- STOP Mashtrimit!! (Nga Bardhyl Mahmuti)
Është një karakteristikë e përgjithshme e vendeve të demokracive perëndimore që pas periudhës 100 ditëshe të fillojë zbehja e reitingut të Qeverisë. Kjo dukuri është prezente edhe në vendet që janë drejt tranzicionit. Madje, në këto vende kemi edhe shembullin paradigmatik të Hungarisë, ku tallja me elektoratin dhe premtimet boshe çuan deri te një revoltë e përgjithshme.
Maqedonia bën përjashtim nga kjo dukuri. Për « çudi » rejtingu i forcës politike që ka mandatin të qeveris shkoi në rritje të vazhdueshme. Sipas sondazheve të fundit, VMRO-DPMNE u shndërrua në forcë dominante të pakonkurrencë në bllokun maqedonas.
Çka ndikoi në këtë fenomen ?Përçarjet e LSDM-së apo mospërmbushja e premtimeve ndaj shqiptarëve ? Ose të dyja bashkë ?!
II.
Reformat në vend dhe arritjet e Marrëveshjes së Ohrit, sidomos në përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike në institucionet shtetërore dhe publike, u propagandua me pompozitet si një nga prioritet kryesore të Qeverisë VMRO-DPMNE/ PDSH.
Kjo propagandë u intensifikua sidomos pas miratimit nga ana e Qeverisë së Maqedonisë të strategjisë për përfaqësim të drejtë dhe adekuat « të bashkësive joshumicë ».
Sipas vlerësimeve të Qeverisë, kjo strategji do të përshpejtojë bindshëm implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Rikujtojmë se prioritet i kësaj strategjie do të duhej të ishte implementimi i thelbit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Qeveria e Maqedonisë vlerësoi se me miratimin e masave të propozuara në këtë strategji do të arrihen rezultatet e shumëpritura si përfaqësimi adekuat i të gjithë bashkësive etnike joshumicë në sektorin publik.
Instrument i ri i politikës për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të jetë prezantimi i Planit nacional për përfaqësim të drejtë, të cilin do ta sjellin ministritë dhe organet e tjera shtetërore, i cili do të dorëzohet në Agjencinë për nëpunës shtetëror. Programet qeveritare për të hequr diskriminimin e « bashkësive joshumicë » nuk është risi e kësaj qeverie. Dallimi qëndron se koalicioni i mëparshëm, ta zëmë, për vitin 2006 kishte paraparë rreth 700.000 euro për këtë qëllim ndërsa koalicioni aktual ka paraparë pesfishin e shumës së vitit 2006. Pra, 3.500.000 euro.
Shuma e paraparë për programin e punësimit të shqiptarëve në vitin 2006 nuk u realizua as nga koalicioni LSDM/BDI për 7 muajt e qeverisjes në 2006 e as nga koalicioni VMRO-DPMNE/ PDSH, për 5 muajt e vitit 2006. Ku shkuan devizat e parapara për këtë qëllim ? Në rezervet devizore të shtetit !
Viti 2007 vazhdon me avazin e vjetër. Në 3 mujorin e parë asgjë nuk u realizua nga shuma e paraparë për Programin e përfaqësimi adekuat të të gjithë bashkësive etnike. Ku shkoi shuma e paraparë për këtë 3 mujor ? Natyrisht, në rezervet devizore të shtetit !
III.
Kryeministri Gruevski, me 12 prill 2007, i shoqëruar nga Kabineti qeveritar, me bujë të madhe njoftoi opinionin se Maqedonia, nga rezervat devizore, do të kthen 137 million dollar të borxhit të jashtëm. Dhe atë, para afatit të paraparë !
Për borxhet që ishin paraparë të kthehen deri në vitin 2021 shpenzohen rezervat e shtetit në vitin 2007! Për projektet që avancojnë të drejtat e shqiptarëve nuk ka para ! Vendim paradoksal ?! Jo ! Plotësisht logjik, me logjikën e zvarritjes së relizimit të projekteve që lidhen me heqjen e diskriminimit etnik në këtë shtet.
IV. Ministrat e PDSH-së duhet të ngrenë zërin dhe të refuzojnë vendime që do t’u shërbejnë si pretekst, se gjoja nuk ka mjete, atyre që nuk janë të interesuar të heqin diskriminimin në këtë shtet. Ju duhet të keni në vazhdimsi parasyshë premtimet që i kemi dhënë elektoratit shqiptar.
Po rikujtoj vetëm 4 premtimet që zv. Kryetari i PDSH-së, z. Menduh Thaçi, i sintetizoi si tepër urgjente në Konventën e Partisë :
1.Të gjithë këtyre shqiptarëve të zonës numër 3 që ju ua ndëgjuat mbiemrat me "ov" dhe "ski" do tua ndërojmë në mbiemra shqip. Sa shqiptarët i kanë realizuar të drejtat e tyre këtu tregojnë këta mbiemra të tyre të bastarduar. Tentimi dhe tendenca e tyre për të na asimiluar nuk ka të ndalë;
2.Partia Demokratike Shqiptare, për 60 ditë do ta sjell ligjin për dëshmorët e luftës së vitit 2001;
3. Partia Demokratike Shqiptare do ta sjell ligjin për rehabilitim të invalidëve të luftës;
4.Do të bëjë brenda dy muajve kompenzimin e plotë të dëmeve që i shkaktoi konflikti i vitit 2001. Pa eliminimin e pasojave të vitit 2001, Maqedonia gjithmonë do të jetë në krizë.
Rezervat devizore mund të shfrytëzohen për projekte zhvillimore, për krijimin e vendeve të lira të punës, për riparimin e pasojave të ndryshme dhe për shumë e shumë punë të mira që do të ndikonin pozitivish si në rritjen e akumulimit të rezervave devizore ashtu edhe në çtensionimin e raporteve të përgjithshme shoqërore. Borxhi i afatizuar deri në 2021 mund të pres afatet e caktuara. Problemet e akumuluara, sidomos ato që lidhen me 2001, nuk presin 2021 ! Duhet t’i thuhet STOP Mashtrimit !
Gazeta Lajme
Krijoni Kontakt