Një djalosh i ri në moshë, por shumë me kulturë dhe shumë i njohur në Siri, dëgjoi për një murg në shkretëtirën e Egjiptit, që bënte çudira dhe i vinin shumë njerëz t’i rrëfeheshin. Ai vendosi që t’i bënte një vizitë. Djaloshi mbahej në vendin e tij si një prej theologëve më të mirë të krishterë dhe ishte aq i apasionuar pas besimit, saqë me qejf të madh e bëri rrugën e gjatë më këmbë.

Kur arriti në qelinë e murgut, djaloshi i dha të njohur dhe filloi t’i fliste për veten, se kush ishte dhe çfarë besonte. Filloi t’i fliste mbi shpëtimin e shpirtrave dhe parajsën dhe se si ai besonte në ato që kish lexuar në Ungjill me gjithë zemër. Murgu i krishterë Poemen, që ishte plak në ato vite, nuk nxori asnjë fjalë nga goja, por e ktheu edhe kokën mënjanë dhe nuk e shihte as në sy vizitorin e tij të ri në moshë.

Djaloshi u largua i prekur jashtë mase, pasi ai nuk arriti të dëgjonte asnjë fjalë nga goja e murgut Poemen. Një shoku i djaloshit, që i kish treguar për murgun dhe që mundësoi vizitën, i habitur nga sjellja e murgut, kur ai iku, e pyet një ditë plakun:
- O atë i bekuar, përse iu solle ashtu djaloshit, i cili është shumë i respektuar në Siri dhe një i krishterë i devotshëm? Plaku iu kthye dhe i thotë:
- Biri im, ai ishte vërtet një djalë shumë i ditur dhe shumë i respektuar. Unë e ktheva kokën mënjanë nga turpi dhe nuk e shihja dot në sy, pasi ishte shumë më i virtytshëm se unë. Ai filloi të më fliste dhe të më pyeste për parajsën dhe shpëtimin, për të cilat unë nuk di gjë. Unë kam 40 vjet në këtë shkretëtirë dhe mezi kam mësuar se si të luftoj pasionet e mishit, të trupit tim! Ai e kuptoi urtësinë e fjalëve të murgut dhe kur e takoi përsëri djaloshin ia rrëfeu edhe atij. Ai menjëherë e kuptoi gabimin dhe u kthye përsëri në shkretëtirë; por kësaj here nuk e pyeti për shpëtimin dhe parajsën, por e pyeti se si të mposhtte pasionet e mishit dhe të trupit që të bëhej i denjë për të marrë hirin e Perëndisë.