Dëmshpërblimin i të dëmtuarve nga shteti do të bëhet sipas Kodit Penal. Rritje e fondit prej 3 milionë USD
Të përndjekurit, 30 mijë lekë dita e burgut
Kryeministri Berisha porosit Rusmalin që të sjellë sa më shpejt në qeveri projektligjin e ri për ish-të përndjekurit
Nevila Perndoj
TIRANË- Qeveria “Berisha” do të depozitojë së shpejti në Kuvend projektligjin e ri për ish-të përndjekurit politikë. Në draftin e ri pritet që të parashikohet edhe vlera e re e kompensimit të ish-të përndjekurve, sipas vlerës së kompensimit të parashikuar në një nga nenet e Kodit Penal, 20 mijë lekë dita. Kryeministri Sali Berisha ka premtuar dje në mbledhjen e qeverisë se, krahas fondit të përcaktuar nga buxheti i vitit 2005, (3 milionë dollarë), qeveria do të marrë përsipër edhe rritjen më tej të këtij fondi. Për hartimin këtij drafti është ngarkuar zv-kryeministri Ilir Rusmali. “Desha të sjell në vëmendje të zv- kryeministrit Rusmali çështjen e ligjit për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, të të përndjekurve të diktaturës. Ky ligj duhet të paraqitet në qeveri sa më parë. Shoqatat kanë bërë propozimet e tyre. Natyrisht, këtu, në fakt, ligji ekziston, por ata u diskriminuan. Kodi Penal i Shqipërisë përcakton qartë dëmshpërblimin e të dëmtuarve nga shteti. Mirë po ky nuk është zbatuar dhe ky kod duhet të zbatohet tërësisht. Ndaj dhe duhet bërë paraqitja sa më shpejt e këtij ligji. Ne krijuam fondin në buxhet për dëmshpërblimin e tyre. Fondi ka një shumë modeste, por fondi do të rritet dhe mund të them se shoqatat dhe të përndjekurit kanë dëshmuar një arsyetim në kërkesat e tyre, i kanë të arsyetuara, kanë pranuar shtrirjen e këtij procesi, gjë që është e domosdoshme, por që ta kemi të qartë, se[u] pa dëmshpërblimin e shekujve, vite burgjesh, rini të tretura në kampe përqendrimi, jetësh të rëna për vlerat universale të njeriut, shoqëria shqiptare e drejtë nuk bëhet”, - tha Berisha. Për këtë arsye, shtoi ai, ne i rikthehemi një procesi që është kusht themelor për paqen e vërtetë sociale. Kreu i ekzekutivit bëri me dije se zv-kryeministri Ilir Rusmali ka punuar në këtë drejtim dhe se së shpejti projekti do t’i dorëzohej Kuvendit në përputhje me programin që ka pasur qeveria. Në këtë mënyrë, pritet që të jetë Kuvendi ai që do të vendosë përfundimisht mbi projektin për ish-të përndjekurit. Partia Demokratike premtoi gjatë fushatës elektorale rishikimin e formës së kompensimit të të dënuarve nga diktatura komuniste, duke kundërshtuar në këtë mënyrë formën e miratuar në muajin maj të vitit të shkuar nga ish-mazhoranca socialiste, që u hodh poshtë në fund të vitit të kaluar nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese
Në mesin e muajit dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e cilësoi antikushtetues kompensimin financiar të ish-të përndjekurve dhe të dënuarve politike gjatë sistemit komunist. “Me shfuqizimin e kësaj dispozite krijohet një boshllëk ligjor, prandaj i rekomandohet Kuvendit të ndërmarrë hapat e nevojshëm në këtë drejtim. Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin si antikushtetues të ligjit 9 260 të korriku 2004. Ky vendim është përfundimtar i formës së prerë do të fillojë zbatimin ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, - thuhej në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Vendimi në fjalë i hapi rrugë vlerës së kompensimit të parashikuar në Kodin Penal, që përfshihej edhe në premtimet elektorale të PD-së. Projekti i qeverisë do të përmbushë në këtë mënyrë edhe kërkesën kryesore të ish-të përndjekurve politike, të cilët kanë kërkuar prej kohësh që dëmshpërblimi i tyre të bazohet në vlerën që parashikon Kodi Penal, me 20 mijë lekë për çdo ditë burgu.
Fatura
Në rast se do t’i referohemi një numri të dalë jozyrtarisht nga Ministria e Drejtësisë muaj më parë lidhur me numrin e të dënuarve në burgjet e komunizmit, (rreth 9 807) i bie që fatura e dëmshpërblimit nga ana e qeverisë të jetë realisht e papërballueshme. Megjithatë, shifra në fjalë u hodh poshtë nga ish-të përndjekurit, të cilët janë shprehur pak kohë më parë se ata nuk ishin më shumë se 6 mijë persona dhe se shifrat ishin ekzagjeruar qëllimisht për t’i shmangur ata nga e drejta e dëmshpërblimit.
Ligji i miratuar në 2004-ën u rrëzua në dhjetor të 2005-ës nga Gjykata Kushtetuese
Skema e kompensimit që parashikonte ligji i PS-së
Tiranë- Dy vite më parë, mazhoranca socialiste përgatiti ligjin për ish-të përndjekurit politikë, ku parashikohej një kompensim financiar për grupet e ish- të dënuarve të të përndjekurve politikë sipas një skeme ku qeveria duhet të paguante për të dënuarit politikë një fond prej 2 milionë dollarësh, ndërsa periudha e dëmshpërblimit të zgjaste nga 10 deri në 15 vjet. Ky fond do të dëmshpërblente rreth 9 807 ish-të dënuar politikë. Skema ndahej në tre grupime, ata që kanë vuajtur nga 1-5 vjet burg do dëmshpërbleheshin me 1 000 lekë në muaj, ata me 5-10 vjet burg me 1 500 lekë dhe të pushkatuarit, me pagesë maksimale 5 000 lekë në muaj. Por në fund të vitit të kaluar, vendimi u kundërshtua nga shoqatat e ish-të përndjekurve, të cilët e ankimuan ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit e cilësoi si ligj antikushtetues për kompensimin financiar të ish-të përndjekurve dhe të dënuarve politike gjatë sistemit komunist. Ndërkohë, demokratët, asokohe në opozitë, u shprehën se dëmshpërblimi duhet të ishte sipas Kodit Penal, ku vlera e kompensimit është parashikuar të jetë 20 mijë lekë dita. Ish-të përndjekurit pretendojnë se janë rreth 6 mijë të tillë, ndaj dhe kompensimi në vlerën e pretenduar sipas tyre është më se i realizueshëm.
Skema e miratuar nga ish-mazhoranca socialiste
- Grupi i të përndjekurve me 1-5 vjet burg = 1 000 l/muaj
- Grupi i të përndjekurve 5-10 vjet burg = 1 500 l/muaj
- Grupi i të pushkatuarve, me pagesë maksimale 5 000 l/muaj
Krijoni Kontakt