Familja e kryegjyqtares, histori droge dhe trafiku makinash të vjedhura nga Bullgaria

Dosja e zezë e Gabës

Kandidatja për anëtare e Gjykatës së Lartë, Gjinovefa Gaba, akuzohet për favorizim të personave të implikuar në trafikun e drogës në kohën kur ka drejtuar Gjykatën e Apelit në Vlorë. Sipas burimeve të informacionit bëhet e ditur se Gaba ka ndikuar në pezullimin e hetimit të çështjes për trafik ndërkombëtar droge, në të cilin ishte implikuar bashkëshorti i saj Vladimir Gaba. Burimet bëjnë të ditur se hetimet që kanë të bëjnë me ndalimin e makinës tip "Benz" në pronësi të shtetasit Vladimir Gaba, ku u gjetën 250 gramë drogë e përpunuar, nuk janë kryer sipas procedurave të rregullta ligjore. I gjithë procesi i hetimit për këtë çështje është interferuar nga persona që kanë lidhje të ngushta me Vladimir Gabën, përkatësisht Besnik Malaj, kunati i Vladimir Gabës, me profesion jurist dhe agjent i Policisë Gjyqësore, dhe Gjinovefa Gaba, kryetare e Gjykatës së Apelit në Vlorë. Drejtoria e Inspektimit pranë Ministrisë së Drejtësisë konkludon se hetimi në lidhje me këtë ngjarje ka qenë i përciptë dhe jo objektiv në planin ligjor, metodik dhe formal. Në makinën në të cilën u gjet droga janë kapur dy persona me 250 gr drogë dhe njëri prej tyre nuk u arrestua, ndërkohë që policia gjyqësore nuk hetoi aspak në këtë drejtim. Gjithashtu nuk u ushtrua kontroll në banesën e autorit që mbante drogën në ambalazhin e të cilës shkruhej "TURKEYE" dhe që krijon në mënyrë të natyrshme dyshimet për përfshirje në një rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës. Në vendngjarje policia ka sekuestruar makinën që ka targë, lejeqarkullimi dhe pronar të njohur dhe të identifikuar si Vladimir Gaba, bashkëshorti i Gjinovefa Gabës dhe kunati i tij Besnik Malajt ose vëllai i Gjinovefa Gabës. Ndonëse automjeti ishte përdorur për kryerjen e veprës penale, policia gjyqësore pa asnjë bazë ligjore heq sekuestron e vendosur mbi mjetin, ndërkohë që prokuroria, e cila dha urdhër për lirimin e mjetit, nuk rezulton të ketë bërë vlerësimet e saj. Gjithashtu, hetimi ka qenë i përciptë dhe kjo vërtetohet nga fakti se procedurat për bllokimin dhe verifikimin e këtij automjeti në pronësi të Vladimir Gabës nuk kanë qenë sipas kërkesave ligjore, pasi janë falsifikuar dokumentet e automjetit të bllokuar. Nuk është bërë procesverbali për kqyrjen dhe marrjen e mjetit, verifikimi i numrit të shasisë dhe viti i prodhimit, pasi rezulton se fillimi i numrit të shasisë me 123 dhe viti i prodhimit marka "Benz 200" në lejen e qarkullimit të bllokuar ishin falsifikuar, pasi në përshkrimin e automjetit të bllokuar bëhej fjalë për "Benz 250". Një gjë e tillë duhej të ishte verifikuar nëpërmjet ekspertimeve dhe aktit minimal të bllokimit dhe verifikimit të dosjes së këtij automjeti në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor, Vlorë.

