Faqe 25 - Kulturë
“Shqipëria në shekullin XX”, vepra e rrallë e Pearson
Botohen në Angli të fshehtat e 90 viteve të Shqipërisë
Një version i ri, i plotë e i rrallë i historisë së Shqipërisë, i sjellë nga një londinez në duart e lexuesve anglishtfolës.
“Albania in the Twentieth Century” (Shqipëria në shekullin XX), një botim voluminoz me disa vëllime, që mban emrin e autorit Owen Pearson. Para pak ditësh është promovuar në Londër vëllimi i dytë i këtij libri, me nëntitull “Albania in occupator and war”. Promovimi është realizuar në sallën “Hong Kong” të shkollës së mirënjohur Londineze LSE, (London School of Echonomich). Në këtë ceremoni prezantuese nuk ka munguar ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Kastriot Robo, historiani i mirënjohur, Noel Malcolm, (autor i shumë teksteve historikë si, “Kosova: Një histori e shkurtër”), personalitete të tjera të jetës publike të Britanisë së Madhe, si dhe dhjetëra e dhjetëra studentë të fakulteteve të ndryshme të shquara të universiteteve të Londrës. Noel Malcolm e përshkruan këtë botim të ri si “Një arritje e jashtëzakonshme të autorit Owen Pearson”. Ndërsa vetë autori, edhe pse modest, tregon se botimi i kësaj vepre përmbledh një punë të madhe disavjeçare. Ndërkohë, modestia e shkrimtarit rreth këtij botimi voluminoz mund të quhet si një zbulim i Bejtullah Destanit, i cili është drejtori i Qendrës për Studime Shqiptare në Londër. “Vëllimet janë fryti i një punë 60-vjeçare; pothuajse e gjithë jeta e autorit, tashmë 87-vjeçar”, shprehet Destani, gjatë promovimit të vëllimit të dytë të këtij botimi për Shqipërinë.
Promovimi
Vëllimi i parë është botuar pak kohë më parë. Bëhet fjalë për “Albania and king Zog”, për të cilin Qendra për Studime Shqiptare, bashkëbotuese e librit akademik, shprehet se risia në këtë libër është fakti që përmbledhja dhe shkrimi i tij ka zgjatur që nga fëmijëria e autorit. Një përshkrim të shkurtër i bëri librit djali i ish-sekretarit të parë të delegacionit të Shqipërisë pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, Dervish Dumës, Aleksandër Duma, i cili aktualisht është kryetar i shoqatës anglo-shqiptare, “Anglo-Albanian Association”, komiteti i së cilës është krijuar në vitin 1912. Ai tha se “ky libër është një burim i pashtershëm dhe ka informacione të bollshme për të gjithë njerëzit e interesuar për periudhën gjatë Luftës së Dytë Botërore të historisë së shqiptarëve. Ndërsa Jason Tomes, autori i veprës “Self Made Monarch of Albania”, në komentin që shkruan në mbështjelljen e vëllimit të parë, shprehet: “Oven Pearson ka sjellë me të vërtetë një informacion të bollshëm historik, për të cilin dikur historianëve u duhej që të kërkonin pafundësisht nëpër gazetat e vjetra të kohëve, në kërkimin e fjalëve që të arrinin në konkluzione sa më të sakta historike.
Vepra
Historia e veprës disavëllimshme ”Shqipëria në shekullin XX” përfaqëson një arritje joparalele në dijetarët e Shqipërisë. Owen Pearson paraqet një tregim të kompletuar të shek. XX në Shqipëri, që nis nga shkëputja e saj prej perandorisë osmane në vitin 1908 deri në luftën e Kosovës në vitin 1999. Në detaje tërheqëse Pearson krijon kronikën e një monarkie të mbretit Zog dhe periudhës së luftës, ku Shqipëria kthehet në fushë beteje për Greqinë, Italinë dhe armikun gjerman. Ai përshkruan pushtetin e fuqishëm të Enver Hoxhës, marrëdhëniet e tensionuara me Bashkimin Sovjetik passtalinist dhe lidhjet vëllazërore më Kinën e Mao Ce Dunit, të gjithë faktorë që çuan në një izolim dhe rënie të pashmangshme ekonomike. Pearson përfundon me gjenocidin e shqiptarëve të Kosovës në duart e regjimin serb të Millosheviçit, që karakterizon dekadën e fundit të shek. XX në Shqipëri. Në bazë të kërkimeve origjinale dhe fragmenteve nga burime të rralla shqiptare, ky botim i ri dhe tepër i veçantë është një përmbledhje, që i ka siguruar vit pas viti nga tregimet e historisë moderne shqiptare. a.m
60 vitet e autorit për veprën
Quhet Owen Pearson. Ka lindur në 1919 në Angli. Gërmimi për realizmin e këtij botimi të rrallë ka nisur që në vitet e para të fëmijërisë, që në tërësi përbën 60 vjet punë kërkuese. Vepra “Shqipëria në shekullin XX” është e ndarë në disa vëllime. “Albania and king Zog 1908 - 1939”, “Albania in occupator and war 1939-45” dhe “Albania as dictatorship and democracy, 1945-99”. Vëllimet e këtij botimi janë botuar falë këmbënguljes dhe punës së drejtorit të Qendrës për Studime Shqiptare në Londër, Bejtullah Destani. ”Ndoshta së shpejti kjo vepër do të jetë dhe në raftet e bibliotekave shqiptare. “Rroftë Shqipëria!” por edhe “Rroftë Shqiptaria!”, shënonte mes rreshtave të autografeve autori Pearson
gjatë promovimit të veprës.
Pnorama 24/02/06
Krijoni Kontakt