Nuk mund të ketë kthim të Kosovës nën Serbi, tha Oli Ren në takimin e ministrave të BE së
Bruksel, 28 shkurt - Ministrat e jashtëm të BE së në takimin e tyre në Bruksel kanë diskutuar për zhvillimet në Ballkan. Ata kanë theksuar rëndësinë e veçantë të vazhdimit të përmbushjes së standardeve në Kosovë dhe kanë mirëpritur mbajtjen e takimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për decentralizim. Ministrat e kanë quajtur këtë takim si demonstrim të gatishmërisë nga të dyja palët për t[u angazhuar në mënyrë konstruktive në procesin e statusit të Kosovës.
Këshilli i Ministrave të BE së ka përsëritur edhe në këtë takim se rëndësi të veçantë duhet dhënë edhe përmbushjes së standardeve në Kosovë. Autoriteteve të Kosovës u kanë dërguar porosi që paralelisht me negociatat për statusin, duhet të arrijnë përparim të shpejtë në përmbushjen e standardeve, sidomos të atyre që kanë të bëjnë me mbrojtjen e komuniteteve pakicë.
Komisioneri për zgjerim Oli Ren ka theksuar se nuk mund të ketë kthim të Kosovës nën Serbi.
Pjesën më të madhe të takimit të tyre ministrat ia kanë kushtuar problemit të bashkëpunimit të Serbisë me Tribunalin e Hagës. Para ministrave raportin për këtë e ka paraqitur komesioneri i zgjerimit të BE së, Oli Ren, i cili ka thënë se nëse nuk arrihet bashkëpunim i plotë raundi i ri i negociatave me Beogradin nuk do të mund të zhvillohet. Ministrat e jashtëm të BE së në konkluzat nga ky takim ia kanë tërhequr vërejtjen Serbisë se bisedat për stabilizim asociim mund të suspendohen nëse autoritetet në Beograd nuk arrestojnë të akuzuarit për krimet e luftës, posaçërisht Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq.
www.kosova.com
Krijoni Kontakt