Gjithashtu, për këtë rast mungojnë tabelat fotografike të provave materiale. Pas verifikimeve të nevojshme, në rrjetin kompjuterik të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor rezulton të ketë probleme, fakte dhe rrethana kontradiktore, të cilat nëse do të ishin marrë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, do të kishin ndikuar në zbardhjen e objektivave të rrethanave të çështjes dhe mund të kishte lënë vend edhe për hetimin dhe ndëshkimin për vepra të tjera penale. Nga verifikimet e bëra në këtë dosje, vërtetohet falsiteti i kontratave noteriale të bëra dhe të paraqitura nga shtetasi Vladimir Gaba. Në bazë të këtyre fakteve do të vërtetohej se automjeti tip "Benz 250", i bllokuar nga policia me drogë, nuk është automjeti që figuron në këtë dosje, por janë vetëm targat dhe leja e qarkullimit që i përkasin kësaj dosjeje. Një gjë e tillë e lidh pronarin e tyre me të pandehurin dhe krijon bindjen se ka pasur vend, arsye dhe detyrim ligjor për të hetuar në drejtim të tij. Kryerja e veprimeve me nxitim dhe jo konform ligjit dhe praktikës hetimore, veçanërisht në mënyrën e marrjes së administrimit dhe veprimit me provat materiale, të krijojnë mendimin e lëvizjeve të qëllimshme dhe krijimin e favoreve të padrejta dhe të paligjshme.





Një familje me lidhje kriminale edhe me anëtarë të bandës së Kateshit

Lidhjet e dyfishta të Gabës me trafikantët e drogës

Gjinovefa Gaba, ish-kryetare e Gjykatës së Apelit në Vlorë, e dekretuar nga Presidenti i Republikës si kandidate për anëtare të Gjykatës së Lartë, duket se ka lidhje të dyfishta me trafikantët e drogës. Përveç bashkëshortit të saj Vladimir Gaba, në makinën e të cilit u gjend një sasi e konsiderueshme droge, vetë vëllai i Gabës, Besnik Malaj, agjent i policisë gjyqësore në Vlorë, ka lidhje të forta me trafikantët e drogës. Madje sipas informacioneve, vëllai i Gjinovefa Gabës përdoret si bazë nga grupet e ndryshme ndërkombëtare të drogës për kalimin e lëndëve narkotike në drejtim të Italisë. Nga të gjitha informacionet e mbërritura në Kuvend dhe në Presidencë, rezulton se në makinën e bashkëshortit të Gjinovefa Gabës, Vladimir Gaba, është gjetur drogë. Gjithashtu, informacionet e lartpërmendura e implikojnë vëllain e Gabës në rrjetin e trafikimit të makinave të vjedhura nga Bullgaria. Malaj rezulton të ketë lidhje me persona të inkriminuar që zhvillojnë aktivitet kriminal në Maqedoni dhe Bullgari. Këta persona janë të njohur si të përfshirë në kontrabandën e drogës dhe trafikimit të makinave të vjedhura që hyjnë në Shqipëri. Besnik Malaj ka lidhje të ngushta me persona me precedentë të rrezikshëm penalë, përkatësisht me njerëz që shoqëroheshin me grupin kriminal të quajtur "Kateshi", kur ky grup ishte në kulmin e aktivitetit të tij, i cili në atë kohë merrej me trafikim të drogës. Malaj, ndonëse me profesion jurist, mban lidhje të ngushta me trafikantë të rrezikshëm të drogës dhe makinave nga Maqedonia, të cilët kanë lidhje të ngushta me persona të administratës shtetërore në Vlorë. Gjithashtu, Malaj rezulton të ketë lidhje me trafikantin e drogës me inicialet P.S, i cili bën grumbullimin e drogës dhe nëpërmjet lidhjeve të tij me Besnik Malajn në Vlorë, bën nisjen për në Itali të saj. Besnik Malaj merret edhe me transportimin e drogës nga Vlora në Itali që sjellin grupet e tjera kriminale. Si aktivitet të tij ai ka tregtinë e makinave si dhe transportin e makinave të dëmtuara në servise. Ai është i njohur për transportimin e drogës nga Maqedonia në Shqipëri dhe duke përdorur lidhjet e tij në Maqedoni, fsheh drogë në pjesët e brendshme të makinave që sjell në Shqipëri. Ngarkesat e narkotikëve i dorëzohen Besnik Malajt, i cili i transporton ato më pas në Itali.





