---------------
shekulli
Kryeparlamentarja do të nisë sot një vizitë disaditore në SHBA
Topalli niset për në SHBA, takime në Departamentin e Shtetit
Anila Rama
TIRANE - Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, niset sot për një vizitë zyrtare drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një vizitë kjo e planifikuar prej kohësh në axhendën e kryetares Topalli. Realizmi i vizitës, ndonëse ishte planifikuar më parë, është vënë në pikëpyetje nga vetë kryeparlamentarja Topalli, për shkak të zhvillimeve të fundit në Kuvend, por që në fund është vendosur për t’u realizuar. Burimet nga Kuvendi pohuan se në axhendën e vizitës së Topallit janë përcaktuar takime të rëndësishme ditët e fundit, me ndërmjetësinë e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Vizita e Topallit në SHBA do të zgjasë gati 10 ditë, ku pritet që atje ajo të takohet me zyrtarë të ndryshëm të shtetit, përfaqësues të kongresit e senatit amerikan. Ndërkaq, largimi i Topallit në këtë vizitë të gjatë jashtë Shqipërisë përkon me situatën aspak normale të krijuar në dy seancat e fundit parlamentare, si pasojë e kundërshtimit të opozitës të procedurës së votimit të kërkesës së PS-së për shkarkimin kryetares Topalli nga detyra. Në seancën e zhvilluar ditën e mërkurë, Parlamenti rrëzoi me 70 vota kundër e 8 pro kërkesën e PS-së e PSD-së për shkarkimin e Topallit. Por opozita kundërshtoi procedurën e votimit të fshehtë me elektronikë, duke këmbëngulur që votimi të realizohet i fshehtë me kuti, në të njëjtën mënyrë që Topalli u zgjodh në krye të legjislativit në fillim të shtatorit. Për këtë arsye seanca kur u votua, por edhe seanca e ditës së enjte janë bllokuar nga deputetët e opozitës, të cilët kanë kërkuar, duke protestuar, ripërsëritjen e votimit e duke u shprehur njëkohësisht se nuk e njohin më Topallin si kryetare të Kuvendit. Partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në komisionet parlamentare, në byronë e Kuvendit apo edhe në konferencën e kryetarëve derisa të ripërsëritet votimi për mocionin e shkarkimit të Topallit. E njëjta situatë si në dy seancat e fundit pritet të mbizotërojë edhe nesër në Parlament, por këtë radhë pa praninë e Topallit.
26/02/2006
KATEGORIA: Politike
Krijoni Kontakt