Republika e E. Hoxhës dhe e M. Shehut, varr i përbashkët i shqiptarëve!
Agim Xh. Dëshnica
Mesnata e ftohtë e një pushkatimi barbar, 60 vjet më parë (3)
Reiz Selfo, u lind në Gjirokastër. U shqua si një nga sipërmarrësit e aftë në tregëti dhe në ndërtim. Disa nga veprat, si Firma “Selfo” në Vlorë, Ura e famshme e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, disa shkolla, ndër to, Gjimnazi në Gjirokastër dhe shumë të tjera, janë tregues të qartë të ndihmesës së tij për lulëzimin e Shqipërisë, por dora e diktatorit E.Hoxha, më 26 shkurt 1951, ia rrëmbeu pa mëshirë, jetën këtij biznesmeni të madh patriot. -Qemal Kasaruho, 49 vjeç. U lind në Gjirokastër. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja, Në vitet 20-40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave, ndër kohë mori pjesë në luftën kundër pushtueve italo-gjerman. Pas luftës nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut, së fundi jashtë nga jeta, por nuk mundën ta fshinin nga kujtesa e Kombit.
Më pas, pushkatimi pa gjyq e pa faj
Zyhdi Herri, 30 vjeç. U lind në Tiranë. Studjoi në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës, më pas vazhdoi studimet për drejtësi. Gjatë luftës bashkëpunoi me Frontin N.Ç. Pas luftës kryeredaktor i gazetës Bashkmi në Tiranë. Më pas e priste pushkatimi pa gjyq. e pa faj. -Gjon Temali, 47 vjeç. U lind në Shkodër. Në vitet 40 studioi për farmaci në Universitetin e Firences. Nga viti 1946 deri në shkurt të vitit 1951, farmacist në Spitalin e Tiranës. Ky njeri, i përkushtuar në shërbimin human të mjeksisë, duhej të vritej si “terrorist”, pa gjyq e pa faj. -Petro Konomi, 30 vjeç. U lind në Kajro. Kreu studimet e larta në Turqi në Robert Kolezh, mandej në Akademinë Ushtarake në Itali. Gjatë luftës përkrahu Frontin N.Ç. Pas luftës u emërua në ATSH. Edhe ky punonjës engjëll, duhej lidhur me tela, për t’u vrarë. -Niko Lezo, 50 vjeç. U lind në Delvinë. Kimist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Ka kryer Universitetin e Tuluzës. në vitin 1921. Më 1923, ngriti të parin laborator kimik në Tiranë. Po atë vit zgjidhet deputet i Delvinës. Më 1940 arrestohet e internohet në Ventotene. Pas luftës punon sërish kimist në laboratorin, tashmë nën vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ky themelues i paharruar i laboratorit të parë shqiptar, duhej pushkatuar pa mëshirë. -Pandeli Nova 59 vjeç. U lind në Opar, në një familje të pasur. Ekonomist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Deri në vitin 1944 u mor me tregëti dhe njëkohësisht ndihmoi Frontin N.Ç. Pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare. Ky prind, i një djali partizan në mesnatën e 26 shkurtit 1951, do të dëgjonte për herë fundit, zërin e ashpër të komandantit partizan: Zjarr! -Thoma Katundi- më i “vjetri” në moshë, 64 vjeç! U lind në Katund të Korçës. Ish-vatran në SHBA. I djegur nga malli, u kthye në atdhe dhe punoi me ndershmëri. I edukuar nga idetë demokratike amerikane, duke përbuzur çdo tirani, humbi jetën më 26 shkurt 1951. Faji i tij nuk ishte vetëm dashuria për lirinë, por edhe malli për atdheun.
Faji i vetëm ishe se shiste thuajse falas kryeveprat botërore të letërsisë
Mehmet Shkupi, 58 vjeç. U lind në Shkup dhe banoi në Tiranë. Ish pronar me arsim të mesëm dhe me profesion nëpunës kaloriferi. Dyshohej si “agjent” i Legatës Franceze dhe se zhvillonte veprimtari terroriste. Pra prova konkrete për dënimin me vdekje pa gjyq, shërbeu sajesa me emrin dyshim. -Ali Qorralliu, 61 vjeç U lind në Tiranë. Tiranas i pasur. Jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës ka perkrahur Ballin Kombëtar, ndaj u burgos nga regjimi komunist. Megjithatë pas lirimit nuk ndërmori asnjë veprim kundër regjimit. Pa patur asnjë trashëgimtar, u arrestua si “terrorist“ dhe u pushkatua pa mëshirë, pa gjyq. La vetëm kujtimin e një njeriu, të ditur e të pasur. Kur u zbulua varri, u vu re se para pushkatimit ia kishin shkulur dhëmbët e florinjtë. -Fadil Dizdari, Me origjinë nga Shkodra, u lind në Kavajë, Në kohën e Zogut kishte punuar si sekretar prefekture. I dashuruar pas librave dhe të fejuarës së vet, mbante hapur një librari në qendër të Tiranës. U arrestua dhe u pushktua pa gjyq, i dyshuar si “terrorist”, apo “armik i Pushtetit. Popullor.” Në të vërtetë faji i tij, ishte bujaria, teksa shiste pothuaj falas kryeveprat botërore, të ashtuquajtuara “të verdha”, të autorëve me famë, si Viktor Hygo, Aleksandër Dyma, Frederik Shiler etj. Shpëtoi vetëm unaza e fejesës që u gjet në gropë, për të dëshmuar për krimin e fshehtë e barbar në mes të natës. -Hekuran Troka, 32 vjeç. U lind në Kuçovë dhe banoi në Tiranë, me profesion tregtar. Në listën e zezë për këtë djalë të hijshëm, është shënuar “tregtar i dyshimtë spekulant”, “agjent i shërbimeve të huaja” dhe “terrorist”. U pushkatua i dyshuar, pa gjyq. Familja u internua e punoi në punë të rënda për bukën e gojës. Ja, si dënoheshin me mungesë provash e vriteshin natën ata, që dyshoheshin. -Lluka Rashkoviç, 51 vjeç. U lind në Mal të Zi. Ka ardhur në Shqipëri me familjen në kohën e Mbretërisë. Gjatë kohëve të ndryshme u mor me transport udhëtarësh, në Shqipëri e Ballkan, jashtë çdo rryme politike. Për gjithë këtë jetë të pastër dhe punë të ndershme në shërbim të vendit tonë, u arrestua dhe u pushkatua pa gjyq.
Për gropën e braktisur në errësirën e ftohtë 60 vjet më parë, nga xhelatët e nga fajtorët e shekullit, folën eshtrat, folën edhe gurët, folën arkivat e zbuluara edhe ato si gropa e të vrarëve, foli dhe kujtesa e njerëzve të ndershëm, e motrave, e vëllazërive, e nipave, e qytetarëve dhe e fshatarëve të ndershëm. Folën me zë të lartë që ta dëgjonte bota dhe rinia të merrte vesh, megjithëse me vonesë, se kush ishte në të vërtetë Republika Popullore Socialiste, apo Komuniste e E. Hoxhës dhe e M. Shehut, “fanar ndriçues”, burg apo varr i përbashkët i shqiptarëve...? (FUND
Krijoni Kontakt