Dy prej ortakëve ju dhanë dënime qesharake nga gjykatat në lidhje me trafikun e drogës

Mashtrimet e bashkëshortit të Gabës organeve të drejtësisë

Procesi i hetimit të çështjes së bashkëshortit të Gjinovefa Gabajt, i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në trafikun ndërkombëtar të drogës, është karakterizuar sistematikisht nga ndërhyrje të jashtme dhe paligjshmëri. Policia gjyqësore nuk ka kryer detyrën e saj ligjore dhe ka liruar pa urdhër të prokurorisë makinën e bllokuar të Vladimir Gabajt në të cilën transportohej sasia e drogës. Ndonëse në makinë janë kapur në flagrancë dy shtetas, përkatësisht Shkëlqim Besimaj dhe Kudret Besimaj, vetëm njëri prej tyre është arrestuar dhe gjykuar në kundërshtim me të gjitha dispozitat ligjore, duke përfunduar me një dënim vetëm 10 muaj burg, ku faktikisht ka kryer vetëm 6 muaj. Për një vepër të tillë penale dënimi minimal është 5 vjet, ndërkohë që po në mënyrë të paargumentuar gjykata ka vendosur gjykim të shkurtuar për të pandehurin. Bashkëshorti i kryetares së Gjykatës së Apelit të Vlorës, Vladimir Gaba, ka paraqitur në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë kontrata të falsifikuara, me anë të të cilave dëshmon se ia kishte huazuar për përdorim të pandehurit. Deklaratat e të pandehurit ishin tërësisht në kontradiktë të plotë me kontratat e paraqitura nga Gaba, ndërkohë që hetimi në këtë drejtim nuk ka vazhduar më tej. Në procesverbalin e policisë gjyqësore, makina e Vladimir Gabajt rezulton të jetë një makinë tip "Benz 250" me targa VL 8996 A, ndërsa në kontratën e paraqitur nga ana e tij në prokurori për huapërdorje ndaj një shtetasi tjetër, makina e bllokuar rezulton si "Benz 200" me targa Vl 9886 A. Gaba ka përdorur një automjet të ngjashëm me automjetin e bllokuar në të cilin u gjet lënda narkotike, për të deklaruar se automjeti i bllokuar nuk ishte i tij, pasi ai e kishte dhënë atë me huapërdorje. Nga ana tjetër, vetë Gaba ka paraqitur një kontratë shitjeje në prokurori, ku pretendon se e ka shitur makinën tip "Benz" me targa VL 8996 A shtetasit Artur Binaj. Përsëri edhe në këtë rast prokuroria nuk ka marrë në pyetje paraqitësin e këtyre kontratave se cila prej tyre është e saktë, pasi të dyja rezultojnë të jenë firmosur nga vetë Vladimir Gaba. Në të njëjtën mënyrë, prokuroria nuk ka marrë në pyetje Gabën në lidhje me marrëdhëniet që kishte ai me të pandehurin. Prokuroria, në këtë mënyrë, nuk ka marrë në pyetje Gabën se ç'lidhje kishin leja e tij e qarkullimit dhe pronësia e mjetit në makinën në të cilën u gjet lënda narkotike. Në rrethana të paqarta, makina e bllokuar në pronësi të Gabës është liruar nga sekuestroja, në një kohë kur prokuroria nuk kishte bërë vlerësimet e nevojshme.

Shkeljet e konstatuara në procedimin penal ndaj çështjes Gaba

Në makinën e bashkëshortit të Gjinovefa Gabës, Vladimir Gaba, janë kapur 250 gr drogë canabis sativa, ndërkohë që njëri nga personat e ndaluar nuk arrestohet, ndërsa policia gjyqësore është mjaftuar dhe merr të mirëqena shpjegimet e dhëna në procesverbalin e kapjes në flagrancë, të përbërë vetëm nga tre fjali. Gjithashtu nuk është ushtruar kontroll në banesën e autorit. Në të gjitha aktet, lënda narkotike e kapur emërtohet dhe trajtohet si bimë canabis sativa, kur në fakt është koncentrat i canabisit, e presuar pas përpunimit. Për prodhimin e saj nevojitet një sasi e konsiderueshme bimë narkotike, gjë që nuk është zgjidhur nga hetimi nëpërmjet pyetjes së ekspertëve se nga ç`sasi bime mund të përftohet një sasi e tillë dhe me ç`mjete e teknologji prodhohet ajo. Në ambalazhin e kësaj lënde narkotike ndodhet mbishkrimi "TURKEYE", që në mënyrë të natyrshme krijon dyshimin se është një ngjarje që ka të bëjë me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ndëkohë që nuk është hetuar fare në këtë drejtim.

