. Dhe nuk përgjigjem në ftesën e tyre. Por, Zoti im, sonte u ndez në shpirtin tim një dëshirë e zjarrtë.
Dua nesër në mëngjes të ndiej jehonën tronditëse të kambanave të Tua. Të më zgjojnë nga gjumi im i thellë. Të dëgjoj me veshët të hapur të shpirtit tim lajmin që do më thonë. Dhe duke shkundur nga qepallat e shpirtit tim narkozën dhe duke braktisur ëndrrat e gënjeshtërta, të përgjigjem në ftesën Tënde të Shenjtë. Të vrapoj në shtëpinë Tënde të shenjtë, në Tempullin Tënd. Të jetoj Meshën, të sillem me atë përpara fronit Tënd, të shijoj shkëlqimin Hyjnor të Madhështisë Tënde, të ofroj shpirtin tim dhe të më ofrosh Hirin Tënd. Të bashkohem me Ty.
Kambanat e nesërme dua t’i ndiej si një kushtrim, si një ftesë të shenjtë, që do të më ftojë në atë festë të gëzuar qiellore. Zoti im. Largo nga brenda meje narkozën. Çaje perden e errësuar të dyshimit nga qepallat e shpirtit tim. Jepmë shikim të qartë që të shoh dhe të ndiej dhe të jetoj gjithçka që do të ndodhi brenda në Tempullin Tënd. Dita ime e nesërme do të jetë një ditë e madhe. Një mbyllje e shenjtë e javës që shkoi. Një hapje e bekuar e javës, që do të nisi. Zoti im.
Nesër në mëngjes do të gjëmojnë kambanat. Bëmë të denjë të ngrihem nga shtrati i gjumit, të shkëputem nga narkoza materiale dhe të vrapoj në Tempullin Tënd të takohem me Ty.
Të faleminderit!
Përgatiti: Dhjakon Joan Terziu
Krijoni Kontakt