Në vendin e ngjarjes është sekuestruar një autoveturë, e cila ka targë, leje qarkullimi dhe një pronar të njohur dhe të identifikuar si Vladimir Gaba, i cili është bashkëshorti i gjyqtares Gjinovefa Gaba. Ky automjet është përdorur si mjet për kryerjen e veprës penale e, transportimin e autorit dhe fshjehen e drogës, dhe pa u bërë ekzaminimet dhe verifikimet e nevojshme, të domosdoshme në raste të tilla, hiqet sekuestroja e vendosur nga policia gjyqësore që, ndonëse e ka paraqitur policia gjyqësore, nuk rezulton të jetë bërë vlerësimi i saj nga prokuroria, e cila urdhëroi lirimin e mjetit vetëm 7 ditë pas bllokimit, meqenëse për prokurorinë nuk njihet pronari.

I pandehuri pretendon se e ka blerë mjetin tek "Ura e Mifolit", vetëm disa ditë para se të kapej dhe në fakt automjeti i jepet një personi që për hetimin e nisur, nga aktet e konstatuara është i paidentifikuar qartë, pasi nuk ka të administruar aktin e duhur procedurial që është procesverbali për dorëzimin e sendit.

Procedura për bllokimin dhe verifikimin e këtij mjeti nuk është bërë sipas kërkesave ligjore, pasi duhej të ishte bërë procesverbal për kqyrjen dhe marrjen e këtij automjeti ku të ishte bërë përshkrimi i automjetit, verifikimi i numrit të shasisë dhe vitit të prodhimit, ku është fakt i njohur se fillimi i numrit të shasisë me 123 dhe viti i prodhimit marka "Benz 200" në lejen e qarkullimit të bllokuar mund të kishin të bënin me falsifikim, sepse në përshkrimin e automjetit të bllokuar bëhej fjalë për "Benz 250", çka duhej patjetër të verifikohej nëpërmjet ekspertimeve dhe aktit minimal të bllokimit dhe verifikimit të dosjes së këtij automjeti në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor, Vlorë. Verifikim ky, nëpërmjet të cilit do të rrëzoheshin pretendimet e të pandehurit dhe do të hetohej në drejtim të pronarit të automjetit si bashkëpunëtor i mundshëm në këto vepra penale. Në vazhdim të verifikimeve mbi çfarë ngrihej në informacion, u bënë verifikimet e nevojshme në rrjetin kompjuterik të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor dhe më pas në dosjen e bllokimit të automjetit me targë VL 8996 A, ku rezulton të ketë probleme, fakte dhe rrethana kontradiktore, që nëse do të ishin marrë nga prokuroria e rrethit Gjyqësor Vlorë, do të kishin ndikuar në zbardhjen objektive të rrethanave të çështjes dhe mund të kishte vend për hetimin e ndëshkimin edhe të veprave të tjera penale. Nga verifikimet e bëra në këtë dosje vërtetohet falsiteti i kontratave noteriale të bëra dhe të paraqitura nga shtetasi Vladimir Gaba dhe mund të rrëzoheshin pretendimet e të pandehurit mbi automjetin si dhe do të vërtetohej se automjeti tip "Benz 250" i bllokuar nga policia me drogë nuk është automjeti që figuron në këtë dosje, por janë vetëm targat dhe leja e qarkullimit që i përkasin kësaj dosje, çka e lidh pronarin e tyre me të pandehurin dhe krijohet bindja se ka patur vend, arsye dhe detyrim ligjor për të hetuar në drejtim të tij. Kështu që kryerja e veprimeve me nxitim dhe jo konform ligjit dhe praktikës hetimore, veçanërisht në mënyrën e marrjes, administrimit dhe veprimit me provat materiale, mënyrës së vlerësimit të akteve dhe qëndrimin e mbajtur në hetim dhe gjykim të krijojnë mendimin dhe bindjen për veprime të qëllimshme, dhe krijimin e favoreve të padrejta, të paligjshme.

Së treti, ajo që i kompromenton më tepër këto veprime dhe hetimet në tërësi është se në dosjen përkatëse ndodhet një procesverbal sipas të cilit, Vladimir Gaba dorëzon në prokurori një kontratë shitblerje të këtij automjeti, e cila në ballafaqim me kontratën e huapërdorjes, e bërë nga Vladimir Gaba, të ballafaquara edhe me shpjegimet e të pandehurit, krijojnë një tablo të tërë kontradiktash që ka qenë e nevojshme dhe e detyrueshme për hetimin që të sheshoheshin.

Konkretisht ka qenë detyrë e prokurorit të kryente këto veprime hetimore, që nga marrja e çështjes për veprim, veçanërisht kur shtetasi Vladimir Gaba ka dorëzuar në Prokurori kontratën e shitjes së automjetit në fjalë.

Të pyetej shtetasi Vladimir Gaba rreth kësaj makine dhe faktit nëse kjo makinë dhe leja e qarkullimit me emrin e tij janë ose kanë qenë të tijat. Nëse po, kujt ia kishte blerë dhe kujt ia ka lënë në përdorim? Nëse e kishte shitur, kujt ia kishte shitur dhe kur?

Të pyetej ky shtetas, duke e ballafaquar atë me dy kontratat që ndodhen në dosje, atë të shitjes të dorëzuar prej tij dhe kontratën e huapërdorjes që ndodhet në dosje në fletën pasardhëse, nëse ishin nënshkruar prej tij dhe cila prej tyre pasqyron të vërtetën.

Të pyetej nëse e njeh të pandehurin dhe ç'marrëdhënie kishte me të. Çfarë kërkon dhe si e shpjegon ai që leja e qarkullimit dhe makina me emrin e tij ndodhet në dorën e të pandehurit të kapur me drogë, dhe nëse ai kishte dijeni për një fakt të tillë, nëse ia ka vjedhur, shitur ose lënë në përdorim.

Duhej bërë paraqitje për njohjen e sendit, pasi ka patur bazë për shumë dyshime mbi përkatësinë e këtij sendi.

Nuk është verifikuar fakti pse i pandehuri pretendon se e ka blerë makinën nga një person i panjohur dhe de facto nga organi i hetimit është pranuar dhe njohur si i vetmi pronar i makinës. Megjithëse i pandehuri pretendon blerjen nga një person i panjohur, nuk i kërkohet përshkrimi i këtij personi, në mënyrë që t'i hapej rruga veprimit tjetër hetimor, paraqitjes për njohje dhe konkretisht të Vladimir Gabës, në emër të të cilit ishte leja e qarkullimit ose personit që ky mund t'ia kishte shitur.

Nga studimi i akteve, kjo makinë rezulton me tre pronarë dhe pa asnjë të tillë. Ky fakt nuk investigohet më tej.

Kjo makinë lirohet nga sekuestroja në kushtet kur "nuk dihet" pronari i saj, nuk është dokumentuar në dosje hetimore kush e ka marrë këtë makinë në dorëzim dhe me procesverbal nga komisariati siç e kërkon ligji, në dokumentacionin e policisë nuk gjendet asnjë e dhënë për këtë makinë dhe çfarë fshihet pas saj.

Me të drejtë shtrohet pyetja dhe lind dyshimi pse nuk janë bërë këto veprime hetimore dhe akoma më keq janë bërë dhe pranuar falsifikimet dhe kamuflimet, deri në fshehjen e pronarit real, duke marrë dhe pranuar apriori si të vërteta fakte që kundërshtojnë njëri-tjetrin.

Vendimet e ekspertimit, tejet formale

Vendimet e ekspertimit në përgjithësi janë tejet formale dhe me mangësi. Megjithëse akti i ekspertimit e përcakton qartë se kemi të bëjmë me lëndë narkotike, pluhur i presuar, në të gjitha aktet përdoret termi bimë canabis sativa, çka të krijon përshtypjen e një tendence për ta zbehur rrezikshmërinë shoqërore të veprës dhe të autorit, siç është vepruar nga prokuroria dhe gjykata.

Ajo që e kompromenton rëndë hetimin e kësaj çështje, është tërë procesi i verifikimit të autorit nëse është përdorues i bimës narkotike dhe konkretisht datat e vendimeve të ekspertimit të tyre, forma dhe përmbajtja e tyre.

Kulmi arrin tek ajo që i kompromenton dhe vë në pikëpyetje vërtetësinë e tyre, që është data dhe marrja e mostrave të urinës, procesverbali i së cilës përmban datën e tre ditëve para vendimit të parë, një veprim që ligjërisht, procedurialisht dhe praktikisht, është i papranueshëm.

Kjo sepse shkenca dhe praktika nuk kanë arritur ende që një përdorues të canabisit ta diagnostikojnë në kushtet e izolimit, duke marrë mostrën e urinës pas 8 ditësh dhe objekti i ekspertimit t'i ruajë cilësitë e saj dhe të jetë i vlefshëm për ekzaminim pas 16 ditësh. Sidoqoftë, procesverbali është nënshkruar nga të gjithë pjesëmarrësit, përveç të pandehurit.

Të gjitha veprimet hetimore të kryera nga policia gjyqësore janë kryer pa urdhër delegimi siç e kërkon ligji, çka i bën veprimet e kryera prej tyre të pavlefshme.

Vërtetimi i gjendjes gjyqësore që mban datën 10.09.2001 është lëshuar një muaj e gjysmë pas dërgimit të çështjes për gjykim, kur është fakt i njohur dhe kërkesë e ligjit që gjykata nuk pranon gjykimin pa ekzistencën e akteve të plota. Gjithashtu, sipas këtij vërtetimi, i pandehuri figuron i dënuar dhe siç del nga aktet, nuk rezulton të ketë shenja pendimi, as të ketë ndihmuar në zbardhjen e çështjes, përkundrazi, kjo çështje s`mund të gjykohej e aq më pak të zbardhej e vërteta në atë gjendje në të cilën ndodhen aktet.

Lidhur me politikën e dënimit, qëndrimi i akuzës përsa i përket pranimit të kërkesës për gjykimin e shkurtuar, zbritjen nën minimumin e parashikuar nga ligji, duke e argumentuar me faktin e parashikuar si rrethanë lehtësuese pendimin e të pandehurit dhe duke kërkuar dënimin e tij vetëm me 3 vjet burg, kur minimumi i dispozitës parashikon një dënim prej 5 vjetësh, duke i shtuar këtij fakti edhe hetimet e mangëta, pajtimin me vendimin e gjykatës, e cila e ka dënuar të pandehurin me 10 muaj burg, që nuk është mbështetur në ligj, përsa i takon dispozitave ligjore, neni 53 i Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit në minimum, duke mos e ankimuar këtë vendim në Gjykatën e Apelit. Ky vendim është haptazi i padrejtë, pasi në rastin konkret nuk kemi asnjë rrethanë lehtësuese nga ato që parashikon ligji, gjë që e kompromenton rëndë veprimtarinë e tyre. Por duke qenë se kanë kaluar tre vjet nga shkeljet e kryera për gjykatën, nuk mund të iniciohet nisja e procedimit displinor.

Favoret e padrejta për këtë të pandehur kanë vazhduar deri në fund, pasi i pandehuri ka ankimuar vendimin, që nuk është marrë në shqyrtim nga Gjykata e Apelit Vlorë, duke bërë të mundur që këtij të pandehuri t`i njihet për çdo ditë të qëndrimit të tij në burg një ditë e gjysmë vuajtje dënimi, ku de jure është dënuar me 10 muaj burgim dhe de facto ka bërë vetëm 6 muaj e gjysmë burg.

RD